Letër intelektualit të shquar të kombit shqiptar, Flori Bruqi

http://www.albaniapress.com/lajme/20777/Leter-intelektualit-te-shquar-te-kombit-shqiptar-Flori-Bruqi.html


Me rastin e ribotimit më 03 janar 2015 në faqen internetike “Agjencioni Floripress”
të artikullit tim me titull:
“Ka ardhur koha të ringrihet Madhështia e Ortodoksisë Fanoliane”, botuar për herë të parë në faqen e internetit më 25 dhjetor 2014

I dashur Flori,

Shumë faleminderit për ribotimin e artikullit tim, të shoqëruar me reagimin e Profesor Vedat Shehut. Ky vit, i dashur Flori, është vit jubilar për disa figura të shquara të Ortodoksisë Shqiptare, si:

Fan Noli - 50-vjetori i vdekjes
Visarion Xhuvani - 50-vjetori i vdekjes
Koto Hoxhi -120-vjetori i vdekjes
Dhaskasl Todri - 210-vjetori i vdekjes
Papa Kristo Negovani - 110-vjetori i vrasjes barbare
Jani Vreto - 115-vjetori i vdekjes
Kostandin Kristoforidhi - 120-vjetori i vdekjes
Skënder Luarasi - 115-vjetori i lindjes
Aristidh Kola - 15-vjetori i vdekjes nga helmi

Normalisht, këta përvjetorë duhej të përkujtoheshin nga Kisha Ortodokse Fanoliane. Por kjo kishë nuk ekziston më, se atë Janullatosi e ka shndërruar në filial të kishës shoviniste greke dhe gjatë këtyre 23 vjetëve ai arriti ta zhdukë nga faqja e historisë së vendit tonë krejt trashëgiminë e Kishës Ortodokse Shqiptare Fanoliane dhe i vetmi shqetësim i tij kryesor, gjatë kësaj periudhe, ka qenë ngritja e kishave me simbolikë greke, ngritja e varrezave, e manastireve dhe e memorialeve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, organizimi madhështor i meshës në nderim të “Shën” Kozmait, armikut të betuar të gjuhës shqipe dhe të kombit shqiptar, organizimi i meshave në gjuhën greke. Mesha e Janullatosit në gjuhën greke më 01 qershor 2014 në katedralen ortodokse janullatiste në qendër të Tiranës, ishte një poshtërim i hapur që i bëhej veprës së Nolit të Madh, një konfirmim i hapur i shuarjes së traditës së ortodoksisë shqiptare dhe i pranimit hapur prej Janullatosit se nuk ekziston më Kishë Ortodokse Fanoliane, se ajo është shndërruar me kohë në filial të kishës shoviniste greke.
Dikur Noli i Madh pati parashikuar me dëshpërim:
“Pas vdekjes sime kishën do ta pushtojnë grekët”.
Këtë parashikim profetik të Nolit të Madh e bëri realitet pasardhësi i kriminelit Enver Hoxha, tradhtari Ramiz Alia, i cili, në takimin me kryeministrin grek, Micotaqisin, më 13 janar 1991, pranoi pushtimin e Kishës Fanoliane prej Kishës shoviniste greke dhe ardhjen a Janullatosit në krye të saj. Këtë realitet tragjik e ka pranuar klasa politike shqiptare që e ka tradhtuar veprën madhështore të Nolit me kontributin e jashtëzakonshëm që dha për pavarësimin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Në Shqipëri Janullatosi i ka vënë kryqin traditës së Ortodoksisë Shqiptare Fanoliane, ka hedhur vellon e zezë mbi figurat e shquara të Ortodoksisë Fanoliane dhe nderon plot madhështi armikun e tërbuar të gjuhës shqipe dhe të shqiptarisë, “Shën” Kozmain. Por, çuditërisht, për këto të vërteta tragjike, hesht klasa politike e Tiranës, heshtin mjetet e informimit masiv, heshtin pronarët e gazetave dhe të kanaleve televizive, heshtin moderatorët dhe analistët, heshtin gazetarët dhe publicistët, heshtin mbarë ortodoksët shqiptarë. Dhe heshtin se të gjithë i ka futur në thes Janullatosi. Se Janullatosi është shteti brenda shtetit. Madje shteti i Janullatosi është shumë më i fuqishëm se shteti i Tiranës zyrtare.
Deri kur kështu?!
Jam i bindur që, në nderim të figurave të lartpërmendura të Ortodoksisë Shqiptare, me rastin e përvjetorëve të tyre, Atë Nikolla Marku i Kishës Shën Maria në Elbasan, do të organizojë mesha festive gjatë vitit 2015.
Edhe një herë, i dashur Flori, pranoni falënderimet e mia të përzemërta dhe urimet më të mira me rastin e Vitit të Ri 2015.

Eshref Ymeri

San Diego, Kaliforni
03 janar 2015

Related Posts: