Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
EDMOND SHALLVARI
Hyrje
Emond Shallvari u lind në Korçë, në 30 korrik 1957.
Mbaruar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, në vitin 1982.
Prej vitit 1997 banon familjarisht në Thessaloniki të Greqisë.
Krijimtaria përfshin veç botimeve në shtypin mediatik dhe letrar të pjesëve prozaike e poetike, shkrimeve me natyrë ekonomike, publicistike, analitike, filozofike, etj, edhe botimet e plota të veprave të mëposhtme:
-E megjithatë…jetojmë! - Libër me shkrime e kujtime Viti 2006
-Diku…Dikë…Dikush… - Poezi, viti 2008
-Ç’u bëmë kështu! - Poezi, viti 2008
-Mos e ndiqni hijen! - Poezi, viti 2009
-Më foli heshtja - Poezi, viti 2010
-Facebook-koobecaF - Roman, viti 2012, i vlerësuar në vitin 2012 me Çmimin “Ismail Kadare”, nga Klubi i shkrimtarëve në botë “DRITA”, me qendër në Athinë.
-Absurditet apo… - Poezi, viti 2014
-Το καστρο των σκιων - Viti 2015 (Romani Facebook-koobecaF ne gjuhen greke)
VETMINË DO NGUJOJ
Në pyllin e vetmisë
Ku gjethet kanë rënë
Ku era e mërzisë
Me veten është zënë
Aty kam ikur sot.
Me trupin - pemë thatë
Me duart - degë ngrënë
Me shpirtin - rrënjë dalë
Që klith pa nxjerr' dot zënë
Jetoj e nuk vdes dot.
Në qiellin pa një yll
Në qiellin pa pak diell
Në pyllin pa pak pyll
Ku bota nuk më sheh
Vetminë do ngujoj.
Do kthehem unë pastaj
Pastaj do kthehesh ti
Në pyllin si parajsë
Në qiell plot yjësi
Pafundësisht të rrojmë’.
VETAPOLOGJI
Në s'di të notoj, nuk është faji i detit
I qiellit faji s'është, në s'di të fluturoj
As qielli e as toka, nuk kanë faj për peshqit
As deti nuk ka faj, që peshqit s'janë zogj.
Nuk është faji im për dashurinë tënde
Për dashurinë time, as faji tënd nuk është
Mos vallë qiellit kërkova, atë që tokës s'gjendej
Me krahët e munguar, që ëndrra më kish dhënë?
Në s'di të këndoj, nuk është i pianos faji
I bojërave s'është faji, në s'di të pikturoj
Në s'di që të ngrohem, nuk është faji i zjarrit
As faji i zjarrit s'është, që drutë s'djeg njëlloj.
Nuk është faji tënd për dashurinë time
Për dashurinë tënde, as unë nuk kam faj
Mos vallë nga vetja desha, atë që vetja s'ishte
Apo s'desha atë, që vetja fshehur mban?
VOGËLUSHI I VETES SIME
Pse më ndjek pas, vogëlush i vetes sime
Pse trupin ma vesh, me rrobkat e tua
Kokës tullace, m'i ve leshkat e ndritshme
Dhe më bën të ec, ndaj vetes i huaj?
Ç'qenka kjo botë, që shikimit më jep
Ç'është kjo ndjenjë, jashtë botës së sotme
Ku hapat më çojnë, nga toka në qiell
Ku qielli më çon, nëpër ëndrra rinore?
Ç'është kjo stinë, me të gjitha stinët
Ku me valët e detit, krijoj topa bore
Ku pemët në gjethe, e kthejnë ngricën
Dhe qielli e lag tokën, me shkëndija yjore?
Prit, mos më ik, o vogëlush i vetes
Lemë disa çaste, të jem vogëlush
Nëse ti s'më vjen, unë tek ty do kthehem
Në kthimin e fundit, që s'do ketë kurrë fund.
PLAKUSHI I VETES SIME
Mos beso se do më vish
S'të besoj që ekziston
Shkofshin vitet dhe njëqind
Isha, jam, do jem, Edmond.
Jam njëlloj me universin
Që nuk njeh plakjen e vet
Yjet shuhen, grimcat mbesin
Dhe krijojnë miliona diej.
Edhe unë bashkë me grimcat
Veten time do krijoj
Do të shuhen, rrudhat, thinjat
Kurrë ama, grimca Edmond.
Mos beso se do më vish
S'të besoj që ekziston
Je plakush i trupit tim
Jo i shpirtit ku jetoj.
NJË TUFË KORBASH FLUTURUAR
Përmes ajrit lagështuar
Nga livandoja e qielltë
Një tufë korbash fluturuar
Si një copë re e zezë
Lëshon klithmën e tmerruar
Sikur koha do të vdesë.
Nuk e di se nga po vijnë
Nga po shkojnë, nuk e di
Nuk e di ç’thonë me klithmë
Që më ndjell kobin e zi
Mos vallë vetë kërkojnë ndihmë
Apo shprehin një gëzim?
Mbase shprehin një ankesë
Mbase thonë një profeci
Kush do lindë e kush do vdesë
Kush kësaj bote s’do të vijë
Kush mallkuar do të mbesë
Kush do mbetet pa lavdi.
Re e zezë e korbëzuar
Po ma nxin ditën e dielltë
Nga krra-krrahu eklipsuar
Sikur vdekja do të zbresë
Nga një korb i shpenduar
I mallkuar, korbi-vetë!
Copëtohet ajri i qelqtë
Nga goditjet me krra-krraaa...
Pres me ankthin i pa qetë
Çdo të ndodhë, tani, pastaj
Pres e pres kështu një jetë
Nga krijesa e pafaj.