NGUSHËLLIME TURQI!

PRESIDENTJA ATIFETE JAHJAGA NGUSHËLLOI PRESIDENTIN ERDOĞAN




Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dërguar telegram ngushëllimi Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e sulmit të sotëm terrorist në Ankara.

Në telegram thuhet:

Me pikëllim të thellë morra lajmin e sulmit të tmerrshëm terrorist që ndodhi sot në Ankara, i cili la të vdekur dhjetëra njerëz dhe qindra të tjerë të plagosur.
Në emër të institucioneve të Kosovës, të qytetarëve të saj dhe në emrin tim personal, Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura të njerëzve të pafajshëm, familjarëve të tyre dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Turqisë, si dhe shërim të shpejt të gjithë të plagosurve.
Institucionet e Kosovës dënojnë rëndë këtë akt terrorist dhe qëndrojnë pranë popullit turk në këto orë të rënda për ta. Ne shprehim përkushtimin tonë të palëkundur për të fituar betejën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, krahë aleatëve tanë, të cilën kanë synimin e përbashkët të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe garantimin e prosperitetit të tyre, të ruajtjes së sigurisë globale dhe stabilitetit të përbashkët.

Në këtë kohë zie dhe pikëllimi për vendin tuaj, mendimet dhe lutjet tona janë me qytetarët e Republikës së Turqisë.

Shkëlqesia Juaj, populli i Kosovës qëndron pranë Jush. Ju shpreh konsideratat e mia më të larta.



KRYEMINISTRI AKADEMIK PROF.DR. ISA MUSTAFA NGUSHËLLOI QEVERINË TURKE







Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar një telegram kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutoglu, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta pas sulmit terrorist në Ankara, i cili la të vdekur dhjetëra njerëz dhe qindra të tjerë u plagosën.

Në telegram, kryeministri Mustafa, shpreh pikëllimin e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës, duke bashkëndjerë dhembjen me familjarët e viktimave, me popullin dhe me Qeverinë turke, në këto momente të vështira.

Kryeministri Isa Mustafa, shpreh solidaritetin e Republikës së Kosovës me Republikën e Turqisë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në angazhimet e përbashkëta të botës
demokratike, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm dhe akteve terroriste, nga kushdo që kryhen ato.



HASHIM THAÇI: NGUSHËLLIME POPULLIT DHE QEVERISË TURKE




Zëvendëskryeministri I Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i shokuar nga sulmet e sotme në Ankara të Turqisë.

Ai në emër të kosovarëve, ka thënë se është afër popullit turk në këto orë të zeza nëpër të cilat po kalon Turiqa.

“I shokuar me sulmet kundër Turqisë. Ngushëllime popullit dhe qeverisë turke. Jemi me juve në këto orë të zeza”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Sulmet në Ankara janë cilësuar si sulme terroriste, nga çka kanë mbetur të vdekur rreth 30 persona dhe mbi 100 të tjerë të lënduar.



KRYETARI  I KUVENDIT TË KOSOVËS KADRI VESELI NGUSHËLLON HOMOLOGUN E TIJ TURK, ISMET YILMAZ



Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka ngushëlluar kryetarin e Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë, Ismet Yilmaz, deputetët dhe të gjithë popullin e Turqisë.


Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka ngushëlluar kryetarin e Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë, Ismet Yilmaz, deputetët dhe të gjithë popullin e Turqisë, pas sulmit të sotëm terrorist në Ankara, i cili mori jetën e dhjetëra qytetarëve.

Në telegramin e kryetarit Veseli thuhet:

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe emrin tim, iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e dhjetërave qytetarëve tuaj dhe plagosjen e shumë të tjerëve, si pasojë e sulmit të sotëm terrorist.

Në këto çaste të rënda për Juve, Asamblenë e Madhe të Turqisë dhe qytetarët e Republikës së Turqisë, shprehim ndjenjën tonë të solidaritetit, duke bashkëndjerë dhembjen me familjarët e viktimave dhe gjithë pupullin turk.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbështetur dhe mbështet angazhimet e përbashkëta të botës demokratike, të udhëhequra nga SHBA-ja, me përkushtim të plotë në luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe ekstremizmit kudo që shfaqen në botë”.


VETËVENDOSJA NGUSHËLLON PARTITË OPOZITARE TË TURQISË




Me anë të telegramit VV i shprehë ngushëllime edhe Turqisë, për këtë ngjarje të hidhur që prek opozitën dhe të majtën në atë vend.

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një telegram ngushëllimi, shpreh ngushëllimin e saj të sinqertë ndaj aktivistëve të partisë opozitare HDP dhe të së majtës në Turqi, të cilët sot ranë viktima të dy sulmeve tragjike në Ankara.

“Ndihemi të pikëlluar për jetët e humbura dhe dëshirojmë t’ia shprehim dëshpërimin tonë edhe familjarëve të viktimave si dhe shokëve e shoqeve të tyre”, thuhet në telegramin e kësaj Lëvizjeje.

Me anë të telegramit VV i shprehë ngushëllime edhe Turqisë, për këtë ngjarje të hidhur që prek opozitën dhe të majtën në atë vend, e cila për fat të keq është një ngjarje e përsëritur.

“Ngjarje të tilla kudo që ato ndodhin mund të përhapin frikën tek qytetarët, por ne mbetemi optimistë për vendosmërinë e aktivistëve të opozitës dhe të së majtës në Turqi për të vazhduar angazhimet e tyre për demokratizimin e vendit, rritjen e barazisë mes individëve dhe komuniteteve, si dhe për vetëvendosjen e popujve të shtypur”, thuhet në telegramin ngushëllues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Related Posts: