Tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, rastësisht hasa në një material me titull:
“Gjermani kërcënon: Du ju heqim statusin e vendit kandidat”.
Materiali ishte botuar në faqen e internetit të gazetës “Mapo” të datës 29 qershor 2016.
Menjëherë më bëri përshtypje shprehja në fillim të titullit “Gjermani kërcënon”, sepse ajo i kall drithërimën lexuesit se i kujton vitet e Luftës II Botërore, kur Hitleri gjithandej kërcënonte vendet e Evropës Perëndimore për t’i pushtuar
Por më e çuditshmja është se në vend të shprehjes “Do t’ju heqim statusin…”, është shkruar “Du ju heqim statusin…”. Kjo është e turpshme për një gazetë që e mban veten për serioze në raport me lexuesit e saj. Është e pahijshme për pronarin e gazetës, për kryeredaktorin, për redaktorin dhe për korrektorin, nëse një i tillë figuron ose jo si i punësuar në redaksinë e saj. Kjo është një mungesë e theksuar respekti për lexuesit dhe një shëmtim flagrant i gjuhës shqipe.
Në intervistën që i është marrë Kryetarit të Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag, zotërisë Krichbaum, nuk thuhet absolutisht se kush është intervistuesi dhe kush është përkthyesi i kësaj interviste. Kjo duhet bërë e ditur, në mënyrë që lexuesit ta mësojnë se përkthyesi na paska qenë një copë injoranti që ka turpëruar faqen e gazetës “Mapo”. Por edhe nëse përkthimi ështe bërë përmes “Google”, situata bëhet edhe më e rëndë: kryeredaktori dhe redaktori e paskan marrë intervistën drejtpërdrejt nga përkthimi dhe, sikur të kishin të bënin me ndonjë bagazh hesapi, e paskan rrasur në faqet e gazetës, pa kurrfarë kontrolli.
Në përgjigjet që ka dhënë zotëria i nderuar Krichbaum, hasen mjaft fjali të shëmtuara, të cilat lexuesin e revoltojnë dhe e mbushin me maraz. Po citoj vetëm disa prej tyre:
Nese nuk gjendet kompromis reforma nuk do i jape drejtesine te pavaruar.
Kjo eshte e qarte per peicesurat e perzgjedhjes per keshillat e larte…
Ne ju mbeshtesim ne te gjitha ceshtjet, ne jete kuader moret statusin kandidat.
Zbatimit i ligjeve qe te vijne investitire dhe shqiperia te behet e besueshme.
Por, për çudi, po këtë titull të shëmtuar të intervistës në fjalë, e kanë të botuar edhe tri faqe interneti: “Piruni Media”, “Opinion”, “Opozita.Com”.
Vetvetiu lind pyetja:
Si është e mundur të lejohet botimi i një shëmtire të tillë në faqet e një gazete të njohur dhe të fyhet deri në këtë shkallë gjuha shqipe, të cilën e kemi pasuri me vlera të jashtëzakonshme kombëtare?
Botimi i kësaj shëmtire e ka burimin te tallja e politikës shqiptare me këtë pasuri kombëtare. Me sa kam informacion, në sirtarët e Kuvendit ka zënë myk Projektligji për Gjuhën Shqipe, i cili ka dhjetë vjet që prehet atje. Dhe kryetarët e Kuvendit, që hipin e zbresin nga kolltuku, nuk e kanë çarë kokën absolutisht ta shtrojnë për diskutim dhe ta kthejnë në ligj me kërkesa të rrepta për mbrojtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe dhe të normave të saj si gjuhë e njësuar.
Hesht Qendra e Studimeve Albanologjike, hesht Akademia e Shkencave për moskalimin në Kuvend të këtij Projektligji, heshtin profesorët, të cilët janë specialistë të gjuhës shqipe dhe atë e kanë lëndë mësimi për studentët në universitet. Heshtin politikanët-deputetë për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga ndotje të tilla flagrante, se jo pak syresh e bëjnë pis me fjalë të huaja, krejtësisht të panevojshme.
Gazeta “Mapo” duhet t’u kërkojë ndjesë publike lexuesve të saj pë fyerjen e rëndë që i ka bërë gjuhës shqipe me botimin e kësaj interviste me një leksik të përçudnuar.
Kolumbus, Ohajo
05 korrik 2016
************
E perkkrah plotesisht shkrimin e Profesor Ymerit per shperfilljen e gjuhes shqipe nga hallka kyçe dhe persona te rendsishem. Kjo me ngjanë, sikur eshte ringjallur nga Janullatosi dhe partneret e tij, perbuzja qe i kane bere gjuhes shqipe gjuhet e shpallura te shenjta nga Perandorite qe ne gjuhen e tyre kane pas perkthyer dogmat perkatese me mite te shenjta. Me duket sikur kjo eshte vazhda e shkombtarizimit te Shqiptareve, qe filloi me luften klasore kunder prones private, me grisjen e Marreveshje se Mukjes.
Akt ky, qe vendosi proletrizimin Bolshevik-leninist te pronareve ne teresi dhe pronreve-fshatare ne veçanti.
Me respekt
Prof.Dr.Vedat Shehu
I dashur Profesor Vedati,
Ju jam shumë mirënjohës për fjalët që ju burojnë nga zemra, në mbrojtje të Perëndeshës sonë, Gjuhës Shqipe, të kësaj Mbretëreshe të kombit shqiptar. Grekët dhe romakët na kanë zhdukur shumë objekte të kulturës së lashtë pellazgo-ilire, kështjellat tona sot i kemi gërmadha, otomanët na i ndaluan shkollat shqipe, na e ndaluan Shqipen tonë Kryezonjë, nën ndikimin e Fanarit, e ortodoksisë greke, e cila shtroi kurrizin para sulltanit, me kusht që të ndalonte gjuhën shqipe. Por otomanët nuk na e zhdukën dot, se ajo prehej e përjetshme në gojën e njerëzve të etnisë shqiptare, se gojën ata nuk ishin në gjendje t'ua shkulnin njerëzve nga trupi. Prandaj edhe Shqipja jonë arriti të mbijetonte gjatë gjëmave të rënda që e kanë shoqëruar kombin tonë në shekuj.
Me respekt, i dashur Profesor.
Eshref Ymeri
Kolumbus, Ohajo
06 korrik 2016





