Enver Hoxha i “hap sytë” Sali Berishës për nevojën e korrigjimit të herëpashershëm të historisë.


 Për lexuesit një nga prononcimet e vitit 1976 të Enver Hoxhës me detyra për historinë, sidomos për fshatarësinë dhe ilirologjinë. E ka pasur obsesion, saqë edhe njërit prej dy djemve i vuri emrin Ilir



Nga Thanas Mustaqi


l


                1972. Enver Hoxha bisedon me pjesëmarrës të Kuvendit I të Studimeve Ilire





20 nëntor 1972. Enver Hoxha në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke ndjekur punimet nga lozha e Kuvendit





Kështu diktatori komunist Enver Hoxha i ndriçon udhën liderit demokrat Sali Berisha në korrigjimin e historisë sa herë të ketë nevojë politika e ditës. Mësohet se pasionin e papritur për të kaluarën Kryeministrit ia kanë ngjallur këshilltarët, ku spikat i mirënjohuri prof. Neritan Ceka, i shpërblyer me postin e lartë të ambasadorit në Romë. Babai i këtij të fundit, i madhi Hasan Ceka (1900-1998), pionier i arkeologjisë shqiptare, ndihmonte diktatorin të orientohej nëpër rrjedhat e historisë. Shefit të Ekzekutivit të sotëm i është sugjeruar të rishfletonte Hoxhën, që ka urdhëruar historianët si të flisnin jo vetëm për të sotmen, por edhe për mijëra vjet të shkruara. Gazeta “Investigim” sjell për lexuesit një nga prononcimet e vitit 1976 të Enver Hoxhës, që përcaktonte detyra, sidomos në dy çështje që kishte më për zemër, historinë e fshatarësisë dhe ilirologjinë. E ka pasur obsesion problemin ilir, saqë edhe njërit prej dy djemve i vuri emrin Ilir. Kurse Berisha, mik i familjes Hoxha, që Ilirin e përmend si i ati në intimitet kur ishte gjallë, Lilo, ka hedhur disa herë “shashka” historike, duke turbulluar politikanë, historianë, komentues, njerëz të thjeshtë.

SKËNDERBEU SI SEBEP

Në një ese të shkruar në 20 janar 1976, Enver Hoxha shënon një rast kurioz: në shkolla, si atë dhe bashkëkohësve të tij, i mësonin se Bishti i Pallës në Durrës vjen nga fjala pallë, pasi ka formën e pallës dhe, për më tepër, se atje Skënderbeu kishte luftuar me turqit me pallë, prandaj këtij vendi i paska mbetur emri “Bisht i Pallës”. Ndërkohë Hoxha, ka lexuar një ditë një shkrim të vjetër “Aleksiada” të shkruar nga historiania bizantine Ana Komnena (1083-1148), ku ajo flet për kryqëzatën e parë dhe pikërisht për mbretin Ubos, që valët e detit e përplasën në Durrësin e Vjetër dhe është pikërisht ajo që thotë se anija e këtij mbreti u shkatërrua në “kepin Palli”. Për lexuesin shtojmë se këtij argumenti shefi i regjimit i rikthehet më 5 shkurt në mbledhjen e organizatës së partisë ku bënte pjesë: “Ju e keni dëgjuar të gjithë se në bregdetin tonë të Adriatikut ndodhet vendi që quhet Bishti i Pallës. Në këtë pjesë të bregdetit armiqtë e brendshëm dhe agjentët e huaj na kanë sabotuar nxjerrjen e naftës. Kjo flet qartë për domosdoshmërinë e rritjes së vigjilencës”. Pak më poshtë Hoxha thotë: “Pyeta një ditë, në bisedim e sipër, një shok: “E di ti, i thashë, – përse një kep nga të bregdetit tonë quhet Bishti i Pallës”? Bashkëbiseduesi m’u përgjigj: “Se atje kishte dalë me Skënderbeu pallë në dorë, duke luftuar kundër turqve”. Pastaj përsërit ato që kishte shkruar në ditar dy javë më parë, duke e mbyllur këtë kapitull kështu: “Kjo, që tregova, ishte vetëm kuriozitet i thjeshtë, por që vërteton se njohja e historisë ka një rëndësi të madhe”.

EUFEMIZMI

Hoxha përdor eufemizmin “rekomandoj” për “urdhëroj” që disa historianë “të apasionuar që t’i futen” problemit të luftës së fshatarësisë në shekuj. Enver Hoxha e bën të qartë se “askush nuk duhet të mendojë se me nxjerrjen në dritë të vëllimit I dhe II të Historisë së Shqipërisë çdo gjë mbaroi. Jo, kjo është një histori më e gjerë se një libër shkolle”. Madje shton se “dijetarët tanë në të kaluarën nuk e kanë studiuar thellë historinë e fshatarësisë sonë, domethënë të popullit tonë, në thellësi dhe me metoda shkencore”. Duhet vënë në dukje se problemet e historisë së fshatarësisë dhe të luftërave të saj Enver Hoxha i ka trajtuar në mënyrë të veçantë në diskutimin e mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH më 9 maj 1983. Hoxha vëren se historianët më tepër “kanë riprodhuar në mënyrë propagandistike gjeste dhe akte heroike të popullit tonë kundër okupatorëve dhe mjerimin e jetës shoqërore, ekonomike dhe shpirtërore, që ishin pasojë e kësaj shtypjeje të huaj. Por një gjë e tillë nuk ka qenë dhe nuk është e mjaftueshme për ne”.

NEOLOGJIZMI

Por pjesën kryesore të kësaj eseje e zë problemi ilir. “Për ilirët jemi interesuar, interesohemi dhe do të interesohemi, por mendoj se duhet parë metoda e studimit dhe e interpretimit të materialeve arkeologjike, që të dihet mirë se si ka jetuar ky popull, si ka luftuar, si ka menduar, si ka besuar, ç’marrëdhënie shoqërore ka pasur, si janë zhvilluar e transformuar këto, cilat kanë qenë influencat e brendshme dhe të jashtme, ç’ndryshime kanë sjellë të gjitha këto në jetën ekonomike, shoqërore, intelektuale, morale etj. Kjo, mendoj unë, ka rëndësi shumë të madhe, pse ndryshe qëndrojmë në metodën e çalë të shkencëtarëve të huaj, natyrisht duke zgjeruar vetëm gamën e zbulimeve arkeologjike”. Madje zelli e ka çuar Hoxhën deri në krijimin e neologjizmit “prejardhës”: “Studiuesit tanë të vjetër dhe sidomos të kohës sonë i janë vënë studimit të gjenezës së popullit shqiptar dhe veçanërisht të epokës ilire dhe në këtë drejtim kanë pasur rezultate. Por ç’është bërë me paraardhësit, prejardhësit e ilirëve, kjo është gati një kartë e bardhë. Ka gjëra fragmentare, të shkëputura, të imagjinuara, të qëmtuara andej-këtej, pa kritere, nga të huaj, që u jepnin interpretime të ndryshme, sipas interesit të tyre, ose edhe nga njerëzit tanë, të cilët i merrnin ashtu siç i jepnin të tjerët dhe i transkriptonin pa i kaluar në një analizë shkencore”.





Disa probleme të studimit dhe të shkrimit të historisë së lashtë të popullit tonë



20 janar 1976

Gjatë gjithë jetës sime më ka preokupuar një problem me rëndësi të madhe. Ky problem ka të bëjë me studimin dhe shkrimin e historisë së fshatarësisë sonë gjatë shekujve, gjatë epokave të ndryshme të historisë, gjatë mesjetës, mesjetës së hershme, bile edhe shumë më parë akoma. Unë jam interesuar ca gjatë jetës sime në studimin e historisë së popujve të ndryshëm të botës, të Evropës dhe të popujve fqinj. Kam lexuar jo vetëm manuale skolareske, por histori speciale të popujve në epoka të ndryshme, në aspekte të ndryshme dhe të shkruara me metoda të ndryshme. Natyrisht, flas për sa kam lexuar unë, ato kanë vlera të ndryshme nga përmbajtja, nga dokumentacioni, nga prirja ideologjike, nga stili dhe metoda e analizës që kanë përdorur autorët në paraqitjen e fakteve dhe në interpretimin e tyre. Ka shumë nga këta që kanë bërë epokë dhe historitë e tyre, pavarësisht nga metoda e përdorur dhe nga numri i fakteve ku janë mbështetur, janë burime të shëndosha, të cilave u referohen brezat e historianëve pasardhës.

HISTORIA E FSHATARËSISË

Problemi, që shtroj, është studimi dhe hartimi i historisë së fshatarësisë sonë, domethënë, me fjalë të tjera, edhe historia e popullit tonë.

Kjo nuk është bërë dhe ne duhet ta bëjmë. Historianët e vendit tonë duhet t’i futen thellë këtij problemi të madh, shumë të rëndësishëm. Askush nuk duhet të mendojë se me nxjerrjen në dritë të vëllimit I dhe II të Historisë së Shqipërisë çdo gjë mbaroi. Jo, kjo është një histori më e gjerë se një libër shkolle, prandaj u rekomandoj disa historianëve të apasionuar që t’i futen këtij problemi.

Duhet të njohim se dijetarët tanë në të kaluarën nuk e kanë studiuar thellë historinë e fshatarësisë sonë, domethënë të popullit tonë, në thellësi dhe me metoda shkencore. Më tepër ata kanë riprodhuar në mënyrë propagandistike gjeste dhe akte heroike të popullit tonë kundër okupatorëve dhe mjerimin e jetës shoqërore, ekonomike dhe shpirtërore, që ishin pasojë e kësaj shtypjeje të huaj. Por një gjë e tillë nuk ka qenë dhe nuk është e mjaftueshme për ne. Socializmi dhe shkenca e materializmit historik, nga e cila udhëhiqet Partia jonë, na ka hapur neve perspektiva dhe mundësi kolosale, që nuk i kanë pasur dijetarët tanë të kohëve të kaluara. Neve na bie si detyrë ta thellojmë këtë studim, duke përdorur metodën shkencore marksiste-leniniste.

HISTORIA VERIDIKE

Historia veridike [që pajtohet plotësisht me të vërtetën] duhet të bazohet në fakte dhe në interpretimin drejt të tyre. Çdo subjektivizëm, çdo formë shovinizmi ose imagjinatë fantaziste e këtyre fakteve e zhduk dhe e zhvlerëson historinë që kërkohet të shkruhet. Propaganda dhe fantazia janë një gjë, ndërsa historia e bazuar në fakte reale dhe në interpretimin shkencor marksist-leninist të tyre është një gjë tjetër.

Studiuesit tanë të vjetër dhe sidomos të kohës sonë i janë vënë studimit të gjenezës së popullit shqiptar dhe veçanërisht të epokës ilire dhe në këtë drejtim kanë pasur rezultate. Por ç’është bërë me paraardhësit, prejardhësit e ilirëve, kjo është gati një kartë e bardhë. Ka gjëra fragmentare, të shkëputura, të imagjinuara, të qëmtuara andej-këtej, pa kritere, nga të huaj, që u jepnin interpretime të ndryshme, sipas interesit të tyre, ose edhe nga njerëzit tanë, të cilët i merrnin ashtu siç i jepnin të tjerët dhe i transkriptonin pa i kaluar në një analizë shkencore.

Studimi i ilirëve është një çështje me rëndësi, për të cilën janë interesuar shkencëtarët tanë, si edhe shkencëtarë të huaj. Unë mendoj se studimet e të huajve janë një bazë e mirë, por jo e plotë dhe e shumanshme. Metodat e studimit dhe përshkrimi i gjendjes shoqërore dhe shpirtërore të ilirëve nga ana e tyre, lë shumë për të dëshiruar. Unë mund të gabohem, por studimet e tyre në këtë drejtim nuk janë të thelluara si duhet. Është ngulur këmbë veçanërisht në zbulimin e disa objekteve arkeologjike, në përshkrimin e tyre dhe fare pak në interpretimin dhe në zgjerimin e tyre. Të tjera orientime i preokuponin këta shkencëtarë, të tjera zhvillime të shoqërisë që marrin rrugë nga ilirët. Për shqiptarët, prejardhës të ilirëve, as flisnin fare, ose sa i përmendnin kalimthi.

PARA DHE PAS ILIRËVE

Kurse shkencëtarët tanë, që janë marrë me studimin e ilirëve, kanë bërë hapa përpara dhe më të përparuar nga të huajt jo vetëm nga zbulimet e shumta me vlerë që kanë bërë, por edhe nga metoda e studimit, stili i punës, interpretimi i zhvillimit ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Por jam i mendimit se nuk duhet të kënaqemi as nga zbulimet, as nga metoda dhe interpretimi. Pse e them këtë? Për arsye se studimet për ilirët nga studiuesit tanë më duket se bëhen si një studim në vetvete, për të shpjeguar vetëm se ne kemi prejardhjen prej tyre. Mirëpo ilirët vetë nga e kanë prejardhjen? A janë bërë studime në këtë çështje nga tanët, apo bazohen kryesisht në ato ç’kanë thënë deri sot të tjerët? Këto kanë rëndësi, por shkencëtarët tanë duhet t’i analizojnë këto teori në bazë të teorisë dhe të analizës marksiste dhe nga e njohura (ilirët) të shkojnë tek e panjohura (epoka parailire).

Çështja tjetër që kërkon studime është kjo: “Ç’është bërë me jetën e me zhvillimin e prejardhësve të ilirëve – me shqiptarët?”. Sa është studiuar ky problem? Mendoj se në këtë fushë duhet punuar sistematikisht dhe me metoda shkencore [që nga koha kur janë dhënë këto porosi, studimet në fushën e arkeologjisë ilire dhe të mesjetës së hershme kanë zgjeruar rrethin e tematikës së tyre dhe kanë sjellë një varg rezultatesh, që kanë pasuruar njohuritë shkencore në këto fusha. Është rritur veprimtaria e gërmimeve dhe kanë dalë në dritë qendra të reja me material tepër të pasur, që hedhin dritë mbi gjenezën e ilirëve dhe të shqiptarëve. Një sërë studimesh e konferencash u janë kushtuar problemeve të etnogjenezës së shqiptarëve, siç qe konferenca e vitit 1982, e cila bëri një sintezë të parë të rezultateve të studimeve gjuhësore, arkeologjike dhe historiko-etnografike lidhur me këtë problem. Këtyre rezultateve u janë kushtuar një varg botimesh të Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë].

HALLKAT E ZINXHIRIT

Duhet të lidhen njëra pas tjetrës hallkat e zinxhirit, që nga paraardhësit e ilirëve, ilirët dhe deri në ditët tona. Për ilirët jemi interesuar, interesohemi dhe do të interesohemi, por mendoj se duhet parë metoda e studimit dhe e interpretimit të materialeve arkeologjike, që të dihet mirë se si ka jetuar ky popull, si ka luftuar, si ka menduar, si ka besuar, ç’marrëdhënie shoqërore ka pasur, si janë zhvilluar e transformuar këto, cilat kanë qenë influencat e brendshme dhe të jashtme, ç’ndryshime kanë sjellë të gjitha këto në jetën ekonomike, shoqërore, intelektuale, morale etj. Kjo, mendoj unë, ka rëndësi shumë të madhe, pse ndryshe qëndrojmë në metodën e çalë të shkencëtarëve të huaj, natyrisht duke zgjeruar vetëm gamën e zbulimeve arkeologjike.

Nga një punë e tillë do të kalojmë nga e panjohura në të njohurën, domethënë ç’bënë, si jetuan e ç’besuan paraardhësit dhe pasardhësit e ilirëve, shqiptarët. Duhet, pra, të mos qëndrohet në vend, vetëm tek ilirët, por të njohim zhvillimet para dhe pas ilirëve.

GJURMË

Ilirëve u gjejmë shumë gjurmë arkeologjike. Po pas ilirëve, në periudha të ndryshme, nuk ka gjurmë? Ka, patjetër, edhe më shumë, ka një zhvillim progresiv dhe më të përparuar se qytetërimi ilir derisa ne, prejardhësit e ilirëve, as nuk u zhdukëm, as nuk u asimiluam nga popujt e tjerë më të mëdhenj. Kjo tregon vitalitetin e popullit tonë, zotësinë, kulturën, organizimin e mbrojtjes dhe të jetës shoqërore të përparuar. Kjo duhet studiuar, duhet zbuluar, duhet zhvilluar. Këtu ka vazhdimësi dhe jo ndërprerje, kjo është një çështje dialektike. Ne nuk mund të bëjmë përjashtim nga historia dhe nga zhvillimi i popujve të tjerë.

Mund të thotë ndokush se s’kemi të dhëna, s’kemi dokumente, ku t’i gjejmë, si t’i kërkojmë. Me të vërtetë ky është një problem aq i madh sa dhe i vështirë, por të ngresh duart lart pa u menduar, s’del gjë.

Një punë, një detyrë e tillë, duhet të zgjidhet nga historianët tanë, të cilët duhet të kuptojnë mirë se historia nuk është një përrallë ku të përzihen legjendat dhe evenimentet e mbinatyrshme mitike, sido që edhe këto kanë vendin dhe rolin e tyre në studimin e historisë së lashtë të popujve, por historia është një shkencë dhe si e tillë ajo duhet njohur, studiuar dhe shkruar.

Historianët tanë duhet t’i futen një pune të tillë, ata duhet të dalin nga guaska e historive të cekëta shkollore ose të formuluara në bazë të të dhënave të pakontrolluara dhe shumë të kufizuara.

Historianët tanë, që duhet të merren me këto studime të lashta për popullin tonë në mesjetë, në mesjetën e hershme, në kohën e Romës dhe para saj, duhet të jenë dhe të bëhen eruditë, pse erudicioni është një mjet jo vetëm për të ditur shumë gjëra të ngatërruara, por është një mjet me rëndësi që duhet të përdoret mirë dhe jo të lihet që “koka të bluajë si mulliri pa kokrra”. Erudicioni

historianit duhet t’i shërbejë për të bërë ballafaqime shkencore të ngjarjeve, të zhvillimeve, të lidhjeve, të prejardhjeve, jo vetëm për sa i përket thjesht popullit tonë, por në lidhje edhe me të tjerët.

Çështja e dokumenteve për të shkruar historinë e një epoke të lashtë, nuk mund të bazohet vetëm në shkrime, pse shumë popuj nuk kanë pasur shkrimin e tyre, por ata kanë lënë gjurmë të pashlyeshme gjatë shekujve. Dhe këto gjurmë nuk janë vetëm zbulimet arkeologjike, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në punën për të shkruar jetën dhe historinë e një populli. Por nuk janë vetëm këto dokumentet e një historiani.

LINGUISTIKA

Gjuha dhe veprimtaria prodhuese janë dy thesare të paçmuara për të njohur historinë e një populli. Populli ynë i lashtë, si gjithë popujt e lashtë, ka pasur gjuhën e vet, pavarësisht se nuk janë gjetur dokumente të shkruara. Studimi i gjuhës sonë ka bërë disa hapa të mirë përpara, por mendoj se ky studim nuk duhet të mbetet si diçka e thatë, si një shkencë e palidhur me transformimet e shoqërisë në shekuj. Ne, marksistët, duam të dimë pse bëhen ndryshimet fonetike në një epokë të caktuar, pse ndryshoi fjala, tingulli, kuptimi? Këto ndryshime nuk u bënë vetvetiu, pse deshën njerëzit mijëra o qindra vjet më parë, por u bënë se u zhvillua jeta shoqërore dhe këto ndryshime i solli veprimtaria prodhuese, e cila zhvilloi njeriun dhe shoqërinë. Në rast se linguistikën e studiojmë të shkëputur nga jeta shoqërore, në rast se bën një analizë të palidhur me analiza të tjera, ajo nuk mund t’i shërbejë çështjes së madhe. Linguistika, mendoj unë, nuk shërben vetëm për të njohur gjuhën e tashme, por sidomos ajo duhet të shërbejë që nëpërmjet saj të njohim edhe historinë e lashtë të popullit tonë.

Përveç linguistikës, gërmimeve arkeologjike, mësimit me imtësi dhe në zhvillim të gjeografisë së vendit dhe faktorëve të tjerë, historianët e këtyre epokave duhet të tregojnë një interesim të gjallë edhe për këngët popullore, për legjendat e besimet fetare. Marksizmi nuk i hedh këto në kosh, si “ëndrra”, si misticizëm, por i studion me syrin e materializmit dialektik. Shqiptarët e periudhës pasilire kanë besuar, kanë ëndërruar dhe dëshirat e ngjarjet edhe ata, si popujt e tjerë, i kanë kthyer në legjenda. Këtu qëndron forca e historianit, që nga të gjitha këto të nxjerrë dhe të bëjë analizën historike që na mëson Marksi, i cili ka qenë mjeshtri i analizës shoqërore, që bota dhe njerëzimi tjetër më të madh nuk kanë nxjerrë. Dhe historianët tanë duhet ta ndjekin këtë metodë të Marksit, metodën e materializmit dialektik.

ERUDICION

Ekzistenca e dëshmive materiale është kryesore në studimin e historisë së një populli, me to lidhet edhe studimi i grupeve shoqërore, që kanë zhvillim të pabarabartë, format dhe metodat e punës, nëpërmjet të cilave zhvillohet intelekti, transformohet njeriu dhe grupi shoqëror, me to lidhen zakonet, të folurit dhe transformimet më të hollësishme të kuptimit që marrin fjalët, besimet fetare, ndryshimet dhe ndarjet që janë vërtetuar në to, si edhe gjithë jeta shpirtërore. Të gjitha këto mund të quhen “arkeologjia” e çështjeve të jetës së njerëzve, të jetës së përditshme të tyre, që historiani duhet t’i zbulojë dhe t’i studiojë. Kështu, me durim, me studim, me erudicion, me gërmime, duke përdorur krahasime dhe analogji shkencore materialiste mund të zbulohet koha e lashtë, të vihet në dukje dhe të gjallërohet “inercia” shekullore, të zbulohen sistemet e ndryshme shoqërore të epokave të ndryshme, të zbërthehen e të lidhen ato në mënyrë të pashkëputur. Për t’ia arritur këtij qëllimi çdo gjë vlen, çdo gjë shërben, deri edhe një vegël pune prej hekuri, prej bronzi apo prej stralli, një unazë, një pandatif [varëse zbukurimi], një praktikë, një traditë, një mënyrë të ngrëni e të piri, mënyra e veshjes dhe kujdesi për trupin etj.

MISIONI

Misioni i historianit, siç na mësojnë klasikët tanë, është i lartë. Puna e tij duhet të karakterizohet nga rregulli dhe vërtetësia në drejtim të kërkimeve, duke kaluar nga dokumenti bruto, në klasifikim, në renditje, në krahasim me të tjerat dhe, këtej del historia e vërtetë, sinteza që kërkohet. Historiani duhet të bazohet në fakte të natyrave të ndryshme, që përmban një epokë e caktuar. Këto fakte duhen grupuar e klasifikuar, pse janë të ndryshme: politike, ekonomike, strukturore, shoqërore, të jetës besimtare etj. Detyra e historianit është të gjejë lidhjet e vërteta në mes tyre, të hedhë urat, si me thënë, dhe të vendosë kështu raportet në. mes një vargu të tillë heterogjen të dhënash. Të gjitha këto fakte të natyrave të ndryshme heterogjene, të cilave u krijohet dhe u shpjegohet lidhja, përbëjnë qytetërimin. Ky quhet qytetërimi i një epoke, nga të dhënat e të cilit duhet të gjesh unitetin.

Por detyra e historianit të vërtetë, që di të zbatojë si duhet materializmin dialektik, është të vihet

më lart dhe të shikojë më tej nga burimet që na kanë lënë shekujt. Shembullin më të shkëlqyer na e jep Engelsi në librin e tij të famshëm “Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit”. Nga veglat prej guri, nga zakonet, zhvillimi i ngadaltë i tyre dhe nga qindra e mijëra shenja të tjera, që kanë lënë kohët dhe popujt gjatë shekujve, Engelsi përcaktoi jo vetëm origjinën materialiste të zhvillimit shoqëror dhe të njeriut si qenie shoqërore, por na dha edhe armën e metodës së kërkimeve të sakta e realiste.

ZGJERIMI I KULTURËS

Fola më sipër për erudicionin që i shërben historianit. Natyrisht ky erudicion s’ka kufi si në kohë, si në gjerësi. Njeriut i duhet shumë kohë që të mësojë çdo gjë dhe mirë. Megjithatë, njeriu në jetën e tij e ka për detyrë që, në përputhje me zhvillimin materialist të shoqërisë, të zhvillojë edhe njohuritë e tij të përgjithshme, në përgjithësi dhe në veçanti të zhvillojë thellë dijenitë e tij në sektorin ku punon. E kam theksuar shumë herë se njerëzit tanë kanë bërë përparime të mira në këtë drejtim, por kultura e përgjithshme e tyre ka mbetur akoma gati në stadin e asaj që është mësuar në shkollë. Edhe thellimi e zgjerimi i kulturës në specialitetin ku punon secili dhe të ambientit që e rrethon, është jo i plotë; nuk bëhen sa duhet përpjekje për nxitjen e kuriozitetit shkencor. Shumë lëndë, me gjithë përmirësimet që janë bërë, në disa raste, trajtohen pothuajse në atë vijë që i kanë trajtuar shkencëtarët e huaj. Flas këtu për disa çështje gjuhësore. Disa shkencëtarë të huaj kanë punuar për gjuhën shqipe, por jo për historinë e popullit tonë që fliste këtë gjuhë. Ata flasin për prejardhjen e gjuhës sonë dhe për transformimet që ka pësuar ajo, por pse u bënë këto transformime ata s’flasin, po kanë mbledhur të dhëna dhe kanë proceduar kryesisht me krahasime. Rezultati i punës së tyre mund të jetë i drejtë, por jo i mjaftueshëm, pse neve nuk na duhet vetëm që kjo ose ajo gjuhë është me origjinë indoevropiane ose nga ndonjë tjetër, por ajo duhet lidhur me të gjitha studimet e tjera, të bashkuara me ura me njëra-tjetrën dhe që nga gjithë ky ansambël shkencor të dalë qytetërimi ilir, parailir, pasilir, dhe deri në ditët tona si një zinxhir i pashkëputur.

INVENTAR I SAKTË

Për sa thashë mbi studimin e historisë së lashtë të popullit tonë, sidomos të periudhës ilire dhe pasilire, duhet të bëhen kërkime e studime të thella në vend, për të arritur në burimet dhe, për këtë qëllim, duhen përdorur metoda shkencore. Përveç kësaj, duhet ribërë një inventar i saktë i çdo materiali që është shkruar te ne për popullin tonë, deri te këngët, te legjendat, te zakonet, te ritet fetare, te veshjet, te mënyra e të ngrënit, te prodhimet, te bujqësia, te blegtoria, te gjeografia etj., etj. Të gjitha këto duhen analizuar në mënyrë shkencore për qëllimin që thamë dhe jo në mënyrë propagandistike. Të gjitha këto të dhëna duhet t’i klasifikojmë dhe nga çdo e dhënë të shohim në drejtimin që thashë më parë, më lart dhe më larg nga dokumenti, pse vetëm kështu zbulohet dhe shkruhet historia.

Shumë gjëra që aktualisht kanë kaluar si të vërteta historike, do t’i verifikojnë dhe t’i vënë siç duhet në vend këto studime, pse në mjaft prej tyre kanë luajtur një rol subjektivizmi dhe rrethanat e krijuara nga të huajt, të cilat shtynin dijetarët dhe patriotët tanë të adoptonin qëndrime më tepër politike-propagandistike sesa historikisht të vërtetuara.

BISHTI I PALLËS

Në shkolla, si mua dhe bashkëkohësve të mi, na mësonin, dhe kështu e dinim dhe dimë, se Bishti i Pallës në Durrës ardhka nga fjala pallë, pasi ka formën e pallës dhe, për më tepër, se atje Skënderbeu kishte luftuar me turqit me pallë, prandaj këtij vendi i paska mbetur emri “Bisht i Pallës”. Mirëpo në një libër të serisë “Mémorial des Siécles” lexova një ditë një shkrim të vjetër “Aleksiada” të shkruar nga princesha Ana Komnena [historiane bizantine (1083-1148)], vajza e perandorit të Bizantit Aleksis i Parë, që mbretëroi nga 1081 deri 1118 në Bizant, nën sundimin e të cilit ishte dhe Dyrrakiumi (Durrësi). Princesha Ana Komnena flet për kryqëzatën e parë dhe pikërisht për mbretin Ubos, që valët e detit e përplasën në Durrësin e Vjetër dhe është pikërisht ajo që thotë se anija e këtij mbreti u shkatërrua në “kepin Palli”. Pra, Bishti i Pallës, sipas Ana Komnenës, s’ka të bëjë as me pallën, as me Skënderbeun, që jetoi tre shekuj më vonë nga kjo ngjarje.

HISTORITË E POPUJVE TË TJERË

Këtë shembull nuk e solla vetëm për saktësinë historike, por edhe në lidhje me çështjen e erudicionit. Të tjerë kanë shkruar për popullin tonë, drejt ose shtrembër, drejtpërdrejt për të apo kalimthi, kanë shkruar në epoka të ndryshme, siç i kanë parë, siç i kanë menduar dhe siç i kanë interpretuar vetë. Historiani ynë e ka për detyrë shkencore që t’i kërkojë këto të dhëna, t’i analizojë, t’i krahasojë, t’i verifikojë dhe kjo hyn në atë grumbullim dokumentesh që thashë. Por për historinë e popullit tonë kanë vlerë dhe historitë e popujve të tjerë, sidomos të atyre me të cilët kemi pasur lidhje. Prandaj e ngre unë këtë problem dhe e konsideroj sa të zorshëm, aq edhe të domosdoshëm. Çdo gjë e zorshme në këtë drejtim mund të kapërcehet. Ne duhet të ngjallim interes dhe të krijojmë pasion në kuadrot, t’u mësojmë atyre edhe metodën marksiste-leniniste të kërkimeve, disiplinën shkencore në punë, në studim dhe në konkluzione.



Disa veprimtari për ilirët, diktuar nga Enver Hoxha



- Simpoziumi “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve” (1969)

- Kuvendi I i Studimeve Ilire (1972)

- Konferenca “Mbi formimin e popullit shqiptar, gjuhës e kulturës së tij” (1982)

- Kuvendi i II i Studimeve Ilire (1985)