ESE MBI DASHURINË
Sigurisht që keni dëgjuar për këtë ndjenjë, ose të paktën keni parë ndonjë film për të. Mund të ketë ndodhur që keni qarë dukë parë filmin, ose të paktën, jeni përmalluar, ose keni mundur ta quani budallallëk, tërë atë që ndodhte aty, por a e keni pyetur ndonjëherë veten se a do ta bënit të njëjtën? Apo, a u ka shkuar mendja ndonjëherë të pyesni veten se çka është dashuria dhe ashtu papritur të hutoheni dhe të mos e gjeni përgjigjen e duhur, ose thjesht të gaboni në përceptimin e ndjenjës më madhështore që njeriu ka brenda?
Që në çastet e para të jetës sonë, jemi të mbushur me dashuri. Nëna bie në shikim të parë në dashuri me fëmijën e saj, saqë edhe qan dhe shumica e prindërve nuk mund ta përshkruajnë dashurinë e tyre prindërore. Shumica e atyre që duan tepër, sakrifikojnë po aq, a mund t’i numëroj ndokush tërë sakrificat e prindërve?
Dashuria nuk është instikt, shumica e quajnë ndjenjë, por është më shumë se ndjenjë, ashtu si gjaku që është një faktor i pakontestueshëm për mirëqenien e trupit, dashurinë mund ta quaja një faktor të pakontestueshëm për mirëqenien e shpirtit.
Do ta quaja trim të pashembullt njeriun që dashuron, do ta lavdëroja me fjalët më epike këtë lloj të karakterit njerëzor sepse me gjithë humbjet që mund të përjetoj, mund të kaloj një jetë pa jetë, e megjithatë merr guximin që veten mos ta fus fare në listen e gjërave të rëndësishme.
Para një viti, jetoja në një konvikt privat. Isha mësuar që brushën dhe furqën e dhëmbëve ti mbaja një gotë të gjelbër, ndër gjërat e para kur zgjohesha nga gjumi ishin telefoni im, pasi e fikja zilen e tij që më zgjonte nga gjumi, merrja peshqirin dhe gotën e gjelbër. Ajo që më binte gjithmonë më së shumti në sy, ishte ajo gotë e gjelbër. Javën e parafundit të qëndrimit në konvikt, gota mu thye. Nuk e keni idenë më të vogël se si u mërzita pa gotën time të gjelbër! Çdo mëngjes që zgjohesha për disa javë rresht, më binte në mend për të, pra më mungonte! Edhe kjo është një lloj i dashurisë.
Njeriu mund të dashuroj Zotin e tij, familjen, shokët, sportin, notin, makinën e tij, lopën e tij, edhe një lis në rrugë mund ta dojë. Pra, njeriu mund të dojë gjithçka, është një mekanizëm pa të cilin nuk mund të jetojë dhe kur ndjen se ka humbur diçka nga këto që ka dashur, pa dyshim që bie në mërzi jo fort lehtë të kalueshme, nganjherë edhe të papërballueshme, varësisht vlerës që ai i ka përcaktuar asaj dashurie. Dashuriçkat e vogla po t’i humbësh, është si një gërvishtje e lëkurës, po ta humbësh një dashuri me rëndësi dhe vlerë, është e njëjtë sikur të humbësh një dorë a një këmbë, mund ta ndjesh gjithmonë mungesën e saj por mund të jetosh pa të. Por kur të humbësh diçka që ke adhuruar e që adhurimi është shkalla më sipërore e dashurisë, të humbësh këtë është si një aksident fatal që s’do të mund të rikuperohesh, që nuk do arrish kurrë më të jesh i njëjti! Kalon në një jetë tjetër.
Megjithatë, duhet të dashuroni, për hirë të njerëzores që është brenda secilit prej nesh, se nëse ndalojmë së dashuruari, do të jemi si një sirtar i parëndësishëm që ruhen gjëra të pavlera, asgjë s’do të bëzdisë përveç boshllëkut tënd. Kurse njeriu që dashuron, ai edhe po ti ketë dy cent në xhep, do të jetë aq i pasur, ndoshta nuk do të mund ta blesh një shtrat të mirë, por do të flesh shumë i qetë. Siç thotë një fjalë e urtë: “duaj që të duan”. Dashuro sepse do të jesh i lumtur.