LUMI (Semantika e një simboli)

Shkruan: Mr. Kadrush RADOGOSHI



Kur lumi është shndërruar në simbol të ndarjes në mes të njerëzve, të cilët mund të jenë të dashuruar në njëri tjetrin, poetët, këta apologjetë të përjetshëm të dashurisë, pikërisht nga dashuria i kanë ndërtuar urat, këto bashkuese të brigjeve të ndara të lumit. Në këtë kontekst na imponohet pohimi se në regjistrin leksikor të lidhur me leksemën ,,lum”, pos bregut ekziston edhe ura.



Lumi gjatë tërë historisë së zhvillimit të shoqërisë njerëzore ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën njerëzore, prandaj me të drejtë është konsideruar edhe i shenjtë (Gangu, Nili, etj.)
Pothuajse nuk ka qytet të madh në botë, që nuk e ka një lumë, i cili rrjedh mes përmes tij dhe me të cilin në një mënyrë apo në një tjetër nuk identifikohet. Posa ta shqiptojmë emrin Paris na kujtohet Sena, siç na kujtohet Temza kur themi Londër, Vardari kur themi Shkup, Drini i Zi kur themi Strugë, Vjosa kur themi Tepelenë, Lumbardhi kur themi Pejë apo Prizren, Ereniku kur themi Gjakovë, Ibri kur themi Mitrovicë e Kosovës e kështu gjer në pafundësi.
Duke qenë i një rëndësie të veçantë për jetën njerëzore LUMI me kohë është shndërruar në njërën nga figurat më të preferuara për shkrimtarët në përgjithësi e sidomos për poetët në veçanti. Fusha e shtrirjes semantike e këtij simboli vazhdimisht zgjerohet dhe thellohet .
Te një pjesë e shkrimtarëve lumi, brigjet apo ura mbi të, janë kronotopi kryesor mbi të cilin shtrihet syzheu i romanit, prandaj funksioni i tij është struktural në ngrehinën e veprës artistike. Interesimi ynë, në këtë rast është që t’i qasemi simbolikës së lumit në poezi, e cila është e vjetër sa vet poezia. ,,Simboli, thotë ndër të tjera Shtefan George, është aq i vjetër sa edhe vet gjuha e poezia.”
Lumi te shumica e poetëve është pjesë e sistemit të traditës simbolike, por tek disa, tek më të zgjedhurit ai është pjesë e sistemit të simbolikës individuale, i cili më vonë pas një receptimi të plotë apo të pjesshëm bëhet pjesë e sistemit të simbolikës tradicionale.
Stefan Malarme në esenë e tij ,,Mbi evolucionin letrar” ndër të tjera për simbolin thotë: ,,Përdorimi i përsosur i fshehtësisë e krijon simbolin: të evokosh gradualisht objektin për ta shprehur në një gjendje shpirtërore, apo e kundërta, të zgjedhësh një objekt dhe të nxjerrësh nga ai gjendjen shpirtërore, me një varg dëshifrimesh”. Në kontekst të këtij mendimi të Malarmesë, simbolika e lumit, në vargjet e analizuara në këtë ese, mund të kuptohet më lehtë dhe më mirë. Simbolika e vërtetë ka nevojë për çelësa të vërtetë.
Poezia ,,Ura Mirabo” e Gijom Apolinerit është padyshim njëri nga modelet e preferuara për shumë poetë. Zhak Verzhe, njëri nga interpretuesit e kësaj poezie ndër të tjera thotë se temat në këtë poezi organizohen rreth polaritetit, të cilin e shpreh opozicioni ,,Ura MiraboSena”, do të thotë se përballë njëra tjetrës janë qëndrueshmëria dhe paqëndrueshmëria, elementet statike dhe dinamike. Poeti e fillon poezinë e tij të famshme me vargjet: ,,Nën Urën Mirabo rrjedh Sena / dhe dashuritë tona”. Ura është elementi statik e ndërtuar mbi lumin që rrjedh së bashku me dashuritë e njerëzve e në mesin e tyre edhe të poetit, prandaj që në dy vargjet e para kumtohet mbizotërimi i lëvizshmërisë mbi palëvizshmërinë. Megjithatë lëvizshmëria në këtë poezi dhe në shumë të tjera, të cilat kanë pika afrimi për aq sa mundëson semantika e standardizuar e simbolit ,,lum” dhe derivatit të tij ,,rrjedhë”, është lineare, që sipas Zhak Verzhesë ,,zhvillohet nëpër shtratin e hapësirës e kohës” dhe rrethore apo ciklike, që zhvillohet në nivelin e kohës. Te shumica e poetëve e edhe në poezinë e Apolinerit mbizotërojnë elementet që shprehin lëvizshmërinë lineare.
Pikërisht në optikën e mbizotërimit të lëvizjes lineare mbi lëvizjen ciklike, ndonëse prezenca e saj është e fortë jemi të prirur t’i vështrojmë poezitë e disa prej poetëve shqiptarë të ndërtuara mbi simbolikën e lumit.



Poeti Dhimitër Shuteriqi, poezinë e tij më të bukur ia ka kushtuar lumit të vendlindjes së tij Shkumbinit. Kjo poezi e ndërtuar nga pesë sonete është ndërtuar mbi simbolikën e lumit me të cilin identifikohet subjekti lirik. Megjithatë identifikimi nuk është i plotë. Subjekti lirik është njeriu i së tashmes, i cili i flet lumit për të gjitha kohët historike, të cilat zakonisht poetët i shndërrojnë në kohë arketipe dhe këtë arketip sipas Oktavio Pazit e mishërojnë në një të tashme historike të përcaktuar.
Lumi Shkumbin na del si përherëshmëri ekzistenciale e njeriut, rrjedha e së cilës nuk është ndalur as kur vinin perandori pushtuese nga Lindja apo Perëndimi. Në këtë kontekst është me rëndësi vënia në spikamë e faktit se subjekti lirik lumin e shpall binjak të zemrës së tij. Kjo ngjashmëri me lumin, kjo binjakëri në variacione shumë të përafërta me atë të shprehur në vargun e parë të çdo strofe, përsëritet edhe në fund të strofës. Ky varg i vëllazërisë binjake me variacionet e tij i fillon dhe i përmbyll njëzet strofat e poezisë. Lajtmotivi i ndërtuar mbi paralelizmin më të afërt me lumin, në radhë të parë ka funksion semantik e pastaj stilistik. Të dyja këto funksione vendosin raporte të forta në mes të dhënësit dhe marrësit të mesazhit poetik.
Për poetin Vehbi Skënderi në poezinë e tij ,,I vjetër je ti, Drin, aq sa kjo botë...” lumi Drin është shndërruar në simbolikën e lashtësisë së atdheut, kujtesa dhe retorika e tij nuk thuhet po sugjerohet përmes të pyeturit retorik. Kjo retorikë e sugjeruar i referohet rrjedhës së lumit, do të thotë rrjedhës simbolike ekzistenciale në brigjet e tij.



Poezia e Çerçiz N. Myftarit ,,Fytyrën lumi e lë në det”, titulli i së cilës është vënë edhe në pozicionin emërtues të librit poetik, lumi është rrjedha e jetës, që kalon e nuk kthehet, mirëpo ashtu sikurse lumi që e lë fytyrën në det subjekti lirik fytyrën e rinisë së tij e lë në fytyrën e fëmijëve të tij, të cilët janë fryt i dashurisë së krahasuar me rrjedhën e lumit. Duke qenë tepelenas, ky poet ashtu si edhe bashkëqytetarët e tij poetë, nuk mund ta anashkalojë lumin e vendlindjes Vjosën që e krahason me fijen e barit, së cilës ,,hëna si kosa i bie, ndërsa prilli e sython te zalli...”.
Me të njëjtën optikë në mënyrë komode mund të lexohet dhe interpretohet edhe poezia ,,Ujëvara” e këtij poeti, nga e cila zë fill lumi ,,Si fluturim shpendi”. Ujëvara është e bukur, magjike, vizuele e auditive dhe posa bie në tokë zgjohet kaprolle, që rend pas zërave të lumit.
Për poetin tjetër tepelenas Timo Bushi, lumi i antropomorfizuar është edhe diçka më tepër se te të tjerët, ai është qytetar i denjë i mbretërisë së bukurisë, së cilës i përulet... ,,Shikoje, shikoje Vjosën / vetëm një grusht përroi derdhet nga fshati im / Dhe gjithë përrenjtë e botës i përkulen bukurisë”. Vjosa e identifikuar me bukurinë tërheq dhe dashurinë në të cilën jeta merr fytyrën e vërtetë të saj, duke u realizuar me më së shumti forcë në të. Ky fenomen fundamental i jetës njerëzore i ngjason rrotës, që vazhdimisht rrokulliset dhe nuk është kurrë dy herë njëlloj, prandaj para njeriut paraqitet gjithmonë me fytyrë të re. Njëra nga këto fytyra të reja të saj sugjerohet... ,,Vjosa kur shtjerrë.../ merr gjakun tim e shpërndanë nëpër vjeshtë / Klithmën e gëzimit e mbyt vetëm në Vjosë.
,,Buzëdrinas”, e ka titulluar njërin nga librat e shumtë poetikë të tij Agim Vinca. Pos poezisë me të njëjtin titull, në këtë libër ai ka edhe dy poezi tjera të ndërtuara mbi simbolikën e lumit, njëra e titulluar me emrin e lumit Drilon, ndërsa tjetra është pjesa e tretë e poezisë ,,Në qytetin SH. binte shi” dhe titullohet ,,Ku takohen Drini e Buna”. Të lindesh dhe të jetosh në brigjet e Drinit, të jesh buzëdrinas për poetin nga Veleshta e Strugës do të thotë të kesh një strukturë të brendshme e të jashtme tërësisht të veçantë, një identitet të përcaktuar nga lumi Drin dhe ky fakt më shumë sugjerohet nga konteksti e nënteksti i vendosjes së unit të dyzuar të subjektit lirik buzëdrinas...,,Pyete lumin se ç’sjell me vete / a gurë të bardhë / a ujë të zi”.
Për poetin Agim Vinca lumi Drilon është jo vetëm simbol i lindjes dhe vdekjes, jo vetëm kronikë ekzistenciale pa ndonjë përcaktim kohor, po edhe emër i ri që nuk plaket, ndonëse ka dalë nga thellësi e shekujve. Edhe te ky poet kemi të bëjë me simbolikën e kalueshmërisë, e cila ka rrjedhë lineare po edhe ciklike. Kalueshmëria këtu nënkupton edhe ripërtëritjen. Arsyeja për këtë është emri i tij i krijuar nga ,,gjashtë tinguj si gjashtë rrufe” që ,,vezulluan”, është ,,Driloni rrjedhë e pandalë e kohës”. Brenda këtyre vargjeve hasim temën e rrjedhës së pandalshme të kohës ekzistenciale, të cilën e sugjeron gjithmonë rrjedha e lumit. Në këtë kontekst na kujtohet miti i Titonit, vëllait të Priamit, mbretit legjendar të Trojës,i cili ishte shumë i bukur, prandaj Aurora u dashurua në të dhe kërkoi nga perënditë përjetësinë për të, mirëpo ai u plak dhe për t’i shpëtuar dhe për t’i shpëtuar dënimit me pleqëri të përjetshme, kërkoi të shndërrohej në gjinkallë. Poeti Agim Vinca, ashtu si edhe shumica e poetëve ka mësuar nga ky gabim i Aurorës, prandaj nuk e do as vdekjen e as pleqërinë e përjetshme, por përjetësinë dhe rininë e përhershme. Në këtë kontekst, sikur na thotë se poetët me apo pa vetëdije janë trashëgimtarë të filozofit Seneka, i cili pranonte vetëm përjetësinë, pafundësinë dhe domosdoshmërinë e gjërave, atë që filozofët grekë e konsideronin ,,shpirt universal” (sipas Volterit: ,,Filozofi i paditur”, Ideart, Tiranë, 2003, f. 45).
Në këngën e tretë ,,Ku takohen Drini e Buna” të poezisë së apostrofuar më parë, lumenjtë Drini e Buna dhe dy të identifikuarit me ta shprehin simbolikën e takimit të të afërtave...,,Ti më flisje për fshatin tënd, / për fshatin tënd në breg të Bunës./ Unë të flisja për fshatin tim / për fshatin tim në breg të Drinit./ Aty ku takohen Drini e Buna”.
Kur lumi është shndërruar në simbol të ndarjes në mes të njerëzve, të cilët mund të jenë të dashuruar në njëri tjetrin, poetët, këta apologjetë të përjetshëm të dashurisë, pikërisht nga dashuria i kanë ndërtuar urat, këto bashkuese të brigjeve të ndara të lumit. Në këtë kontekst na imponohet pohimi se në regjistrin leksikor të lidhur me leksemën ,,lum”, pos bregut ekziston edhe ura. Poeti kosovar Qerim Ujkani, poezinë e tij ,,Mitrovica e ndarë” e ka ndërtuar nga dy këngë, e para titullohet ,,Ura e Ibrit”, ndërsa e dyta ,,Baladë për urat”. Në këtë poezi, tragjikja mbështjell si lëvozhgë e padëshirueshme simbolikën e urës, duke krijuar mëdyshje të madhe për mundësinë e bashkimit të djaloshit dhe vashës, të dashuruar në njëri tjetrin... ,,Tek Urë e Ibrit djaloshi priste vashën / Priste e priste / Vetull e qepallë dashuria ndizte”. Mosardhja e vashës e ngrinte Ibrin, prandaj ,,Veriu s’e kishte Jugun / Jugu Veriun s’e kishte”, sepse ura është shndërruar nga objekt i bashkimit në mur ndarjeje, megjithatë logjika poetike e Qerim Ujkanit na pëshpërit bindshëm se dashuria njerëzore i mund të gjitha ndarjet, sepse kur urat i shndërrojnë në mur ndarjeje, dashuria bëhet urë, pjesë e së cilës bëhet edhe vet poeti...,,Dhe derisa shikoja djaloshin / Buzë lumit tërë mall / Atë vashë e dashurova edhe unë”.
,,Dashuria, na e thotë me zë nobelisti Oktavio Paz, është gjendje takimi dhe pjesëmarrjeje e përshtatshme për të gjithë njerëzit: në aktin e dashurisë vetëdija është si vala, e cila kur e tejkalon pengesën, para se të shuhet ngrihet në plotni”. Si duket në gurrën e këtij mendimi ka pirë edhe poeti Qerim Ujkani, i cili në poezinë e tij sugjeron urën e veçantë, të ndërtuar nga dashuria njerëzore. Kjo nënkupton arritjen në bregun tjetër, i cili sipas filozofisë budiste është mençuria më e madhe, që nënkupton në njëfarë forme një lëvizje nga vdekja në lindje. Bregu tjetër është brenda nesh, sikur na pëshpërit poeti, mësimin e marrë nga pararendësit e tij, megjithatë vetëm pjesërisht, sepse poetët janë të padëgjueshëm, qoftë edhe ndaj mësuesve të vet.

(Kjo ese u lexua në Manifestimin e eseistëve ballkanikë ,,Interfest ,,Viti i esesë” Strugë, 21-23. 6. 2007)