Fjalori i Gjuhës Shqipe për herë të parë është i qasshëm edhe në formë elektronike.

www.fjalori.shkenca.org është adresa online ku mund të gjendet fjalori me 53 mijë njësi. Ky është fjalori i parë online, i cili u ofrohet përdoruesve në të gjitha trojet shqiptare me prurje të reja gjuhësore. Kërkimi është shumë i thjeshtë. Mjafton të shkruani një fjalë dhe menjëherë në ekran do të shfaqet shpjegimi i fjalës apo shprehjes frazeologjike.

Tiranë, 28 mars - Fjalori i Gjuhës Shqipe për herë të parë është i qasshëm edhe në formë elektronike. www.fjalori.shkenca.org është adresa online ku mund të gjendet fjalori me 53 mijë njësi. Ky është fjalori i parë online, i cili u ofrohet përdoruesve në të gjitha trojet shqiptare me prurje të reja gjuhësore. Kërkimi është shumë i thjeshtë. Mjafton të shkruani një fjalë dhe menjëherë në ekran do të shfaqet shpjegimi i fjalës apo shprehjes frazeologjike.

Kjo formë e fjalorit sjell një përdorim sa më praktik dhe është një referencë e rëndësishme për të gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe.

Sipas Drejtorisë së Qendrës Albanologjike, që ka certifikuar këtë libër, fjalori elektronik është mbështetur në “Fjalorin e Gjuhës shqipe”, të vitit 2006, të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Fjalori elektronik është i pasuruar edhe me shqiptimin e fjalëve dhe njësive frazeologjike të përfshira në të, njofton BW.

Aktualisht në faqen online po punohet për futjen e elementit të zërit, duke ofruar edhe mundësinë e dëgjimit të fjalëve dhe njësive frazeologjike. Shqiptimi i fjalëve dhe njësive frazeologjike është realizuar nga aktorët Klodjana Keco dhe Genti Deçka.

Fjalori që mban rreth 48 mijë fjalë dhe 5 mijë njësi frazeologjike është digjitalizuar dhe mund të gjendet online. Ai është hartuar nga profesorët Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillari, Hajri Shehu, Thanas Feka, Valter Memisha, Artan Goga.