“Zoti e vërente [rrugëhumbunin] s’epërmi, u mendue nji hop/ e tha se s’kish ardhë koha për Zbulesën”. Kështu e mbyll Enton Bido vjershën “Para zbulesës”, që i jep dhe titullin librit më të ri të tij (i gjashti me krijimtari origjinale, përveç atyre me përkthime). E ndonëse jugor, Bidos i pëlqen të shkruajë poezi me një gegënishte “të standardizueme”. Dhe kjo i jep ngjyresë të veçantë vëllimit me poezi dhe proza poetike “Para Zbulesës” (Botimet Jozef Durrës, 2015). Kjo gegënishte ka të bëjë dhe me fenë e krishterë / katolike. “Zbulesa” është libri i fundit i Dhiatës së Re dhe për këtë edhe libri i fundit i mbarë Biblës, ku bëhet fjalë për ngjarjet e së ardhmes.
Bidoja është poet i ndjeshëm, lakonik, pikëzues. Herë impresionist. Herë ekspresionist. Herë “japonez” (disa vjersha janë në stilin haiku). Herë tradicionalist. Herë “i harbuar” me vargun e lirë. Herë i “vetëburgosur” me rima / asonanca e ritme strikte. Herë “muzikor” nga përdorimi i aliteracioneve. Në ato vjersha dhe proza poetike krijuesi sikur kërkon të shpërthejë kufijtë e gjuhës, duke kërkuar fjalë “plaka” e të rralla apo duke farkëtuar neologjizma vetjakë. Libri i fundit mund të përdoret edhe si doracak për studime leksikore dhe si ilustrim për terma të veçantë letrarë.
Enton Bido është personalitet në Durrës, punonjës në bibliotekën e bashkisë, ka përfunduar studime në dy masterë. Edlirë Macaj, edhe kjo punonjëse në bibliotekën e bashkisë, e cila është në prag të marrjes së gradës shkencore të doktorit të shkencave dhe Enton Bido mbeten dy nga bibliotekonomët më të ditur në Shqipëri. Bidoja e Macaj janë në hulli të drejtuesve të mëparshëm të bibiliotekës, personalitete si Vangjel Toçi (1920-1999), Pertef Kruja (1921-2004), Hasan Ulqini, Pirro Dollani, Met Dervishi, Florë Gjondedaj (Dervishi) etj., të cilët të vetmin pasion kishin librat e lexuesit dhe jo biznese private.
Libra nga Enton Bido
Poezi: “Psikoqiellore” (botuar në v. 2000); “Terrinës kuturu” (botuar në v. 2005).
Prozë: “Rrëfime të plagosura” (tregime, botuar në v. 2008); “Kurorëshkelja” (novela dhe tregime, botuar në v. 2011).
Eseistikë: “Nga tradita te bashkëkohësia” (botuar në v. 2013).
Bibliografi: “Pena e Durrësit”, bashkautor (botuar në vitin 2008)
Përkthime: “Rinia është e bukur / Schön ist die Jugend”, novelë nga nobelisti gjerman Herman Hese / Hesse (1877-1962), botuar në shqip në vitin 2003; “Koha e të fshehtave / Le Temps des secrets” roman nga romancieri, dramaturgu dhe kineasti i madh francez Marsel Panjol / Marcel Pagnol (1895-1974), botuar në shqip në v. 2014.
Në proces shtypjeje: “Ivani i Tmerrshëm / Ivan le Terrible”, biografi nga shkrimtari i njohur francez me origjinë ruse-çerkeze Anri Truaja / Henri Troyat (1911-2007); “I madhi Kër” / Le Grand Cœur”, roman nga shkrimtari, diplomati, mjeku, historiani, veprimtari francez Zhan-Kristof Ryfen / Jean-Christophe Rufin (lindur në vitin 1952), roman, i cili në Francë është botuar në vitin 2012 nga “Gallimard”.





