Andrea Stefani: Heroi im nuk është Ballist Morina, por serbi Vojkan Udovičić

Andrea Stefani: Heroi im nuk është Ballist Morina, por serbi Vojkan Udovičić
Andrea Stefani ka bërë një shkrim tek gazeta Dita, për atë që ai e cilëson si dalldia nacionaliste që shpërtheu në Shqipëri pas kualifikimit të Kombëtares në Europian.

“Dalldia nacionaliste e turmave që shpërtheu pas kualifikimit të përfaqësueses së Shqipërisë për në finalet e kampionatit europian, tregon se ca shqiptarëve akrepat e orës u kanë mbetur shumë prapa në kohë, atëherë kur çështja e kombëtare ishte parësore dhe përparimtare në Europë dhe më gjerë. Por sot gjërat kanë ndryshuar thuajse rrënjësisht.

Nacionalizmi etnik që shpallej revolucionar dhe i dobishëm është sot i prapambetur dhe i rrezikshëm. Në Europë sot parësore nuk është çështja kombëtare por përkundrazi, tejkalimi i trazimeve dhe narcizmit kombëtar, për një integrim mbikombëtar (supranacional). Kjo është sot ambicia, strategjia europiane.

Në qendër të kësaj ambicieje është forcimi i shtetit të qytetarëve të lirë dhe, si i tillë, edhe si shoqëri e hapur e aftë të integrohet edhe me shtetin tjetër fqinj, nëse edhe ai është një shoqëri qytetarësh të lirë, drejt një bashkësie politike supranacionale”, shkruan Stefani.

Ai thotë se Ismail Morina, që shumë e konsiderojnë si hero, në fakt nuk është.

Stefani shkruan se heronj janë studentët serbë që erdhën në Tiranë.

“Ata studentë serbë që erdhën në Tiranë dhe u deklaruan për paqe e fqinjësi të mirë mes serbëve dhe shqiptarëve, janë ku e ku më europianë se Ismail Morina që me ngritjen e dronit në stadiumin e Beogradit, nuk bëri gjë tjetër veçse e ushqeu edhe më shumë marrëzinë e turmave nacionaliste që, padyshim, janë prezente akoma në të dy vendet.

Por a është e dobishme për një vend, a është e qytetëruar, a është patriotike të udhëhiqet në politikën e vet nga marrëzia e turmave? Morina dhe gjithë turmat nacionaliste në Beograd dhe në Tiranë, shohin prapa duke mbetur skllevër të së kaluarës, të së vdekurës, viktima të asaj sëmundjeje të tmerrshme që e ka emrin nacionalizëm!

Ata, në thelb, janë pacientë dhe jo heronj. Kanë nevojë të kurohen nga virusi i etnonacionalizmit dhe jo të brohoriten. Aq më pak të pasohen”, shkruan Stefani.

“Është shumë më europian studenti serb, Vojkan Udoviçiç, që pas vizitës në Tiranë, duke u ngritur mbi mllefin këmbëngulës të disa mediave në atdheun e tij për të ngjallur paragjykime dhe antipati për shqiptarët, duke u ngritur mbi nacionalizmin dhe armiqësitë e kalçifikuara ndër shekuj, deklaroi se, ndryshe nga ç’propagandohet rëndom në Beograd, ai kish parë me sytë e tij se shqiptarët janë njerëz shumë të mirë, të besës, mikpritës dhe tolerantë “të ngrohtë si klima e Shqipërisë”. Një mesazh fisnik që kërkon të vadisë atë që është natyrore, miqësinë mes kombeve”, vijon ai.

Stefani shkruan se heronj nuk janë nacionalistët, por njerëzit që kanë zgjedhur të shohin nga vlerat europiane.

“Ata e dhanë mesazhin e paqes dhe emancipimit kur krejt europianisht, krejt ndryshe nga ç’ndodhi në stadiumin e Beogradit, përcollën ndeshjen Shqipëri-Serbi në Tiranë. Edhe ata janë heronjtë e mi, patriotët e vërtetë, dhe jo Morina dhe as turmat nacionaliste në Beograd apo Tiranë, që replikojnë në distancë me “raketat” sharjeve vulgare, kërcënimeve dhe gjakimeve barbare vdekjendjellëse”, e mbyll shkrimin e tij Stefani.

Related Posts: