Shqetësimet emocionale që ndërlidhen me temën dhe motivin e caktuar, mjaft të ndjeshëm në këtë rast, kanë bërë që disa herë të ndikojnë dhe në njëfarë mase të diktojnë edhe ngjyrimin stilistikor të këtyre krijimeve letrare. Në këtë vëllim hasen poezi prej formave tradicionale, të shprehjeve më të drejtpërdrejta e deri te ato të ligjërimit poetik modern e postmodern, që shquhen për figuracionin e pasur, tekstin e kondensuar dhe mendimin e thellë. Në fakt kjo përmbledhje, që ka edhe karakterin e një antologjie, paraqet mundësinë për ta parë dhe përjetuar imazhin e Mitrovicës në krijimet letrare të autorëve shqiptarë
Ragip Sylaj
Shoqata e shkrimtarëve “Jakup Ceraja” , e cila rreth vetes grupon shkrimtarët mitrovicas, nxjerr edhe organin e saj, revistën letrare “Fjalë e Valë”. E veçanta e numrit më të ri të kësaj reviste (nr.24/2013) është se në të janë përmbledhur një numër i madh krijimesh, kryesisht poezi, por edhe proza e pjesë skenike, të autorëve të ndryshëm që i kushtohen Mitrovicës. Në fakt kjo përmbledhje që ka edhe karakterin e një antologjie paraqet mundësinë për ta parë dhe përjetuar imazhin i Mitrovicës në letrat shqipe. Në këtë numër të revistës që është titulluar “Poetët për Mitrovicën”, krijimet letrare të 55 autorëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze nga Riza Lahi.
Këtij numri i prin një fjalë e redaksisë, ndërsa më tej më tej renditen krijimet letrare që nga poeti më i moshuar, Jakup Ceraja (1937-2001) e deri te më i riu, Ramadan Islami. Ndërsa numri përmbyllet me një prozë të Riza Lahit. Mbresat e tyre, shqetësimet krijuese, imazhet dhe kujtimet e këngëtimet e tyre për Mitrovicën, përkatësisht “Trepçën”, ndër të tjerë, i sjellin këta krijues: Muhamed Kërveshi, Fahredin Gunga, Qerim Ujkani, Ejup Ceraja, Rrahman Dedaj, Rifat Ismaili, Behram Hoti, Adem Zejnullahu, Agim Vinca, Nexhat Halimi, Fazli Hajrizi, Visar Zhiti, Hydajet Hyseni, Sabit Idrizi, Agim Bajrami, Nexhat Rexha, Sabit Rrustemi, Miftar Kurti etj.
Mitrovica sot, siç thuhet në fjalën e redaksisë së kësaj reviste, është bërë sinonim i lirisë së munguar, i lirisë së paplotë për të gjithë banorët e saj liridashës. Lumi, ky burim jete e përjetësie, u kthye në kufi ndërmjet jetës dhe vdekjes, ndërmjet shpresës dhe zhgënjimit, ndërmjet ëndrrës dhe ankthit. Ura tani nuk duron të kalojë askush mbi shpinën e saj, përveç shikimeve dhe mallit për shtëpinë, për kopshtin, për shkollën, për fëmijërinë.
“Dhe tash këtu, në këtë qytet të ndarë e të plagosur, me shumë se për gjithçka tjetër kemi nevojë për një Kullë. Për një Kullë krejtësisht tjetër nga ajo e Babelit. Për një Kullë Mirëkuptimi, Kullë Tolerance, Kullë Ardhmërie... Me qëllim të vënies së një guri, sado të vogël, në themelet e kësaj Kulle, vendosëm që ky numër i revistës të jetë tematik, pra me poezi e krijime të tjera letrare kushtuar këtij qyteti halleshumë”, theksohet në fjalën e redaksisë së revistës letrare “Fjalë e Valë”, të cilën e drejton kryeredaktori i saj, Sabit Idrizi.
“S’më lë të dal tej Ure/ një sy i zi ciklopi”, (fq. 10), shfaq brengën Jakup Ceraja, ndërsa Muhamed Kërveshi thërret “të mos e lëmë më Mitrovicën tonë/ çerdhe të zbrazët në mendimet tona”, (fq. 19). Fahredin Gunga në përsiatjet e tij lirike thërret: “me vetëtimë mbi ty, kur nga vetja i liruar,/ desha prangash diellin për ta shpranguar” (fq.30), ndërkaq kolegu tjetër i tij Qerim Ujkani shpërfaq brengën dhe skepticizmin e tij poetik: “A do të thurim më legjenda për urat/ Apo do të shkruajmë elegji” (fq. 36). Rrahman Dedaj, duke evokuar mallin për urën, këndon: “Kemi kaluar nëpër këtë hark të jetës sonë/ Ndër hapa, hapi hapin duke e ndjekur/ Nder breza, brezi brezin duke ndjekur/ Dhe me mall, mallin e kemi pjekur”, (fq. 47), ndërkaq ky motiv nga Agim Vinca shpërfaqet me nota mllefi e proteste: “E Ibri i bardhë - gjarpër i zi/ Nën urën që ndan brigjet e tij” (fq. 112). Poeti Nexhat Halimi në vargjet e poezisë, “thekët e zjarrta të shokës”, sjell kujtesën historike, elemente etnologjike, përbërës që shenjëzojnë veçantinë e qenies sonë në rrjedhë të kohëve: “o zot sa i djegur kaçanolli i thanës/ në thekët e zjarrta të shokës së hasanit/ nga hy me kal\' në stan tërgun e gjelit të zi” (fq. 131). Veli Veliu, në vargjet e tij, shpreh habinë dhe në një farë mase edhe pakënaqësinë e dëshpërimin: Urë e dhembjes së re/ Në Agun e çlirimit!/ Ibër, ç\'ndodhi me ne,/ O lumë i pikëllimit!?” (fq. 227). Një poet tjetër, mallin dhe përgjëratën për qytetin e tij të rinisë, të dashurisë e të qëndresës, në poezinë me titull, “Si të shkoj në veri”, e shpërfaq në kë këso mënyre e trajte: “Atje kotet dashuria ime/ Atje bredh kujtimi im që s’thinjet/ Që nga koha që s’përmendeshin jug e veri/ Në Mitrovicë”.
Shqetësimet emocionale që ndërlidhen me temën dhe motivin e caktuar, mjaft të ndjeshëm në këtë rast, kanë bërë që disa herë të ndikojnë dhe në njëfarë mase të diktojnë edhe ngjyrimin stilistikor të këtyre krijimeve letrare. Në këtë vëllim hasen poezi prej formave tradicionale, të shprehjeve më të drejtpërdrejta e deri te ato të ligjërimit poetik modern e postmodern, që shquhen për figuracionin e pasur, tekstin e kondensuar dhe mendimin e thellë.
Revistën letrare “Fjalë e Valë” (“Poetët për Mitrovicën”) e botoi SHSHM “Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2013 dhe ka 300 faqe.