Gjuha e huaj ngadalëson plakjen e trurit

Të mësuarit e një gjuhe të huaj të dytë mund të ketë një efekt pozitiv në tru, edhe nëse kjo gjuhë mësohet në moshë madhore, sipas një studimi të Universitetit të Edinburghut.

Hulumtuesit zbuluan që leximi, rrjedhshmëria verbale dhe inteligjenca ishin përmirësuar sipas një studimi ku u testuan 262 njerëz. Një studim i mëparshëm sugjeroi se duke qenë dygjuhësh, mund të vonohet fillimi i krizave të çmendurisë për shumë vite.

Pyetja e madhe e këtij studimi ishte nëse mësimi i një gjuhe të re përmirësonte funksionet njohëse apo nëse individët me aftësi më të mira njohëse ishin më të prirur për t’u bërë dygjuhësh.
Për këtë Dr. Thomas Bak nga Universiteti i Edinburghut tha që e kishte gjetur përgjigjen.

 Duke përdorur të dhënat nga testet e inteligjencës mbi 262 individë të moshën 11 vjeç, studimi tregoi se si aftësitë e tyre njohëse kishin ndryshuar, kur ata ishin testuar përsëri në vitet shtatëdhjetë të tyre. Hulumtimi është kryer në mes të viteve 2008-2010.

Të gjithë pjesëmarrësit thanë se ishin të aftë të komunikonin në një gjuhë tjetër, përveç anglishtes. Efektet më të forta u panë në inteligjencën e përgjithshme dhe në lexim. Efektet ishin të pranishme si tek ata që e kishin mësuar gjuhën e dytë më herët gjithashtu dhe tek ata që e kishin mësuar më vonë në jetë.
 Dr Bak tha se modeli që ata gjetën ishte “kuptimplotë” dhe përmirësimet në vëmendje, në përqendrim dhe në rrjedhshmëri nuk mund të shpjegohen sipas inteligjencës origjinale. “Studimi ynë tregon që dygjuhësia, edhe nëse është e mësuar gjatë moshës madhore, ngadalëson plakjen e trurit”,-shpjegon Dr. Bak.

“Ky studim hap rrugën për studimet e ardhshme të dygjuhësisë dhe parandalimit të rënies së aftësive njohëse”,- tha Dr. Alvaro Pascual Leone,profesor në Universitetin e Mjekësisë të Harvardit në Boston.