Dy Paradokse muzikore



Nga Prof.Dr. Akil Koci


Sot në rubrikën Fjala e redaktorit do të flasim për dy paradokse muzikore.

Paradoksi i parë:

Duke e marrë parasysh universalizmin e veprave muzikore me të drejtë shtrojmë një pyetje: pse mungojnë veprat e kompozitorëve shqiptarë në manifestimet dhe në festivalet e muzikës së kultivuar në Kosovë?

Kemi thënë dhe shkruar disa herë se në festivalet që financohen nga Ministria e Kulturës dhe e Sportit prej mjeteve të tagrapaguesve për lloj-lloj manifestimesh kulturore, është interesante, flas për manifestimet muzikore, në Kosovë shumë pak ose aspak nuk kemi vepra që ekzekutohen nga ansamblet tona ose ato që vijnë nga jashtë si mysafirë .

Është mirë që ne në ato manifestime po njihemi me krijimtarinë e kompozitorëve që na i sjellin ansamblet pjesëmarrëse në manifestimet tona, mirëpo është absurde pse ato ansamble që marrin pjesë, nuk e ekzekutojnë asnjë vepër të kompozitorëve shqiptarë qofshin nga Kosova ose Shqipëria, pos që ekzekutojnë veprat e atyre që i ftojnë në ato manifestime e ata janë të paktë.

Dikur nuk ka mundur me ardhë asnjë ansambël në Skenën Muzikore të Prishtinës në Ditët e Muzikës Kosovare, as në koncertet e rregullta të sezonit, sepse artistët e ardhur nga jashtë gjithmonë kanë qenë të obliguar ta ekzekutojë ndonjë vepër të autorëve nga Kosova.

Ky paradoks shkaktohet nga qëndrimet e drejtorëve, të udhëheqësve artistikë të këtyre manifestimeve, të cilët nuk i intereson afirmimi i veprave të autorëve të tjerë pos i krijimtarisë së vet.
Këtu qëndron faji edhe tek institucionet që i financojnë këto manifestime.

Ato duhet të kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit e këtyre manifestimeve për lëshimet e këtilla, sepse nëse veprat e autorëve-kompozitorëve kosovarë nuk ekzekutohen në Kosovë, ku do të ekzekutohen atëherë veprat e tyre?!

Një pakice të vogël të kompozitorëve iu ekzekutohen veprat jashtë Kosovës! Ka ndodhur që veprat e udhëheqëse të Filarmonisë së Kosovë janë ekzekutuar në manifestime të këtilla, kurse veprat e autorëve të tjerë, që nuk nuk janë të paktë, me vite të tëra nuk ekzekutohen!

Kërkoj ndjesë për jomodestinë time, por kam vënë re se veprat e mia derisa ekzekutohen në botën e jashtme, si në Opati, Zagreb, Vjenë, Londër, Spanjë, Shqipëri dhe në shumë vende të tjera, në Kosovë Filarmonia e Kosovës, krahas saj edhe kori, çdo pesë vjet, me rastin e përvjetorëve të mi: 65, 70 dhe 75-vjetorin, më ekzekutohet nga një vepër!

Por kjo nuk ndodh vetëm me mua, po edhe me kolegët e tjerë. Prandaj institucionet përkatëse, të cilat i financojnë këto manifestime, duhet të kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit mediokër, të cilët nuk çajnë kokën për këto punë!

Paradoksi i dytë:

Sot në Republikën e Kosovës, në shtetin tonë të ri, kemi disa shkolla të ulëta dhe të mesme muzikore, siç janë, bie fjalë, në Prizren, Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe në disa vende të tjera, të cilat shkollojnë kuadro, mirëpo aktiviteti i këtyre shkollave sikur nuk është në nivel të duhur. Pos koncerteve gjysmëvjetorëshe dhe në fund të vitit, nuk zhvillojnë kurrfarë aktivitetesh të tjera. Se, ku janë, ta zëmë, garat e solistëve, të koreve dhe të orkestrave, ku janë koncertet në qytetet e afërta të tyre, ose pse nuk marrin pjesë në garat jashtë shtetit tonë! Çka punojnë arsimtarët në shkolla fillore dhe të mesme, nëse nuk ekzistojnë kori dhe orkestra, si i plotësojnë normat e tyre? Por për hir të së vërtetës duhet të pohojmë se aty-këtu paraqitet ndonjë kor dhe orkestër, por aktiviteti i tyre duhet të jetë më i madh, sepse ata janë edukatorë të gjeneratave të reja për muzikën në përgjithësi e sidomos për muzikën e kultivuar, e cila na mungon. E kemi për detyrë që si e vetmja revistë muzikore në të gjitha trojet shqiptare, ta shfaqim mendimin tonë në lidhje me këto dy paradokse muzikore. E themi për hir të së vërtetës se në botën e muzikës sonë diçka po lëviz, po megjithatë kjo sa ndodh – nuk është e mjaftueshme!