REXHEP SHAHU |
Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor... shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë jetës. Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij... Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare. (www.sa-kra.ch) Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE REXHEP SHAHU Hyrje Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimin në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit. Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të. Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër. Ka provuar gjithfarë lloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineral kërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë. Rexhep Shahu ka botuar 10 libra : “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë, Tiranë 2011; “Apologji për Udhën e Kombit”, Tiranë 2012; “Bukën Tonë të Përditshme”, Tiranë 2014 “Qyteti i Lutjeve”, Tiranë 2014 dhe “Sytë e Lirisë” – monografi, kushtuar heroit kaçanikas Ismail Raka. Rexhep Shahu është kryetar i Klubit të Poezisë, organizatë Kulture që synon të mbledhë bashkë gjithë poetët shqiptarë në hapësirën e tyre dhe në diasporë. BULEVARDI I MBRETIT Në qytetin tim jam sa hala e një pishe Në bulevardin e madh që ndërtoi mbreti Në kundërshtim me ata që s’e donin të madh Bulevardin e të nesërmës së tyre të vogël. Në qytetin tim, jam sa jehona e emrit tim të parë Që me dhunë e për interes të parët ma ndërruan Që unë të mbetëm me kokën pas nga emri im i parë Dhe të mos shoh ku vë këmbën në udhën e të nesërmës. Në qytetin tim piskama e minareve dhe meloditë e kambanave Nuk më thonë asgjë, s’janë meloditë e shpirtit tim, Nuk janë thirrjet e zemrës së tokës time, të malit tim Të cilëve nëna ime u falet dhe u bën kurban. Në qytetin tim gjurmët nuk shkruhen thellë në tokë Që të mos i fshijë mbivendosja e gjurmëve të reja. Në qytetin tim fshihet përditë dërrasa e zezë Dhe shkrimi tretet ajrit në thërmija të pambledhshme. Në qytetin tim gomari vihet para kalit dhe tërheq karrocën Liliputët bëjnë hatanë urrejnë Guliverin Sakatët rendin me vrap të jenë kudo të parët Dhe urrejnë të shëndoshët pse nuk janë sakatë. Në qytetin tim qiellin e bëjnë dysheme, e shtrojnë në rrugë, Shkelin nëpër të. Toka dysheme përdoret si tavan a qiell. VETJA IME E ÇMENDUR MË THOTË Vetja ime e çmendur më thotë Mos më ndiq kot, lërmë të shijoj lirinë e munguar, Më ke ndrydhur një jetë. Lërmë se Do të bëj të gjitha gjërat që ke dashur t’i bësh ti e s’i ke bërë Do t’i këpus prangat e moralit falls që të ka mbajt lidhur, Do të mësoj të qeshësh pa frikë, të fërshëllesh sa do, Ta derdhësh të qeshurën tënde hokatare në bulevard, Ta thuash gjithmonë të vërtetën, le të dalë ujë nga ajo, Të mos mbetesh si gjarpri nën gur, Të mos gënjesh as para vdekjes, të vdesësh i bukur, Të mos mbetesh rob i askujt, as i shëmtive tua, T’i thuash mosmirënjohjes, mos t’i pafsha sytë, Ik prej botës time, kolerë e njerëzimit. Me emrat që kanë T’i thërrasësh gjithë të kallaisurit, hajdut e kopukë gërdhu, Të skuqen para teje. As Presidenti s’vjen nga planeti Mars, Që të rëndojë mbi shpatullat e tua, deputeti, ministri Nuk janë me frymë hyjnore, Kujtova preshin sa herë të mos u kujtohet! Vetja ime e çmendur më thotë Bota s’është e ikanakëve, por e qëndrestarëve që s’pajtohen Me dhunën, që duan pa frikë, çelin lule edhe mes acarit, Preja hundët krekosjes së sigurimsave që kullosin Tufën e bashkëpunëtorëve të tyre të vobektë, Për të ruajt frikën dhe dy breza njerëzorë pas vetes, Frikën dhe gjithë pasuritë e vendit Që i vodhën kur u shemb diktatura. Lëri lakuriq snobët që turpërohen për nënën e tyre, Që e çojnë të vdesë në azile, Që duan më shumë qentë se jetimët, Hidhe në erë kujtimin e Faraonit dhe të piramidës së tij Mes qytetit, të kullojë e liga dhe të shuhet shpresa spiune Për varrin në themele. Detyroi mediat të mos përqyrren nga kurvëritë e byrosë Politike, por të vajtojnë qëndresën e burgosur që lëpinte Kockat që hidhnin xhelatët në kanalin e ujrave të zeza, Që hante morrat e vet të mos vdiste! Nxirri në shesh me dhunë Përdhunuesit, Të nderojnë monumentin e At Zef Pëllumbit, Të gjithë hajnat- minj zyrash suvatoi me mut, Bëji përmendore muti mu në mes të sheshit, Deri sa të binden të gjithë se nuk është i pazoti Ai që punon ndershëm në zyrat e shtetit. PO BËHEM MBRËMJE Dalëngadalë Po bëhem mbrëmje, S’kam më sy, Por dy male mjegulle. Brenda syve dy kalorës pa kuaj zvarriten Dhe një diell i shuar që kush e di kur ka vdekë. Dalëngadalë po bëhem ikje, S’kam më këmbë, Por dy kaproj vetmie. Në brirë kaprojsh është ngatërrua pylli, Nuk di nga mund të dilet. Dalëngadalë po bëhem dhimbje, S’kam më duar, Por dy mjellma malli. Në krahët e tyre do ta mbaj qiellin Dhe botën që është veç prej ajri. PAQE S’DO TË KETË Nga varrimet vijmë, në varrime shkojmë Te varrosë njerëz na shkoi kjo jetë. Derisa vrasësit ngushëllojnë në vdekje Paqe s’do të ketë. Nga talljet vijmë, në përbuzje shkojmë Te përbuzë njerëz rrinë në pushtet. Derisa shpërblehen njerëzit me përbuzje Paqe s’do të ketë. Nga mashtrimet vijmë, drejt mashtrimesh shkojmë Shpërblimi me vdekje quhet jetë. Sa të ketë shtetarë që vjedhin, vrasin shpresa Paqe s’do të ketë. LIRIA E VDEKJES Luftërat e mëdha po digjen me shpejtësi Mijëra njerëz vdesin para syve tonë të heshtjes. Bota vallëzon me muzikën që bëjnë lopatat Tek hedhin baltë mbi të vdekurit që harrohen. Shakatë e mëdha po bëhen të gjitha Shtirjet luhen në teatrin e urrejtjes që vret. Njerëzit sot vlejnë më pak se qentë Për të cilët bota moderne nxjerr sytë e vet. Luftërat e mëdha po sosen me shpejtësi Digjen në luftëra të vogla me vdekje të mëdha. Në petkat e vdekjes shkruhet fjala liri Liri veç vdekja ka… PARULLA Në brigjet e këtij viti dolën shumë plehra Kufoma të kalbura ëndrrash me hero U bënë digë në breg me ndalë të ligën T’i thonë përbuzjes : Jo! Në brigjet e këtij viti u mblodhën shumë eshtra Të mundurish e qeniesh pa fat U shqyen në dete të rij me ujë të vjetër S’thanë kurrë jo, prit pak! Në brigjet e këtij viti u mblodh mal dëshpërimi I njerëzve që s’guxojnë të thonë : Jo! Që fshijnë pështymën që ua hedhin në fytyrë Dhe prapë s’thonë : Jo! Në brigjet e këtij viti dolën shumë njerëz Heronj që ushqehen me parulla ngado Ngopen me parulla, refuzojnë lirinë Heronjtë tanë kurrë s’thonë : Jo! |
Home »
» Antologji e poezisë moderne shqipe - Rexhep Shahu





