Ermira Peku (Zhiti):“Kultura është çelësi që mbledh njerëzit e mençur për të punuar së bashku” -

Nga Gladiola Busulla



-          Kur trokitën për herë të parë telat e violinës në jetën tuaj?
Kam lindur në 24 Korrik 1970 në  Durrës. Këmbëngulja e xhaxhait tim violinist Ramazan Pekut bëri që unë t’i futem rrugës së artit, edhe pse e vogël në moshë, 6 vjeçe. Më pëlqente të këndoja dhe të kërceja si gjithë fëmijët e tjerë. Të dy prindërit e mi më  kanë mbështetur gjtihmonë në  rrugën time si violiniste dhe më kanë nxitur të vazhdoj traditën e familjes. 
-          Cili ka qenë rrugëtimi juaj artistik?
Rrugëtimi im artistik ka filuar në  liceun artistik “Mujo Ulqinaku”,që sot njihet me emrin "Jan Kukuzeli". Aty mora bazat e para si violiniste profesioniste për të vazhduar më tej studimet në “Akademinë e Arteve të Bukura “ në Tiranë.

U diplomova në vitin 1992 dhe që atëherë  kam qenë  pjesëtare e Orkestrës së Harqeve "A.Moisiu" Durrës, me të cilën zhvilloj aktivitetin brenda dhe jashtë vendit në shtetet si: Kosovë, Itali, Francë, Austri, Greqi. Në vitet 1998 -2000 isha pjesë e orkestrës së Pireut në Greqi.
Gjatë rrugëtimit tim artistik jam përpjekur të rritem profesionalisht dhe të perfeksionoj profilin teknik e profesional, duke u përshtatur e përqafuar tendencat më bashkëkohore të muzikës violinistike. Kam dhënë koncerte recitale, ku kam bashkëpunuar me instrumentistë të njohur.
-          Keni ndonjë violinist të preferuar i cili ju frymëzon?
Që  në moshë të vogël, njeriu që un admiroja më shumë dhe prej të cilit kam marrë shembull gjithnjë ka qenë xhaxhai im. Puna, përkushtimi, këmbëngulja, komunikimi, dashuria për instrumentin, mirënjohja për lodhjen, pasioni dhe vlerat qytetare që ai rrënjosi tek unë, më ndihmuan të arrij këtu ku jam sot; një violiniste që adhuron profesionin dhe mbi të gjitha mësimdhënien. Një pedagog si ai, i ka dhënë  drejtimin e duhur shumë talenteve dhe u ka siguruar rrugën drejt suksesit brenda dhe jashtë vendit, prandaj unë suksesin tim ia dedikoj atij.
-          Familja Peku ka një lidhje gjenetike me muzikën, pasi numëron instrumentistë të mirënjohur si Ramazan Peku, Miron Peku, Nedi Peku, Ermira Peku,Kujtim Peku, të cilët janë dalluar si instrumentistë me vlera kontributive brenda dhe jashtë vendit. A po vazhdon të kultivohet dhe tek gjeneratat e reja kjo prirje dhe traditë e bukur familjare?
Kjo traditë vazhdon në fisin tonë dhe nipat e mbesat studiojnë  instrumente si piano dhe violina. Muzika është AND-ja e familjes Peku. S’mund ta imagjinojmë jetën pa të.
-   Ç’domethënie ka mësimdhënia për një violiniste të talentuar si ju?
Sot mësimdhënia ka evoluar. Bashkë me zhvilimin ekonomik dhe teknologjik, arsimin e shikon të ecë me ritme të shpejta dhe të adaptohet me shpejtësi ndaj këtij  evoluimi. Por sado që të  përparojë teknologjia, mësuesi mbetet “Edukatori unik”. Profesioni  i  mësuesit është sa i bukur aq dhe i vështirë. Kjo shprehje klishe,  kuptohet vetëm nga ata edukatorë  dhe mësues për të cilët  të qenit mësues do të thotë: të  jesh i  mirë dhe të transmetosh mirësi, ta kesh të  vështirë  pikërisht për shkak të vështirësive që  ke përpara në këtë mision unikal dhe të bësh gjithçka mundesh me shumë përgjegjësi.
Mësuesi duhet  të cilësohet nga dëshira dhe vullneti që  të pamundurën ta bëj të mundur.Padyshim para se të edukosh të tjerët duhet të  jesh vetë i edukuar dhe që  të ndikosh si duhet tek fëmijët duhet të jesh shembull i mirë.Me punën e përditëshme dhe shembullin e sjelljes së  tij,mësuesi ndikon  drejtpërsëdrejti  në  trajtimin e personalitetit të  fëmijës,për këtë  arsye ai duhet të  jetë  i sinqertë, i  drejtë  por dhe i  drejpërdrejtë,me nivel kulturor të lartë dhe i arsimuar  në  shkallën e duhur.
Mësuesi duhet  të ketë  kulturë  të  gjerë  shkencore dhe  të  luftojë  dita –ditës  primitivizmin,  duke kontribuar  në  ngritjen e tij arsimore dhe kulturore. Si edukator i  gjeneratës  së re, të  cilit  i  është besuar një  detyrë  kaq e rëndësishme, mësuesi para  së  gjithash  duhet  të jetë shembull  për cilësitë  e  karakterit si  modestia(virtyti i  lartë i njeriut), ndershmëria, kurajo, korrektësia, guximi ,  autokontrolli etj.
E di që  janë  shumë  kërkesa për  këtë  profesion kaq fisnik, por  nëse  mësuesit  do të bënin më të mirën  që  munden, atëherë do të kishim një  edukim të frytshëm dhe model. Nisur nga më sipër, në kontekstin  e mësuesit  si qenie  njerëzore  jo perfekte,  fokusi i secilit  prej  nesh  mendoj  se  duhet  të  jetë në dy drejtime: Së pari, drejt vetëpërmirësimit  të vazhdueshëm  si  qenie njerëzore dhe së dyti  transmetimit  vetëm  të  vlerave  pozitive tek brezi i ri.
-          Ermira, si shumë instrumentistë të tjerë dhe ju jeni rezultat i shkollës ruse, pra i  shkollës lindore. Si jeni ndjerë në përballjet tuaja me instrumentistë që janë edukuar në Akademitë Perëndimore? A vihen re ndryshime?
Në  shkollën  e  lindjes  mësohen  bazat  e  muzikës , mendësia  e   të  qenit  muzikant dhe përkushtimi që  duhet  të  ketë  muzikanti. Kjo shkollë kishte mungesë spiritualiteti në  interpretim të individit, si pasojë e ndikimt të ideologjisë së kohës. Mungesa e hapësirave në pedagogji dhe metodologji krijonte stereotipe, si p.sh. interpretimin herë-herë të sipërfaqshëm, por  të karakterizuar nga disiplinë e hekurt. Zhvillimi psiko-pedagogjik është  më i  shpejtë se në  perëndim, gjë e  cila sjell disbalancë  në  interpretim. Mungesa e kushteve sociale i  bënte të gjithë  njësoj dhe gjithashtu mungesa e stileve të  interpretimit dhe instrumentave cilësore. Ndaj, ata shfaqnin mangësi në kërkimin personal mbi autorët e veprave. Nga ana tjetër dhe roli autoritar  i  mësuesit, ngarkesa ideologjike sillte ngurtësimin në lojën e individit. Ajo bëhej jo kreative, jo improvizuese.
 Perëndimi  rrit vlerësimin për veten,arritjet,mos arritjet. Zgjeron horizontin dhe nocionin  e  vlerës së  punës. Jo të gjithë  janë të parë dhe  ky është qëndrim  që  krijon qetësi.Vlerëson shpirtin në interpretimin e artistit violinist. Iu kushton vëmendje autorëve të ndryshëm dhe lë  hapësira dhe mundësi zgjedhjeje. Perëndimi falë teknologjisë dhe  informacionit të avancuar,  rritjes ekonomike ka sjellë zhvillimdhe ndryshim të kushteve sociale. I jep prioritet shumëllojshmërisë së stileve duke lënë të  lirë zgjedhjen nga vetë interpretuesit. Sjell avantazhe  në  larmishmëri instrumentash dhe në  cilësi. Lejon bashkëpunimin, dialogun  midis studentit dhe pedagogut mbi autorët, nëpërmjet demostrimit dhe shpjegimit. Mbështet dhe i vlerëson vlerat  individuale. Perëndimi ka shumëllojshmëri dhe cilësi të ndryshme, informacion dhe kreativitet.
Nga përballjet personale kam mësuar shumë gjëra mbi instrumentin, lojën, teknikat e ndryshme të njohura dhe të panjohura. Por mbi te gjitha kam vlerësuar që kultura është çelësi që mbledh njerëzit e mençur për të punuar së bashku.
-          Sa  i  rëndësishëm është edukimi përmes artit ? Ç’këshillë do t’u jepnit violinistëve të rinj?
Arti është një urë lidhese përmes popujve dhe kontinenteve.Ai nuk njeh kufi,nuk njeh pengesa.Ai përcjell mesazhe paqeje,mirëkuptimi dhe integrimi.Përmes tij gjejmë, çfarë kemi të përbashkët.Angazhimi  i  vazhdueshëm në aktivitete  të ndryshme kulturore,do të nxiste dhe  edukonte  vlera qytetare. Pjesëmarrja dhe  përfshirja në projekte të ndryshme do të realizonte zhvillimin shumëdimensional, personal, qytetar, human, kulturor,social dhe atdhetar. Nga kjo pjesëmarrje do të kuptonim veten dhe qëndrime, kur vendosen në  kontakt me “diferencat” kulturore. Që të luash muzikë duhet punë, mund, pasion dhe vlera.
-