Shqipëria ka marrë tri pikët në tavolinë lidhur me ndeshjen e ndërprerë Serbi -Shqipëri, të luajtur tetorin e kaluar në Beograd.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Kreu i ekzekutivit përmes një statusi në Facebook, ka theksduar se kjo është drejtësia europiane. “Supeeeer! Ja ç’dmth drejtesi europiane! 3 pike per Kombetaren Kuqezi në Beograd!!! #ForcaShqiperia”, shkruan Rama në FB.
Ndeshja që mori jehonë ndërkombëtare për shkak të trazirave që çuan në ndërprerjen e saj në minutën e 41’, më në fund ka marrë përgjigje përfundimtare nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, e cila i ka dhënë të drejtë përfaqësueses sonë, duke rrëzuar kështu vendimet e Drejtësisë Sportive të Federatës Europiane të Futbollit, UEFA.
Lajmi bëhet me dije nga vetë kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, I cili njofton se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka vendosur t’i japë tri pikë Shqipërisë, pasi Federata Serbe dështoi në menaxhimin e eventit sportive, çka sanksionohet nga kodi sportiv i UEFA-s.
Tashmë pëfaqësuesja kuqezi ka 10 pikë, po aq sa edhe Danimarka dhe 2 pikë më pak se Portugalia kryesuese. Tashmë në prag të ndeshjeve të kthimit në grupin I të eliminatoreve të Europianit “Francë 2016”, Shqipëria është më pranë se kurrë kualifikimit.
Gjithashtu ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporitit, Lindita Nikolla, e cila tha se ky vendim jep drejtësi për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka dashur të evidentojë durimin e shqiptarëve për të pritur drejtësinë në vendimin e CAS. “Nga mbrëmja e 15 tetorit pa rënë në mllef, urrejtje, dëshpërim, por pa heshtur e duke besuar fort në drejtësi e FairPlay! #ForcaShqipëria”, shkruan Nikolla.






