Gjenerali Curtis Scaparrotti takoi dje në Prishtinë Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Mustafa


thacithaci
Komandanti i  ri i Forcave Supreme të NATO-s në Europë, gjenerali Curtis Scaparrotti mbështet formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Dje, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, ai u prit nga Presidenti kosovar, Hashim Thaçi. Përveç rolit të KFOR-it në Kosovë, Presidenti Thaçi bisedoi me gjeneralin Scaparrotti edhe objektivat e shtetit për t’u bërë pjesë e “Partneritetit për Paqe”, si një parakusht për anëtarësimin e saj të plotë në NATO. “Ne jemi duke punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Janë shënuar disa përparime, por mbetet për t’u bërë më shumë. Gjithashtu, tani jemi të angazhuar edhe në transformimin e FSK-së në një forcë të re multietnike dhe që shteti ynë sa më shpejt të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si një parakusht për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s”, deklaroi Thaçi. Ai shtoi se edhe Kosova, sikurse edhe shumë shtete të botës, është ballafaquar me vajtjen e të rinjve në luftërat në Irak dhe Siri, por se me hartimin e ligjeve dhe mekanizmave për të parandaluar këtë aspekt, në 10 muajt e fundit asnjë shtetas i vendit nuk ka shkuar më të bëhet pjesë e këtyre luftërave. Nga ana tjetër, gjenerali Curtis Scaparrotti e siguroi Presidentin Thaçi se stabiliteti i Kosovës dhe pjesës tjetër të Ballkanit mbetet prioritet i lartë i NATO-s. “Jemi këtu në Kosovë që t’ju mbështesim për atë që keni bërë deri më tani si institucione të Kosovës. Ky është gjithashtu qëndrim NATO-s dhe i ministrave të Brendshëm e të Jashtëm. I mbështesim përpjekjet tuaja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, për zhvillim ekonomik dhe do ta vazhdojmë edhe mbështetjen për FSK-në”, deklaroi gjenerali i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Scaparrotti u takua dje edhe me kryeministrin Isa Mustafa, ku u njoh për progresin në vend dhe prioritetet e qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimin euroatlantik, si dhe fuqizimin e shtetit ligjor. Kreu i ekzekutivit foli edhe për fuqizimin e sektorit të sigurisë, si dhe përgatitjet e bëra për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Gjithashtu Mustafa theksoi respektin dhe mbështetjen e madhe që KFOR-i gëzon te qytetarët e Kosovës.