Në Tetor 1954 Ernest Hemingway-t iu dha Çmimi Nobel për Letërsinë, por gjërat nuk shkuan për të si për çdo shkrimtar tjetër. Së pari, ai u tha gazetarëve se Carl Sandberg, Isak Dinesen dhe Bernard Berenson e meritonin çmimin më tepër se ai, por se atij do i bënin punë paratë e çmimit; pastaj i zhytur në depresion dhe në rrugën e gjatë të shërimit prej dy aksidenteve ajrore, që për pak i morën jetën, vendosi të mos udhëtonte për në Stockholm dhe i kërkoi John Cabot-it, Ambasadorit të ShBA-ve në atë kohë në Suedi, të lexonte fjalimin, të cilin më vonë e inçizoi.
Fjalimi i Hemingway-t për çmimin Nobel sa përçon estetikën e tij krijuese, aq edhe ngjan me atë vetë si njeri: i thukët në mendime, sentimental për nga karakteri, karizmatik, i nxituar dhe i paqëndrueshëm. Por plot stil: si në jetë ashtu edhe në krijimtari!
Askush nuk dyshon për aftësitë e tij si romancier tek: “Dhe dielli lind përsëri, “Për kë bie këmbana” (ajo mund të bjerë edhe për ty! -shkruan Hemingway), novela shumë e njohur “Plaku dhe deti”, por mjeshtëria e tij e vërtetë janë tregimet e shkurtra.
“Kampi indian”, “Lumturia e shkurtër e Frensis Mekomberit”- tregimi që përshkruan hap pas hapi “shkëlqimin dhe rënien” e një njeriu si Frensis; “Kodrat si elefant të bardhë”, “Macja në shi”- gjithçka sillet rreth një maceje të zeze dhe një çifti amerikan, në dukje pa probleme në një tregim prej vetëm tetë faqesh, “Dëborat e Kilimanxhros”, ku vdekja merr formë; Hemingway është mjeshtër kur vjen fjala për portretizimin e vdekjes.
Ernest Hemingway-t iu akordua çmimi Nobel nga Antarët e Akademisë Suedeze me motivacionin: “për syrin e mprehtë me të cilin ka vëzhguar, dhe për pasojë ka interpretuar ekzistencën njerëzore të kohës sonë të turbulluar; gjithashtu për përmbajten e admirueshme me të cilën ka përshkruar të vërtetën e zhveshur. Problemet njerëzore që ka trajtuar, na prekin të gjithve që jetojmë në kushtet e konfuzionit të jetës moderne, dhe pak autorë kanë ushtruar ndikim kaq të madh në letërsinë bashkëkohore në të gjitha vendet.”
Më poshtë është fjalimi, në të cilin shkrimtari thekson rëndësinë e të punuarit dhe të qenurit vetëm. Vetmia është “detaj” që del nëpër romanet me nota biografike dhe tregimet e shkurtra të Hemingway-t.
“Duke mos e pasur të lehtë të bëj fjalime, as zotësinë për oratori e retorikë, dëshiroj të falenderoj për zemërgjerësinë administratorët e Alfred Nobel-it për këtë çmim.
Asnjë shkrimtar që njeh shkrimtarë të mëdhenj, të cilët nuk e morën çmimin, nuk mund ta pranojë atë përveçse me përulësi. Nuk ka nevojë t’i rendisim këta shkrimtarë. Çdokush këtu mund të bëjë listën sipas ngjohurive dhe ndërgjegjies së tij.
Do të ishte e pamundur për mua t’i kërkoja Ambasadorit të vendit tim të lexojë një fjalim ku një shkrimtar thotë të gjitha gjërat që ka në zemër. Gjërat mund të mos jenë menjëherë të dukshme, dhe në këtë rast ai është me fat. Por në pjesën më të madhe ato janë të qarta, dhe prej kësaj, dhe nga shkalla e alkimisë që një shkrimtar zotëron, ai do të rezistojë ose do të harrohet.
Të shkruarit, në rastin më të mirë, është një jetë e vetmuar. Grupimet e shkrimtarëve e lehtësojnë vetminë e shkrimtarit, por dyshoj se e përmirësojnë të shkruarit e tij. Ai rritet para syve të publikut teksa shpërndan vetminë, dhe shpesh puna e tij zvetnohet. Për atë që punon vetëm, edhe nëse ai është një shkrimtar i mirë, do i duhet të përballet me përjetësinë, ose mungesën e saj, çdo ditë.
Për një shkrimtar të vërtetë, çdo libër duhet të jetë një fillim i ri ku ai përpiqet përsëri për diçka përtej të arritshmes. Ai gjithnjë duhet të provojë gjëra që nuk i ka bërë më parë, ose të tjerët kanë tentuar, por nuk ia kanë dalë. Në ndonjë rast, me shumë fat, do të ketë sukses.
Sa i thjeshtë do të ishte shkrimi i letërsisë, nëse do të ishte e nevojshme të shkruhej në një mënyrë tjetër atë çka është shkruar mirë. Kjo për shkak se kemi pasur kaq shkrimtarë të mëdhenj në të shkuarën, ku një shkrimtar mund të drejtohet, aty ku askush s’mund ta ndihmojë.
Si shkrimtar, kam folur tepër. Një shkrimtar duhet ta shkruajë atë që ka për të thënë, jo ta flasë. Sërish ju falenderoj.”