Përralla

Përralla është një nga format më të përhapura e më të njohura të prozës.

Përralla është një tregim i trilluar, plot fantazi dhe elemente të çuditshme në subjekt me anë të së cilës paraqiten mendimet dhe ëndërrimet e njerëzve në formë alegorike. Përrallat nuk nisen, si ndodh me këngët legjendare, nga një fakt i vërtetë (ndoshta edhe historik) që legjendarizohet, por nga një trillim i plotë, që megjithatë mban kurdoherë lidhje me probleme, me situata, me mendime filozofike, morale, shoqërore, estetike të jetës njerëzore.

Përrallat tregohen në prozë dhe kanë, domosdo, strukturën dhe elementet e tyre. Ato janë të përhapura në të gjithë botën dhe janë tepër të pëlqyera si për vlerat e tyre filozofike, ashtu edhe për vlerat e tyre didaktike. Pikërisht për vlerat e saj të gjithanshme, përralla ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve : me të merren folkloristët, etnografët, psikologët, letrarët. Etnografia e studion përrallën si dokument kulturor e historik dhe merret me rolin e saj në shoqëri, psikologjia e sheh përrallën si shprehje të proceseve shpirtërore, ndërsa shkenca e letërsisë përpiqet të përcaktojë se ç'është ajo që e bën përrallën të jetë e veçantë edhe brenda llojeve të prozës gojore. Ajo synon të përcaktojë elementet më të qenësishme të këtij lloji dhe, ashtu si etnografia, të kërkojë zanafillën e saj.

Përrallat shqiptare shquhen për larminë e fantazinë e tyre dhe për thurjet interesante të subjekteve. Roli i fantastikës edhe në përrallat tona është shumë i madh. Me anë të saj rrëfimtari popullor deformon dhe përpunon qoftë artistikisht, qoftë në mënyrë filozofike subjektin, elementet e realitetit duke krijuar një simbolikë të pasur që flet alegorikisht për mësime shoqërore, etike dhe estetike për jetën. Pikërisht në vlerën e saj filozofike qëndron edhe një nga anët më të rëndësishme të përrallës. Nëpërmjet saj jepen gjykime për jetën, për lumturinë, për të mirën dhe të keqen, për të bukurën dhe të shëmtuarën, për aspiratat dhe ëndërrimet e njerëzve. Duhet thënë se vizioni i përgjithshëm që buron nga përrallat për botën e jetën është optimist. Kështu, edhe në përrallën tonë, e mira triumfon dhe njeriu me anë përpjekjesh dhe sakrificash, duke qenë kurdoherë i ndershëm, ia arrin më në fund lumturisë, arrin ta fitojë atë (e Bukura e Dheut, si simbol i lumturisë). Ky vizion optimist e realist e ka burimin te karakteri kolektiv i folklorit dhe shpreh soliditetin dhe qëndrueshmërinë e popullit përballë problemeve të jetës dhe vështirësive që dalin përpara.

Me afirmimin e leximit ndër masat e gjëra popullore, shumë shkrimtarë i kanë mbledhur përrallat së bashku me gojë dhënat popullore dhe nga to kanë krijuar gjini të ndryshme letrare, siç është p. sh. proza. Veqori kryesore e rrëfimit të përrallës është mënyra se si rradhiten episodet me qëllimin për ta mbajtur tensionin emocional deri në fund.