Prof.dr. Eshref Ymeri
Shkrimtarja, gazetarja dhe skenaristja e filmave dokumentarë Svjetllana Aleksijeviç, me baba bjellorus dhe me nënë ukrainase, ka lindur më 31 maj 1948 në qytetin Stanisllav të Ukrainës, i cili pas vitit 1962 është riemërtuar Ivano-Frankovsk. Ka punuar si mësuese e historisë dhe e gjuhës gjermane. Ajo u bë shumë e njohur me librat që pati shkruar në gjininëe prozës artistike-dokumentare.
Libri i parë i saj titullohet “Lufta nuk ka fytyrë femre”, të cilin e pati shkruar në vitin 1983. Kjo novelë dokumentare, e bazuar në regjistrimin e rrëfenjave të grave pjesëmarrëse në luftën kundër agresionit hitlerian, qe botuar për herë të parë në revistën “Tetori” (Oktjabr) në vitin 1984. Një pjesë të atyre rrëfenja-kujtimeve censura i pati flakur nga libri, sepse autoren e akuzuan për pacifizëm, për natyralizëmdhe për errësim të figurës heroike të gruas sovjetike. Në botimet e mëvonshme, pjesët e hequra u rivendosën në libër. Në vitin 1985 libri doli nga shtypi si botim më vete, njëhohësisht në disa shtëpi botuese, me një tirazh të përgjithshëm që arriti në dy milionë kopje në fund të viteve ’80.
Libri i dytë titullohet “Dëshmitarët e fundit: një libër rrëfenjash jo për fëmijë”. Doli nga shtypi në vitin 1985 dhe në botimet në vijim qe titulluar sipas varianteve tënëntitullit “Solo për zëra fëmijësh”, “Njëqind këngë djepi jo për fëmijë”. Përkrijiminekësajvepre, autorjaështëmbështetur në kujtimet e viteve të luftës të atyre që e patën përjetuar atë në moshën e fëmijërisë.
Libri i tretë, me titull “Çunat prej zinku” u botua në vitin 1989. Në të pasqyrohen rrëfenja për agresionin e trupave sovjetike në Afganistan, të cilat përcillen me fjalët e nënave që humbën bijtë e tyre në atë luftë.
Libri i katërt që mban titullin “Të yshtur nga vdekja”, e pa dritën e botimit në vitin 1993. Ai i kushtohet problemit të vetëvrasjeve që lindi në epokën e ndryshimeve të theksuara sociale nëish-Bashkimin Sovjetik.
Në vitin 1997 shkrimtarja u dhuroi lexuesve librin e pestëme titull“Lutje (falje) për Çernobilin”. Kjo vepër ka në themel biseda me dëshmitarë të katastrofës së Çernobilit.
Në vitin 2013 shkrimtarja nxori nga shtypi librin“Koha second hend”, në të cilin trajton problemin e ndikimit të historisë së vendit mbi vetëdijen e qytetarëve dhe, më konkretisht, formimin e dukurisë së“njeriut sovjetik”.
Të gjitha veprat e shkrimtares Svjetllana Aleksijeviç formojnë ciklin “Zërat e utopisë”. Ajo po e vazhdon punën për këtë cikël.
Këtu do të ndalem shkurtimisht në veprën e parë të saj “Lufta nuk ka fytyrë femre”. Për krijimin e kësaj vepre, autorja ka pyetur më shumë se 800 gra që patën marrë pjesë nëfrontet e luftës. Pikërisht mbresat e tyre janë përfshirë në këtë libër. Pas botimit të librit, autores filluan t’i vinin letra edhe nga meshkuj që kishin qenë në vijën e parë të fronteve të luftës.
Në librat që i janë kushtuar viteve të luftës, në Bashkimin Sovjetik përshkruhen akte heroike që kanë kryer meshkujt. Ndërkohë, në operacionet ushtarake të ushtrisë sovjetike patën marrë pjesë më shumë se 1 milion gra dhe vajza, po kaq patën marrë pjesë në ilegalitet dhe në çetat partizane. Ato kanë qenë pilote dhe snajperiste, mitraliere dhe zenitare. Pas përfundimit të luftës, shumë prej tyre iu desh ta mbanin të fshehtë pjesëmarrjen në frontet e luftës, meqenëse konsiderohej se gratë në ushtri paskëshin qenë mendjelehta në marrëdhëniet me meshkujt.
Në parathënien e librit, autorja shkruan:
“Meshkujt flisnin për akte heroike, për zhvendosjen e fronteve dhe për komandantët ushtarakë, kurse gratë flisnin për tjetër gjë: për faktin se sa e tmerrshme ishte të vrasje për herë të parë, pas betejës të ecje nëpër një fushë, ku dergjeshin kufomat e të vrarëve. Ata dergjeshin, të shpërndarë gjithandej, si puna e patateve. Të gjithë në moshë të re dhe të vinte keq për të gjithë, qofshin ata gjermanë apo qofshin tanët, ushtarë rusë. Pas luftës, gratë duhej të përballonin edhe një tjetër luftë. Ato i mbanin të fshehura ditarët e luftës, dëshmitë e veta për plagët që kishin marrë, sepse duhej të mësonin përsëri për të buzëqeshur, për të ecur me taka të larta dhe për të dalë te burri. Kurse meshkujt i patën harruar shoqet e tyre të kohës së luftës, i patën prerë në besë. Ua patën grabitur Fitoren. Nuk e ndanë bashkë me to”.
Kryeredaktori i librit shkruan:
“Neve na dukej sikur fjalët për të vërtetën do të shërbejnë jo vetën si një nderim në kujtim të të gjithë atyre që nuk patën fatin të jetojnë në atë kohëtë lemerishme, por do të jenë edhe si një kundërhelm ndaj gënjeshtrës së madhe, ndaj fjalëve bombastike dhe ndaj patriotizmit të paqenë, të cilat sot janë edhe më të shumta sesa në vitet e rinisë sime. Ne do të dëshironim që njerëzit, të cilët çirren me fjalët “Po të jetë e nevojshme, do ta përsërisim”, të lexojnë se si ushtarakët e vijës së frontit e kanë përshkruar përvojën e vet ushtarake. Betohem për fjalë të nderit që ata nuk dëshironin ta përsërisnin” (Citohet sipas: Sergei Kuznjecov: “Nga libri i ndaluar i Aleksijeviçit”.
Marrëngafaqjaeinternetit“Gordon”. 10 maj 2015).
Në vazhdim do të jepen disa fragmente nga libri, të cilat censura nuk i pati lejuar të përfshiheshin në të:
Fragmenti i parë
“Unë kam shkruar për faktin se si pata shkuar të takoj një ish-partizane… E rënduar nga shëndeti, por grua e bukur ende, ajo më rrëfeu se si grupi i tyre (ajo ishte më e madhja dhe kishte me vete edhe dy çuna të moshës së pararinisë) kishte dalë për zbulim dhe rastësisht kishte kapur rob katër gjermanë. Bashkë me ta qenë endur nëpër pyll për një kohë të gjatë. Por në mbrëmjen e ditës së tretë, ata u gjendën të rrethuar. Ishte e qartë se me robërit gjermanë me vete, ata nuk do ta çanin dot rrethimin, nuk do të largoheshin dot. Dhe në këto përsiatje e sipër, merret një vendim: robërit duhen vrarë. Çunat s’janë në gjendje t’i vrasin: ata kanë tri ditë që po enden së bashku nëpër pyll dhe të jesh tri ditë me dikë pranë, qoftë ky edhe një njeri i huaj, prapëseprapë mësohesh me të, ai të bëhet i afërt, ti mëson se si ai ha, se si fle, çfarë sysh dhe çfarë duarsh ka. Jo, çunave s’u bën dora t’i vrasin. Këtë ajo e ka të qartë. Kjo do të thotë se i mbetet asaj për t’i vrarë. Dhe në këto fjalë e sipër, ajo sjell në kujtesë se si i pati vrarë. Iu desh t’i mashtronte të dyja palët: edhe çunat, edhe gjermanët. Me njërin nga gjermanët ajo shkoi gjoja për të marrë ujë dhe e qëlloi nga prapa. Pas kokës. Tjetrin e mori me vete për të mbledhur shkarpa… Përjetova një tronditje të thellë nga mënyra se si ajo rrëfente me qetësi për gjëra të tilla”.
Fragmenti i dytë
“Ne ramë në rrethim… Bashkë me ne ndodhet edhe komisari Lunin. Ai na lexoi urdhrin, sipas të cilit ushtarët sovjetikë nuk dorëzohen. Në mesin tonë, siç ka thënë shoku Stalin, nuk ka robër, ka tradhtarë. Çunat nxorën pistoletat… Komisari dha urdhër: “Jo. Jetojeni jetën, djema, ju jeni të rinj”. Dhe ia hoqi vetes”.
Fragmenti i tretë
“Po vazhdojmë sulmin… U dukën fshatrat e para gjermane. Ne, të rinj hesapi. Të fuqishëm. Katër vjet pa rënë në femra. Nëpër bodrume ka fuçi me verë. Ka meze. Kapim vajza gjermane dhe i… Dhjetë nga ne përdhunuan njërën… Femrat nuk na mjaftonin, popullsia kishte marrë arratinë nga sulmi i ushtrisë sovjetike. Mbërthenim vajza të reja. Njomëzake… Dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeçe… Nëse ndonjëra qante, e zhdëpnim në dru, i rrasnim diçka në gojë. Ajo kishte dhimbje, kurse ne shkriheshim gazit. Tani unë s’po e kuptoj se si mundja të… Çun me prejardhje nga një familje intelektuale. Por i tillë kam qenë. E vetmja gjë që na bënte të druheshim, ishin vajzat tona, nuk donim që ato ta merrnin vesh. Infermieret tona, gjithashtu. Nga ato na vinte turp”.
Fragmenti i katërt
“Shumë nga ne besonin… Mendonim se pas luftës do të ndryshojë çdo gjë… Stalini do t’i besojë popullit të vet. Por lufta s’kishte përfunduar ende, kurse trenat e ngarkuar me njerëz morën drejtimin për në Magadan. Trenat e mbushur me fitimtarë… Arrestonin ata që kishin rënë robër, që kishin arritur të mbijetonin nëpër kampet gjermane, ata që gjermanët i patën çuar në fronte pune, të gjithë ata që kishin parë Evropën. Se të gjithë këta mund të rrëfenin se si jeton populli atje. Pa komunistë. Si janë shtëpitë dhe si janë rrugët atje. Se kolkoze atje nuk gjen askund. Pas Fitores të gjithë e mbyllën gojën. Rrinin në heshtje dhe kishin frikë. si para luftës…”.
Fragmenti i pestë
“Më thirrën në shkollë… Një mësuese e kthyer nga evakuimi po bisedonte me mua:
- Dua ta çoj djalin tuaj në një klasë tjetër. Në klasën time mësojnë nxënësit më të mirë.
- Po im bir të gjitha notat i ka “shkëlqyeshëm”.
- Kjo nuk ka rëndësi. Çuni ka jetuar në një zonë të pushtuar nga gjermanët.
- Ashtu është. Ne kemi hequr kusure.
- Nuk e kam aty fjalën. Të gjithë ata që kanë qenë në zona të okupuara… Për këta njerëz ka dyshime. Prandaj edhe ju…
- Çfarë? S’po marr vesh asgjë…
- Ne nuk jemi të sigurt për zhvillimin e duhur të djalit tuaj. Ja, atij i merret goja…
- E di. E ka nga frika. Atë e pati rrahur njëoficer gjerman që banonte në apartamentin tonë.
- E shikoni… po e pranoni vetë… Ju keni banuar me armikun pranë...
- Po kush na e lejoi këtë armik që të na vinte deri te portat e Moskës? Kush na braktisi neve këtu, së bashku me fëmijët?
Mua po më kapte histeria. Dy ditë isha në ankth se mos mësuesja më denonconte. Por ajo nuk ma largoi tim bir nga klasa…”.
Në krejt përmbajtjen e këtij libri, përcillen mesazhe tronditëse për natyrën egërane të sistemit komunist në Bashkimin Sovjetik, i cili me dogmat e tij paradoksale kërkonte ta shpërfytyronte personalitetin e njeriut. Pikërisht edhe këto mesazhe kanë qenë tepër bindëse për jurinë, e cila më 08 tetor 2015 i akordoi Çmimin Nobel për letërsinë zonjës Svjetllana Aleksijeviç.
Veprat e Svjetllana Aleksijeviçit janë përkthyer në anglish, në frëngjisht, në gjermanisht, në suedisht, në polonisht, në kinezisht, në norvegjisht etj. Tirazhi i përgjithshëm i botimeve të huaja të librit që i kushtohet katastrofës së Çernobilit, pati arritur në më shumë se katër milionë kopje.
_________________________________
“Nobeli” 2015 shkon për një grua
Svjetllana Aleksijeviç është fituesja e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2015, duke u bërë e para gazetare që vlerësohet me çmimin e madh në historinë e këtij çmimi
Svjetllana Aleksijeviç, gazetarja dhe shkrimtarja e njohur bjelloruse, është fituesja e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2015, duke lënë pas emra të njohur të letrave, si Philip Roth, Haruki Murakami, Ismail Kadare apo Margaret Atwood. Emri i saj duket se nuk ka qenë surprizë për mediat, të cilat e kishin paralajmëruar herët si një nga favoritet kryesore. “Për të shkruarën e saj polifonike, duke e kthyer në monument të vuajtjes dhe kurajës në kohërat tona”, thuhej në motivacionin me të cilën Akademia Suedeze shoqëronte këtë çmim. 67-vjeçarja tashmë është fituesja e një çmimi prej tetë milionë korona suedeze (rreth 860 000 euro). Kjo është e parë në historinë prej më shumë se një shekulli të këtij çmimi që ai shkon për publicistikën. Kjo tregon një hapje të akademisë ndaj çështjeve të ndjeshme që janë sot, të cilat kanë të bëjnë me lirinë e medias. E lindur në Ukrainë, nga një baba bjellorus dhe një mama ukrainase, Svjetllana u rrit në Bjellorusi. Pas përfundimit të studimeve ajo nisi punë si gazetare në mediat lokale e më pas si korrespondente për revistën letrare “Neman”. Karriera e saj si gazetare do të kishte sukses pas reportazheve dhe intervistave me dëshmitarë të ngjarjeve dramatike, siç ishte Lufta e Dytë Botërore, lufta sovjetiko-afgane, rënia e Bashkimit Sovjetik apo përshkrimet e katastrofës së Çernobilit. Pas persekutimit nga regjimi i Lukashenkos, ajo largohet nga Bjellorusia në vitin 2000. Përgjatë këtyre dy dekadave ka jetuar në Paris, Gothernburg, dhe Berlin. Vetëm në vitin 2011 ajo do të kthehej sërish në vendlindjen e saj në Minsk. Librat e saj janë komentuar si një përshkrim i ndier dhe tepër dramatik i historisë sovjetike dhe pas saj. Intervistat e realizuara nga Aleksijeviç janë përshkrimi më i mirë i ngjarjeve historike që ka kaluar vendi i saj. “Zëra sovjetikë nga lufta e harruar” është një prej librave të saj, i përkthyer menjëherë në shumë gjuhë të botës dhe “Zërat nga Çernobili”. Tepër kritike dhe ndaj Rusisë së sotme, ajo ka botuar një sërë shkrimesh, ku analizon atë çfarë Putini dhe politika e tij po i japin vendit. “Unë jam një njeri që ka përjetuar vitet nëntëdhjetë. I përkas gjeneratës së Gorbaçovit. 25 vjet me radhë ne jetonim me shpresën se Rusia do të bëhej një vend më i mirë, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Rusia jeton në një marrëzi revanshiste. Një sondazh i bërë publik pak kohë më parë thotë se: nëse Putini do të kandidonte sërish në zgjedhjet e reja presidenciale, do të fitonte 80 për qind të votave. “Rusia është Putini, pa Putinin s’ka Rusi.” Këtë e besojnë shumë vetë. Të gjithë kanë nisur t’ia mbushin mendjen vetes se ne jemi njerëz të luftës, pasi nuk kemi njohur ndonjë gjë tjetër veç saj. Gjithnjë ne ose kemi marrë pjesë në një luftë ose na kanë përgatitur për një të tillë. Te ne mbizotëron një kult i luftës”, shkruante ajo në një shkrim pak muaj më parë. “Gruaja e luftës” ashtu si shumë analistë e quajnë, kërkon dhe beson tek e vërteta. Në librin e saj me titull “Lufta nuk ka fytyrë femërore”, të cilin ajo e përfundoi në vitin 1983, Aleksijeviç iu afrua kësaj përqasjeje me anë të intervistave që kishte zhvilluar më parë e që kishin të bënin me fatin e ushtarëve sovjetikë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zyra sovjetike e censurës “Glavlit”, e akuzoi atë pas kësaj se kishte njollosur “Nderin e luftës së madhe patriotike”. Si pasojë e “qëndrimeve të saj antikomuniste”, ajo humbi pas kësaj edhe vendin e punës. “Lufta nuk ka fytyrë femërore” doli në qarkullim vetëm në vitin 1985 me fillimin e Perestrojkës në ish-Bashkimin Sovjetik. Në bazë të materialeve e skenarëve të Svjetllana Aleksijeviç (rreth 500 regjistrime me zë) regjisori bjellorus, Viktar Dashuk, në vitet 1980-1984 shfaqi një film dokumentar me shtatë pjesë, që ruante po ashtu titullin e përmbledhjes së autores. Njëra nga pjesët e filmit në vitin 1983 mori dhe njërin prej çmimeve më të rëndësishme në Festivalin e Lajpcigut në ish-RDGJ, kurse regjisori në fjalë, në vitin 1985, u nderua me Çmimin Shtetëror të BRSS. Në të njëjtën kohë me librin “Lufta nuk ka fytyrë femre”, doli në qarkullim edhe vepra tjetër e Svjetllana Aleksijeviç, “Dëshmitarët e fundit” (1985). Në atë vepër, ajo tematizon, ndër të tjera, përjetimet e familjes së vet në luftë dhe ato nën diktaturën e Stalinit. Ndërkaq, ajo kishte intervistuar edhe më shumë se pesëqind veteranë sovjetikë të luftës në Afganistan dhe nënat e ushtarëve të vrarë. Titulli “Djemtë prej zinku” lidhet me ushtarët e vrarë, trupat e të cilëve silleshin në vendlindje në arkivole zinku. Nga viti 1992 ajo duhej të përgjigjej shpesh para një gjykate në Minsk; por nuk u burgos. Më pas erdhën disa vepra të tjera, njëra ndër të cilat lidhej me katastrofën e Çernobilit. Aleksijeviç është anëtare e një sërë shoqatash dhe është nderuar kësisoj disa herë nëpër aktivitete që lidhen me filma dokumentarë, gazetareskë apo letrarë. Me gjithë qëndrimin e saj opozitar kundër sistemit diktatorial të Presidentit Aleksander Lukashenka në Bjellorusi – ku telefoni i saj përgjohet e daljet publike i janë refuzuar – ajo preferoi të kthehej në Minsk, te vendi ku një ditë do të kthehej patjetër.
(Floripress/Flori Bruqi)
----------------------------------
RRËFIMI I SVETLLANA ALEKSEJEVIÇIT
Aleksievic po ashtu është vlerësuar me çmimet maksimale në Evropë Kurt Tucholsky Prize, “Andrei Sinyavsky Prize”, Leipzig Prize For the European Mutual Understanding 1998, “Herder Prize”
Për shkak të grindjeve me Llukashenkon Svetllana Aleksejeviç i është dashur të jetojë jashtë Bjellorusisë. Librat e saj janë të ndaluar në atdhe. Biseda është realizuar për lexuesin shqiptar në dhjetor 2011 në qytetin polak të kulturës, Wroclaw
Svetllana Aleksejeviç (Svetlana Alexievich) është shkolluar për gazetari në Minsk dhe e bëri këtë zanat praktikë jete. Sa për të sotmen, ajo ka vrapuar dje. Pesë librat e saj janë ngjizur në vitet e punës intensive në terren. Në Evropën Qendrore që është shtëpia e saj qyshse mërgoi si opozitare e regjimit të Llukashenkos, Svetllanën e vlerësojnë për dinjitetin njerëzor të shkrimeve të saj. Gjuhë pas gjuhe po zbulohen librat e saj të shkruar me një stil unik. Ajo quhet autore e një zhanri që vjen nga vendet e saj, Bjellorusi-Rusi: prozë e korit, roman i zërave. Librat e saj quhen në kopertinë thjesht reportazhe por metoda dhe natyra e shkrimit është më shumë se kaq. Nga dhjetëra qindra intervista me dëshmitarë Aleksejeviç rindërton njw rrymë historish të vogla që i fsheh perdja e teatrit të historisë, shifrat e saj. Kështu që vetvetiu Aleksejeviç shkruan jo konform të njohurës dhe të pranuarës zyrtarisht, prozën epike shumëzërëshe.
Me librin Fytyra jofemërore e luftës Svetllana është fituese e Angelus Çmimi për Letërsinë e Evropës Qendrore (çmimi më i rëndësishëm në fushën e prozës të përkthyer në gjuhën polake) që jepet çdo fillim dhjetori në qytetin e shumë etnive Wroclaw, në jugperëndim të Polonisë. Ndër shtatë finalistët kandidatë për çmimin 37 mijë euro, Ismail Kadare konkurronte me Qorrfermanin (i sjellë në gjuhën polake nga Dorota Horodyska si një triptik i tri romaneve të shkurtër otomanë).
Svetllana Aleksejeviç tregon për lexuesin shqiptar për Fytyra jofemërore e luftës (sërish në Poloni këtë vit, ajo mori Çmimin për Reportazhin që mban emrin e gazetarit Riçard Kapushinski).
Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë. Gra në front në Ushtrinë Sovjetike ishin rreth 1 milion. Gati 100 mijë u vranë. Këto gra mbrojtën atdheun e tyre jo Stalinin i cili i ka ofruar botës versionin e tij të luftës, thotë Svetllana Aleksejeviç. E vërteta vjen përmes vuajtjes së këtyre grave. Në shkollat sovjetike askush nuk na mësoi për të jetuar, na mësuan se si vdiset për atdheun.
Fytyra jofemërore e luftës janë rrëfime për ndjenjat bazë të njeriut në rrethana të pazakonta. Me fjalë të tjera të autores bjelloruse: Njeriu është një kafshë që nuk është projektuar për ngarkesa të tilla.
Intervista
Zonja Aleksejeviç, me këtë çmim që ju dhanë polakët, ata aprovojnë kredon tuaj që më mirë ta ndjekësh realitetin se sa ta krijosh atë.
Ky interes nuk është vetëm për polakët. Unë kam shkruar vetëm pesë libra që janë përkthyer në rreth 30 vende. Kjo tregon që njerëzit kanë interes për letërsinë dokumentare. Realiteti dhe koha kalojnë shumë shpejt, bota ndryshon po aq shpejt dhe shkrimtarët nuk kanë aq shumë kohë për të krijuar, për ta rikrijuar realitetin.
Libri Një lutje për Çernobilin më mori 10 vjet. Imagjinojeni: sikur ta shkruaja për më gjatë, do të ishte krejt tjetër libër dhe të tjerë ata për të cilët unë shkruaj. Kurse Fytyra jofemërore e luftës është shkruar gati 40 vjet të shkuara, kur koha rridhte më ngadalë. Mendoj se dëshmitarët janë të vetmit njerëz që mund ta tregojnë në kohë historinë. Prandaj njerëzit më besojnë.
Si u bë temë qendrore lufta sipas grave?
Unë kam lindur më 1948. Kam banuar për një kohë në fshat. Prindërit e mi ishin mësues. Më kujtohen tregimet nga fëminia për luftën partizane. Një në katër bjellorusë u dogj i gjallë ose u vra nga gjermanët. Në fshatin tonë këto histori i tregonin femrat. Në Bjellorusi, rreth 60 mijë gra luftuan në divizionet partizane. Ajo që dëgjoja dhe kujtoja nga tregimet në fshat ishte krejtësisht tjetër gjë nga çfarë na mësohej në shkolla për guximin, trimërinë, luftën heroike. Lufta më ka tërhequr shumë pikërisht për ato që dëgjoja nga dëshmitaret e mia. Prandaj doja ta përshkruaja luftën me sytë e tyre.
Atëherë, përse jofemërore?
Lufta gjithmonë ka pasur fytyrën e burrave. Unë mundohem të shpjegoj në këtë libër që, edhe si biosistem trupi i femrës nuk është krijuar për luftë, në ndërtimin biologjik të saj nuk është lufta por lindja. Për shembull: një grua e ka shumë të vështirë të ngrejë 50 kilogramë armatime e sende të nevojshme lufte; është e vështirë për një infermiere në luftë që të tërheqë një burrë të plagosur njëqindkilësh. Është e vështirë të imagjinosh gruan në këto raste dhe në kushtet e mungesës së mjeteve për higjienë personale, që nga pambuku për menstruacione, te gjimbajtëset. Edhe flokët më mirë ishin zero. Gjithçka në veshje ishte burrash. Këto ofronte ushtria.
Botimi i një libri kur dëshmitarët janë gjallë, ju ka kushtëzuar?
Kjo ka qenë një nga vështirësitë e botimit. Këto gra të popujve të ndryshëm nga Bashkimi Sovjetik më treguan hapur të vërtetën. Por ato mendonin që në libër unë do ti përfaqësoja si heroina. Për to unë isha si vajza e tyre që do ti mbaja gjallë në kujtime. Reagimi ishte i ashpër: “Ti nuk di si shkruhet për luftën!” më thanë. Gratë kanë pasur probleme me bashkëshortët. Shpeshherë kur shkoja në një shtëpi, burrat iu thoshin: “Shko ti në kuzhinë, do të flas unë se çishte lufta!”
Çndodhi me kthimin e gruas ushtare në shtëpi?
Filloi lufta e tretë. Prostitutë! Çfarë ke bërë atje në front? Ky nam i ndoqi. Femrat ishin të rëndësishme kur rusët dështonin në afërsi të Moskës. Iu duheshin infermiere, luftëtare, sepse Stalini asgjësoi kryesinë ushtarake. Pastaj, gratë ishin të nevojshme në emër të emancipimit, të barazisë, ushtare në mbrojtje të atdheut. Ndryshe nga burrat, femra nuk mund të kapej rob dhe as të burgosej. E megjithatë, në rast se binte në duart e armikut që kishte gjasë për ta turpëruar një femër, ajo gjithmonë ka pasur në armën e saj një plumb për veten.
Pas luftës burrat i braktisën, sepse ato nuk dinin të mbanin taka, të visheshin me sqimë, të ishin elegante, femërore si gratë që nuk kishin qenë në luftë.
Sa gra intervistuat?
Për çdo libër unë punoj 7-10 vjet. Kam udhëtuar në njëqind fshatra, katunde, qytete, republika, ku kam mbledhur rreth gjashtëqind rrëfime, nga të cilat kam zgjedhur dyqind, ato më të fortat, sepse jo të gjitha rrëfejnë bukur, me emocione.
Mbi çfarë metode punuat?
Me regjistrim, sepse kështu ridëgjoj të folurën, të vërtetën. E shkruara e humbet emocionin. Me këtë metodë kam shkruar 5 librat që unë i quaj libra zërash.
Përmend këtu edhe një libër për Njeriun e kuq. Heronjtë e këtij libri janë njerëz që tregojnë për periudhën e civilizimit gjatë komunizmit.
Çfarë është Njeriu i Kuq?
Është njeriu sovjetik i përpunuar në laboratorin e marksizëm-leninizmit, i cili ka menduar që mund të krijonte një parajsë në tokë, por këtë tokë e kthyer në një banjë gjaku. Ky është homo-socialisticus apo homo-sovieticus. Edhe ju keni përvojën tuaj në këtë drejtim dhe mund ta kuptoni shumë mirë si kemi jetuar dhe përse tani tek ne jeta nuk është normale.
Për njeriun e kuq kam intervistuar njerëz të cilët kanë menduar për vetëvrasje sepse ata nuk arrijnë ta mendojnë si mund të jetohet pa socializëm.
Në Shqipëri kemi të botuar nga zonat post-sovjetike vetëm një libër të Ana Politkovskajës. Ndoshta libri juaj mund të shohë dritën e botimit.
Mendoj se kjo përvojë do të ishte e nevojshme për Shqipërinë, sidomos ky libër për fundin e njeriut të kuq. Përvojat tona janë të ngjashme.
Është e vështirë të jetosh në Bjellorusi si intelektual në opozitë?
Për shkak të grindjeve me Llukashenkon unë duhet të jetoj jashtë Bjellorusisë. Aktualisht jetoj në Gjermani. Do të doja të kthehesha në Bjellorusi, por nuk e di. Klima është e rëndë, njerëzit burgosen. Librat e mi nuk botohen në Bjellorusi, botohen në gjuhën ruse dhe vijnë nga Rusia, nuk ka asnjë intervistë timen në Radio e TV. Shkurt, jam e ndaluar në vendin tim.
Svetllana është rritur në një fshat të vogël, nga prindër mësues, ka dëgjuar shumë histori nga njerëzit, por çfarë e mpreh vështrimin që sheh botën të zhveshur nga mitet?
Unë i përkas një brezi tjetër që u lind në vitet e para të pasluftës. Kam punuar shumë me vetveten për të qenë ndryshe, për të parë ndryshe. Kjo është zgjedhja ime.
Si e fitoni besimin te njerëzit?
Ti duhet të bisedosh me njeriun si me një mik. Unë shkoj te dëshmitarët e mi si njeri i cili do të kuptojë diçka. Për të dëgjuar diçka të re, duhet të pyesësh në mënyrë të re. Unë nuk koleksionoj tmerre, por ato ndjenja që e mbajnë njeriun ti tejkalojë tmerret e të mbijetojë në çdo rrethanë.
Libri
Lufta kundër nazizmit mori fund në maj 1945. Më shumë se një milion gra nga 15-30 vjeç morën pjesë frontin e luftës së dytë botërore, pilote, tankiste, dhe shumë pozicione të tjera. Pas fitores këto gra u lanë në heshtje. Në librin Fytyra jofemërore e luftës ato tregojnë për herë të parë në jetën e tyre, anën jo heroike të luftës që zakonisht nuk tregohen në historitë dhe kujtimet e veteranëve. Ato flasin për pisllëkun dhe të ftohtët, për urinë dhe dhunën seksuale, për ankthin dhe hijen e kudondodhur të vdekjes. Ato flasin në librin tronditës të Svetllana Aleksejeviç. Libri u çua për shtyp më 1983 por mbeti në sirtarët e shtëpisë botuese, i akuzuar për pacifizëm, natyralizëm dhe deglorifikim të heroinës sovjetike.
Pa dritën e botimit vetëm në perestrojkën e Gorbaçovit, më 1985, por autorja e ripunoi më 2002, duke rindërtuar pjesë që ishin hequr prej censurës dhe futi pjesë të tjera që nuk mundej në fillim. Është përkthyer në Gjermani, Britani, Francë, Greqi, Finlandë, Japoni, Kinë. Libri ka frymëzuar dokumentarë e performanca teatrale.
Biografi
Svetlana Alexievich një nga gazetaret më të shquara të Evropës, u lind më 31 Maj 1948 në Ukrainë në qytetin Ivano-Frankivsk në familjen e një ushtaraku. I ati ishte bjellorus e ëma nga Ukraina. Studioi gazetari në Universitetin e Minskut më 1967. Punoi disa vjet si korrespondente e revistës letrare Neman dhe drejtoi seksionin joletrar.
Ishte shkrimtari bjellorus Ales Adamovich që ndikoi në zgjedhjen e Svetllanës. Me librat Vij nga fshati krenar dhe Libri i rrethimit, ai aplikon një zhanër të ri për letërsinë bjelloruse dhe ruse njëherësh të cilin e quan roman kolektiv, roman-oratorio, kor epik. Ky është mësuesi kryesor i Svetllanës.
Dëshmitarët e fundit: 100 rrëfime fëminore i vitit 1985 nuk botohet menjëherë për të njëjtat arsye që censura kishte dhënë edhe për Fytyra jofemërore e luftës.
Shkruan Djemtë në zink 1989, për krimet e luftës sovjeto-afgane, Të magjepsur me vdekjen 1993, Lutja e Çernobilit: kronikat e së ardhmes 1997.
Alexiyevich thotë: Një sy ti hedhësh historisë së kohës sovjetike dhe post-sovjetike dhe shikon një varr masiv dhe një banjë gjaku. Një dialog i përjetshëm mes ekzekutorëve dhe viktimave. Revolucioni, gulagët, lufta e dytë botërore, lufta sovjeto-afgane e mbajtur fshehur nga njerëzit, rënia e perandorisë së madhe, e gjigantit socialist, toka utopike, dhe tani një sfidë e përmasave kozmike Çernobili. Një sfidë për gjithë gjërat e gjalla mbi tokë. E tillë është historia jonë. Dhe kjo është tema e librave të mi, rruga ime, rrathët e mi të ferrit nga njeriu te njeriu.
Ajo është vlerësuar me çmimet maksimale në Evropë Kurt Tucholsky Prize, “Andrei Sinyavsky Prize”, Leipzig Prize For the European Mutual Understanding 1998, “Herder Prize”.(Elsa Demo)





