Bajram Peçi : Në hapësirat e natyrës vrasëse, Xhek Londoni përçon forcën e njeriut

Xhek LondonBota letrare është e mbushur plot me krijime shkrimtarësh, ku mbresat e forta të udhëtimit të tyre i kanë shndërruar në kryevepra. Shumicën i bashkon një fill: njohja e jetës. “Unë mund të shkruaj vetëm ato që kam jetuar”, i përgjigjej Heminguej një gazetari që e intervistonte. Për çfarë provoi në këto udhëtime, përmes krijimtarisë letrare nobelisti ia solli lexuesit fare pranë Spanjën, Afrikën, detin, gjuetinë, Italinë dhe dashurinë. E bëri t’i përjetonte ato. Një tjetër syresh, Jashar Qemal, ka qenë një mjeshtër i përshkrimeve. Ai kishte punuar që fëmijë si bujk, lëroi tokën, ishte rojtar ujërash, u bë traktorist, këpucar e rojtar biblioteke, nga ku u largua për t’u bërë shkrimtar. Pa shkrimet e tij, turqit dhe bota do t’i kishin të panjohura përshkrimet për pllajën me gjembaçe, fushën me pambuk të Çukur-Ovasë dhe Anadollin me njerëzit e saj të thjeshtë e të varfër. Një tjetër shkrimtar, Gollsuorthi, mbresat e udhëtimit i lidh me lirizmin e thellë dhe botën shpirtërore. Tek udhëtimi në Gjermani, ai i gjen protagonistit të tij, Forsajtit, dashurinë e një vajze hungareze, që pati pakujdesinë të donte një anglez, pa e ditur se ishte një aristokrat, i cili “…nuk i duronte dot aromat” e që do i largohej në panik, duke ngjallur neverinë e lexonjësit për “udhëtarin” që donte të ndihmonte revolucionin hungarez.
Mbi shembujt e sipërm të udhëtarëve dhe të tjerë, nëse do sillja, pa droje se mund të gaboja, në krye do rendisja Xhek Londonin. Ai spikat me talentin dhe veçorinë e tij të përshkrimit të udhëtimeve që në moshë fare të re. Ishte përpos se 17 vjeç kur fitoi çmimin e parë të shpallur nga një gazetë e San Franciskos, me tregimin, “Tufani në brigjet e Japonisë”. Janë të rrallë ata krijues që mund t’i afrohen këtij talenti të madh për rrugët që përshkoi në jetë dhe udhëtimet që bëri.
E filloi jetën e pavarur, duke qenë ende fëmijë. 11 vjeç shiste gazeta, 14 vjeç u fut punëtor në një fabrikë konservash. Më pas, ilegalisht, peshkonte guaska në gjirin e San Franciskos; hyri marinar në një anije peshkimi, lundroi në hapësira detare pa fund dhe gjuajti arinj të bardhë në detin e Beringut; punoi si punëtor krahu në një fabrikë jute; u end i vetmuar poshtë e lart Amerikës, nga oqeani Paqësor në oqeanin Atlantik, nga Florida në Kanada, si endacak, në këmbë dhe nëpër çatitë e vagonëve të trenave, u burgos në Kanada se u gjet i papunë dhe i pastrehë. Pas burgut provoi, për pak dollarë, deri boksierin në ringje. Kur shpërthyen ethet e arit në Alaskë atë e gjetën te të njëzetat. Pas mijëra njerëzve që nxitonin t’i jepnin fund varfërisë në kërkim të minierave të metalit të çmuar, ishte një vit më pas edhe Xhek Londoni. Në Klondiak përjetoi aventura të rrezikshme, u sëmur nga skorbuti dhe pas një viti u kthye në San Francisko. Deri këtu, 21 vjeç, përpos tregimit të cilësuar më sipër, nuk kishte bërë gjë tjetër, madje as shkollën s’e kishte kryer.
Xhek London, gjatë një viti që qëndroi në Alaskë nuk u pasurua, përveç sëmundjes së skorbutit, fitoi pasurinë e madhe të përvojës së udhëtimeve dhe të njerëzve. Ishte Klondiaku dhe Jukoni që e zbuloi atë si shkrimtar. Tregimet e Veriut më së shumti nuk kanë heronj njerëz, mungojnë personazhet. Heronjtë e këtyre tregimeve janë qentë dhe ujqërit dhe tek-tuk, ndonjë udhëtar mes borës e akullit, ndonjë kërkues ari, fill i vetëm në shkretëtirën pa anë e fund të acarit vrasës. Në ndonjë tregim i ndodhet pranë edhe ndonjë shok, një sajë dhe një qen për ta tërhequr. Në brendi të një natyre të ashpër, ata gjurmuan viset e arit përpjetë rrëkeve të shumta që derdheshin në Jukon. Te tregimet e tij mëson të gjuash peshk e shkurta, mëson se si ndizet zjarri në kohën e stuhisë, të gatuash, të thash rrobat e qullura, të kujdesesh që zjarri të mos fiket, të mbledhësh shumë dru rreth zjarrit, sepse do të duhet, sapo nata të bjerë, që të luftosh me ujqërit, të shohësh se si tronditesh kur nga lopata e nxjerrë prej rrymës së ujit shkreptinë disa grimca të arta, të ndiesh personazhin që t’i merret fryma nga tronditja dhe, pasi janë mbuluar me rreckat e batanijes së nxjerrë nga saja, e sheh personazhin të ëndërrojë kthimin e tij në Oklend me arin e gjetur dhe se do martohet me Mejbëll Epllëgartin. Betejat e qenve mes tyre për ushqim, betejat e njeriut me ujqërit, për të mos u bërë ushqim, dhe betejat e kërkuesve të arit me natyrën e egër, në tregimet e shkrimtarit t’i sjellin vendet e largëta fare pranë, aq sa ndien dridhmat e të ftohtin e akullt. Këto hapësira të panjohura, armiqësore me njeriun dhe njerëzit e guximshëm që dinë t’i kapërcejnë rreziqet, të tërheqin e të ngërthejnë në ethet e endacakëve të tregimeve të tij, që përballojnë armiqësinë e natyrës së egër. “…por s’ka gjë më të lemerishme se heshtja e bardhë me atë ngurosjen e saj të akullt. Çdo lëvizje ngrin në vend; sipër kokës nuk ke asnjë re; dëgjohet vetëm një pëshpëritje, tingulli i zërit tënd të lebetit… Në hapësirat e shajnishme të botës së vdekur lëviz kokrriza e vetmuar e rërës, një njeri. Vetë guximi i tij i duket diçka e kobshme” (Nga tregimi “Heshtja e bardhë”). Kushdo që nga qytetet e ngrohta e të pasura amerikane, i lexonte tregimet e këtyre vendeve të panjohura që talenti i gjeniut i sillte në periodikët, digjej nga dëshira të ishte protagonist, të ndodhej atje, mes natyrës së egër apo pirgut të metaltë të arit, që i braktisur zverdhon në shkëlqimin e diellit, diku në një skutë të humbur të pyllit te “Kushtrimi i të parëve”.
Biografët e tij na ndërmendin se ai mbërriti në shtëpi pa një dysh në xhep, por ai fitoi nga “ethja e arit” dhe udhëtimet, tërë njohuritë për atë botë të egër, të cilën ia dha njerëzimit në formën e tregimeve të jashtëzakonshme, të paarrira më, të shkruara me një gjuhë të thjeshtë, të këndshme e tërheqëse. Kush fillon t’i lexojë, patjetër do t’i mbarojë, por s’do t’i heqë dot nga dora. Bota nuk njohu më pas askënd, zoologë, shkrimtarë apo psikologë qensh, që të njihte dhe përshkruante kaq thellë e në brendi natyrën e mikut të njeriut, qenin, dredhitë e përleshjet e tyre, natyrën e udhëheqësit në krye të slitës, sivëllezërit e tyre, ujqërit dhe luftën për ekzistencë në zbrazëtirat e pyjeve halore. Mbi të gjitha, në “vendin e ngricës” ku gjeniu e çon lexuesin, mëson se ç’gracka të shumta është e zonja të thurë natyra, për t’i treguar njeriut se sa lehtë arrihet asgjësimi i tij.