Grekët të ndarë në dy kampe të mbështetësve të masave shtrënguese në Greqi dhe të kundërshtarëve të tyre, vazhdojnë protestat para referendumit që do të mbahet të dielën. Gjatë protestave të pasdites së sotme patën disa incidente të vogla me policinë.
Sipas mediave greke, përplasja ka ndodhur në protestën e organizuar kundër kërkesave të kreditorëve. Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërkohë që disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat.
Raportimet flasin për ndërhyrjen e policisë greke në kampin e protestuesve mbështetës të ‘Jo’-së, të mbledhur në sheshin qendror të Athinës “Syntagama”, ku presin me padurim edhe kryeministrin Tsipras të flasë për herë të fundit. Policia duket se ka hedhur bomba tymuese dhe është përleshur me rreth një duzinë protestuesish, shumica e të cilëve të veshur me të zeza dhe me mburoja në kokë, por kjo ngjarje ka qenë momentale dhe gjërat duken se janë qetësuar.
Në orën 21:00 pritet që Tsipras të flasë para tubuesve. Shumica prej tyre mbajnë pankarta në duar që denoncojnë “masat barbare” të vendosura ndaj Greqisë, në emër të huadhënësve ndërkombëtarë (BE, BQE dhe FMN) për 5 vitet e ardhshme.
Ndërsa nga ana tjetër në stadiumin “Kalimarmaro” të Athinës, janë mbledhur mbështetësit e masave shtrënguese, apo të alternativës ‘Po’ në referendumin e së dielës.
Shumica e të pranishmëve mbajnë pankarta që thonë “Po për Greqinë, po për Euron”, ndërsa disa të tjera bëjnë thirrje “Dorëhiquni”, referuar qeveritarëve aktualë të ekstremit të majtë.