Enver Hoxha me një grup kosovarësh në vitin 1981
“Ka vetëm një popull e një komb gjerman!” Kështu Enver Hoxha miklonte Bonin 8 vjet para rënies së murit të Berlinit. Gazeta “Investigim” boton një dokument të 22 majit 1981, ku zbulohet strategjia për të tërhequr Gjermaninë Perëndimore dhe SHBA-të në anën e Kosovës. Lideri shqiptar synonte të shmangte edhe ndonjë ndërhyrje sovjetike, duke “lundruar” kështu sërish ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit
Nga Thanas Mustaqi
Me deklaratën e bujshme në “Zërin e popullit” se “ka vetëm një popull e një komb gjerman”, qeveria shqiptare i dha “një sinjal të butë” qeverisë së ish-Gjermanisë Perëndimore, shkruante më 22 maj 1981 shefi i regjimit të Tiranës, Enver Hoxha. Në këtë mënyrë u krijua “një atmosferë dashamirëse” ndaj Shqipërisë, që mund të kishte edhe pasoja politike jo vetëm në mbrojtjen e çështjes kosovare, “por edhe për çështjen e dëmshpërblimeve”, shton Hoxha. Udhëheqësi komunist ishte gati të sakrifikonte gjithçka për t’u afruar me Republikën Federale të Gjermanisë, por dhe me SHBA-në për hatër të demonstratave të mars-prillit 1981 të studentëve të Prishtinës. Madje, rreth 6 muaj më vonë, në nëntor 1981, në Kongresin e 8-të të PPSH, Enver Hoxha deklaroi botërisht se midis Shqipërisë dhe RF të Gjermanisë “nuk ekzistojnë pengesa të pakapërcyeshme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ne besojmë se me një mirëkuptim nga ana e të dy palëve për disa çështje të mbetura pezull që nga Lufta e Dytë Botërore, kjo gjendje mund të rregullohet”.
NDRYSHIMI
Pas përkeqësimit të marrëdhënieve kineze-shqiptare në vitin 1978 u vërejt një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të Shqipërisë dhe qëndrim shumë më miqësor ndaj Bonit. Udhëheqësit shqiptarë filluan të lavdërojnë Bonin për “qëndrimin pozitiv” të tij kundrejt Shqipërisë. Në vitin 1981 filluan bisedime paraprake për vendosjen e marrëdhënieve në nivel diplomatik, fillimisht në Beograd, pastaj në Vjenë dhe Paris. Këto përpjekje u kurorëzuan vetëm në vitin 1987, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Ndërkaq Enver Hoxha vëren se “edhe në SHBA flitet pro nesh, por ne nuk u drejtohemi këtyre. SHBA-ve mund t’u thotë kancelari gjerman Shmid se ç’po bëhet në Jugosllavi me Kosovën e kosovarët e t’u shprehë mendimin se kjo nuk është e drejtë”.
INFLUENCA
Me këtë rast lideri shqiptar harton një strategji të hollë: “një nga ambasadorët tanë duhet të bisedojë, të marrë kontakt me një nga ambasadorët e RF të Gjermaninë. Por plani i këtij bisedimi duhet të hartohet me mend, pse këtë veprim e konsideroj si një përpjekje diplomatike që ka për qëllim të dobësojë shovinizmin serb. Ne zgjedhim pikërisht Gjermaninë Perëndimore si një vend që ka mundësi të influencojë mbi udhëheqjen jugosllave, po sa e qysh do të influencojë, këtë nuk mund ta dimë… mund të na shkojë në mëndje që kjo t’u thotë udhëheqësve jugosllavë të ulin gjakrat në Kosovë, të mos i acarojnë, gjithashtu, marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo gjë do të jetë pozitive për ne dhe një dobësim i pozitave të shovinistëve serbë. Ne mendojmë që, në rast se ndërhyn në këtë çështje RF e Gjermanisë, ajo do ta bëjë këtë në ato qarqe ku ka mundësi të dëgjohet më shumë fjala e saj, domethënë te sllovenët e te kroatët dhe jo te serbët. Pra presioni i saj mbi serbët, në qoftë se mund të bëhet, do të bëhet tërthorazi, domethënë do të ushtrohet nga ana e sllovenëve dhe e kroatëve”.
MESAZHI
Në fakt, një nga udhëheqësit autoritarë të Federatës Jugosllave ishte dhe slloveni Stane Dolanc, një nga miqtë më të ngushtë të kroatit Josip Broz Tito. Enver Hoxha luan në distancë me sllovenin, nëpërmjet ndonjë ambasadori gjerman: “ne e kuptuam zotin Dolanc, kur foli herën e parë dhe me të drejtë tha se ne nuk kishim marrë pjesë në ngjarjet e Kosovës. Ai ishte i sigurt për atë që tha atëherë. Në të njëjtën kohë edhe neve na jepte të kuptonim se duhej të mos flisnim. Ne, të vazhdojë të thotë ambasadori ynë, e kuptuam këtë dhe nuk folëm. Por Dolancin nuk e kuptuan shokët e tij. Ata filluan sulmet e ashpra e të vazhdueshme kundër nesh, prandaj u detyruam t’u përgjigjeshim atyre”.
TË MAJTËT GJERMANË DHE FRANCEZË
Është interesante që personalisht Enver Hoxha ndërton dhe dialogë imagjinarë me të dërguarit e Bonit. Ai mëson ambasadorët apo të emisarët e tij se si duhet të shtrojnë problemin, çfarë përgjigjesh duhet të japin kur flasin gjermanët. Po ashtu flet dhe për diversionin që duhej bërë në udhëheqjen jugosllave, për shpresat që var në ardhjen në pushtet të liderit socialist Miteran, “përdorimin” që i duhej bërë kancelarit socialdemokrat gjerman Shmid, që kishte miqësi personale me presidentët e ish-presidentët Xherald Ford dhe Ronald Reagan etj. Enver Hoxha po synonte të lëvizte të gjithë gurët për çështjen kosovare dhe nxjerrjen e Shqipërisë nga vetizolimi ku e kishte futur, sidomos pas prishjes me Kinën tre vjet më parë.
Dokumenti
Ofensiva ndërkombëtare për Kosovën
22 maj 1981. Po vëmë re se Kë d’Orse-ja* në përgjithësi nuk po tregohet dashamirëse ndaj çështjes sonë dhe aktualisht nuk po mban qëndrim të paanshëm. Përkundrazi, ajo po favorizon Jugosllavinë. Kjo nuk është në interesin tonë. Por në Francë ne kemi miq si Rober Eskarpí-a**, që flasin me simpati të madhe e publikisht për Shqipërinë. Dihet se personalitete të tilla me rëndësi si Rober Eskarpí-a, ashtu edhe shkrimtarë, publicistë, profesorë të njohur kanë edhe rrethin e tyre. Prandaj Ministria jonë e Punëve të Jashtme, në radhë të parë, duhet të mendojë se si duhet punuar me këto personalitete miq në favor të çështjes sonë. Tani që në fuqi në Francë erdhi Miterani***, me siguri do të bëhen ndryshime të mëdha edhe në qeveri. Ja në këtë drejtim e për këtë çështje Ministria jonë e Punëve të Jashtme duhet t’i japë të dhëna ambasadorit tonë në Paris, ta udhëzojë atë si duhet të bisedohet e çfarë të bisedohet, çfarë lidhjesh duhet të mbajë me personalitete të ndryshme.
Ja, për shembull, të marrim ngjarjet në Kosovë. Për to duhet t’u flitet jo thjesht sa për t’i informuar e për t’i bindur për drejtësinë e qëndrimeve që kemi marrë ne, por, duke pasur parasysh rrethin dhe mundësitë e njërit a tjetrit për të influencuar mbi të tjerët në favorin tonë, t’ua ekspozojmë qëndrimet tona politike dhe ky ekspozim që do t’u bëhet, të ketë frymën e një bashkëbisedimi si në mes kolegësh e miqsh.
Opinioni publik ndërkombëtar
Kjo punë ka rëndësi të madhe për ne. Ne nuk duhet të lëmë që përhapja dhe jehona e qëndrimeve tona politike të mbetet vetëm në duart e opinionit gazetaresk, të këtij apo të atij gazetari, të kësaj apo të asaj rryme, por duhet ta përpunojmë këtë opinion dhe t’ia forcojmë bindjen rreth drejtësisë së politikës sonë. Ne, pra, duhet të kemi parasysh një gjë: opinioni jashtë nuk krijohet pa orientime. Janë gënjeshtra ato që thuhen se shtypi është i lirë e demokratik. Në demokracinë borgjeze ai është i lirë e demokratik deri në njëfarë shkalle, se në thelb ai orientohet e manipulohet nga dikush dhe jo nga dikush në përgjithësi, por nga dikush në kuptimin konkret. Në demokracinë borgjeze ekzistojnë interesat e grupeve financiare e monopoliste. Këtyre interesave u konformohen e u nënshtrohen si shtypi, ashtu edhe politika e përgjithshme e qeverive borgjeze dhe si rezultat opinioni gazetaresk i konformohet e i shërben politikës së përgjithshme të qeverisë së vendit të vet. Këtë nuk duhet ta harrojmë.
Prandaj në këtë drejtim duhet të punojmë seriozisht dhe jo të ecim, siç thotë francezi, à la dérive, të themi fjalën tonë, pa le të dalë ku të dalë, më tej nuk na duhet gjë! Jo kështu. Ne jo vetëm duhet ta themi fjalën tonë, por duhet edhe të punojmë që ajo të zërë vend në opinionin publik, ta përpunojmë atë që të na kuptojë drejt e të na mbështetë.
Aktualisht janë ngjarjet në Kosovë dhe lidhur me to çështja e vetë Jugosllavisë. Ne kemi ndjekur dhe duhet të ndjekim me vëmendje të veçantë jehonën, përshtypjet që krijojnë ato në qarqet gazetareske në botë e sidomos në Evropë. Duke u nisur nga fakti se këto qarqe përfaqësojnë opinionin e qeverive të vendeve të tyre, në atë formë që theksova më lart, ne duhet të bëjmë dallimin cila gazetë, cili shtyp është treguar më në favorin tonë, të çështjes sonë të drejtë, domethënë të çështjes së drejtë të popullit të Kosovës dhe të pikëpamjeve që kemi shprehur ne në mbështetje të vëllezërve tanë kosovarë e të kërkesave të tyre.
Ne duhet të bëjmë, gjithashtu, një analizë edhe të qëndrimeve që kanë mbajtur kancelaritë e ndryshme, domethënë të përcaktojmë e të njohim cilët ambasadorë të vendeve të botës, sidomos të vendeve të Evropës e në mënyrë të veçantë të atyre vendeve që kanë ose që mund të kenë influencë mbi qeverinë jugosllave, janë treguar pro nesh, kundër veprimeve të jugosllavëve dhe i kanë dënuar ato. Këtu të mos harrojmë se ka edhe nga ata që janë treguar asnjanës.
Deri tani kemi parë se disa gazeta kanë shkruar më realisht në favor të çështjes së popullit të Kosovës dhe të qëndrimit tonë. Të tilla janë disa gazeta e gazetarë të Republikës Federale të Gjermanisë, pra gjermano-perëndimorët, pastaj vijnë austriakët. Me Gjermaninë Perëndimore ne nuk kemi as lidhje diplomatike, ndërsa me Austrinë marrëdhëniet janë të mira. Austriakët mbajnë këtë qëndrim, sepse kanë kontradikta për çështje pakicash me jugosllavët, kurse gjermano-perëndimorët nuk kanë.
Ka vetëm një popull e një komb gjerman
Në foto: Presidenti amerikan Ronald Reagan (në mes) dhe Kancelari gjerman Helmut Shmid (djathtas) më 11 qershor 1982 në pikën e kontrollit kufitar të Murit të Berlinit.
Prandaj ne duhet të gjykojmë pse Gjermania perëndimore mban qëndrim më realist ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj Shqipërisë, e cila e ka kritikuar kurdoherë dhe është në mosmarrëveshje me të. Atë çka thashë për Republikën Federale të Gjermanisë, për shembull, e thashë në bazë të reagimeve që patën atje dy artikujt e parë. Tani të shikojmë çfarë reagimesh të tjera do të ketë pas artikullit të fundit. Por mbrëmë lexova një artikull që ishte shumë i mirë dhe më duket se ishte shkruar në një mënyrë të tillë, që të linte të kuptoje sikur autori i shkrimit shtronte mendimet e veta dhe nuk e kishte lexuar artikullin tonë. Por unë krijova bindjen se ai e ka lexuar atë dhe se me qëllime të caktuara nuk e përmend. Kjo është një manovër diplomatike. Ne, pra, duhet t’i kuptojmë këto gjëra dhe jo të ecim kuturu. Kështu, pasi të kemi arritur në konkluzione të sakta për këto qëndrime të favorshme, duhet të gjejmë cili nga ambasadorët tanë ka, për shembull, lidhje me gjermano-perëndimorët.
Me ta kanë lidhje të gjithë, por veçanërisht lidhje më konkrete, më duket, ka ambasadori ynë në Vjenë ku, siç dihet, trajtohet edhe çështja e dëmshpërblimeve. Ne në artikullin tonë të fundit, duke u shprehur se ka vetëm një popull e një komb gjerman****, qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë i dhamë një sinjal të butë dhe pamë se kjo u vu në dukje menjëherë atje. Domethënë në Gjermaninë Perëndimore krijuam, siç po duket, një atmosferë dashamirëse ndaj vendit tonë, që mund të ketë edhe pasoja politike jo vetëm në mbrojtjen e çështjes sonë aktuale kundrejt jugosllavëve, por edhe për çështjen e dëmshpërblimeve.
Atëherë, ashtu siç thotë francezi decemment, ambasadori ynë, në një takim të rastit që mund të ketë me ambasadorin gjerman, ia hap këtë çështje pa pasion, por duke i thënë afërsisht: Kemi konstatuar se shtypi juaj ka shkruar me dashamirësi për çështjen e Kosovës dhe për qëndrimin tonë lidhur me të, dhe, megjithëse nuk kemi relata aq të mira me ju, këtë gjë e kemi çmuar si një gjykim realist të shtypit të Gjermanisë Perëndimore. Mund të jetë kështu, të vazhdojë ambasadori ynë, por unë kam arritur në përfundimin se, pavarësisht nga mosmarrëveshjet që kemi midis nesh, rreth kësaj çështjeje edhe qeveria e Bonit mendon realisht dhe shikon që veprimet e jugosllavëve janë shumë të gabuara dhe këtë e bën jo për hatrin tonë, por për interesin e përgjithshëm të paqes në Evropë. Ne, nga ana jonë, mendimet rreth këtyre ngjarjeve dhe qëndrimit të jugosllavëve i kemi shprehur deri tani në tre artikuj.
Diferencime në udhëheqjen jugosllave
Dhe të vazhdojë: Pavarësisht nga mosmarrëveshjet, marrëdhëniet dhe bisedimet kanë qenë kurdoherë miqësore, prandaj ju flas hapur dhe, nëse ju dëshironi, zoti ambasador, mund t’jua jap artikullin tonë të fundit. Por, do t’ju lutem, e lexoni me kujdes të madh dhe arsyetoni realisht rreth qëllimeve të Qeverisë sonë. Aty ne mbrojmë vëllezërit tanë që janë në shumicë, mbrojmë Federatën Jugosllave, mbrojmë paqen në Evropë. Udhëheqja jugosllave nuk dëshiron ta shikojë këtë çështje kështu. Në artikullin ne japim edhe mënyrat dhe rrugët se si duhet të zgjidhet kërkesa e popullit të Kosovës dhe kush duhet ta zgjidhë atë. Kosova nuk mund të qetësohet, ashtu siç mendojnë qeveritarët jugosllavë. Përkundrazi, në rast se nuk merren disa masa, ajo do të bëhet një gangrenë e rrezikshme. Haptazi themi ne se udhëheqja serbe nuk dëshiron ta gjejë rrugën e drejtë të zgjidhjes dhe kjo do t’i shkaktojë dëme të mëdha vetë Federatës Jugosllave, gjë të cilën ne nuk e duam. Prandaj këtu duhet të ndërhyjë dikush tjetër. Lexojeni artikullin tonë dhe do të shikoni se ne aty bëjmë diferencime. Për shembull, ne e kuptuam zotin Dolanc*****, kur foli herën e parë dhe me të drejtë tha se ne nuk kishim marrë pjesë në ngjarjet e Kosovës. Ai ishte i sigurt për atë që tha atëherë. Në të njëjtën kohë edhe neve na jepte të kuptonim se duhej të mos flisnim. Ne, të vazhdojë të thotë ambasadori ynë, e kuptuam këtë dhe nuk folëm. Por Dolancin nuk e kuptuan shokët e tij. Ata filluan sulmet e ashpra e të vazhdueshme kundër nesh, prandaj u detyruam t’u përgjigjeshim atyre. Pas gjithë këtyre gjërave që ngjanë, në artikullin e fundit ne përsëri themi se dimë të gjykojmë me gjakftohtësi e të bëjnë diferencime dhe këto diferencime po i bëjmë. Ne mendojmë se për ngjarjet aktuale dhe për kërkesën e drejtë të popullit të Kosovës dikush duhet të reflektojë me gjakftohtësi, që ato të zgjidhen drejt, popullit të Kosovës t’i jepen të drejtat që kërkon dhe kjo në rrugë të drejtë. Udhëheqja e Serbisë këtë gjë nuk dëshiron ta bëjë. Si rezultat punët do të acarohen.
Dialogu i paramenduar
Kështu ambasadorit gjerman ne nuk i themi drejtpërsëdrejti të ndërhyjë qeveria e Bonit, as dikush tjetër. Unë, t’i thotë ambasadori ynë, flas me ju si koleg, sepse, siç ju thashë, konstatoj se Gjermania Perëndimore i shikon drejt këto probleme. Ne mendojmë se çështja duhet të zgjidhet ashtu siç e kërkojnë kosovarët. Ne deklarojmë haptazi se të drejtat e kosovarëve, që dikush ua mohon dhe i shtyp, do t’i mbrojmë. Me sharje, me slogane dhe me demonstrim të forcës, me mbylljen e universitetit, me gjyqe false, që dihet pse bëhen, nga cilët e për ç’qëllime bëhen, kjo çështje nuk zgjidhet. Por në Jugosllavi duhet të ketë njerëz, të cilët kanë autoritet dhe këtë autoritet ata duhet ta përdorin për të mirën e Federatës së Jugosllavisë. Këtë e kemi thënë sinqerisht dhe ne as nuk flasim, as nuk jemi me dy faqe. Ne e themi të vërtetën haptazi, ja, kështu siç po flas tani me ju, edhe pse, siç ju thashë që në fillim, nuk kemi marrëdhënie aq të mira me ju, por e bëj sepse për këto probleme nga ana juaj shoh një logjikë të drejtë e në interes të paqes në Evropë. Ne ndjekim, gjithashtu, me vëmendje edhe qëndrimin që mban kancelari Shmid****** në lidhje me politikën e përgjithshme në mes BS dhe SHB të Amerikës. Pse ta fshehim këtë. Prandaj po jua themi, dhe ju duhet ta dini, që ne jemi në rrugë të drejtë dhe nuk ka kush të na lëkundë nga kjo rrugë. Ne nuk kemi frikë nga askush, pra as nga jugosllavët. kur shprehemi së nuk duam që Federata të prishet, këtë nuk e duan as kosovarët dhe, besojmë, nuk e doni as ju.
Ambasadori gjerman mund t’i thotë ambasadorit tone: pse m’i thua këto gjëra mua?
- Jua them, – t’i përgjigjet ambasadori ynë – për të sqaruar pozitën tonë dhe, e përsëris, ia them një ambasadori, me të cilin kam pasur bisedime për probleme që ende nuk po zgjidhen, megjithëse ne kemi të drejtë për to, pse shoh që shtypi juaj këtë çështje e shikon me dashamirësi.
- Po ç’mund të bëj unë? – ndoshta do t’i thotë përsëri gjermani.
- Nuk e di, – t’i përgjigjet shoku ynë. – Unë vetëm si përfaqësues i Shqipërisë po ju them disa çështje, po jua ritheksoj ato, se për të thënë ato i ka thënë e i ka shtruar mirë artikulli i gazetës sonë.
Edhe në SHBA flitet pro nesh
Faksimile e një prej faqeve të dokument i CIA-s të 30 prillit 1981 mbi demonstratat e studentëve të Prishtinës
Në këtë mënyrë, ne ndërmarrim një veprim diplomatik që kjo çështje të zgjidhet në favorin tonë, domethënë në favorin e Kosovës, që është në të drejtën e saj. Duke vepruar kështu, ne nuk qëndrojmë vetëm me artikujt që kemi botuar dhe me mendimin se këta artikuj i mbështetin gjoja të gjithë pa përjashtim, i mbështet gjoja gjithë shtypi botëror. Por ne dallojmë cili shtyp është më në favorin tonë, mbasi dimë se jo i gjithë shtypi botëror, pa përjashtim, është në favorin tonë. Ka edhe gazeta që nuk janë në favorin tonë, por që në këtë rast arrijnë në konkluzionin se qëndrimi ynë është i drejtë. Pra, armiku ynë thotë se ju keni të drejtë dhe ky armik ka influencë të madhe në Jugosllavi, i ka dhënë asaj kredi e para, ka pranuar 700 deri në 800 mijë punëtorë, shumica e të cilëve shqiptarë, që punojnë e jetojnë në Gjermani. Prandaj ne nuk duhet të presim shumë gjatë e të shohim çfarë do të thonë ata e çfarë të themi ne, që artikulli të bëjë punën e vet, të bëjnë punën e tyre edhe jugosllavët e të tjerët dhe pastaj të veprojmë kështu apo ashtu. Jo.
Unë them se kjo punë përbën një objektiv të veçantë të diplomacisë sonë në drejtim të Republikës Federale të Gjermanisë. Një hap të tillë mund ta bëmë edhe me Turqinë, por turqit nuk pinë shumë ujë në Jugosllavi, nuk kanë influencë atje.
Franca nuk flet. Shtypi i këtij vendi thotë se ka urdhër nga qeveria që të jetë “i paanshëm”!
Greqia edhe flet, edhe nuk flet në favorin tonë. Në Greqi ata që flasin, bile që kanë edhe influencë, e bëjnë këtë sepse nuk duan që Jugosllavia të prishet.
Edhe në SHBA flitet pro nesh, por ne nuk u drejtohemi këtyre. SHBA-ve mund t’u thotë kancelari gjerman Shmid se ç’po bëhet në Jugosllavi me Kosovën e kosovarët e t’u shprehë mendimin se kjo nuk është e drejtë.
Me qeverinë austriake jemi një çikë më afër, mund ta bëjmë këtë hap, por me një formë tjetër, sepse austriakët nuk kanë influencën e gjermano-perëndimorëve në Jugosllavi dhe, përveç kësaj, kanë edhe problemin e pakicës me Jugosllavinë.
Përpjekje diplomatike
Po vij përsëri te çështja që një nga ambasadorët tanë duhet të bisedojë, të marrë kontakt me një nga ambasadorët e RF të Gjermaninë. Por plani i këtij bisedimi duhet të hartohet me mend, pse këtë veprim e konsideroj si një përpjekje diplomatike që ka për qëllim të dobësojë shovinizmin serb. Ne zgjedhim pikërisht Gjermaninë Perëndimore si një vend që ka mundësi të influencojë mbi udhëheqjen jugosllave, po sa e qysh do të influencojë, këtë nuk mund ta dimë. Qëllimi ynë, që synon në vendosjen e stabilitetit paqësor në Evropë, është që RF të Gjermaninë, e cila ka interesa ekonomikë në Jugosllavi dhe është kundër sovjetikëve, ta interesojmë që, lidhur me këto ngjarje, të ushtrojë influencën e vet mbi këtë vend. Po në ç’drejtim të influencojë? Që Kosova të bëhet republikë? Askurrë të mos na shkojë në mendje që të bëhet kjo nga ana e Gjermanisë Perëndimore. Megjithatë mund të na shkojë në mëndje që kjo t’u thotë udhëheqësve jugosllavë të ulin gjakrat në Kosovë, të mos i acarojnë, gjithashtu, marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo gjë do të jetë pozitive për ne dhe një dobësim i pozitave të shovinistëve serbë. Ne mendojmë që, në rast se ndërhyn në këtë çështje RF e Gjermanisë, ajo do ta bëjë këtë në ato qarqe ku ka mundësi të dëgjohet më shumë fjala e saj, domethënë te sllovenët e te kroatët dhe jo te serbët. Pra presioni i saj mbi serbët, në qoftë se mund të bëhet, do të bëhet tërthorazi, domethënë do të ushtrohet nga ana e sllovenëve dhe e kroatëve.
Ne synojmë diçka
Po çështja varet edhe nga vetë kosovarët. Në qoftë se këta do të vazhdojnë kërkesën e tyre në forma të ndryshme, por të vazhdueshme për republikën, atëherë përveç presionit nga ne, pse ne do t’u përgjigjemi masave që mund të marrin serbët kundër kosovarëve, presioni që do të bëhet kundër jugosllavëve nga opinioni ndërkombëtar dhe veçanërisht, në qoftë se ia arrijmë, edhe nga ana e Gjermanisë Perëndimore, kjo do t’i detyrojë udhëheqësit e tjerë, nga pjesët e ndryshme të Jugosllavisë, të kërkojnë ta marrin këtë çështje në shqyrtim. Po ç’të marrin në shqyrtim? Që ta bëjnë Kosovën republikë? Jo, kjo do të jetë pika e fundit, por që ta bëjnë Kosovën një element më të rëndësishëm, shumë më të rëndësishëm, njëqind herë më të rëndësishëm se ç’është tani që është nën vartësinë e Serbisë. Edhe pas shqyrtimit të kësaj çështjeje, Kosova mund të mbetet prapë nën Serbinë, por ekonomikisht ajo do të ndihmohet më shumë, çështja kombëtare dhe ajo arsimore në Kosovë do të shikohen më drejt e kështu do të vijnë gradualisht me radhë gjithë çështjet e tjera.
Prandaj, ky problem nga Ministria e Punëve të Jashtme duhet të mendohet që tani, pastaj e caktojmë ne se kur duhet bërë kjo përçapje. Por ky hap duhet të bëhet në një mënyrë të atillë që ambasadori gjerman të kuptojë përse ia themi ne. Gjithashtu t’i lëmë atij të kuptojë që këtë ia themi pa asnjë qëllim, megjithëse ai do të kuptojë që ne synojmë diçka, prandaj ia ngremë këtë çështje. Këtu rëndësi të madhe ka takti diplomatik i paraqitjes së këtij problemi.
Fusnota (shënime) të “Investigim”-it
* Kë d’Orse (Quai d’Orsay) ndodhet në bregun e majtë të lumit të Senës në Paris, sinonim për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës.
** Rober Ekskarpí (Robert Escarpit, 1918-2000), sociolog, shkrimtar dhe gazetar i famshëm francez, bashkëthemelues i shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri, Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës. Në shqip, në vitin 1972, është botuar romani i tij “Literatroni”.
*** Fransua Miteran (François Mitterrand, 1916-1996) Presidenti i Francës në vitet 1981-1995, lider i Partisë Socialiste Franceze. “Një nga shumë mesazhet e ngushëllimi [për vdekjen e Enver Hoxhës në prill 1985], të dërguara nga vendet e huaja, ishte dhe ai nga presidenti francez Fransua Miterran, në të cilin ai shprehte dëshirën për përmirësimin marrëdhënieve shqiptaro-franceze”, vinte në dukje radioja amerikane “Evropa e Lirë/ Liria”.
**** Citimi i plotë: “Shqiptarët e Shqipërisë së vogël prej gati 3 milionë banorësh ose të “Shqipërisë së madhe” (apelacion që e ka përdorur pushtuesi italian, dhe tani po e përdorni edhe ju për të na akuzuar ne si shovinistë) prej më tepër se 5 milionë, janë të gjithë shqiptarë. Kësaj nuk keni ç’t’i bëni zotërinj shovinistë serbë. Ekzistojnë dy Gjermani, një e Lindjes dhe një e Perëndimit, ashtu siç ekzistojnë dy Kore, një e Veriut dhe një e Jugut. Por askush nuk dyshon se ekziston një popull e një komb gjerman i vetëm, ashtu siç ekziston edhe një popull e një komb i vetëm korean. Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje Shqipëri të vogël ose Shqipëri të madhe. Këta shqiptarë të kësaj Shqipërie të vogël ose të madhe, që përbëjnë një popull kompakt dhe që ka të gjitha tiparet e një kombi të vërtetë, as kanë zaptuar tokat e të tjerëve, as kanë shkelur të drejtat e kurrkujt. Ata vetëm të drejtat e veta kanë kërkuar, i kanë mbrojtur dhe do t’i mbrojnë”.
***** Stane Dolanc (1925-1999), politikan jugosllav nga Sllovenia, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Josip Broz Tito (1892-1980) dhe një nga njerëzit më me ndikim në politikën federative në vitet 1970-1980, Sekretar i Byrosë Ekzekutive të Presidiumit të KQ të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në vitet 1971-1978, Sekretar Federal i Punëve të Brendshme në vitet 1982-1984 dhe anëtar i Presidencës së Jugosllavisë në vitet 1984-1989. Në një panoramë të 17 prillit 1981, Enver Hoxha citon Dolancin të ketë thënë se në një konferencë shtypi: “i njohim cilët janë organizatorët. Ata janë në Shtutgart, në Bruksel dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”… kur një gazetar i huaj e pyeti: “A ka gisht Shqipëria?”, u përgjigj jo.
******* Helmut Shmid (Schmidt), lindur në vitin 1918, politikan gjerman social-demokrat, kancelar i Gjermanisë Perëndimore në vitet 1974-1982.
Sqarim: Titulli dhe mes-titujt janë të redaksisë