Vërejtje! Disa ligjërues dhe disa autor librash

Vërejtje!
Disa ligjërues dhe disa autor librash, papërgatitjet e tyre në një fushë të caktuar, fatkeqësisht mundohen t’i fshehin përmes shpjegimeve tejet të ndërlikuara, njëherësh të privuara prej shembujve dhe analogjive të ndryshme. Dëgjuesi dhe lexuesi, edhe pas disa përpjekjeve për ta kuptuar materien në fjalë, sërish nuk arrijnë të kuptojnë asgjë. Madje këtyre (ligjëruesit dhe autorit) i mungon edhe njohja e mirë e gjuhës përkatëse, përmes së cilës artikulohet shpjegimi, prandaj dalin aq shumë të ngatërruar përpara dëgjuesit dhe lexuesit. Krejt në fund, dëgjuesi dhe lexuesi mendojnë se problemi nuk është te ligjëruesi dhe te autori i librit, por tek ata. Mendojnë se janë të paaftë dhe se ata janë shumë të aftë! Ngatërrimin ia faturojnë dobësisë së tyre dhe jo paaftësisë së atyre. Mirëpo, në të vërtetë, problemi nuk qëndron te këta që përpiqen dhe nuk arrijnë ta kuptojnë si duhet materien, por faji është i atyre që nuk e kanë kuptuar si duhet materien, kurse kanë marr guxim të paraqiten si zbërthyes dhe shpjegues të saj. Aq më tepër, nuk guxojnë të paraqesin shembuj dhe analogji për gjësendet që i shpjegojnë, por tërë këtë mjegull mundohen ta arsyetojnë duke paraqitur vetëm përkufizime të thata. Ky është krim dhe torturë e pafalshme ndaj lexuesit dhe dëgjuesit. Prandaj, nëse një gjë assesi nuk arrini ta kuptoni, mos mendoni se faji është te ju, por tek ata që janë paraqitur si zbërthyes i të panjohurave, kur dihet mirëfilli se vetë ata i kanë të paqarta çështjet që po i shpjegojnë. Kështu që, mos e kurseni këtë shpurë, thojani troç e kërkoni shpjegime shtesë. Në të kundërtën, mos harxhoni kohë me këta kokëmjegulla!



Burimi:Iljasa Salihu
 

Related Posts: