Kanë shkaktuar reagime të forta fjalët e historianit apo ciceronit turk, Talha Ugurluel, i cili gjatë një shëtitjeje në prill të këtij viti në Shkodër dhe muze, memorialin e Skënderbeut në Lezhë ka denigruar figurën e heroit tonë kombëtar, madje duke e krahasuar atë me terroristët e Partisë Komuniste kurde.
“Vetëm Skënderbeu e tradhtoi Perandorinë Osmane dhe doli në mal. Jetoi si një plaçkitës dhe vdiq. Atë njeri e pagëzoi dhe Papa. Flamuri i tij sot është flamuri i Shqipërisë. Sot, ai tregohet si lideri më i madh i shqiptarëve. Skënderbeu ka jetuar për shumë vite në malet e Krujës, ka qenë bandit dhe kusar. Ka sulmuar rreth 30 herë ushtrinë e Perandorisë. Sot disa nacionalistë shqiptarë e hiperbolizojnë këtë gjë. Zbriste nga mali me disa ushtarë të vet, vriste burra, gra, fëmijë të pambrojtur dhe ikte. Këtë, ai dhe ata e quajnë si luftë ndaj osmanllinjve. Jo, është njësoj me atë që bëjnë terroristët kurdë sot në vendin tonë, të cilët vrasin 2-3 vetë dhe kujtojnë se çfarë kanë bërë. Ai ka bërë të njëjtën gjë si PKK, sulmo nga mali dhe ik, sulmo dhe ik”, ka thënë turku.
Historiani turk ka marrë pjesë në një udhëtim të një grupi shtetasish turq në Shqipëri. Video me komentet negative është hequr nga “Youtube” për shkak të gjuhës së përdorur, ndërsa një peticion për shpalljen e tij non grata në Shqipëri është në proces e sipër. Talha Ugurluel është i njohur në vendin e tij, sepse udhëtonte në vendet që kanë qenë të pushtuar nga ish-Perandoria Osmane dhe tregon historinë e tyre sipas një varianti shumë fyes.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, ka reaguar pas deklaratave të historianit turk. Gjatë një deklarate për mediat, Frrokaj ka dënuar aktin e historianit turk, duke deklaruar se duhet të distancohemi nga ngjarje të tilla. Sipas tij, këto qëndrime janë dashakeqëse, pasi çdo popull ka heronjtë e vet që duhen respektuar, pavarësisht përkatësive fetare. Në të njëjtën linjë për ngjarjen ka qenë edhe Myftina e Lezhës. Imami i xhamisë së qytetit, Mois Shehu, tha se Komuniteti Mysliman distancohet nga akte të tilla, duke deklaruar se është e pafalshme që të fyhet një hero kombëtar siç është Skënderbeu.






