Viktor Hygoi është dhe mbetet një shkrimtar i madh përparimtar i shekullit XIX




Viktor Hygoi është dhe mbetet një shkrimtar i madh përparimtar i shekullit XIX, në letërsinë frënge e atë botërore, dhe vepra e tij madhore “Të mjerët” është një gur i çmuar në kurorën e kryeveprave të shkruara deri më sot. Idenë e romanit “Të mjerët”, Viktor Hygoi e ka bluar dhe përbluar për afro 30 vjet me radhë. Gjatë kësaj kohe ai ka mbledhur materiale faktike mbi ngjarjet dhe personazhet, ka studiuar shumë gjëra në vend dhe përmes dokumentesh historike, ka mbajtur shënime të shumta. Shkurt, ai ka mbledhur lëndën kryesore për të ngritur më pas ndërtesën e këtij romani epope. Atij iu deshën vetëm disa vjet për ta shkruar dhe redaktuar përfundimisht përpara se ta dorëzonte për shtyp, më 1862-shin. Shekulli XIX, në Francë dhe në Europë ka qenë një shekull i ngarkuar me ngjarje të mëdha shoqërore e politike. Në këtë sfond historik e plot ngjarje të mëdha, Hygoi shkroi “Të mjerët”. Vepra e tij mban vulën e kohës.



Tek “Të mjerët” autori na ka paraqitur një mori personazhesh nga shtresat më të ndryshme të shoqërisë. Në këtë galeri të madhe, për sa u përket hapësirë dhe kohës, kemi një varg figurash të planit të parë, që përbëjnë boshtin kryesor të romanit dhe të ideve që shpalos autori. Kur themi “Të mjerët” na del menjëherë përpara sysh figura e personazhit kryesor të kësaj vepre, Zhan Valzhanit, e Kozetës, Fantinës, Gavroshit e shumë të tjerëve. Romani “Të mjerët” ndahet në pesë pjesë të mëdha: “Fantina”, “Kozeta”, “Mariusi”, “Idili i rrugës Plyme dhe epopeja e rrugës Sen-Dëni” dhe “Zhan Valzhani”.
Secila nga këto pjesë është e barasvlershme me një roman të zakonshëm. Romani, pra, është shumë voluminoz dhe shtrihet mjaft gjerë dhe shumë thellë në kohë e hapësirë. Tregimi i romanit, fati i personazheve të tij kryesore, sidomos ai i Zhan Valzhanit dhe i Zhaverit, nga pikëpamja e kohës shtjellohen gjatë disa dekadave dhe nga pikëpamja e vendit kalojnë në shumë krahina e qytete të Francës.
Në faqet e romanit lëvrijnë dhe veprojnë me dhjetëra personazhe të dorës së parë, të dytë dhe episodikë të të gjitha kategorive shoqërore. Nga ana tjetër, në roman gjejmë kapituj të tërë që kanë të bëjnë me përshkrime vendesh, objektesh, periudhash historike, zakonesh dhe institucionesh, me analiza problemesh politike e shoqërore, me soditje filozofike etj.
“Të mjerët” nga pikëpamja e materialit, është shumë i gjerë e i larmishëm.
Megjithatë nga ana kompozicionale, i gjithë ky material është i renditur dhe i vendosur me mjeshtëri të madhe, në mënyrë logjike dhe me dorën e një arkitekti të përsosur.
“Të mjerët” është një thirrje therëse kundër çdo shtypjeje e dhune dhe një mbrojtje e flaktë e parimeve demokratike dhe e lirisë së njerëzve. Viktor Hygoi vdiq më 22 maj të vitit 1885. Karroca e përmortshme u bë një mal kurorash me lule dhe u vendos nën Harkun e Triumfit. Dy milionë veta e përcollën trupin në Panteon. Ai hyri në Panteon, por jo vetëm. Ai mori me vete dhe bëri të pavdekshëm Zhan Valzhanin, Gavroshin, Kozetën, Fantinën dhe të gjithë personazhet e tjera të veprave të tij, aq fort të dashura për lexuesin, që e bënë gjenial autorin e tyre.