40 EURODEPUTETË MESAZH TË FORTË TIRANËS: JENI NË RRUGË TË GABUAR, S’KA ÇELJE NEGOCIATASH

40 eurodeputetë mesazh të fortë Tiranës: Jeni në rrugë të gabuar, s’ka çelje negociatash
Si asnjëherë më parë 40 eurodeputetë të Parlamentit Evropian kanë diskutuar në një seancë maratonë për fatet e Shqipërisë. Eurodeputetët nga vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian kanë qenë të unifikuar sa i takon kërkesës për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, si kusht i panegociueshëm për çeljen e negociatave të integrimit. Nuk mungoi përmendja e problemeve të tjera të Shqipërisë, por theksi i folësve u vendos tek sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit në nivele të larta. Ndërkohë dje Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën e raportuesit Knut Fleckenstein për Shqipërinë, ku janë artikuluar disa mesazhe të forta për Tiranën. Mbi rezolutën diskutoi dhe kryetarja e delegacionit PE-Shqipëri, Monica Macovei, e cila i ka dhënë një tjetër shuplakë klasës politike. Ajo u shpreh se dialogu mes palëve është shumë i nevojshëm, ndërsa deklaroi se në Shqipëri pakënaqësitë ndaj politikës janë shumë të mëdha. “Ne pamë mungesën e një dialogu politik për të mirën e qytetarëve. Ne pamë boshllëqe në qeverisjen për të mirën e qytetarëve. Shumica e njerëzve në Shqipëri nuk kanë besim tek klasa politike. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Marr shpesh mesazhe nga qytetarët shqiptarë për këtë. Ne jemi këtu për të mirën e qytetarëve shqiptarë e jo për të mirën e partive dhe politikanëve, prandaj duhet t’ua themi kur veprojnë gabim, edhe kur i përkasin të njëjtës familje politike, se kanë vepruar gabim e duhet ta ndreqin. Ne nuk duhet të mbajmë anë, kur nuk është rasti. Kur veprojnë gabim, duhet ta themi”, tha ajo.

Miratohet rezoluta

I gjithë diskutimi i bërë në Parlamentin Evropian u konkretizua me votimin e rezolutës për Shqipërinë. Rezoluta u miratua me 425 vota pro, ndërsa përmes saj PE i kërkon Shqipërisë që të bëjë më shumë përpjekje për plotësimin e 5 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit. Përmes saj janë vlerësuar përparimet sa i përket rrugës drejt BE, ndërsa theksi është vënë tek mungesa e dialogut politik. Parlamenti Europian ka çmuar se vendi duhet të forcojë institucionet demokratike, të trajtojë korrupsionin dhe të sigurojë një Administratë Publike të depolitizuar dhe profesionale. Eurodeputetët kanë theksuar përmes kësaj rezolute se lufta kundër krimit të organizuar mbetet sfidë dhe është bërë thirrje që Shqipëria të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit. Një tjetër kërkesë në drejtim të qeverisë është dhe që të japë prova të forta se Shqipëria është e gatshme të bëhet pjesë e familjes evropiane. Ndërkohë është vlerësuar toleranca fetare dhe përpjekjet që janë bërë për të rritur bashkëpunimin me Serbinë. Ndërkohë raportuesi Fleckenstein përmes një deklarate ka bërë thirrje për vijimin e reformave, ndërsa ka vlerësuar punën e qeverisë. Po përmes një deklarate shtypi Parlamenti Shqiptar ka shprehur shqetësim për deklaratat e kryeministrit Edi Rama për një bashkim të mundshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë.