Shpendi Topollaj : Zbulimi i enigmave prej papirusi



l

Në romanin e tij “Neveria” Zhan Pol Sartri, ky ndëshkues me zë i kësaj bote imorale, i mërzitur keq, i zhgënjyer dhe i dëshpëruar prej kotësisë dhe absurdit (këtij gjarpëri prej druri që të zë nga këmbët – sikurse thoshte ai), në një nga kapitujt e fundit të romanit me të njëjtin emër, deklaron me zë të plotë këtë paragraf: “Neveria nuk më ka braktisur dhe besoj se nuk do të më braktisë kaq shpejt, por tashmë ajo nuk më mundon më. Ajo nuk është më sëmundje, as krizë kalimtare, neveria jam unë vetë.” Më ka mbetur në mendje dhe më ka bllokuar frymën kjo thënie e tij, ndofta e artikuluar në ndonjë çast dëshpërimi të thellë. Por në fund të fundit, të udhëtosh dhe të frymosh në atelienë ku përgatiten dhe vegjetojnë monstra njerëzore, ku edhe shenjat më të dobëta që njerëzit kanë shenjuar mbi kuptimin e moralit, janë të shuara dhe inekzistente, gjithçka është e kuptueshme. Sepse letërsia e vërtetë s’është tjetër, veçse një grumbullim instinktiv pasqyrash, ku njerëzit shohin shëmbëllimin e fytyrës së tyre (nëse duan ta shikojnë) në pamje dhe gjendje nga më të ndryshmet. Edhe në këtë kohë, ku të gjithë biem dakord se ekuilibrat shpirtëror e moral anojnë gjithnjë e më shumë nga kahu negativ i neverisë dhe personazhet e Sartrit po e dominojnë këtë botë, ka shumë shkrimtarë që me një pasion të çuditshëm, nuk ngurrojnë që të fusin duart dhe “sqepat” e tyre gjer në fund të rropullive të kësaj neverie, pa u bërë merak për erën e keqe që shpërndajnë.

Pa dashur t`i përziejmë të gjithë në këtë vorbull, kam përshtypjen se shumë prej tyre, nuk nisen me qëllimin e mirë për ta demaskuar të keqen, por për të përfituar diçka prej saj në tregun e lirë të ideve. Është e qartë, se sado interesante të jetë menyja me të cilën serviren ato, shija do të jetë në çdo rast po e neveritshme.

Shpendi Topollaj, edhe pse i takon të ndeshet shpesh me përfaqësuesit më tipikë të kësaj skote, ka zgjedhur një mënyrë krejt të vetën për t`iu kundërvënë atyre; evidentimin dhe ngritjen në kult të mirësisë dhe anëve më të bukura njerëzore. Duket se shqetësimi i tij i përhershëm, ka qenë dhe ka mbetur, eksplorimi në viset ku perversiteti dhe amoraliteti konsiderohen ende si specie të rralla. Librat e Shpendit, shpesh herë të ngjajnë me ato vijat e demarkacionit ku ndahet e mira dhe e keqja, dashuria dhe neveria, heronjtë dhe antiheronjtë, e bukura dhe e shëmtuara, poezia dhe karikatura.

Libri i tij i fundit me titullin enigmatik “Libri si Papirus” të krijon përshtypjen se vjen nga një kohë e hershme e cila nxori përfaqësues mjaft dinjitozë si Homeri, Eskili, Virgjili, Horaci, Dante, Shekspiri, etj. të cilët me veprimtarinë e tyre në ato kohë, mundën të hidhnin bazat edhe të moralit tonë të sotëm, ku mbi të gjitha dominonte thirrja për dashuri, vëllazëri dhe respekt. Dhe jo më kot. Duke u njohur me përmbajtjen e këtij libri, vihet re se shkrimtari nuk mund ta fshehë dot simpatinë që ka për këta emra të cilët bënë epope.

I gjithë ky libër ngjason me një ndërtesë prej letre, në të cilën shkrimtari ka vendosur si banorë të saj emra dhe figura të shquara të letrave, të artit, të kulturës, të shkencave, por dhe të punës, të cilët për veprimtarinë dhe përkushtimin e tyre më ngjajnë kaq shumë me personazhet që do të ëndërronte t`i kishte në romanin e tij virtual “Anti neveria” vetë Sartri.

Mjafton të citojmë një thënie kushtuar atij dhe që sot është bërë e njohur në qarqet letrare se “Shpendi Topollaj, me prozën e tij poetike na kujton sesa i detyrohemi ne këtyre njerëzve të thjeshtë por me shpirt vigani, të cilët me veprimtarinë e tyre na e kanë bërë jetën tonë më të bukur.”

Libri hapet me apologjinë e goditur “Ziliqarë! Mjaft e sulmuat Kadarenë” ku ai nuk druhet t`i vërë gjoksin e mbrojtjes njërit prej gjigantëve të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore, nga sulmet mjerane të atyre që në kovaçhanat e errëta dhe të zymta të ligësisë, farkëtojnë armët e ndryshkura dhe ngrenë rrjetat e merimangave për ta goditur atë. Besnik i bindjes së tij, se duke mbrojtur shkrimtarin e madh, ai po mbron njëkohësisht edhe nderin e dinjitetin e cenuar të letrave shqipe, Shpendi, si një Diogjen i kohëve tona, vendos të ndezë para syve të verbuar të moralit të tyre, një kandil drite më shumë. Natyrisht, qëllimi i autorit në këtë shkrim, nuk është që t`i detyrojë ata të shkojnë drejt një katarsisi (pasi ligësia e ka në natyrën e saj që të bëjë të kundërtën). Synimi i tij është të deshifrojë ato pjesë të pathënash që me qëllim janë fshehur ose denigruar deri tani. Duke folur për Kadarenë, autori në shkrimin e tij, tenton artistikisht të zbërthejë filozofinë e qëndresës së gjeniut përballë diktaturës, dhe makiavelizmit të udhëheqësit të saj. Për këtë, autori përdor mjaft mirë një postulat të Stendalit “Politika është një gur në qafën e letërsisë dhe një herë në gjashtë muaj atë e mbyt.” Shkrimi apologjik në fjalë, tenton ta fokusojë vazhdimisht I. Kadarenë përballë njollave keqdashëse të asaj dhe kësaj kohe. Ai që e ka njohur nga afër Kadarenë, thotë Shpendi, e ka të qartë si drita e diellit se ai asnjëherë dhe në asgjë nuk të kujtonte komunistin. Përkundrazi, i urrente dhe fliste me neveri për fanatikët dhe bëmat e tyre. Për këtë, akoma më mirë flet e gjithë krijimtaria e tij letrare, çka bëri që të kryqëzohej në atë plenumin e njohur të Lidhjes së Shkrimtarëve, për veprën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Ai edhe vetë e dinte se me kurajën e tij po rrezikonte. Për Sh. Topollajn, figura e Ismail Kadaresë është dhe do të mbetet sinonim i plotë i asaj sentencës së provuar se “Arti i vërtetë qëndron shumë më lart se insinuatat dhe dyshimet meskine të tipit policesk”. Pa hequr dorë aspak nga idhulli i tij Ismail Kadare, autori në këtë shkrim dhe në vazhdimësi, jep mendime dhe opinionin e tij rreth të ashtuquajturës disidencë shqiptare, si dhe atyre që bënë të kundërtën e saj.

Duke kaluar nga njëri kat në tjetrin, autori na njeh edhe me një banor tjetër të nderuar të tij, Stefan Cvajgu, njeriu i cili tronditi deri në përlotje botën letrare të viteve 1900 – 1942 me veprat e famshme “Amoku”, “24 orë nga jeta e një gruaje”, “Bukinisti Mendel”, “Letra e një të panjohure”, “Novela e shahut” dhe me shumë nga monografitë e tij. Për të karakterizuar vlerat e padiskutueshme të këtij kolosi, autori pohon se vetë atij i shkojnë më së miri fjalët e thëna për Dikensin në ato vite: “Kjo pra është ajo madhështorja, e pavdekshmja në këtë vepër tokësore, madje tepër tokësore, brenda saj ka diell, ajo rrezaton dhe ngroh.” Me fraza koncize, por të ngarkuara me një intensitet shprehjesh dhe logjike prej studiuesi, për Shpendi Topollajn, veprat e mëdha të atit nuk duhen matur vetëm me intensitetin e tyre dhe autorin që i krijuar, por edhe ekstensitetin, efektin e tyre te masat. Cvajgu, në vështrimin e tij studimor, duhet vlerësuar për shumë gjëra, por më së shumti për depërtimin e mençur në subkonshiencën e personazheve dhe në raportet e tyre me historinë dhe kohën. Studiuesi, me entuziazëm, evidenton fuqinë e lartë artistike dhe jetësore me të cilën janë përshkruar heroinat dhe heronjtë e novelave brilante të tij. Njëkohësisht, ai sjell edhe emocionet dhe përjetimet e veta, me të cilat i kanë përcjellë këto vepra lexuesit e brezit të tij.

Për autorin, universi paradoksal i natyrës njerëzore, gjeti kulmin e pasqyrimit te Stefan Cvajgu. Shumë nga monografitë e tij që kritika me të drejtë i ka quajtur biografi të letrarizuara, për Shpendin, fare mirë mund të konsiderohen edhe si romane psikologjikë, sepse ai vetë e kuptonte se idetë dhe teoritë janë ashtu si hijet e Hadit homerik, skema të shpërbëra, pasqyrime pa formë. Edhe në këtë shkrim, autori rreket të japë versionet e veta për qëndrimin e gjeniut ndaj diktaturave.

Duke qenë përherë në kërkim të dritës që këto figura kanë përhapur dhe vazhdojnë të përhapin edhe sot e kësaj dite, autori në momentet që i zbulon, nis të ndihet edhe vetë i mbështjellë prej saj deri në atë shkallë sa s’i vjen drojë që ta shpallë edhe vetveten si vazhdimësi, si pjesë apo gjymtyrë të zbulimit të tij. Aq e madhe dhe joshëse është forca dhe induksioni i tyre. Ndaj, nuk është çudi, kur shpesh në bisedat me të, ne e dëgjojmë ta shpërfaqë vetveten me postulate dhe ilustrime nga jeta dhe veprimtaria e këtyre figurave. Jo pa qëllim, ai përmend Pushkinin që thoshte: “Të gjurmosh mendimet e njerëzve të mëdhenj është një shkencë më vete.”Kjo na shtyn të pohojmë se vepra e hedhur në letër e Shpendi Topollajt, aq sa është nostalgji dhe vlerësim shkencor për kontributin e tyre, aq është dhe sugjerim, deri në një urdhër shoqëror për t`u njehsuar dhe për ta parë veten tonë me sytë e modeleve të krijuara prej tyre. Pa asnjë lloj ngurrimi, Shpendi, vazhdimësinë e tyre vijon ta shohë jo vetëm te vetja e tij, por edhe te një aradhë e tërë shkrimtarësh dhe punëtorësh më të rinj të artit të kohëve tona. Shkrimi i gjatë kushtuar njërit prej shkrimtarëve më në zë, Viktor Canosinaj me titullin “Kur letërsia plekset bukur me historinë” është më kuptimploti. Romanin e tij “Mallkimi i grave”, autori nuk e kundron thjesht si një kronikë e marrë nga arkivat e kohës së pashait të Janinës, por si pohim të asaj, se kur një popull dhe klasë politike nuk i kuptojnë gabimet e tyre të njëpasnjëshme për gjëra të rëndësishme, pasojat mbi të do të jenë të rënda dhe të pariparueshme. Edhe te ky roman, autori kërkon me lupë në dorë, me pasionin e një etnografi dhe historiani, atmosferën e kohës, mentalitetin, psikologjinë, zakonet, folklorin dhe mbi të gjitha gjuhën e kohës. Viktor Canosinaj, thekson studiuesi me gëzim dhe entuziazëm, jo vetëm që ka sjellë një vepër të arrirë, por mbi të gjitha e ka pasuruar gjuhën shqipe me togfjalësha të rinj të panjohura më parë.

Po kështu, edhe te romani i Marçel Hilës, të cilin e konsideron një befasi të këndshme për letërsinë, për elokuencën e të folurit dhe finesën në të shkruar. Te romani i këtij shkrimtari shkodran, Shpendit, i tërheq vëmendjen karakterit burrëror i njeriut fisnik, përballë momenteve dhe rrethanave të vështira dhe nuk i rrihet pa vendosur në analizën e tij artistike thënien e bukur “Më mirë i vdekur se i turpëruar”.

Gjithmonë në kërkim të dritës dhe njerëzve të virtytshëm, autori, hedh penelata drite dhe nderimi ndaj personazheve të arrirë të kësaj vepre. Te Gjelosh Gjeto Kola i romanit të Marçelit, ideali i tij njerëzor gjen vetveten. Për këtë personazh, ai shpreh mendime dhe konsideratat e tij më të larta. E vendos në dritën e diellit dhe nuk lodhet së udhëtuari brenda asaj bote dhe peizazhi shpirtëror që edhe sot e kësaj dite, mund të merret si model vlerash njerëzore.

Personalisht, m`u bë qejfi dhe u gëzova, kur në papiruset e këtij libri, gjeta dhe një shkrim dashamirës për poetin e ëmbël të soneteve durrsake, mikun tim dhe të gjithë krijuesve, Ymer Nurka. Lidhur me librin e tij të ri, Shpendi nuk ngurron të citojë një sentencë interesante të Hegelit se “Shpirti është jeta etike e një populli.”

Novruz Zejnatit, historianit dhe studiuesit të palodhur, por dhe njeriut me shpirt të madh edhe pse “me dy fjalë”, autori i kushton një esse të thellë dhe mjaft serioze. Shkak për këtë, është bërë vepra e tij voluminoze për Ahmet Zogun. Ndërmjet të tjerash, studiuesi Topollaj, thekson se “Dr. Novruz Zejnati, nuk ka nevojë t`i ruhet paragjykimeve apo njëanshmërive politike në trajtimin e kësaj figure, pasi edukata dhe formimi profesional i tij, nuk ka vend dhe nuk e lejon atë të bjerë në të tilla kurthe. Dr. Novruz Zejnati – thekson autori – ka pasur dhe ka vetëm një synim: zbulimin e së vërtetës, hedhjen dritë mbi figurën komplekse të mbretit Ahmet Zog i Parë, ndriçimin e rrethanave dhe kohës në të cilën ai jetoi.” Dhe fakti që vepra e Novruzit ka njohur një interesim të veçantë, flet qartë për këtë.

Pa dashur që të bëj portretin e Shpendi Topollajt, nuk mund t`u fsheh lexuesve faktin se ai me dashurinë dhe predispozicionin për ta ndjekur krijimtarinë e të tjerëve hap mbas hapi, më kujton thellësinë e një burimi ku shkojmë për të pirë ujë, por edhe për të parë shëmbëlltyrën tonë reale në të, pasi uji i pastër i burimit nuk di të gënjejë kurrë.

Një grup i madh portretesh në këtë libër janë dhe ata të përfshirë në shkrimet post morte, kushtuar njerëzve të nderuar të shoqërisë shqiptare pas ndarjes së tyre nga jeta, si poeti, kritiku dhe përkthyesi Perikli Jorgoni, gazetari i njohur i Radio Tiranës, Agron Çobani, piktori Nikolet Vasia, gazetari Garip Troci, veterani Qemal Mançe etj. deri te Mjeshtri i Madh i sportit Ali Kastrati, atij që ndikoi mbi të tjerët, jo vetëm me fjalë, por me të gjithë qenien e tij.

Po t`i kundrosh këto shkrime, të kujtohet ajo fraza e Pitagorës se ikja e tyre drejt lavdisë do përshëndetur me duartrokitje.

“Libri si papirus” përmbledhje kritikash letrare dhe portrete, shoqërohet edhe me parathënien e shkrimtarit të mirënjohur humorist Luan Laze i cili me të drejtë nuk e ndan dot te Shpendi dimensionin njerëzor nga ai krijues. Për këtë, ai merr shkak edhe nga një intervistë e tij e dikurshme televizive të viteve 2000, ku ndërmjet të tjerash, Shpendi zbërthen veten me dy fjalë: “Duhet të kesh një zemër të madhe për të vlerësuar njerëzit dhe kohërat që i bënë ata.”

Related Posts: