Rexhep Shahu ecë i sigurtë në udhën e publicistikës kombëtare ....

Rexhep Shahu dhe kontributi i tij në publicistikë





Nga Sulejman Dida 



Poeti Rexhep Shahu u formua si gazetar në Radio Kukësi e më pas si drejtues i periodikut kulturor Dy Drina etj. në vitet 90 të shekullit të shkuar. Ai ka ecë i sigurtë në udhën e publicistikës së shkruar si autor që nuk i ngjan askujt, sepse nuk ndjek asnjë idhull, ndonëse ka të tillë. Ai ndjek shtegun e vet. Sepse do që të jetë vetvetja. Eshtë i arsimuar në letërsi, i njeh mirë metrat dhe shabllonet e çdo kontributi publicistik por ai ka formën e vet, ka veçorinë e vet në çdo sipërmarrje. E thashë në fillim cilësorin poeti Rexhep Shahu, pasi ai edhe në publicistikë mbetet i tillë. Në të gjitha shkrimet e deritashme karakterizohet nga shpirti i angazhuar, nga ndjenja atdhetare, këmbëngulja për të pohuar identitetin dhe të vërtetën, nga prirja për të qenë vetvetja, nga thirrja që çdo person të jetë vetvetja, që gazetarët, ata të pavarurit (nga Tirana) të lirohen nga sahalëpirja, që njerëzit e kulturës të mos e shesin shpirtin, që për me i ba qefin dikujt të mos e përlloçim atdheun e kështu me radhë. Në vitet e vështira shqiptare 1997 dhe 1998 zoti Shahu, gazetar në Radio, u angazhua plotësisht duke u investuar jo vetëm si krijues por edhe si qytetar. Ai i ka shkruar me shumë kujdes dhe nerv përvojat e veta në ngjarjet e trazuara, shqetësimet e tij, që ishin edhe shetqësimet e kohës shqiptare, se si njerëzit tek e tek dhe kolektivisht vunë në pikpyetje të nesërmen e tyre, se si e dogjën memorjen e shkruar me sakrificë, si i shembën urat integruese dhe ngritën mure që na ndajnë nga njëri-tjetri dhe nga qytetërimi të cilit i përkasim. Të gjitha këto ai i ka përmbledhur te libri i Marsi i Minave (T. 2006). Sepse te shqiptarët, Serbia, e cila e përgjaku Kosovën, duke e parë se muri i vendosur padrejtësisht në vitin 1913 me presionin e Rusisë, kufiri ndërshqiptar pra po binte, instaloi një tjetër mur, e mbolli me mina krejt zonën e kufirit Kosovë-Shqipëri. E, për ironi serbët mbollën me mina edhe zonën e kufirit Shqipëri-Kosovë, pra hynë në territorin e kësaj Shqipërie të 13-tës. E për më tepër serbët mbollën mina edhe në mendjet e shumë njerëzve këtu, dhe prandaj çoroditja jonë vazhdoi bukur gjatë. Edhe në përpjekjet madhore të shqiptarëve për lirinë e Kosovës zoti Shahu ka qenë aktiv në media, madje edhe në terren, në Kukës, aty ku mblidheshin eksponentët e dy kahjeve politike të FARK-ut dhe UÇK-s, me thirrjet e tij në radio Kukësi qysh në vitin 1998 për të mbështetur UÇK-n me armatim dhe gjithçka tjetër. Jo për me ba pazar me djemt që shkonin në luftë duke ua shitë një pushkë sa nuk bën, por duke dhënë gjithçka për luftën. Jo duke mohue dhe denigrue potenciale të mëdha shqiptare por duke i bashkuar ato kundër një armiku që po na rrezikonte si komb. Mbas çlirimit të Kosovës shumë individë apo fraksione dolën si luftëtarë se me demek kishin luftuar, në ndonjë rast na u zbuluan edhe do asish antiamerikanë, por Shahu i ka njohur shumë mirë disa prej tyre dhe për këtë ai shkroi pamfletin e fuqishëm Ku ishe Ti, pra kur shtëpitë kalleshin në flakë e kur fëmijët shqiptarë ekzekutoheshin nga milicia serbe ku ishe ti… Ky ka qenë maraku i Rexhep Shahut. Ai i ka shkruar këto siç i ka përjetuar pa ia bërë qefin askujt. Ky libër përbën një shenjë dalluese, një dëshmi dhe analizë krejt të veçantë të kohës dhe e çmoj si një nga kontributet më të spikatura të krejt publisitikës shqiptare. Rexhep Shahu dallohet për forcën e logjikës, për bukurinë e tekstit por edhe për fuqinë emotive të trajtimit të temës. Ai ka një aftësi të çuditëshme të realizimit të intervistës, ka magjinë e familjarizmit të shpejtë me të intervistuarin, pavarësisht nga homri që mund ta karakterisojë. Ai shkëput prej të intervistuarit rrëfimin e sinqertë, atë që rrallë ndodh në median tonë. Shahu ia ka dalë të shkëpusë qëndrimin individual dhe të sinqertë prej kujtdo të cilit i është drejtuar. Disa nga përsonalitetet që i ka intervistuar, kanë pasë edhe konseguanca. Ishte rasti i bisedës me gazetarin Filip Smakër të Uashington Post-it në prill të 98-tës, bisedë pas të cilës, siç pat thënë më vonë vetë Smakër, kishte kaluar telashe jo të vogla pikërisht për shkak se ishte rrëfyer si tepër në bisedën me Rexhepin. Po nga ana tjetër, ndikimi i asaj interviste ishte i padiskuueshëm te shqiptarët dhe tek të tjerët pasi dëshmoi për genocidin që po ndodhte në Kosovë dhe u shpreh se rruga e zgjidhjes së krizës është lufta, kur në Tiranë thuheshin terman shumë të butë referuar çështjes së Kosovës. Edhe të tjerë kanë pasë rastin ta takojnë të njohurin Smakër, dhe kanë zhvilluar plot biseda me të, por askush nuk pati magjinë ta bëjë atë që të rrefehet. Kështu i ka bërë të rrëfehen edhe Elez Biberin, Daniel Enders, të famshimin Kurt Shcork etj. Nuk do të rendis emra njerëzish të shquar që ka intervistuar Rexhepi, pasi këto intervista, ndoshta jo të gjitha, i ka përmbledhur te libri tjetër publicistik Misioni për Paqen. Poeti Shahu nuk i kërkon temat, nuk ka këtë luks. Ato ndodhin, pra ngjarjet ndodhin. E ndërsa shumkush e ka luksin ti soditë nga distanca ose të përfitojë prej tyre, ai vëren deformimin e të vëttetës dhe bërtet, nuk mund të rrijë indiferent. Duke qenë se ai i jeton ngjarjet edhe si poet, nuk mundet mos me folë kur vendit i mohohet hisja e diellit për shkak se dikush këkron të përfitojë ose të bëjë interesantin, nuk mundet mos me folë kur ne na shahen urat që po ngremë me mundim, kur na shahen udhët po ndërtojmë me shumë sakrificë, nuk mundet mos me folë kur krijohet rrethi vicioz i mendimdhënësve që zaptojnë të gjitha ekranet, ku për tu hequr modernë shajnë çdo gjë të vyer prej antikuareve evropianë që kanë firmën e kombit tonë, që shajnë deri edhe Kanunin e Vjetër, shajnë kostumin që na identifikon, shajnë bukurinë shqiptare. Nuk mundet mos me folë kur opinionbërësit hiqen si internacionalistë ende pa e pasë një vend tonin në tryezën e vendeve evropiane. Kështu pra ai është i ndjeshëm dhe merr përsipër ti bëjë avokaturën të bukurës, autentikës, arritjes, shpresës. Pa u zgjatur duhet të nënvizoj si një kontribut librin Apologji për Udhën e Kombit. Përveç këtyre botimeve zoti Shahu, pikërisht këto ditë na sjell edhe librin tjetër me publcistikë Bukën tonë të Përditëshme. Në dhjetra shkrime ai glorifikon tokën e shenjtë shqiptare, inkurrajon dhe nxit punën me tokën, bekon njeriun e punës, duart që na sigurojnë bukën e përditëshme. Jan shkrime të botuara më herët në revistën Bujqësia Shqiptare të cilën e drejtoi duke shënuar një kontribut në konceptimin dhe në përmbajtjen e saj. Ai, siç e theksova në fillim, ka si kontirbut edhe Revistën Dy Drina që e ka drejtuar shumë vite, gazetën Kallz (për fëmijë) dhe ndonjë botim tjetër të natyrës publicistike siç është monografia Bllaca (si bashkëautor) etj. Rexhep Shahu përbën një rast frymëzues për median në Shqipëri dhe unë e përgëzoj.

Nga Behar Gjoka 



Në gjurmët e poetit dhe publicistit Rexhep Shahu

Image result for rexhep shahu



Emri i Rexhep Shahut, poetit dhe publicistit të njohur, në skenën e letërsisë bashkëkohore shqipe, ka ardhur natyrshëm, brenda një ligjësie të pashkruar. Fillimisht, në mendjen time, shpresoj edhe të lexuesve të tjerë, ka ardhur teksti poetik apo publicistik, e mandej vetë autori. Pra, kontakti më krijimtarinë e tij, nuk hyn tek paradoksi i zakontë, që njeh poetin, e pastaj do të duhet të presësh me vite, që të duket ndonjë shenjë poetike, e cila edhe mundet të mos vijë fare. Shkas i rinjohjes, pas leximit rastësor të ndonjë shkrimi a poezie, me veprën e gjerë, u bë vëllimi i katërtë, me titullin domethënës, Qyteti i Lutjeve, që për mua ishte befasi shkrimi, në frymë dhe mendim, në vjershërimin poetik, që në fakt më dha shansin që të hidhja një vështrim me të plotë në librat të autorit. Vëllimi poetik, Qyteti i Lutjeve, nga ana tjetër, është edhe një arsye kryesore, për diskutimin letrar, mbi të gjitha librat e autorit, në të dyja përmasat e përfaqësimit, në poezi dhe publicistikë. Bazuar në shijen e leximit, në besimin se në shumësinë e librave me poezi, nuk është gjithçka terr dhe poetizim ndjesor, ende ligjërimi poetik që gjellin sërish në qerthullin e dritëhijeve. Në hapësirat e librit më të ri të R. Shahut, ndesha në poezinë që bart dhe përçon vlera, si një ekzistencë spektrale. U bëra pjesë e veprimtarisë, si diskutim letrar, me dëshirën e mirë që të kthejmë vëmendjen nga letërsia e shqipe, nga pjesa që kumton shenja dhe vlera letrare, pa zhurmë. Teksti i përmbledhjes, ndërkaq kuptohet se është shtysa parake për të ndërkomunikuar me gjithë krijimtarinë, gjithnjë aq sa na e mundëson një tryezë e diskutimit letrar. Interesimi për poezinë dhe krijimtarinë e autorit, është i hershëm dhe i shumanshëm, në varësi të vlerave, që përçojnë tekstet poetike dhe publicistike. Në këtë diskutim, vërtet do të jemi të përqëndruar më tepër tek poezia, me shumë gjasa, tek poetika e përmbledhjes Qyteti i Lutjeve, por njëherit, në fakt është gati e pashmangshme, që t’i iket profilit të autorit, ku kemi të dëshmuar, me libra të mirëfilltë, tri lami shkrimi të autorit: A – Shkrimi i librave publicistike, ku veçohet gjerësia e problematikës, duke profilizuar një publicist me kontribute, me disa libra: Misioni për Paqen, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës, Marsi i Minave, si dhe Apologji për Udhën e Kombit. Në këto tekste, nga njëra anë vijnë ngjarje të njohura, tepër tronditëse, ku madje kemi edhe ekulibrin në mes ngjarjeve të tmerrshme dhe atyre që sjellin gëzim, si dhe nga ana tjetër, na zbulohet profili i njeriut, qytetar dhe mendjehapur, vëzhgues i hollë, i problematikave të shoqërisë, si dhe një publicist, që rrëmon dhe aspiron të vërtetën dhe mbi të gjitha e thotë pa doreza.

Image result for rexhep shahu

B – Sprova e shkrimit të monografisë që vjen me librin Bllaca, një punim i plotë, që i kushtohet një fshati në Suharekë, në Kosovë, që ka nxjerrë deputetin e famshëm shqiptar, Ramë Bllaca, që ndërtonte kullën e tij, në kohën kur shumica e banorëve kishin ngarkuar plackat për Turqi, si një shembull i qëndresës nën tmerrin dhe genocidin serbomadh. Një fshat që ka nxjerrë edhe burrin e shquar, luftëtarin e paepur të çështjes shqiptare, Qazim Bllaca, që për shkak të veprimtarisë patriotike, ka bërë 32 vjet burg, në Shqipëri dhe Kosovë.


C – Shkrimi i poezisë që përmblidhet në katër libra, e ku vëllimi i fundit, është caku dhe shenja se ku ka mbërrit larmia e poezisë së autorit. Poezia e tij, ka nisur me përmbledhjen Mali i Hënës, 1988, që në krye skicon tiparet e ligjërimit poetik. Pas 12 vitesh, pra një kohë e gjatë reflektimi, vjen me përmbledhjen Bregu i Brengës, në vitin 2000, që simbas mendimit kritik, shënon një nivel të ri, të shqiptimit poetik. Në vitin 2006, krijimtaria poetike, pasohet nga përmbledhja: Lisi i vetëm në Fushë, që profilizon poetikën autoriale. Në 2014, boton librin poetik Qyteti i Lutjeve, që evidenton lirikën qytetare dhe intime, që vjen me disa gjetje poetike. Kohështrirja si dhe tekstura poetike, e materies së të katër librave të autorit, ndër të tjera, ka përtheksuar, veçmas dy tipare:

Image result for rexhep shahu

Së pari: Një marrëdhënie reale me letërsinë, sidomos me poezinë, në mes pranisë dhe papranisë, heshtjes dhe zëshmimit, pa kufi distance dhe paragjykimi.

Së dyti: Një shtegtim poetik, që zbulohet përmes një shkallëzimi të rrokshëm në secilin nga librat, duke synuar artikulimin e poezisë që e ka braktisur autorin dhe vrapon drejt lexuesit, pavarësisht nivelit dhe interesit për poezinë. Prania e këtyre tipareve shqiptohet dukshëm në poezitë: kur t’më shohësh në sy, deti të rrijë në punë të vet, jam i lirë të vdes, na urdhëruan, hijet në bulevard, a do t’i shesim varret, një qiell tjetër, lehja e qenëve, një urë për te vetja, asgjë s’ka mbetë nga unë atje, ta ka pa diellin mbi krye, të ka vra bukuria jote, kur ti vdes, me trastë në sup, shpirti i zi, zogjtë e dinë, në motet që do të vijnë, nuk shiten sy askund, dorëcung, zemra e burrit është varrezë, etj. , që përbëjnë një tufë të përveçme poetike, që formëson tiparet me cilësore të shkrimit të poezisë. Pjesë e shenjave autoriale, kryesisht të vargut të lirë, të fjalës së hapur, të metaforikës tërësore, që fytyrëzon tipologjinë shkrimore të autorit, është edhe shkrimi i poemave, shkrimi i distikut, të cilat shpesh shpalosin një energji fjale të pazakontë.

Image result for rexhep shahu


 Në detin e vargëzimeve që ndeshim përditëzaj, në hapësirën shqiptare, është vështirë të gjesh atë që është e veçantë tek poezia që shkruhet. Megjithatë, udhëhequr nga ideja e Benedetto Kroçes, se poezia duhet kërkuar aty ku gjendet dhe aty ku fshihet, e vlen që të rrëmosh edhe në këtë situatë, jo pak të ndërlikuar të ekzistimit të poezisë shqipe. Poezia e librit të fundit të Rexhep Shahut është e veçantë, sidomos për faktin së është një poezi që shpërfill kodet se si do ta marrë shoqëria ligjëratën poetike, shpërfill në mënyrë të veçantë kodet e akademizmit, shpërfill të gjitha paragjykimet dhe thotë atë që ndien, atë që është poezi, në konceptin autorial. Te ky libër gdhendet “uni” i qytetarit zemërak, që lëshohet kundër mbrapshtive të botës, pa doreza dhe kufizime, por bashkë me të është edhe “uni” i një raporti krejt intim me jetën, me erotikën, me dashurinë. Këto janë dy prani dhe esenca unike, që shpërfaqin përmasën e shkrimit poetik të autorit. Ngjizja e tillë, e unit të dyfishtë, kuptohet se është pjesë e vetëdijes, është pjesë e udhëtimit në krahët e poezisë për të folur me poezinë dhe jo për të jetuar me poezinë, siç ngjet rëndom në hapësirën shqiptare. R. Shahu si poet, në varësi të tekstit poetik, të hapësirave të komunikimit, është nga ato raste, që nuk ka nevojë të ulërasë. Libri i tij, në një kuptim shpërthyes ndaj mbrapështive të realitetit, në vështrimin dhe shijen time, sjellë një atmosferë migjeniane, poetikën e të vërtetave që ne i prekim, por dikush nuk sheh, dikush nuk do, dikush në mënyrë të shëmtuar i mbulon ato me hipokrizi. Poeti thotë të verteta të cilat, kur shndërrohen në poezi, janë të tilla që të mrekullojnë për faktin e një poetike të vargut të lirë, të një fjalësie e cila sjell pranë lexuesit gjithë atmosferën e kohës, rrok shpirtin e qytetarit sot, shpirtin e qenies shqiptare, me gjithë ato mungesa, të dhëna me dritëhije dhe përthyerje të befta poetike. Në ligjëratën e vetë poetike, si një element vetjak që më ka bërë përshtypje, është edhe pashaportizimi tashmë i paskajores, në shkrimin poetik, që me rikthimin e vetë sendërton një hapësirë tjetër, si frymë dhe kumt i mirëfilltë letrar. Poeti flet natyrshëm dhe me art me këtë mjet stilistik-gjuhësor, që dihet se është pjesë e ligjërimit të sistemit të shqipes. Poezia nuk ka nevojë të ulërasë, poezia e ka misionin, parësisht estetik, që gjellin brenda saj. Pra, veçanësitë janë të shumta, janë të prekshme, por vetëm leximi dhe rileximi i tyre na mundëson t’i zbulojmë ato. Qysh me përshtypjen e parë, por edhe në leximin e dytë, erdhi duke u thelluar dëshira, që ky libër të shkojë te lexuesi, sepse kemi shumë poetë gjeni por që nuk kanë poezi, madje pavarësisht marrjes së jo pak çmimeve letrare. Poeti, nuk ka nevojë të jetë gjeni, sepse poeti flet me poezi. Më ndodh rrallë të ndihem mirë në poezi, të mrekullohem në poezinë shqipe të tanishme, për arsyen e thjeshtë se jo çdo ndjenjë është poezi, jo çdo ndjesi tragjike është poezi, jo çdo vargëzim, që na vjen rastësisht në majë të gjuhës, realizon detyrimisht shenjën poetike. Poezi është atëherë, kur imazhi dhe vizioni paraqitet me ligjësi estetike. Harold Bloom, në mes të tjerash, thotë se poezia është e pritur të mos merret shumë me histori por të merret më atë që quhet përthyerje shpirtërore dhe, prizmi i poetit është i tillë që po tingëlliu nuk të le rehat. Nëse nuk tingëllin, jeho sa të duash, bubullo më zhurmë etj. , tashmë se poezia ka mërguar për në brigje të tjera. Në rastin e përmbledhjes “Qyteti i Lutjeve”, më ka bërë për vete vargu i sigurtë, metafora e larmishme, plazmimi i shpirtit të kohës, përmes një uni, që është i vetëdijshëm për atë që thotë, e madje që e thotë jashtë aspiratës me rrëmby breroren. Poezia e këtij libri është një cak krejt i ri i autorit, krejt i veçantë, por në morinë e botimeve, në detin e poezisë që shkruhet, është vështirë të gjesh një libër që të ketë, sipas gjykimit tim, mbi 15 poezi që janë të nivelit antologjik. Mbretëresha e synuar nga të gjithë, siç është poezia, mbretëresha e fjalës, mbretëresha e shpirtit, mbretëresha e të sotmes, e të nesërmes, e atdheut, ku madje vetë qenia ekziston në formën e një kurore të mrekullueshme, le të synohet nga të gjithë. Gara për të mbërritë atje është krejt e hapur dhe zakonisht në cakun e fundëm mbërrijnë shumë pak. Në këtë situatë ku botohet gjithçka, pa sita përzgjedhëse, pa një lexim të vëmendshëm, shumëçka që lidhet me poezinë dhe letërsinë, në përgjithësi do të hante debat pa dyshim. Unë do të thoja që jemi një shoqëri që po shijojmë larinë, natyrisht ajo ka një kufi, kur mbaron dikur, por ne ende nuk po kapim ekuilibrin shpirtëror. Nuk është poezia ajo, që them unë, poezia është ajo që shijohet dhe misioni i poetit është të thotë fjalën e tij dhe, fjala e tij më tutje pastaj është hipotekë shpirtërore që shijohet nga të tjerët.

Origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut


Image result for rexhep shahu

Nga Izet Duraku


 Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, në qytetin e Kukësit ishte krijuar një bërthamë e vogël krijuese, por mjaft aktive, ku krijuesit poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë e dashamirës të artit, mblidheshin në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pothuajse gjithnjë në kafenetë e qytetit të vogël flisnin për letërsinë, për miqtë e letrave në qytetet e tjera, për letërsinë botërore që botohej, për pjesët letrare, kryesisht poezi të korifejve të huaj që, ashtu të botuara apo të shkruara me dorë, përpiheshin me etje. Ndonëse në kushte të vështira, krijuesit u përpoqën të jenë në një rrjedhë me kohën dhe të krijojnë fizionominë e vet poetike. Në këtë klimë të ngrohtë shoqërore u maturuan poezitë e para të autorit Rexhep Shahu, libri i parë i të cilit “Mali i Hënës” u botua megjithatë relativisht vonë, në vitin 1998, kur kishin rënë barrierat e kuptueshme të regjimit totalitar. Poezia, letërsia në përgjithësi ashtu si çdo gjallesë për ajrin, ka nevojë për lexuesit e saj, për të hyrë në qarkullimin e madh artistik, për tu ndikuar nga bota e artit dhe për të ndikuar tek ajo. Dëmi më i madh i ndalimit të veprës së shkrimtarëve në diktaturë ka ardhur veçanërisht prej kësaj vonese që i ka shkëputur nga mjedisi letrar, prej mundësisë që, duke u lexuar, të hynte në jetën e krijuesve të tjerë dhe të lexuesve në kohën e shkrimit të saj. Kjo mungesë tragjike, bie fjala si e veprave të Kasem Trebeshinës që u botuan me vonesë vetëm pas viteve ’90, nuk e ka dëmtuar vetëm reputacionin e shkrimtarit, por organizmin e letërsisë shqipe. Po kështu mund të thuhet edhe për njohjen më se një shekull me vonesë të poezisë brilante të De Radës, Serembes etj dhe akoma edhe më me vonesë të Zef Skiroit. Rexhepi ishte 38 vjeç kur botoi së pari herë libër. Në fund të viteve 80 ai pati dorëzuar në shtëpinë e vetme botuese një libër, por botimi iu refuzua, për mungesë të trajtimit të temave të mëdha e entuziaste për të cilat kishte nevojë regjimi. Kur kihet parasysh tash vepra e tij mund të thuhet se Rexhepi në fakt nuk ka humbur shumë prej kësaj vonese, sepse poezia e vërtetë i reziston kohës. Koha rrjedh pa e dëmtuar poezinë, përkundrazi mund të gjallërojë më tepër ngjyrimet e saj. Ajo shijohet njëlloj si të jetë shkruar para shumë vjetësh ose siç mund të shkruhet edhe pas shumë vjetësh. Edhe në letërsinë tonë për fat të mirë, kemi poetë tradicionalë, madje të cilësuar të vjetër, që ngjajnë ende kaq të rinj e modernë. Kur lexoi “Malin e hënës”, shkrimtarit Faruk Myrtaj nuk i hyri në sy vonesa e botimit të tij. Mbi të gjitha ai vlerësonte faktin se u arrit që poezia të shkruhej. Për shkak të lakonizmit, dendësisë së emocionit ajo mund të lexohej gjithsesi në mënyra dhe kontekste të ndryshme.

“Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë,
Dhe zëri im s’bën më për fjalë.”

Mund të thuhet kështu për të dashurën, për poezinë, muzën, për… E, merret vesh, kur arrin të lexohet ndryshe, mu këtu është thelbi i të qenit art”. Që nga botimi i librit të parë poetik të Rexhep Shahut “Mali i Hënës” në vitin 1998, kanë kaluar 16 vjet. “Mali i Hënës” u pasua në vitin 2000 nga libri “Bregu i brengës”. Pas tyre, në 14 vjet të vrullshëm shpeshherë të turbullt, Rexhepi u muar më shumë me publicistikë “me një qiri të ndezur në dorë për me ndritun atë të vobektë dhe”, siç thoshte Bogdani i Sibilave, vendlindja e të cilit është krejt përballë Bardhocit, vendlindjes së Rexhepit. Vitet pas “Malit të Hënës” janë të mbushura me ngjarje të rëndësishme për jetën e vendit. Mjafton të përmendim luftën e Kosovës, e cilësuar si lufta e fundit çlirimtare në Europë, ku u lartësuan përpjekjet e përgjakshme e heroike të UÇK, në një betejë të pabarabartë me një nga ushtritë më të mëdha të kontinentit, ku trupi i pambrojtur i shqiptarit u përball me marshin e vdekjes së fortifikuar në çelikun e tankeve dhe avionëve të pushtuesit. Ishte koha kur bota u befasua me madhështinë e shpirtit tonë të pamposhtur në shembëlltyrën e qytetit të Kukësit, të cilin për qëndresën dhe bujarinë e pashoqe në pritjen e gjysmë milionë njerëzve, e kandidoi për t’i dhënë Nobelin e Paqes. Duke qenë në qendër të ciklonit si gazetar i radio Kukësit dhe reporter i të përditshmeve të kryeqytetit, si bashkëpuntor i radio Tiranës dhe Top Albania Radios, Rexhepi intervistoi personalite të rëndësishme botërore që erdhën aso kohe në Kukës. Kontributet e tij u transmetuan me sukses dhe u botuan në disa gazeta të njohura, një pjesë e të cilave u rimblodhën në dy libra: “Misioni për Paqen” dhe “Marsi i Minave”. Ndërkohë më shumë se prej publicistikës, drita duket se lind nga poezia, sado e trishtuar, e mjegullt, e zymtë dhe ankthioze të vijë ajo. Rexhepi nuk iu nda për asnjë çast dashurisë së vjetër, dashurisë poetike, që lindi rrëzë malit të Pikëllimës, përballë malit të shenjtë të Pushtrikut, buzë rrjedhës së Drinit të Bardhë. Krahas publicistikës ku nuk mungojnë motivet migjeniane ai shkroi gjithmonë poezi duke jetuar me trillet e saj, duke i qëndruar besnik vetes në ndjekje të një instinkti të ngulur krijues që vlerat i kërkon te vetja duke rizbuluar e rijetuar brenda të sotmes, të gjitha kohrat njëherësh. Kur ka botuar më shumë se 370 poezi dhe poema të përfshira në katër libra: “Mali i hënës”, “Bregu i brengës”, “Lis i vetëm në fushë” dhe “Qyteti i lutjeve”, mendoj se është me vend të flitet për një kristalizim të mënyrës së tij krijuese dhe nisur nga vlerat e kësaj poezie të tërheqim vëmendjen ndaj origjinalitetit të saj. Ku shfaqet ky origjinalitet? Në mijvjeçarët e ekzistencës së letërsisë që prej eposit homerik duket se është ngjeshur lënda në mënyrë të tillë sa duket se nuk mund të ngrihet diçka e re, e pangjashme me atë që tashmë është krijuar. Një vëtëdije e tillë është e domosdoshme për të ndalur zellin shterp të grafomonënëve të panumërt, që sa vijnë e shtojnë grumbullin e jo vlerave duke rrezikuar t’ia zënë frymën letërsisë së vërtetë. Po kështu, përvoja mijvjeçare, e thithur drejtpërdrejt prej letërsisë sonë gojore dhe letërsisë së kultivuar, duhet të nxit më tepër nevojën e njohjes së vazhdueshme të saj. Sepse nga mosnjohja, edhe nëse rastësisht i shpëton theqafjeve, verbëria të çon gjithnjë në udhë pa krye. Duket paradoksale, por origjinaliteti i veprës letrare vjen nga përthithja e përvojës kombëtare e botërore dhe jo nga injorimi i saj. Ky injorim në të shumtën e herës ndër ne vjen jo për shkak të qëndrimeve novatore apo eksperimenteve moderne a postmoderne, po thjesht për mungesën e plotë të kulturës letrare ose më qartë për shkak të analfabetizmit kulturor. Ndërkohë shkruesit e zellshëm që ia bëjnë qejfin njëri- tjetrit, nuk i lënë askujt hapësirën e duhur për të treguar lakuriqësinë e mbretit. Për këtë shkak, me kohë është bërë e domosdoshme që vendin e djalit naiv që tregon me gisht të vërtetën bërtititëse të lakuriqësisë, duhet ta zërë kritika profesioniste që duhet të rrëzojë jo vlerat dhe t’i paraqesë pa patetizëm, vlerat reale. Poezia e Rexhep Shahut është lehtësisht e komunikueshme me të gjithë lexuesit, e hapur, e kthjellët, e vetëvetishme dhe rrjedh pa sforcim, duke përcjellë dhimbjen tronditëse për humbjet tona, trishtimin e hollë, tragjizmin dhe shpresën njëkohësisht, ku pjesa e vdekshme bashkëjeton me pjesën e pavdekshme të individit. Në poezinë e Rexhepit ndjehet rrjedha e trazuar e kohës që i bën trysni shpirtit njerzor, për ta mpakur dhe rrudhur deri në asgjësimin e plotë të individit. Kërkohen të dystohen ëndrra, të rrafshohen vlera. Dashamirës, njohës të poezisë kanë vërejtur se kjo poezi nuk mashtrohet, as joshet nga lulkat pa aromë të përsiatjeve të ashtuquajtura moderne. A mund të shtiresh përjetësisht, a mund t’i mbyllësh sytë para brengave vetjake e njerëzore? Vuajtja është tipar i poezisë së tij, një vuajtje për shkak të dyzimit midis vetes dhe vetvetes. Dyzimi në përmasa planetare përfshin gjithçka edhe kohën që ndrron rrjedhën e saj normale, jo nga e sotmja drejt të ardhmes, por nga e sotmja drejt së kaluarës, drejt zanafillës, kthimit tek kaosi. Ky lloj apokalipsi synon të zhbëjë jetën. Poezia ngjan me librin e lutjeve dhe psalmet. Gjuha biblike parlajmëron ndëshkimin. Profecia të dërmon me gjykimin e ftohtë të saj:

“Ka me ra shi me baltë
Në llomin e fjalëve kemi me rrëshqitë
E kokërdhak kemi me ra…”

Ndihet vuajtja migjeniane, por zymtësia e pesimizmi e tejkalon Migjenin. Njeriu, i lindur tashmë, nuk do t’i kanoset krijuesit të tij duke e sfiduar, por do të mbarojë, do të zhduket për shkak të llumit të vet shpirtëror. Duket se rrufeja poetike e hyut të padukshëm do ta zhdukë sodomën dhe gomorrën që jetojmë. Rrudhja shpirtërore ka asgjësuar vlerat dhe individi është shndërruar në kufomë shetitëse. Qerthulli i humbjeve sa vjen e rritet. Shpesh përmes përsëritjeve ciklike shfaqen mundimet e Sizifit dhe vuajtjet e Tantalit. Por ka një spirancë që të mos mbytet anija e jetës. Kjo është, Dashuria, gjithnjë e pranishme në poezinë e Rexhep Shahut si një ndjenjë e thellë që jetohet me intensitet, që është e prekshme, por edhe e përjetuar me dhimbjen e largimit dhe mungesës së saj therëse. Dashuria është prej uji, prej ajri, drite dhe ëndrre, por edhe krejt lëndësore, që ndjehet, preket e shijohet plotësisht. Si e tillë, mungesa e saj barazohet me mungesën e jetës deri në vdekje. Poezi të tilla intime dikur quheshin poezi të vogla, vetjake. Fat i individit i shqetësimeve dhe dashurive të tij kërkohej të merrej nëpër këmbë, por poezia më e mirë e viteve 80 ia doli t’i vinte në substancë të saj këto fate të vogla, këto shpirtra që shpëtuan nderin e krijuesve dhe jetën e poezisë. Poezia e Rexhepit ecën në këtë tragë dhe poezia e tij mbetet thellësisht personale, ku mund të pajtohesh me gjithçka, por jo me mungesën e dashurisë.

“Dëshirë të frikësuar s’do të ketë më
Ajo është mosdashje, s’ka emër tjetër
Unë shkaku i saj s’do të jem askund
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.
…………………………………………………
…Prej sysh më del
Si hyjni qielli, sirenë deti
Përpara meje e veshur me dritë
Ndërsa zhdukesh pa gjurmë
Nëpër tymin e shkrumbit tim
Unë mekem pa frymë
Lis i shituem prej zanash.”

Me teknika që tingëllojnë të njohura e klasike, poezia e Rexhepit arrin të përftojë gjendje të vërteta emocionale. Vargjet që citova janë krejt të zakonshme në libër, nuk janë nga më të zgjedhurit. Por kjo poezi qenka e hapur për interpretime të ndryshme, për rivlerësime. Tani më jep një imazh tjetër, një domethënie më të thellë. Dhe kjo ngjet më shumë tek ajo pjesë ku mungon krejt nervi i retorikës. Ato janë të ftohta, madje të akullta në dukje. Neutrale. Bukuria e vargut i shpëton syrit të pavëmendshëm. Edhe kur ndjeshmëria e lexuesit arrin optimumin e përthithjes, zbulimi është i pamundur të arrihet menjeherë dhe plotësisht. Pamje të reja do të shfaqen më vonë si nënshtresa të pikturuara në kohë të ndryshme. Dhe mund të thuash me vete si nuk i kam vënë re më parë. Tonaliteti i poezisë së Rexhepit nuk vjen i rrafshët, por i shumllojshëm, i përthyer si relievi i vendlindjes. Një pjesë poezish vijnë të zhurmshme , madje të marrin përpara me spontanitetin e tyre, me të shkruajturën me një frymë. Ato u ngjajnë përrenjve malorë që zbresin me shkumë dhe gjëmime. Vrulli i tyre nuk mund të mbërthehet në pritat, ledhet, argjinaturën e metrikës e ritmikës. Përmbytja sjell fundosjen e rregullit strikt gjuhësor. Fuqia e poezisë vendos në sovranitet të plotë mënyrën e shprehjes…Malet e lartë të mbuluara nga mjegulla e bora, ujëra të vrullshëm që sulen brinjave, dimra të rreptë, ortiqe të frikshëm, krijojnë pamjen e një vendi, ku natyrshëm mund të lindë epika. Dhe vërtetë në këto treva gjendet dhe djepi i epikës, por në Lumë, krahas epikës historike, krahas mrekullisë së rrëfimeve realiste, alegorike e plot zgjuarsi, ku elementet fantastike zbehen, gjallon e përtërihet një lirikë e fuqishme. Në raport me epikën lirika në Lumë dhe jo vetëm atje, si gjini më e vjetër, moshatare me njeriun, prandaj dhe më themelore, më prekëse dhe më gjithëpërfshirëse, zë vendin kryesor. Pranë vatrës së ndezur të netëve dimërore, si i vetmi burim drite në kullat të zymta, gruaja lumjane (gjyshe, nënë, motër) tirrte dhe këndonte nën hundë vajin e shpirtit të vet, dëshpërimin e thellë për humbjet e saj dhe humbjet historike të brezave, dhimbjet e shkuara dhe dhimbjet e ardhshme. Prej këtij shpirti tragjiko- poetik lumjan duket se është gatuar e mbrujtur origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut, ku miq krijues të poetit kanë mundur të shohin pamje të ndryshme të kësaj lirike, ku ndërthuret tragjizmi vetjak me tragjizmin e përgjithshëm, ku vërehet dyzimi, tuajzimi dhe dashuria e përjetshme. Dëgjojmë të thuhet se poezia është në vështirësi, ka mbaruar koha e saj, duhet një poezi e re, të vijnë poetë të rinj. Ndërkohë që botohen qindra libra me vargje që nuk kanë lidhje, as me poezinë e vjetër të Bogdanit, as me poezinë moderne… Nuk janë poezi. Prej këtij konstatimi të dhimbshëm të përsëritur e të stërpërsëritur si një mallkim, (askush prej vargjeshkruesve nuk e gjen veten te ky përcaktim) shtohet nevoja e diskutimeve letrare ku të shoshiten vlerat. Mbi të gjitha shkruesit, lëvruesit e poezisë vetë edhe për shkak të asaj që quhet konflikt interesi, janë në gjendje të grupohen sipas shoqërisë e shijeve të përbashkëta, por nuk mund të vetëpastohen nga jo vlerat. Ky është edhe misioni i kritikës profesioniste, i katedrave të letërsisë që duhet të arrijnë përmes studimeve të bëjnë analiza objektive, të klasifikojnë prurjet e reja poetike, t’i japin fund kaosit të sotëm duke përcaktuar vlerat reale, gjithnjë duke parë zhvillimet në raport me prirjet e sotme të letërsisë europiane e botërore. Natyrisht ka një brez të rinjsh të afirmuar që nderojnë ekzistencën tonë njerëzore dhe letrare, që meritojnë vëmendjen e studimeve të thelluara. Librat e Rexhep Shahut me vlerat që sjellin e meritojnë një vëmendje të tillë.


Related Posts: