Gjuha e folur sipas UNESCO-s futet në trashëgiminë shpirtërore.

Rami Memushaj
 Shkruan: Prof.Dr.Rami Memushaj-Kallarati



“Jo zyrtarizim të gegërishtes, do kemi dy gjuhë zyrtare”


Vitet e fundit çështja e statusit dhe e rolit të dialekteve ka ardhur duke zënë gjithnjë e më shumë vend në tubime gjuhësore dhe në shtypin e shkruar e elektronik. Së fundmi, mësojmë se edhe Ministria e Kulturës e ka përfshirë në programin e saj të ruajtjes së trashëgimisë kulturore edhe mbrojtjen e dialekteve.

Ruajtjes dhe lartësimit të dialekteve iu kushtua edhe një “workshop” (dmth. seminar), i organizuar nga “Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe e Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe” e kësaj ministrie, ku profesorë e akademikë folën për statusin e dialekteve në diktaturë e sot dhe për rolin e tyre si burim i pasurimit të gjuhës standarde.

Para se të shqiptohemi për “rijetësimin e gjuhës shqipe”, mendojmë se, për ata që nuk kanë shkollim filologjik, do sqaruar kuptimi i fjalës “dialekt” dhe për këtë po sjellim shpjegimet që ka dhënë para 100 vjetësh gjuhëtari austriak Maksimilian Lamberc. I thirrur në Shkodër për të ndihmuar Komisinë Letrare në zgjedhjen e dialektit që do të merrej si bazë e gjuhës së shkruar, ai, në përfundim të një udhëtimi studimor 45-ditësh nga Shkodra në Berat, mbajti para anëtarëve të Komisisë një raport, në të cilin, ndër të tjera, thuhet:

“Dija e gjuhsís, për me mujtë e me sjellë pak rregullim në ndryshimin e djalektavet shqip âsht msue me përdorue fjalen “gegnisht” e “tosknisht”. Këta skàje deri në nji farë lloj gradi i përgjigjen së drejtës, mbassi të gjithë djalektet, qi janë nga veriu i lumit të Shkumbit, qi thirren gegnishte, në nji farë pikëpamje fonetike me rândësi bâjnë nji ndryshim me djalektat e Shqipnís Jugore, qi thirren nden emnin tosknisht…

Vetem mbas dijes së gjuhësís nisën edhe këta skàje me u përhapë edhe në jetën praktike, shqiptarët e jugës me u thirrë “toskë” e ata të veriut “gegë… Këto zhvillime tregojnë, se fjalët “Gegë” e “Toskë”, “gegnisht” e “tosknisht” mbas kuptimit qi kanë sot, nuk janë tjetër veç se fjalë ndihme për dijen e gjuhsís. Të tilla fjalë ndihme natyrisht kanë një vlerë të madhe praktike edhe kanë me u mbajtun e duhen me u mbajtun.

Veç se kur të përdoren, duhet me e dijtë qarisht, se këto nuk diftojnë nji kundërshtim të jetës së vërtetë, veç se dija e gjuhsís i përdoron me qellim qi, të munt të sjelli nji farë rregullimi ndë ket chaos të ndryshueshëm mbi thëmel të disa veçorinave të posaçme…” (Laimet e Komisís Letrare shqipe në Shkodër, Kallënduer 1918, nr. 1, f. 32; nr. 2, f. 43).

Ky gjuhëtar, që ndoshta nuk i kishte rënë në dorë “Kursi i gjuhësisë së përgjithshme” (1916) i F. dë Sosyrit (ku babai i gjuhësisë moderne thotë se “ka vetëm tipare dialektore natyrore, po nuk ka dialekte natyrore”), shpjegon se “gegnisht” e “tosknisht” “nuk janë tjetër veç se fjalë ndihme për dijen e gjuhsís”.

Për më tepër, ai flet për “djalektat e Krues, të Tiranës, të Durrsit, të Kavajës, të Peqinit, t’ Elbassanit e të Çermenikës” dhe “të Beratit, të Korçës, të Gjirokastrës, të Frasherit, të Himarës…”, duke e shtrirë përdorimin e këtij termi edhe për të folmet krahinore, pra në një kuptim më të gjerë nga ç’pandehet prej shumëkujt.

Madje, përmbajtja e termit ‘dialekt’ është edhe më e gjerë. Në të përfshihen, së pari, të folmet territoriale të një qyteti a fshati (ose të disa fshatrave) me popullsi homogjene, të cilat janë sisteme gjuhësore reale; së dyti, të folmet sociale – sociolektet, zhargonet, argotë – që janë edhe këto reale, sepse fliten nga grupe shoqërore; së treti, variantet letrare që janë përdorur para se t’ua zinte vendin gjuha standarde, si variantet letrare arbëreshe, toskërishtja letrare, shkodranishtja letrare, elbasanishtja letrare dhe letrarishtja e Kosovë-Maqedonisë e përdorur deri më 1967–68.

 Më në fund, nën këtë term përfshihen edhe të folmet krahinore, nëndialektet dhe dialektet, të cilat janë konstrukte të gjuhëtarëve, “fjalë ndihme për dijen e gjuhsís”, sikundër thotë Lamberci. Asnjë nuk flet, për shembull, në një toskërishte a gegërishte të përbashkët, as në një nëndialekt toskë a gegë, as në një të folme krahinore të Jugut apo të Veriut, po në një të folme të caktuar, p.sh. të qytetit të Tiranës, të qytetit të Shkodrës, të qytetit të Gjirokastrës, të fshatrave të Hotit, të Himarës etj.

Në ditët tona, variante reale të gjuhës shqipe janë gjuha standarde dhe të folmet vendore. Gjuha standarde (ndryshe gjuha letrare kombëtare) funksionon si një makrosistem me norma të caktuara në të gjitha sistemet dhe përdoret në shkallë kombëtare në të shkruar e në të folur, kurse të folmet vendore janë mikrosisteme që përdoren vetëm në të folur.

Pikërisht, kjo pamje reale e situatës gjuhësore në hapësirat që mbulon shqipja duhet mbajtur mirë parasysh kur shtrohen alternativa të tilla, si: “vetëm gjuhë standarde apo gjuhë standarde dhe dialekt në shkollë?”, kur kërkohet demokratizimi i gjuhës “nëpërmjet zyrtarizimit të dialekteve dhe të nëndialekteve” dhe hartim “tekstesh administrative në nivel komune ose bashkie”(!) etj.

Kur dëgjon të nyjëtohen kërkesa të tilla jo nga njerëz sidokudo, po nga akademikë e profesorë, të lindin vetvetiu një varg pyetjesh: Do të bëhet dialektologji edhe në shkollën 9-vjeçare e të mesme? Çfarë duhet zyrtarizuar: variantet e mëparshme letrare, dy dialektet dhe gjashtë-shtatë nëndialektet? Nëse nxënësit që “gojarisht shprehet në dialekt”, nuk i duhet kërkuar të shkruajë në gjuhën zyrtare, atëherë ç’është nevoja e mësimit të gjuhës shqipe në shkollë?

Në një kohë kur është nyjëtuar publikisht shqetësimi intelektual për mungesën e kujdesit të shtetit ndaj gjuhës standarde, në këtë lëvizje që lartëson dialektet, janë aktivizuar institucione qeveritare, akademikë e profesorë, disa syresh edhe anëtarë të Këshillit Ndërakademik. Kthimi i vëmendjes nga dialektet e të folmet, duke mobilizuar për këtë qëllim edhe një drejtori të posaçme, i bën dëm jo vetëm prestigjit tonë si komb.

 Në thelb, secila nga kërkesat e nyjëtuara në “workshop-in” në fjalë përbën një kthim prapa, humbje të panevojshme energjish intelektuale dhe çarje të njësisë kombëtare. Pyetjes për mundësinë e “rikthimit të gegërishtes në formatin e saj zyrtar” gjuhëtari arbëresh Françesko Altimari i është përgjigjur se “nuk më duket e logjikshme, as e volitshme të kthehemi tek ‘kafazet’ e vjetra gjuhësore-krahinore të shqipes”.

Kjo lëvizje e dyshimtë shpallet si përmbushje e detyrimeve që burojnë nga Konventa e UNESKO-s për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale (2003), e cila merr në ‘ruajtje’ “traditat dhe shprehjet gojore, përfshirë këtu edhe gjuhën si vektor i trashëgimisë kulturore jomateriale”, nëpërmjet masave “që synojnë jetëgjatësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, përfshirë këtu identifikimin, dokumentimin, kërkimin, ruajtjen, mbrojtjen, nxitjen, vlerësimin, përcjelljen, kryesisht përmes edukimit formal dhe joformal, si dhe rigjallërimin e aspekteve të ndryshme të kësaj trashëgimie” (Neni 2, pika 2 dhe 3).

Ajo që na tërheq vëmendjen në emërtimin e Drejtorisë së Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe, është, së pari, termi ‘rijetëzim’, një kalk i ang. revitalization, që ka si sinonim language revival “ringjallje e gjuhës”. Me ‘rijetëzim”, në literaturë kuptohet “përpjekja e palëve të interesuara për të ndaluar ose kthyer mbrapsht rënien e një gjuhe ose për të ngjallur një gjuhë të vdekur”.

 Pra, ruajtje e një gjuhe që flitet vetëm nga brezi i vjetër ose që nuk flitet më. Por cilat janë në Shqipëri gjuhët që fliten vetëm nga brezi i vjetër dhe ato që nuk fliten më? Në Atlasin e UNESKO-s të gjuhëve në rrezik (Atlas of the World’s Languages in Danger, UNESCO, 2011), si gjuhë të rrezikuara të Shqipërisë përmenden arumanishtja, gjuha rome, judaishtja (të tria të rrezikuara përfundimisht: fëmijët nuk i mësojnë më në familje si gjuhë amtare) dhe gjuha gorani (e pambrojtur: e flasin shumica e fëmijëve, por vetëm në familje).

Por “workshop-i” i organizuar nga Ministria e Kulturës nuk kishte si objekt asnjë nga këto gjuhë të rrezikuara të Shqipërisë. Njoftimi i gazetave ishte se “Ministria e Kulturës merr në mbrojtje dialektet, e kërkoi UNESCO që në 2003”. Po cilat dialekte do të “rijetëzojë”, dmth. do të ngjallë kjo Drejtori?

Drejtorja e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor, Zh. S. Harasani, në deklarimin e saj për shtypin nuk është e qartë. Ajo citohet të ketë thënë: “Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe e Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe është krijuar për forume, për format e gjuhës së folur, sepse gjuha e folur sipas UNESCO-s futet në trashëgiminë shpirtërore.

” Dhe më tej: “Kur themi rijetëzim i gjuhës shqipe, kjo për të parë dhe mbrojtur të gjithë format e saj. Këtu nuk flasim për dëmtimet që mund t’i bëhen shqipes standarde, por për dialektet e gjuhës, shprehive në gjuhë, kësaj pasurie të madhe.”

Mbetet të dimë se ç’kupton me dialekt drejtorja dhe drejtoria që do t’i rijetëzojë ato. Në faqen e internetit të ministrisë nuk kemi mundur të gjejmë të dhëna për projektin e miratuar dhe se çfarë synohet të “rijetësohet”.

 Në bazë të përkufizimit të Konventës së UNESKO-s, kandidatë për t’u rijetëzuar janë variantet e shkruara të shqipes, që sot nuk përdoren më – shkodranishtja letrare, elbasanishtja letrare, toskërishtja letrare dhe kosovarishtja letrare – dhe të folmet e fshatrave të braktisura. Por këto të fundit nuk mund të ngjallen, sepse folësit e tyre i kanë lënë vendbanimet.

Nga leximi i komenteve, intervistave dhe i kumtesave të botuara na rezulton se në “workshop” nuk u kërkua “rijetësim”, ngjallje e varianteve letrare të vdekura, po krijim variantesh të reja të gjuhës.

Sepse zyrtarizim i dialekteve dhe i nëndialekteve do të thotë standardizim i gegërishtes, ndryshe krijim edhe i një gjuhe tjetër zyrtare; po u zyrtarizuan edhe nëndialektet, sikundër u kërkua nga një akademik që foli për demokratizim të edukimit “nëpërmjet zyrtarizimit të dialekteve dhe nëndialekteve”, atëherë i bie që në hapësirat që mbulon shqipja, të kemi 8-9 gjuhë zyrtare!

Duke mos u marrë më tej me propozime të tilla çoroditëse dhe shumë të dëmshme, ajo që duam të themi në mbyllje të këtij shkrimi, është se politikat gjuhësore të qeverisë duhen ndërtuar në këshillim të ngushtë dhe me ndihmën e institucioneve gjuhësore, të cilat e njohin mirë gjendjen gjuhësore të vendit, për shkak se detyra e tyre është pikërisht studimi i gjuhës në të gjitha format dhe shfaqjet e saj.

Këto institucione, veçanërisht dialektologët e tyre, kanë bërë një punë të shkëlqyer për studimin e të folmeve të shqipes, me mbledhjen e një materiali të pasur leksikor dhe krijimin e bankës zanore të ligjërimeve vendore, kanë botuar punime e monografi, duke e kurorëzuar këtë punë me botimin e “Atlasit dialektologjik”, një nga veprat madhore të gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX.

 E gjithë kjo punë e kryer e bën të pavërtetë pohimin e znj. Harasani se “nuk ka pasur sa duhet studime dhe botime” për dialektet. Për sa i përket pohimit se “deri më sot gjuha shqipe e folur, ajo e dialekteve ka qenë e pambrojtur”, mbetet të shohim se si do t’i mbrojë dialektet Ministria e Kulturës.
Gjithsesi, ajo që duhet pasur parasysh, është se të folmet janë kategori historike. Ndryshimet demografike që kanë ndodhur e do të ndodhin në të ardhmen, do ta prishin karakterin homogjen të trevave të caktuara, gjë që do të sjellë edhe ndryshime në hartën dialektore të shqipes. Po studimin e këtyre zhvillimeve dhe pasurimin e bankës zanore me material gojor nga të folmet nuk mund ta bëjnë shoqata dhe amatorë.

 Për këtë, së pari, duhet “rijetësuar” departamenti i dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë. Pastaj këtij dhe departamenteve universitare të gjuhës shqipe u duhen dhënë fonde për kërkime në terren dhe për rifreskimin e bankës zanore me regjistrime të reja. Këto janë punë që mund t’i kryejnë vetëm studiuesit e shqipes, në radhë të parë dialektologët. Nismat e projektet që vijnë nga njerëz jashtë profilit, edhe po të mos bëhen për qëllime fitimi, më shumë prishin sesa ndreqin punë.

*****

Biografia:
Rami Memushaj-Kallarati ,është lindur në Kallarat të rrethit të Vlorës më 28 shkurt 1943. Katër klasat e para të 7-vjeçares i ka kryer në vendlindje, klasën e pestë dhe të gjashtë në shkollën 7-vjeçare "1 Maj" në Skelë të Vlorës dhe të shtatën në Vranisht. Studimet e mesme i ka bërë në Vlorë, në shkollën pedagogjike "Jani Minga" gjatë viteve 1957–1961, kurse të lartat në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Universitetit të Tiranës gjatë periudhës 1964–1968.



Gjatë viteve 1961–1964 ka punuar si arsimtar në rrethin e Vlorës, dy vitet e para si mësues matematike në Gjorm e Vranisht dhe vitin e fundit si drejtor i shkollës 7–vjeçare në Bolenë. Pas diplomimit në shkollën e lartë, ka punuar përsëri në rrethin e Vlorës si drejtor shkolle fillimisht në fshatin Vajzë (1969–1971), pastaj në Vranisht (1971–1973) dhe në Llakatund (1973–1974). Prej vitit 1974 e deri sot punon si pedagog pranë katedrës së gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Përveç mësimdhënies në degën e gjuhës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe, ka mbuluar disa lëndë gjuhësore, është marrë edhe me veprimtari kërkimore në fushën e gjuhësisë. Fryt i kësaj pune janë një varg botimesh, monografi e tekste mësimore universitare e për shkollën e mesme, si dhe artikuj gjuhësorë e shkrime në shtypin shkencor dhe në shtypin e përditshëm. Veç fushës së gjuhësisë, e kanë tërhequr edhe çështje të historisë së krahinës së Labërisë dhe të Kurveleshit.

e-mail: rmemushaj43@hotmail.com

Web Page: http://www.ramimemushaj.com/

Gjuhë të huaja

•anglishte, rusishte, italishte, rumanishte, frëngjishte; latinishte, kinezishte (njohuri elementare)

Grada dhe tituj shkencorë

•Profesor doktor (2004)

•Profesor i asociuar (1995)

•Doktor i shkencave (1994)

•Kandidat i shkencave filologjike (1985)

Kualifikime shkencore

•Bursë njëmujore në kuadrin e programit TEMPUS, Universiteti i Bremenit, Gjermani (nëntor–dhjetor 1995).

•Bursë tremujore për kërkime gjuhësore dhënë nga Komuniteti Europian Universiteti i Roskildes, Danimarkë (korrik 1993–shtator 1993).

•Bursë tetëmujore "Fullbrajt" për kërkime gjuhësore, Universiteti i Berklit (Kaliforni), ShBA (shtator 1992–maj 1993).

•I ftuar në kursin veror njëmujor të gjuhës dhe të letërsisë rumune, Universiteti i Bukureshtit (23 korrik–21 gusht 1992).

Karriera profesionale

•Pedagog në Departamentin e Gjuhës Shqipe, UT, (2001~)

•Lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos (qershor 1998 – nëntor 2000).

•Pedagog në Departamentin e Gjuhës Shqipe, UT (1993–1998).

•Lektor i gjuhës shqipe pranë katedrës së gjuhës shqipe të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Kinë (tetor 1989–korrik 1991).

•Pedagog në katedrën e gjuhës shqipe, USHT (1974–1989).

•Drejtor shkollash 8–vjeçare dhe i shkollës së mesme të Llakatundit, Vlorë (1969–1974).

•Mësues dhe drejtor në shkolla 7–vjeçare të rrethit të Vlorës (1961–1964).

Vlerësime profesionale

•"Ekspert i huaj i dalluar", Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit (1991).

•Urdhri "Naim Frashëri" i Klasit III, Universiteti i Tiranës (1989).

•Medalja "Naim Frashëri", Vlorë (1970).

•Bursa "Naim Frashëri" për rezultate të shkëlqyera (1965–1967).

Detyra të ngarkuara

•Anëtar i këshillit të Fakultetit (1993–1997, 2003–2007).

•Përgjegjës i seksionit të shqipes së sotme në Departamentin e gjuhës shqipe (2001-2007).

•Sekretar kolegjiumi i redaksisë së revistës "Studime albanologjike" (1996–1998).

•Përgjegjës i Departamentit të Gjuhës Shqipe (1993–1997).

•Anëtar i senatit të UT (1996–1997).

•Redaktor (kryeredaktor prej 2003) i revistës "Studime albanologjike" (1996–2004).

•Anëtar i redaksisë së revistës "Gjuha jonë" (1995–1998).

Botime dhe veprimtari shkencore

1. Libra

•Fonetika e shqipes standarde, Tiranë, 2009.

•Bukuria e gjuhës III, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2009.

•Bukuria e gjuhës II, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2008.

•Bukuria e gjuhës I, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2007.

•Himara, Tirana, 2004.

•Histori e Kurveleshit, I, Tiranë, 2004.

•Teste gjuhësore, Vlorë, 2003 (me bashkautorësi).

•Gjuhësia gjenerative, Tiranë, 2003, 2008 (e ripunuar).

•Shqipja standarde, Tiranë, 2002, 2004, 2005, 2006, 2008.

•Hyrje në gjuhësi, Tiranë, 2002, 2004, 2006, 2008.

•Hyrje në gjuhësi, 1986, 1990, Tiranë (bashkautor).

•Morfonologji e eptimit të gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1989.

2. Artikuj

•Veçori të fazës së parë të planifikimit gjuhësor të shqipes, në përmbledhjen "Kongresi i Manastirit", botuar nga Universiteti i Mynihut, Gjermani, 2009.

•Konflikti nacionizëm – nacionalizëm në gjuhë dhe Konsulta e Prishtinës (botuar në përmbledhjen "Konsulta e Prishtinës 40 vjet", Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2008.

•Gabim historik apo zgjidhje historike?, gazeta "Shekulli", 20 dhjetor 2008.

•Zëri i mjeshtrit (rreth veprës "Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët" (2008) të prof. Shaban Demirajt), gazeta "Shqip", 4 korrik, 2008.

•Theksi i fjalës në gjuhën shqipe, Studime albanologjike, I, 2008, f. 37–49.

•Tri koncepte themelore të sintaksës moderne, Studime filologjike, nr. 3–4, 2007.

•Çështje të normës morfologjike në fjalorët shpjegues të shqipes, "Studime Filologjike, nr. 1–2, 2007.

•Periudha e Tanzimatit në këngët popullore, gazeta "Ndryshe", 21 June, 2007.

•Ballkani: dy modele politikash gjuhësore, gazeta "Shekulli", 11–12 May 2007.

•Oreksi grek: nga Vorio Epiri tek Epiri, gazeta "Ndryshe", 6 mars 2007.

•Religjioni si tipar identifikues, gazeta "Shekulli", 3–4 qershor, 2006.

•The Binary features of the Albanian Sound Segments, në "Proceedings of the Fifth International Conference 'Formal Approaches to South Slavic and Balkan Languages', 18–20 October 2006", Sofia, 2006, pp. 213–223.

•The Albanian legislation on linguistic rights of minorities, Studia albanica, XXXIX année, 2006

•The first Congress Phenomenon: the case of Albanian, International Journal of Sociology of Language, 178, Mouton de Gruyter. Berlin . New York, 2006, pp. 113–127. (shih edhe: Studia albanica , XXXVIIe année, 2004, Academie des Sciences d'Albanie, pp. 14–28.

•Rreth orientimit teorik të gjuhësisë shqiptare, në "Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare", 24/1, Prishtinë, 2005, f. 283–295.

•Tiparet binare të fonemave të shqipes standarde, Studime filologjike, nr. 3–4, 2005, f. 42–63.

•Patronimia e Himarës, në përmbledhjen "Himara në shekuj", Tiranë, 2004, f. 293–319.

•Diftongjet e shqipes standarde, në "Eqrem Çabej dhe kultura shqiptare", Tiranë, 2004, f. 233–244.

•Rreth hipotezës së prejardhjes Lab–Labëri nga Arbër–Arbëri, në "Cinque secoli di cultura Albanese in Sicilia", a cura di Matteo Mandalà, Palermo, 2003, pp. 443–456.

•Për një ndarje tjetër në klasa të foljeve të shqipes, Studime filologjike, 2003, nr. 1, f. 41–62.

•Planifikimi i statusit të shqipes standarde, Gjuha jonë, 2002, 3–4, f. 56–61; edhe në "Konferenca shkencore "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot", Tiranë, 2003, f. 131–136.

•Kongresi i parë i gjuhës shqipe, në përmbledhjen "Studi in onore di A. Guxeta", a cura di Francesca di Miceli e Matteo Mandalà, Palermo, 2002, p. 297–307.

•Mbi statusin e shqipes dhe të shqiptarëve në Maqedoni, Studime albanologjike, 2001, nr. 7, f. 109–126.

•Legjislacioni shqiptar për gjuhët e pakicave, Studime universitare 5, Universiteti i Gjirokastrës "Eqrem Çabej, Gjirokastër, 2001, p. 29–53.

•Lidhjet tradicionale të Kurveleshit me Vlorën, në "Konferenca shkencore "Vlora në rrjedhën e Kohës", Botimet TOENA, Tiranë, 2001, f. 83–93.

•Shkolla dhe shqipja letrare (me bashkautorësi), në përmbledhjen "25–vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit 1972–1997", Shtëpia Botuese "Shkenca", Tiranë, 2000, f. 65–75.

•Tipare morfonologjike të përbashkëta të shqipes dhe të rumanishtes, Studime albanologjike, 2000, nr. 6, f. 18–26.

•Shqipja në kontakt dhe çështje të politikave gjuhësore, në "Studi in onore di Luigi Marlekaj", a cura di Matteo Mandalà, Adriatica Editrice, Bari, 1999, p. 341–362.

•Planifikimi si element i strategjisë kombëtare, STUDIME 4, 1997, Akademia e Shkencave e Kosovës, Prishtinë, 1998, f. 283–300.

•Shekulli 21, Studime albanologjike, 1997, 3. f. 190–194.

•Një vështrim mbi dygjuhësinë në Shqipëri), Gutenberg, Athens, 1997, p. 203–212.

•Vështrim mbi dygjuhësinë në Shqipëri, Studime albanologjike, 1997, II, nr. 4, f. 98–109.

•Lëvizjet në sistemin foljor, Studime Albanologjike, 1996, Nr. 2, f. 143–1155. Planifikimi gjuhësor si objekt i sociolinguistikës, Studime albanologjike, 1996, Nr. 1, f. 59–84.

•Konsulta e Prishtinës e 1968–ës dhe shqipja standarde, AKS, 26.8.1995.

•Kujdesi për gjuhën standarde – detyrë urdhëruese, AKS, 23.12.1995.

•Romani "Lumi i vdekur" i Jakov Xoxes, Dongou (revista "Europa Lindore"), Beijing, 1991, 3.

•Vështrim mbi letërsinë shqiptare të periudhës së Pavarësisë (1912–1938), Dongou, (revista "Europa Lindore"), Beijing, 1991, 2.

•Vështrim mbi letërsinë shqiptare të viteve 1960–1980, Dongou (revista "Europa Lindore"), Beijing, 1990, 4.

•Shkronja e madhe në emërtimet gjeografike, Gjuha jonë, 1989, 1, f. 72–78.

•Sh. Demiraj, "Gramatikë historike e gjuhës shqipe" (1986), Gjuha jonë, 1988, 3, f. 94–100.

•Përruan apo përroin, babanë apo babain?, Gjuha jonë, 1987, 1, f. 73–76.

•Rreth foljeve me temë të zgjeruar më –as, Studime filologjike, 1987, 2, f. 27–35.

•Mbi pikësimin e ligjëratës së drejtë, Gjuha jonë, 1986, 1, f. 60–68.

•Vendi i drejtshkrimit dhe i drejtshqiptimit në normat e gjuhës letrare, Gjuha jonë, 1984, 1, f. 52–57.

•Vepra "Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë" dhe ndikimi i saj në zhvillimin e gjuhësisë sovjetike, Gjuha shqipe dhe letërsia në shkollë, 8, 1983, f. 84–99.

•Këmbimet si objekt i morfonologjisë, Studime filologjike, 1983, 4, f. 91–105.

• Rreth pikësimit të disa ndërtimeve, Gjuha jonë, 1982, 1, f. 71–78.

•Rregullat e pikësimit në gjuhën letrare shqipe, Studime filologjike, 1981, 4, f. 219–229.

•Dodi, F. Agalliu etj., Libri i gjuhës shqipe për klasën V, recension në "Tekstet e reja në shkollë", 3, 1972.

3. Leksione dhe kumtime në Konferenca e sesione shkencore

• Ndihmesa të prof. Shaban Demirajt për lirësinë e Epirit, mbajtur në Konferencën shkencore kushtuar 90-vjetorit të tij të lindjes, Vlorë, maj 2009.

•Veçori të fazës së parë të planifikimit gjuhësor të shqipes, mbajtur në Konferencën Shkencore "Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe", Tiranë, nëntor 2008.

•Planifikimi gjuhësor: nga Konsulta e Prishtinës te Kongresi i Drejtshkrimit, në Simpoziumin "Der Kongress von Manastir" 7–8 November 2008, Universiteti i Mynihut.

•Tri koncepte themelore të sintaksës moderne, mbajtur në konferencën shkencore të mbajtur në Ohër, shtator 2008.

•E folmja e Himarës si një nga idiomat labe, kumtesë e mbajtur në Simpoziumin "Identiteti dhe integrimi shqiptar në epokën e globalizmit", Tiranë, shtator 2008.

•Theksi i fjalës në gjuhën shqipe, mbajtur në sesionin shkencor kushtuar 100-vjetorit të lindjes së prof. Eqrem Çabejt, korrik 2008.

•Konflikti nacionizëm – nacionalizëm në gjuhë dhe Konsulta e Prishtinës, në sesionin shkencor "Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968)", 22 prill 2008

•1. Theksi i fjalës në gjuhën shqipe; 2. Dukuria e Kongresit të Parë; 3. Planifikimi gjuhësor i shqipes, Universiteti i Mynihut, dhjetor, 2007.

•Binary features of the standard Albanian (kumtim i mbajtur në Konferencën V Ndërkombëtare "Formal Approaches to South Slavic and Balkan Languages", Sofia), tetor 2006.

•Ballkani: dy modele të planifikimit gjuhësor (kumtesë në Seminarin XXV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe kulturën Shqiptare", Prishtinë), gusht 2006.

•What kind of phonological binary features for the Standard Albanian (kumtim i mbajtur në Simpoziumin "Contemporary Approaches to Albanian", Osnabrück, Gjermani), shtator 2004.

•Diftongjet e shqipes standarde (kumtim në sesionin shkencor "Eqrem Çabej and the Albanian Culture", Gjirkokastër), 2003.

•Rreth hipotezës së prejardhjes së Lab/Labëri nga Arbër/Arbëri (kumtim në "Atti del XXVIII Congresso Internazionale di Studi Albanesi", Palermo), maj 2002.

•Për një grupim të foljeve në klasa (kumtesë në Seminarin XXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe kulturën Shqiptare", Prishtinë), gusht 2002.

•Planifikimi i statusit të shqipes standarde (kumtesë në Konferencën "The Standard Albanian and the Albanian Society"), November 2002.

•Legjislacioni shqiptar për gjuhët e pakicave (kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor "Probleme të dygjuhësisë në pakicat kombëtare", Gjirokastër), tetor 2001.

•Konflikti midis nacionizmit dhe nacionalizmit–faktori që shpuri në standardizimin e shqipes (kumtesë e mbajtur në Konferencën kushtuar 100–vjetorit të Kongresit të Ungrës, Universiteti i Kozencës, 1997.

•Roli i shkollës në përvetësimin e normave të gjuhës standarde (kumtim në konferencën kushtuar 25–vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Tiranë), nëntor 1997.

•A survey of Bilingualism in Albania (kumtim në Kongresin I Ndërballkanik "Intercultural Communication and Education", Universiteti i Patras, Greqi), maj 1996.

•Common features of Albanian and Romanian in Morphonology (kumtim në "Tryezën e rrumbullakët për lidhjet gjuhësore shqiptaro–rumune", universiteti i Jashit, Rumani), nëntor 1996.

•Planifikimi gjuhësor si objekt i sociolinguistikës (referat në Simpoziumin për sociolinguistikën, mbajtur në Fakulteti n e Historisë dhe të Filologjisë), prill 1996.

•On the Standardization of the Albanian Language (leksion i mbajtur në Departamentin e Gjuhës dhe të Kulturës të Universitetit të Bremenit, Germany), nëntor 1995.

•The place of Albanian among i.e. and Balkan languages (leksion i mbajtur në Departamentin e Gjuhës dhe të Kulturës të Universitetit të Berklit, Kaliforni), mars 1993.

•The Morphology of Albanian: achievements and problems (leksion i mbajtur në Departamentin e Gjuhëve Sllave të Universitetit Chapel Hill, Karolina e Veriut), prill 1993.

•Albanian as an i.e. language (leksion i mbajtur në Departamentin e Gjuhëve Sllave të Universitetit të Aarhus–it, Danimarkë), shtator 1993.

•Fenomene morfonologice in limbile albaneza, romana si germana (leksion i mbajtur në Kurset e Verës të Gjuhës dhe Letërsisë Rumune, Sinaia, Rumani), gusht 1992.

•Koncepte bazë të teorisë së morfemës (kumtesë e mbajtur në sesionin e gjuhës të Katedrës së gjuhës shqipe), 1987.

•Shkaqet e ndërrimeve të eptimit në shqipe (kumtesë e mbajtur në sesionin e gjuhës të Katedrës së gjuhës shqipe), 1986.

•Përruan apo përroin, babanë apo babain?, Gjuha jonë, 1984, 1.

•Vepra "Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë" dhe ndikimi i saj në zhvillimin e gjuhësisë sovjetike (kumtesë në sesionin kushtuar 30–vjetorit të vdekjes së J. V. Stalinit), mars 1983.

Veprimtari të tjera

•Botime në shtypin e përditshëm për çështje të gjuhës.

•Leksione në seminaret për kualifikimin e mësuesve.

•Leksione dhe biseda në radio e televizion për çështje të gjuhës etj.

Organizim tubimesh shkencore e përkujtimore

•Simpozium për sociolinguistikën (UT, 1996)

•Ideues e bashkorganizues i sesionit shkencor «Legjislacioni shqiptar për gjuhët e pakicave» (Gjirokastër, 2001)

•Sesion shkencor për 75-vjetorin e prof. Shaban Demirajt

•Veprimtari përkujtimore për Stefan Priftin (1996) dhe për Fatmir Agalliun (2003)

•Veprimtari kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Noam Çomskit:

– Diskutimi i librit "Sintaksa e gjuhës shqipe" të Th. Dhimës (prill 2007)

–Paraqitje e 4 librave të fushës së gjuhësisë gjenrative dhe të përgjithshme (prill 2008)

–Botimi i një përmbledhjeje me studime gjenerative për shqipen (dhjetor 2008)

–Tubim për pqaraqitjen e përmbledhjes dhe 80-vjetorit të lindjes së N. Çomskit (8 dhjetor 2008)

Përgatiti:Flori Bruqi