Jonida Beqo/ Drejtoresha e Teatrit të Metropolit në një rrëfim ndryshe
Eshtë autore e tri vëllimeve poetike me tituj “Trupi im s’më nxë”,(Toena) “Gozhda e fundit”(Toena) dhe “Ku jeta hedh rrënj në valixhe” (Botimet shqiptare) .Është autore e tri albumeve me poezi dhe muzikë si “Dust Blood Love” 2009, “Firstborn Daughters” 2007 dhe “Kitchensinkdrama” 2005. Është autore e 4 dramave”Jokasta” monodramë, “Gra që njoh”, monodramë, “Passages and Detours” musical, si dhe monodramën poetike “Harabel”. Tashmë ajo është drejtoreshë e Teatrit të Metropolit.
Tani të ndiej,
të ndiej a nuk të ndiej, të ndiej njëlloj
të ndiej a nuk të ndiej, s’të ndiej njëlloj …
të ndiej a nuk të ndiej, të ndiej njëlloj
të ndiej a nuk të ndiej, s’të ndiej njëlloj …
Le ta nisim bisedën nga këto vargje tuajat, shkëputur nga poezia “Të ndjej” … Kur i keni shkruar?
Janë vargje që i kam shkruar kur kam qenë 17 vjeçe, në një Tiranë të zymtë dhe të ftohtë në vitin 1997. Ndoshta është përjetim tipik adoleshent, në një kohë kur ende nuk është kthjelluar koncepti personal i dashurisë, marrëdhënia me të, raporti ndjenjë – veprim.
Nëse do të përzgjidhje mes vargjeve të tua, poezinë më të ndier që keni shkruar për dashurinë, cila është ajo?
“Njerëz si pemë”, është një poezi dashurie jo e zakontë, sepse nuk është reflektim mbi dashurinë romantike, por është një hulumtim i dashurisë së krijuesit për krijesën. Ideja se pavarësisht sesa miliarda njerëz jemi në botë, secili nga ne individualisht ka të përbashkët faktin që jemi të dashur dhe duam; dhe kjo na bën njerëzorë.
Po në vargjet e poezive slam që keni interpretuar, cila do të ishte?
“Kënga e Emës”, është një poezi që i kam shkruar sime bije përpara se të lindte. Janë vargje në të cilën i shpreh asaj gjithçka që unë do të doja që ajo të dinte e të ruante nga prejardhja e saj dhe të gjitha lutjet dhe shpresën që kam për të ardhmen e saj.
Silvia Plath shprehej se “Më puth dhe do ta shohësh se sa e rëndësishmja jam”. Për çfarë e ndihmon dashuria një artist?
Dashuria ka aftësinë të mbulojë një pafundësi padrejtësish. Rrit kapacitetin për empati dhe mirëkuptim, e ndihmon artisin të mos paragjykojë subjektin e vet, qoftë në krijimtari letrare qoftë në interpretim. Duke u futur në botën e subjektit me dashuri, shpeshherë në mënyrë shumë të natyrshme artisti arrin dhe te zgjidhja e konfliktit.
Në historinë e librave që keni lexuar, cila është historia e dashurisë që ju pëlqen më shumë dhe pse?
Ka dy libra që unë i rilexoj çdo vit, është ky një ritual. E para është Bibla, e dyta “100 vjet vetmi” e Gabriel Garsia Markez. Të dyja në një farë mënyre kapsulojnë gjenezën dhe trajektoren e të qenët njeri. I konsideroj të dyja histori dashurie. Në masivitetin e shtrirjes së tyre dhe larminë e personazheve, spikat qartë filli i dashurisë, që i lidh njerëzit në kohë e hapësirë.
Cilët janë shkrimtarët apo poetët që kanë shkruar më mirë për dashurinë sipas jush?
“Më mirë” është çështje subjektive, por për mua, patjetër Neruda, Poradeci, Anne Sexton, Rumi e lista vazhdon.
Kohët duket sikur e kanë ndryshuar konceptin e të dashurit dhe dashurinë duket se e gjejmë vetëm në libra?
Nuk jam dakord me këtë ide. Mendoj se dashuria nuk është thjesht ndjenjë apo reaksion kimik. Është një vendim. Dashuria pa kushte, dashuria që nuk pret asgjë në kthim është akti më revolucionar dhe guximtar, që një njeri mund të kryejë në botë. Ndoshta ajo që ka ndryshuar më shumë sesa mënyra e të dashurit, është mënyra sesi e portretizojmë dashurinë ose më saktë në çfarë lloj dashurie e vëmë ne theksin.
Na thuaj disa vargje për dashurinë që ju vijnë në mendje …
- “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” –Gjoni 15:13
- “Fryn veriu në Mal të Thatë, po thotë vasha – lele ngriva, duro vashë, të durojmë, siç duron mali dëborën” – Poradeci
- “Dashuria është ura midis teje dhe gjithçkaje” – Rumi
Një libër mbi dashurinë që do të rekomandonit?
“Paola” nga Isabel Allende, sepse përfshin shumë dimensione të dashurisë. Dashurinë e nënës për të bijën, të cilës i rrëfen për dashuritë e jetës së saj, dashurinë për atdheun, dashurinë për profesionin, dashurinë për jetën.
Cilën histori dashurie që ekziston në një libër do të donit ta jetonit?
Unë jam shumë e kënaqur me historinë e dashurisë që jetoj. Jam njohur me tim shoq që 15 vjeç, jam fejuar 18 vjeç, jam martuar 22 vjeç. Dashuria ime është shtrirë në dy kontinente, në të mirë e në të keq, në shëndet e sëmundje, në emigrim e çemigrim, do të thosha, ndoshta me pak mungesë modestie, që dashuria ime meriton një libër më vete.
Dashuria është kërkim, shkruan më mirë nën efektin e saj?
Unë besoj se jam e privilegjuar dhe kam pasur një jetë të bekuar me dashuri. Dashurinë e prindërve dhe tim vëllai, dashurinë familjare me tim shoq dhe fëmijët, dashurinë në shoqëri. Të gjitha këto eksperienca kanë qenë rezultat i dashurisë së madhe, të pamerituar, që unë besoj se Zoti ka për mua. E them me bindje të plotë, se themeli i gjithçkaje që kam krijuar është pikërisht kjo dashuri. Është burim i pashtershëm materiali, në të gjitha dimensionet e krijimtarisë: në letërsi, në skenë dhe në jetë.