Andej e këndej rrugës
enden hije tunduese
një bjeshkë mundimi në mes;
andej e këndej dhembjes
një thikë e përgjakur
ndal vitet kohën;
andej e këndej shpresës
e pathëna zhurmon
pa ndal ngjarjen trishtimin;
andej e këndej kërkimit
plagët mbulon ngërdheshja
askush të dijë për zjarrin e zemrës;
andej e këndej vetes
digjem përditë
në natën e pafund të vetmisë;
andej e këndej ecjes vërtikalisht
luftoj me mllefin urrejtjen
ende duke besuar në njeri!
(Në shenjë falënderimi për bashkëluftëtarin, edukatorin e respektuar nga shumë breza dhe fotografin e pasionuar, Izet Krivanjeva.)