Zeusi na ndiqte në harresë, !!!


Ikona të thyera, si imazh poetik dhe risi për poezinë e sotme bashkohore



Nga Agron SHELE

Shpesh herë kur vizitoj bibliotekën time nuk e di pse dora më shkon tek vëllimi poetik « Ikona të thyera » të autorit Gentjan Banaj. I kam rilexuar disa herë poezitë dhe sërish më duket sikur diçka ka mbetur ende për tu riparë, ose duket sikur diçka ka mbetur pezull në hamendsionet dhe parafytyrimet e mia, për mënyrën dhe këndvështrimin artistik rreth këtij libri. Në poezinë e tij takon dhimbjen dhe mallin, takon dramën jetë dhe përvuajtjen, takon rrebelimin dhe pasthirrmat dhe në pamje të parë duket sikur mbart shumë trishtim ose shumë shtjella gri që përfshijnë qiejt e muzës poetike të autorit, por këto nuk janë mestastaza që prodhohen nga kreativiteti individual, por krahët e errët të përjetimit të një shoqërie, e cila në misionin dhe gjykimin profarm të poetit , identifikohen si vlera të krisura, ose ikona të thyera. Sintetizimi metafizik poetik gërshetuar me hermetizmin përbëjnë stilistikën që e veçon këtë zë poetik tashmë të njohur, qoftë në formë, qoftë në hapësirë, por edhe në mënyrën konceptuale, si idol të përcjelljeve dhe mesazheve tejet ndjesore . Që në fillim ndeshemi me një titullim sa grishës, por dhe kaq befasues. Diçka ka ndodhur. Imazhi është shprishur. Ikonat janë rrëzuar dhe thyer .

« E sërish në drita krismash
Zeusi na ndiqte në harresë,
Të ikur, të anuar, vajtueshëm
diku midis humbjes dhe rënies. «

Kapërcimi i shpejtë i fateve ( ikje, anuar, përvuajtur), ringrihet dhe përndiqet deri nga krypersonazhi mitik (Zeusi), njëlloj si në lashtësinë e mjegulluar, por që çuditërisht përsëriten e ripërsëriten njëlloj edhe sot në kohët më moderne . Në paratezë të ravijëzimit të këtij mendimi ndeshim sindromën e dritës, e cila në këtë rast nuk shfaqet si bardhësi surreale, por si flakë krismash, po e njëjtë me flakën e rrufeve kur perënditë përndiqnin njëri tjetrin, dhe në përmbyllje dozohet rënia, përhumbja apo thyerja e ikonës .

Eshtë domethënëse por dhe karakterizuese për të kuptuar strukturën e këtij vëllimi poetik, boshtin që e përshkron atë, kolonat në të cilat ringrihet kjo vepër dhe jo pa qëllim skematizimi saj ndahet në katër nën tituj, që thjesht mund ta përkufizojë +1 mbi tredimesionalin e zakonshëm artistik.

1- Laku i karafiltë

Kapitulli hapet me poezinë « Pa titull », dedikuar birit, e cila në formë grafike krejt tjetër nga ato që jemi mësuar të shikojmë shpesh , por e sjellë në mënyrën postmoderne, me vendosje fjalësh figurativisht dhe estetikisht, shpreh ndërvarjen dhe intuitivitetin e gjallimit të jetës.

« …në çengelin e përmbysur
gjalloj për ty
i varur atje »

Sigurisht që shtrishmëria e dashurisë për njerëzit më të shtrenjtë padyshim që do qendërzojë edhe figurën e nënës, figurë që nëpërmjet tespijeve lakonizon ditët , pastaj ylberet psherëtimë, rrudhat dhe thinjat dhe sikurse thotë autori : dhemb / sa dhimbje ndjen një nënë ?

« Nën bekimin tënd u gjunjëzua çdo burrë
I mbrojtur nga mëshira që ty ta vodhën hyjnitë. »

Këto vargje janë një tjetër dedikim për nënën, një kapërcim që shkon përtej perëndive, e ringre atë në piedestale hyjnish, për të përunjur forcën dhe karakterin e çdo burri.
Vlen të theksohet se në këtë lloj poezie ka një sendërtim prefekt vargjesh, ka dhe një subkoshiencë që depërton magjishëm dhe kjo mënyrë e të bërit poezi shpreh natyrshëm, forcë vargu, mendim, dhe filozofi.

2- Absurd mbijetese

Poezitë e përfshira në këtë kapitull absorgojnë drejt mendimit filozofik dhe ideve të thella dhe në mënyrë krejt instiktive të çojnë në vizonialitetin por dhe iluzionalitetin e fjalës, metaforikën dhe simbolikën e saj, deshifron kontrastet bardhë e zi, (ditë-natë ) kontraste jetësore dhe menopauza të përditshmërisë, ose objeksioni i kontrastit (perëndim -agim), që më së shumti përqas tablotë e beftësisë ikje dhe atë të rilindjes shpresë .

« Ag,
zbulohet pak nga pak trupi i ditës »

E bardha dritë zbret dhe përhap magjinë jete, vjen ashtu në vagullim por e sigurtë dhe dal ngadale zbardh besimin për rifillimin e një dite të re.
Dhe në vazhdim :

« Jeta të kryqëzon
Pas ngjarjeve të mëdha »

Përditshmëria rrëmben në kuptimin fizik dhe shtyn përherë e më tepër drejt dëshirës, qëllimit, sfidave të përballjes dhe jo pa shkas autori i quan kryqëzimet e jetës, sepse instiktivisht të gjithë jemi skllevër të iluzioneve dhe pasioneve të ngritura.

Dhe së fundi :

« Vdesim nga pak
duke i ikur agimit »

A ka rënë poeti në nota pesimiste ?

Të gjithë vdesim nga pak, të gjithë shuhemi ngadalë, të gjithë i largohemi agimit dhe shkojmë drejt kujt ? Hiçit apo asgjësë. Këtë e deshifron vetë titulli poezisë, « Muzg ».
Në të njëjtin bosht vërtitet edhe poezia « Bardhë e Zi », të cilën për trajtesë koshiente nëse do përgjithësohej në kuptimin panoramik do impononte analitikë të drejtëpërdrejtë si : poezi e iluzionit të trishtë, e veshur me ereminë e përbrendshme të gjendjes fillestare kur është shkruar, përshkohet nga nota të thella pesimiste (ëndrra tymi , mesnatë e errët, agim i trishtë ) etj etj.

« Në sfondin e zi shquhen mirë
ëngjëlli e djalli tek uni »

Duke u nisur nga analogjia e këtyre termave por në depërtimin psiko-analitik do shikojmë se edhe përbrenda kësaj errëtie ka një fokus drite, ka diçka egzistenciale, ka qënësinë që edhe në momente të errëta e shquan dhe e drejton.

3-Maria e kaltër

Vëllimi poetik i autorit Banaj përshkohet edhe nga boshti i fuqishëm lirik, ku metaforat , simbolika, kompzicioni, tablotë ngjyra shumë, percepetimet e fluidizuara, ndjesitë më të thella, brishtësia e fjalëve si dhe elokuenca e përdorur e bën tejçues të inspirimeve dhe emocioneve të forta . Në kontrast me kapitujt e parë këtu ndeshemi me ndjesi të pazakontë dhe befasi, me temperament dhe shpirt estetik .

« Maria
Avitet në një mug
Rizgjon një shenjt të përgjumur
ikën e kaltër, qielli rrugë…
Ave ylber në mug…
Maria »

Përbrenda këtyre vargjeve ndjenjëa sinkronizohet e kaltër, rend nëpër qiej rrugë, rizgjon ëndrrat më të bukura gati deri në shenjt dhe mbetet ashtu, e kristaltë, e bukur, magjepëse, e përjetshme .Në vazhdimësi ndeshemi edhe me nota të tjera pateizmi, me dlirësinë dhe pafajësinë e ndjenjës, ndeshemi me zjarrminë dhe përjetimet teje ndjesore, gati në shpërthime eseniane :

« Një ditë në vdeksha
dhe në varr të zi
Tek një fije bari
shpirti do t’ më rrijë »

Ky është amaneti i dashurisë, i këtij sublimi deri në flijim, por që endet me shpirtin, përtej kufijve të jetësisë .

Bibël Urie

Pjesa e fundit e vëllimit poetik shpreh botëkuptimin dhe këndvështrimin e plotë të autorit rreth problematikës shoqërore dhe vetë fatit të njeriut, ngre zërin ndaj fenomeneve dhe paranojës që bren çdo ditë vendin, merr atributet e misionit që përfaqëson dhe lufton, si Krisht për shpëtimin e botës nga errëtia, nga demonët, nga e keqja, nga ligësia dhe nga absurdi. Nëpërmjet zbërthimit ideo-artistik të vargjeve kuptojmë edhe dimesionalitetin dhe formimin e plotë të autorit, i cili si qytetar, si intelektual, si poet, si njeri i shqetësuar tregon të patreguarën, dhe këtë jo në mënyrë spontane ose të ndërvarur nga çasti, por me koshiencë të plotë, me ndjenjë dhe mjeshtëri ringre fjalën në varg dhe vargun në art.

« Fjalë
si ushtarë medalje keni hak
Por, sa u shpreh me ju, ndjenja
Zemra ?
Ajo …vulos me gjak… ! «

Njeriu , si individ dhe qënie, jepet në konceptim universal, si trup dhe shpirt , si ndërgjegjie dhe memorie.

« I nëmuri me padashuri »
Pse kjo pjesë e errët rishfaqëse ?
Për të vazhduar :
« Myket për zërin
Ku s’ ka tingull shpirti. »

Ndoshta qënia njeri është shkëputur nga qënia shpirt dhe mendimi më i parë filozofik të çon në proçesione të tjera, ato të kuptimeve primare tashmë të shkëputura ngë kuptimet sensuale.

« Shpirti uritur
Përtyp mjegulla ere »

Shpirti mbetet shpirt, dhe përherë mbetet në kërkim të ndjenjës, vlerës dhe ashtu i përhumbur pas vesit apo përjetimeve momentale endet në zbrazëtinë haluçionale. Mesazhi poetik është më se i qartë :
Njeriu është në rrezik ! Poeti i bën thirrje që të ringrihet mbi unin dhe të sendërtojë vlerat shoqërore dhe humane.

I gjithë vëllimi poetik megjithëse ndahet në katër pjesë është unik, universal, ngre telajo ngjyrimesh dhe për më tepër farfurin muzën më të thellë krjuese.
« Ikona të thyera « vjen si pjesë e fonetekës poetike të përzgjedhur, mbart esencën e mendimit të sotëm letrar postmodern , ka gjithë hapësirën dhe përmbajtjen e një vepre letrare të mirfilltë dhe si e tillë ajo shënon një pikëkthese për poezinë bashkohore shqiptare sot.






Poezi nga Gentjan Banaj



NËNA


Nënë…
…sa pak i ngjaj lotit të gjirit tënd…


TINGUJT

Kambana ra. Ora 7 : 00
Tingujt morën udhën.
Heshtja pjell kufij mbi fushën e pamatë.… 3 pika kërkojnë ngjyrën në eter
Ne cakun e dy kohëve
E tashmja uli bërrylat mbi qytet
… gjysmë dritë, gjysmë terr…
… 3 rrahje u perulën mbi trini
Në eter,
Filli i mbetur i agut
Shuhet në agoni
… 3 here mbi çati dielli u nis
Nga honi i kambanës
Gjuhëza ra,
Strehuar nën një qiparis
3 herë rrugët morën kthimin
Dhe vete tingujt u kthyen natë.
Kambana ndali.
Ora 7 : 00


BEBE

(Bebe Alisës, që i duhej një emër vetëm për çertifikatën e vdekjes)

Ti, mbetesh një kujtim fare i brishtë
Sa gjurma e një loti, që dora aq natyrshëm e fshin mbi faqe.
Aq e vogël
Sa dy orët e tua të jetës
Që shkuan po aq natyrshëm
Midis dremitjes dhe ëndrrës për të qenë
E përsëri kaq thjesht
E fshij edhe një lotëz tjetër me dorën që kryen ritualin e pastrimit.
Pas teje,
Dy orëve të vogla të zërit tënd që kërkonte në hapësirë
Ekzistencën
Gjithë vitet e mia rendin të kapin kuptimet deri tek thinjat e reja
E po kaq lehte prej syrit davaritet mjegulla
Me pak vesë mbi faqe.
Ti s`mund të jesh më tepër se një imazh ku unë
Zvaritem përditë të gjej detajet e muguara për plotësinë tënde
Jashtë kornizave të thyera.., në konturet e trupit tënd.
Ndoshta
Në dy orët e tua vogla
Ti vajtove lirirkën e një jete që shkon me mua
E përsëri në vite zëri humbi tej mureve të sallës
Në duart e gjakosura , të përditshmerisë së një mamie.
Bir.
Bir i vogël,
Edhe ti ndoshta kuptove se ç`është loti.
Ndoshta dy orë të një jete
Janë pafundësi…
Tashmë u bënë 11 vjet e pak muaj
E kush e di
As të dielave rruga nuk më bie andej
Në një varr që veçse në qiell mund të jetë.*
Ndonjëherë, eja të më takosh
Ashtu si do të bëje me buzkat e vogla e flokëzat kaçurrela
Në dremitjen e paqtë të ëndrrave të tua.
Kam ndierë që më ke thirrur
E ke pasur frikë nga errësirra, ndaj strukeshe nën shtroje e belbëzoje ne gushën time
Ashtu e vogël
Sa pëshpërima e një mesnate.
Gjithë këto kohë
Të dy orëve të tua
Unë të kam treguar gjithë përrallëzat me hirushe e kësulkuqe
Që ti të dremisje e qete…, veçse nuk di pse gjithë ditëve I përsëris edhe në rrugë.
Vëllai dhe motra më pyesin përherë për ty,
se e dinë që ti je gjumashe e madhe dhe lodrat ata t`i kanë ruajtur
në shportën tënde të vogël.
Tashmë fli !
Babi do të iki në punë të të sjell kukullën me sy të shkruar si të tuat
E me flokëzat e verdha bishtalec.
Në mbrëmje, kur ti të më përkëdhelësh e të më puthësh me dihatjen tënde sit ë lepurushes
Unë do të të tregoj përrallëzën tonë.
E do të të tregoj gjithë c`më ka ndodhur këto kohë.
Edhe kur të më bjerë rruga andej
Do vij të të shoh,
Fli,
….
E vogla ime që s`do të rritesh kurrë.
Ti me dy orët e tua
Sa një dremitje
Që nuk u zgjove kurrë
M`i zgjat në pafundësi këto kuptimet e mia
Dhe duart,
Natyrshëm…
Fshijnë lotët që më aviten mbytshëm, sa herë të kërkoj ty…

* Duke respektuar traditën, një fëmijë të porsalindur dhe të paemër i jepet një varr që prindërit të mos e gjejnë. Ndjell keq sipas gojëdhanave nëse prindërit e gjejnë dhe njohin atë vend. Ndaj dhe ajo prehet atje , ku askush nuk e di…



KOHA

Qëndroj ballë pergamenit të kalbur
Një molë e bluan pa të keq me tik-tak.
Hieroglifet heshtin nën gri harrimi…,
Në lëkurën time mbijnë nga pak
Koha shkel mbi kufoma dhe eshtra
Duke thënë me vete një postulat modern.
Qëndroj ballë testamentit si kohë që shkoj
Rrotullimi rreth boshtit shkon dhe vjen.
Avujt e frymës vizatojnë një ëndërr
Deri sa bie si gërmë mbi pergamen .
Mola kompozon në tretjen e tik-takut
Gërmat rriten si bimë të përflakura.
Koha na përdor,apo ne kohën tonë
Harxhojmë me kupa uji të përgjakura!?

AT

Ati im, më rrokullis në lutje gjithkund
Teksa vdes nga pak i kryqëzuar kështu.
Parajsën në mëkate shoh të humb
…Dhe tokën të humb gjithashtu.
RRetullohem rreth vetes si mohim i njëshit
fytyrash që sillen kohës absurd
ferri e parajsa kthehen në mister,
në qiell, në tokë, kuturu, gjithkund..
Ti, veç vret me butësi e mungesë
E pas dere prej ajri thuhet se je.
Unë, vec pëshpërim rënkimi dëgjoj
Nga rrufete që ti zbraz përdhe.
At, dhe pse s`të shoh më larg se “unë”
të luash zare fat`thënash kohëve që s`janë,
Një të diele, krejt i kërrusur mbi altar,
të tregoj shpinën që ti m`shqeve me kamë.
Pas dere, ti, vec britma dëgjoje
kur akuj shkelja pas dimrave të tu.
Ti, vjeshte psherëtije, zhveshje dhe përulje
dhe dyert i theve, po ashtu.
E me pas, prej zjarri e zëri, Zeus më zbrite
Ne token ku vriten vetetimat dhe engjëjt.
Dhe ti, si Kronus kerkon te me perpish
Mua, birin tënd të harruar në ëndërr.
Pra, At, o At gjakatar……
Eshtrat e mia të bezdisin në fyt
të përjeteshmit u lodhën me pavdekësi
Ndaj ëndrra ka filluar të të mbyt.
Kështu pra, imzot që darkon me mërzinë
Teksa prej barkut qëe i linde, ëngjëjt t`u bën djaj.
Hesht, as ëndrra me lojra e vdekje mos shih,
Prej toke, biri yt të dënon; Mos qaj.



ART I MALLKUAR

Koha i kthen brinjët në shpata
shpatat,
zejtarët mallkojnë.
armë …të gatitura për një akt të nëmur
nga duar qe lutje dhe bollek mekojne
që nga drita e botës….
qëndisur
nga duart e uritura të një arti mbijetese
Mbi heliken e kryqtë të kohës
ngulur në gjakun e trazuar të një zoti
të paditur
vrarë në rrugën e përditshme të vdekjes
një mesdite….
midis së mirës dhe së keqes.



NDARJE

Ura .
Shumë ura.
Matanë brigjeve ku drita thyhet
Anëve të këtejme ku dhimbja lind.
Ura që hedhin shtat deri tek ti
Deri tek mungesa mbërrijnë
Ura.
Shuma ura.
Afrime që vrundullojnë në ardhje
Eshtra hekuri mbi ndarje te shembura
Zgjatuar si kordat e lirës Orfe
Që Hadin përcjell deri tek dhembja
Ura.
Shumë ura.
Skajeve të kohës tënde të vetmuar
Ëndrrave që I ngjajnë gjethes që ra,
E sërisht endemi në nyje rrugësh
Larg, pa dritën e ardhjes në prag.
Shumë ura.
Ura .



PAK PEIZAZH NGA VJESHTA E SAJ

Një degëz
Si maja e një loti të rrokullisur në stinë
Avitet në xham.
Krah i venitur dega e tharë.
Vjeshtë…,
Vjeshtë e parë…
Me herët se stina e ikur
gjethja ra
si buzëmbrëmja
në shegën e përgjakur
të perëndimit të çarë.
Dege e avitur
me qiri përshpirtjeje
brinjë kishës sime të heshtur.
Ç`më kujton një ritëm ikjeje
me krahun tënd të tharë , mbetur.




KARMA

Mos shkruaj më fal, mbi letrën prej bore
As shpirtin zëulët mos e pëshpërit më,
Në fushë, minutat kapin fundin e një ore
E kohë ciklike s`do ketë mbi të.
Datat kalendarike do te vijnë sërisht
Si rekuiem i thjeshtë përkujtimor.
Atje, mbi puthje u heshtën dashuritë
U ndamë, askush se ka fatin në dorë.
Ik. Një tjetër qiell është ai, Dikush
Ose një yll me rrugën sa një lutje.
Dhe ti, si unë, vetmisht heshtja të mbush
Me petka pëshpërimash e përshpirtje.
Orët janë të gjata, ka ende mjaft kohë
Për të vrarë edhe erën që luante mbi flokë.
Pak copëza nga unë të kanë mbetur mbi lëkurë
Nxito pra, t`i strukesh dhe ato nën toke.
Ti. Unë. Shumë heshtje shoh në ëndrra,
Dhe mbrëmja pas pak do të bjerë natë.
Harrimi vrapon të kapë të tjerë akrepa
… dashuritë e mëdha kurrë nuk kanë fat !
….


Përhumbje

Përhumbem në qerpikun
Që përshkon udhën deri në mbyllje
Si një hap që ngushton hapësirën
Nga e tashme në pritmëri.Gjithçka është kaq e thjeshtë.
Ti, je – “unë” i lënduar
që loton në puthjen e parë
kur perënditë dehen
me mëkate të brishta mishi.
Sot
Edhe pse ndajnë hapat
Nga pritshmëria në pafundësi…
Të dua



AKORDE NË VETËN E PARË, MINOR

kitarat bien mbi heshtje.

Heshtja tingëllon shigjeta
që shkojnë si metrote e mesnatës
në errësirë.

sa shumë vaje e gota derdhen mbi hon
ku bie një kitarë e vetmuar
sa një kraharor.

kaq shumë arsye për t`i shkundur telat !
kaq shumë meditime për një këngë të shkruar
që rend të të kujtojë dhe sytë, dhe ikjen dhe trishtimin?!

sa një kraharor përngjet kitara !
..............
.................
kaq...
troku i territ mban ritmin e vetmisë
dhe mbrëmja bëhet tjetër kohë
ku gjithcka që ti kujton
është një copëz e jotja e mbetur pa zë dhe imazh.

heshtja nën hënë nxin sa një hon
akorde që vec pasthirma për ty më thone

shume kitara
prehen mbi akorde qe nuk u luajten kurre
kitara vetmitare me jehonë mërzie
mbi syte e mbushur me yje të shuar
rrugëve të mesantës ku zoti nuk ezkiston.

luan tek unë një serenatë...
një kitarë e vetmuar
sa një kraharor.

MËKATI

Një yll këputet.
Dhe ti kapërdin dëshirën
Si një shkronjë në mermerin e eshtrave.

Në kraharor
Një gjurmë ylli fle…
................
nga një mëkat në fyt
bota nisi të flasë.

KUR JAM ME TY

Ti puth sytë e humb i tëri
E të zbres ngadalë në shpirt,
Nën qepallë shoh me ty
E jam rob, frymë, flirt.

Ti m`a zgjon trupin e humbur
S`di se ku mbi trupin tënd,
thua-ëndrra ka një fund
them vdekja-s`është e rëndë.

Ëndërr e bukur pas syve të ty
Më thotë ik, më lodhe, mjaft
E prej sysh të rrjedh si lot
Edhe ëndrra bëhet ankth.

UNË DHE TRËNDAFILI

Unë
Dhe trëndafili për ty
Qëndrojmë të heshtur
Në kryqëzimin e pritjes sonë.

Një letër e shtyn era
Dhe imazhi i një gjetheje të këputur
Më bie mbi qepallë.

Vjeshtë e parë.

Ti ndoshta ke ikur
Por mua më ngacmon e kuqja e trëndafilit
Që i ka rrënjët tek unë.

Që prej ikjes tënde
Mësova t`i prish trëndafilat.
14.10.2007

ËSHTË AG

Në heshtje
Më tingëllon zëri yt i qeshur,
dhe vetulla e hënës
(dhe)syri i shkruar
(dhe) buza e qershisë
..........(dhe) gusha e bardhë...

Është ag, por prap errësirrë.
Ti shfaqesh nazike
Dhe sfumohesh vetmi.

Një lot
Bie si pikë
E merr vlerë të egërr
Jo si dhimbje
Por si fund.
14.10.2007

IKONA TË THYERA

Të pash në blicin e një krisme,
Diku midis humbjes dhe rënies
Anuar si rënkim i zemëruar
Në instiktin e epërm të qënies.

Të pashë në blicin e një kohe
Dhe ti më pe si bust të anuar
Tek zgjasnim duart marramendsh
Si arna të kohës sonë të arnuar.

E sërish në drita krismash
Zeusi na ndiqte në harresë,
Të ikur, të anuar, vajtueshëm
Diku midis humbjes dhe rënies.

IMAZHE NGA RRUGA E QUMËSHTIT

U ndamë kur yjet të binin mbi sy
Dhe mua fjalët më binin përdhe.
Ëndrra jonë përgjumej në udhë
Tek RRuga e Qumështit, lart, atje.

Pas ndarjes, ti nesër e mërzitur
Do të rendësh me hapa harrimi
Lëkura e bardhë, si nga prekja do dridhet
Tek magjia e purpurt e perëndimit.

Tek rruga e vjetër, në krye
Hapi i lotuar do të bëhet i rëndë,
Flladi diçka në vesh do të pëshpërisë
E do bëhet puthje në trupin tënd.

Në mbrëmje, në heshtje do tretemi
Dhe perëndimi na merr me vete, larg
Dhe orët çaste gjethe do hedhin
Si në shtratin e kuq të netëve pa ag.

Gjithë yjet do jenë coptuar pas teje
Ngjyer me të kuqen e perëndimit,
Kujtimet do të derdhen vetmisë
Si imazhe malli nga Rruga e Qumështit.

AMANETI I DASHURISE

Një ditë në vdeksha
Dhe në varr të zi
Tek një fije bari
Shpirti do t`më rrijë

Dhe emrin nje ditë
Po ta lexosh mbi gur
Do gjallojë bari,
S’do t` thahet kurrë.

E nëse mbi varr
Do të qash nën zë
Besën ke harruar,
nuk do t` mbij më.

E nëse të dielave
Ke punë, s’do t`vish
Nën mermer bari
Do të vdes sërish.




DISA MENDIME PËR POEZINË E GENTJAN BANAJT
(rreth vëllimit poetik: “Ikona të Thyera”, 2008.)




nga ANDI MEÇAJ

1. (ab imo pectore*)

Në librin poetik të Gentjan Banajt “Ikona të Thyera” është edhe poezia “Fëmijë të lagjes sime”:

Luanin të qeshur ata fëmijë
Vraponin
Në rrugicën e ngushtë të shtëpisë time të vjetër.

Ishte më e gjerë kjo rrugicë dhe
S’kishte kufij me mure të larta sa ditët e fëmijërisë time.

Këta fëmijë vrapojnë mbi një karrocë bebesh.

Atje është dhe buzëqeshja jote e dlirë dashuria ime
Dhe s’kishte kufij dhe mure
Të gjerë sa humbja dhe ndarja jonë.

Ç’kam një dëshirë t’i shtyj të gjithë këta djem
Me një klithmë trumcaku mbi këtë lojë
Të mbetur si relike e fjalëve të tua
Kur unë me pantallona të shkurtra pasditesh
Dëgjoja qeshjen dhe thirrjen tënde... “shoku im, shoku im”,

Por kam frikë se do ta vras lojën
Me shpatullat prej burri
E duart e mbushura me lot nga malli për ty.

S’kishte gardhe dhe kufij midis shtëpive.

Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër
Me një gurëz pragu e kam gdhendur emrin tënd
Dhe aromën tënde në këtë kopsht të vogël ëndrrash
E kam ruajtur
Dhe përqafimin tënd
kur ti rrije si një verore në qafën time.

Dhe s’kishte mure fëmijëria...
Të larta sa ky shtat i trishtë burri.

Ja dhe dera ku është shkruajtur dita e fundit.

Tani është harruar, bashkë me fjalët e gjyshes
“mos e hap atë derë bir... të ikën fëmijëria, birooo”.

Por ika unë prej asaj dere dhe sërish nuk guxoj ta prek
...se ikin këta fëmijë që vrapojnë
ikën dhe ti
dhe fjalët e tua
“shoku im... shoku im”
e bëhem sërish ky trishtim,
I gjerë sa mungesa jote,
I lartë sa ky mur që nuk më lë të të shoh.

Po kalbet kjo derë,
Ndoshta nga lotët
Dhe ca nga flokët e tu të verdhë
Kanë mbetur si ditët tona
Në të çarat e saj.

Dhe e shkruaj përsëri emrin tënd dhe emrin tim
Në një gur të djegur...
...e nuk rritem kurrë për ty,
Moj shtëpiza ime e vjetër!

Gentjan Banaj në këtë poezi gjithë nota lirike e melankolike, si një “SY” i sprovuar e mjeshtëror, na kap përdore, na çon kah asaj kthine, jo të errët, por diellore, jo të harruar, por të fshehur me kujdes, jo të pluhurosur, por të mirëmbajtur në kujtesë, FËMIJËRISË.

Fëmijëria na paraqitet apo shfaqet herë si: “Rrugica e ngushtë e shtëpisë sime të vjetër”, “Pantallona të shkurtra pasditesh”, e herë me: “Rrije si verore në qafën time”, “Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër” e herë në paralajmërimin e gjyshes (të gjitha gjysheve të botës), “Mos e hap atë derë bir... të ikën fëmijëria, birooo!”

Dhe ajo (FËMIJËRIA) e këmbyer në dritë na del sysh përmes detajeve aq bukur të spikatura prej poetit G.Banaj, në formë lodre, të qeshure, regëtimash të para të zemrës, britmash të hareshme të shoqeve e shokëve, duke na hipur sërish mbi ato karrot e sajuara me kushineta, apo duke na rikthyer të luajmë me kaçolet e shtypura të birrave, të ngulim e të hedhim pinca** në baltë, të luajmë kukafshehtas në lulishten para pallatit apo të “luftojmë” me shpata e shigjeta me rrugicën përkarshi e të sakatojmë sërish gjunjët tanë të vegjël në “futbollin e lagjes”.

Ndihet një nostalgji e magjishme, një fluiditet, një pafajësi që i rri mbi “kokë” kësaj poezie, por aq sa të ngazëllen e të përthith me hirin e bukurisë së saj, aq edhe të ngashëren, të fut në një melankoli, por s’do ta quaja një melankoli trishte, por një trisht “të mirëdashur’ gati gati shpresëndjellës, se dikur, diku, kemi qenë ca krijesa të gëzuara, pa vramendje për atë që do të vijë, plot hare dhe mbi të gjitha e mbi të gjitha,

KEMI QENË DIELL, NJË DIELL RRËZËLLITËS, që me dritën e tij, na e ngroh shpirtin e fytyrën sa herë e kujtojmë atë (FËMIJËRINË).

2.(veritas odium parit***)

Ndër poezitë e tjera të bukura të këtij libri mund të përmend disa, por për të mos ia hequr kërshërinë lexuesit, po citoj: TRIPTIK PA KOKË (Me ato vargje aq mbresëlënëse e metafizike: .../kasapi puth gurin pas vdekjes /qengji qesh pas vdekjes... /); PA TY (Me atë vetmi të sendërtuar si sende që bien: .../Në heshtjen time /sendet e tua /Bien si copa të flakta /që zhurisin mall... /); IKJE (Me atë “perëndim” aq mallëngjyes e nostalgjik: .../Shoh flokët ku lind dielli /Dhe kuptoj që jam perëndim... /); KUR UNË (Me atë varg aq sendshpirtëzues: .../Një qiri dha shpirt... /); UNË DHE TRËNDAFILI (Me atë të kuqe trëndafili që na hedh rrënjë sa herë presim dikë që e duam: .../Ti ndoshta ke ikur /Por mua më ngacmon e kuqja e trëndafilit /Që i ka rrënjët tek unë... /); ËSHTË AG (Me atë dashuri që shfaqet e konsumohet, por si gjithnjë lë pas pamjaftueshmëri, vetmi në vetëshuarje: .../Është ag, por prapë errësirë. /Ti shfaqesh nazike /Dhe sfumohesh vetmi... /); IKONA TË THYERA (Me atë blicin e jetës sonë që herë herë na ndriçon e herë herë na lë në errësirë: .../Të pashë në blicin e një kohe /Dhe ti më pe si bust të anuar /Tek zgjasnim duart marramendsh /si arna të kohës sonë të arnuar... /); TEMPULL (Mjaftojnë pak metra katror /Për ta parë të ngujuar, /Brenda katër faqesh /Ëndrrën. /Tatuazh mbi mure! /); EMBLEMË (.../Gur që digjet qiri. /Gur-njeri,... /); KUR JAM ME TY (.../Ëndërr e bukur pas syve të tu /Më thotë ik, më lodhe, mjaft /E prej sysh të rrjedh si lot /Edhe ëndrra bëhet ankth. /) e shumë të tjera...

3.(ubi mel ibi apes****)

Poezia e Gentian Banajt (1974), është herë lirike, herë meditative e herë filozofike. Ajo lëndën poetike e mban në baraspeshë të ndjenjës e të mendimit filozofik duke mos rënduar as nga njëri e as nga tjetri krah. Metafora dhe simbolika përdoren në shërbim të asaj që do të shprehë autori, pa shpërdorim dhe duke ruajtur gjithnjë gjuhën poetike të kthjellët e me domethënie të reja.
Ky mendoj se duhet të jetë funksioni i poezisë, të ndërtojë imazhe dhe jo t’i errësojë ato. Edhe kur poezia e tij shkruhet me varg të rregullt, ajo na vjen me ngjyra të kohës, sepse brenda vetë poetit është ngjizur edhe tradita edhe përditshmëria me përjetimet e saj moderne.

Tipar dallues i kësaj poezie është se në thellësi të vargëzimit krijohet një amalgamë mes së kaluarës sonë poetike dhe të ardhmes (moderniste), e cila na shfaqet mes përthyerjesh, realitetesh dhe “historish të vogla” njerëzore që na krijojnë befasi dhe emocione estetike të veçanta.
Poeti Gentjan Banaj, vjen me librin e tij të dytë poetik pas dhjetë vjetësh.

A ia ka vlejtur kjo pritje kaq e gjatë?

Mendoj se ia ka vlejtur për dy arsye: 1) për vetë autorin që u shfaq në letrat shqipe në vigjilje të mijëvjeçarit të ri si një shpresë e re avangardë, ku ai, si dhe ne të brezit të tij, nuk e përjetuam si krijues atë periudhë kohore, se bashkë me lirinë e të shprehurit prej ndrydhjes e ndalimit të regjimit komunist, vërshuan edhe libra (sa letër e pemë të shkuara dëm!!!), shumë lumenj librash, shkruar nga njerëz që s’kishin botuar, që s’kishin folur, që bile as që kishin arritur të radhisnin aq rreshta sa të mundnin të mbushnin një faqe e jo më të botonin lloj lloj vëllimesh, sa t’i mbulonin kokë e këmbë, por ia ka vlejtur edhe për një arsye tjetër më të fortë se: 2) është një libër që ia vlen ta lexosh, e ta rilexosh. Na duhen të tillë, të na shërbejnë si shtylla orientuese në këtë larushësi antivlerash poetike e prozaike, që na serviren kudo: në TV, në librari, në rrugë, në kafene, në promovime, ku nuk ndihesh mirë mes lavdeve të pamerituara drejtuar bejtexhiut të radhës.

Dhe të gjithë ne të brezit tonë na duhet ta mbrojmë poezinë e vërtetë siç ka filluar të bëjë edhe Gentjan Banaj.

Libri ka rreth 90 poezi. Është nga të paktët vëllime poetike që do të mund të udhëtojë drejt zemrave të lexuesit poezidashës shqiptar, bile do të ankorohet e do të hedhë spirancën aty për një kohë që s’njeh kohë.

Poeti Gentjan Banaj është një vlerë në këto kohëra të këqija për “VLERAT”, ku vlerësohen fasadat, pasuritë, sa pehlivan je, sa “të fortë” të ndjekin pas, sa miq politikanë ke, ç’kostum ke veshur a ç’makinë nget, pra besoj fort se ky poet sjell atë lloj poezie cilësore e bashkëkohore që ishte e pakët, jo se para viteve ’90-të s’bëhej poezi cilësore, por sepse u hoqën ato ndrydhje e barriera censuruese. Duke u bazuar në traditën më të mirë poetike shqiptare e bashkëkohore dhe në stilin e tij të veçantë, presim që Gentjan Banaj të na dhurojë emocione të reja poetike.

Përgatiti:Flori Bruqi