Nga Osho Rajnesh
- Me gjitha qëllimet më të mira, prindët, mësuesit, udhëheqësit, klerikët dhe të ngjashmët na mbjellin idenë e konkurrencës, rivalitetit, ambicjes, duke krijuar kështu prej çdo fëmije qenien e cila me jetën takohet në lufta mendimesh, me fjalë të tjera, në dhunë, në agresivitet...
Çdo masë është e llojllojshme, vetëm individi nuk është i llojllojshëm. Çdo individ është vetëdije autentike. Me çastin e shkrirjes në masë ai e humb vetëdijen e vet; atëherë kolektiviteti zotëron mbi të, atëherë ai bëhet mendje mekanike.
Nuk është me rëndësi se për çka mblidhet masa, qoftë nëse mblidhen në emër të religjionit ose të racës - kjo nuk është e rëndësishme. Masat si të tilla janë të shëmtuara, masat edhe i kanë bërë krimet më të rënda sepse ato nuk kanë vetëdije. Ato janë vetëm mosdije kolektive.
Masa gjithmonë është kope e deleve, ndërsa e gjithë e kaluara ishte vetëm një përpjekje që çdo individ të mishërohet me një dhëmbëzor në mekanizëm, të mishërohet me pjesën e vdekur të masës së vdekur. Sa më shumë që është i mosdijshëm, dhe sa më tepër që i ka sjelljet e shkaktuara nga dominimi i kolektivit, ai gjithnjë e më shumë bëhet i parrezikshëm. Në të vërtetë, ai kështu bëhet i padëmshëm. Ai kështu s'do mund ta shkatërrojë as robërinë e vet, religjionin, ngjyrën e lëkurës. Këto janë robëritë e tij, e këto ai madje edhe i feston.
Çdo fëmijë lind si ndivid, por tepër rrallë njeriu vdes si individ.
Në kolektivitet dhe masë ti gjithmonë i kthehesh vdekshmërisë së të kaluarës. Njeriu i cili jeton sipas urdhërave të masës ndalet së jetuari. Ai thjesht e përcjell dikënd si robot.
Njëzet vjet kam jetuar në vendet në të cilat barabartë ishin të përfaqësuar hindusët dhe myslimanët. Ishin barabartë të fuqishëm dhe gati çdo vit kacafyteshin. E kam njohur një profesor në universitetin ku jipja mësim. Kurrë s'më ka shkuar mendja se ai njeri do t'ia vënte zjarrin një tempulli hindus. Ishte xhentëllmen i vërtetë - i mirë, me edukim të lartë, i kulturuar. Kur ndodhën njëherë trazirat mes hindusëve dhe myslimanëve, unë vështroja nga anash. Myslimanët ia vunë zjarrin një tempulli hindus, e më pas hindusët e dogjën një xhami.
E shihja atë profesor të zënë rreth djegies së tempullit hindus. Ndërhyra dhe e nxorra për krahu. E pyeta:
"Profesor Farid, ç'jeni duke bërë?"Mbeti i befasuar. M'u përgjigj: "Më vjen keq, por e humba veten në këtë masë. Pasi që të gjithë e bënin këtë, unë harrova në përgjegjësinë vetjake, të gjithë të tjerët ishin përgjegjës për këtë. Për herë të parë e ndjeva veten të lirë prej përgjegjësisë. Askush nuk mundi të më qortojë. Ishte një grumbull i myslimanëve, e unë isha vetëm një pjesë e atij grumbulli".
Me një rast tjetër, një shitore myslimane e orëve plaçkitej. Ishte një shitore mjaft e shtrenjtë me një koleksion të orëve me vlerë. Të gjithë hindusët, të cilët i morën ato orë dhe shkatërruan shitoren, e mbytën edhe pronarin.
Një prift i vjetër qëndronte në shkallë, dhe me plot vrer i bërtiste masës: "Ç'jeni duke bërë? Kjo i kundërvihet religjionit tonë, moralit tonë, kulturës sonë. Kjo nuk është në rregull".
E vështroja atë skenë nga libraria, që gjendej në anën e kundërt të asaj shitoreje. Befasia më e madhe filloi të ndodhë. Kur njerëzit i morën të gjitha gjërat me vlerë, në shitore mbeti një orë e vjetër muri - ishte tepër e madhe, me siguri kishte një vlerë antikiteti. Duke parë se masa u shpërnda, plaku e ngarkoi atë orë në shpinën e vet dhe e mori. Ishe tepër e rëndë për të, sepse ishte orë e madhe. Nuk mundja t'u besoja syve. Ishte ai që i ndalonte njerëzit të plaçkitnin, e pikërisht ai edhe e mori gjënë e fundit. Dola jashtë dhe e ndala priftin e moshuar. E pyeta: "Kjo është e çuditshme, gjithë kohën bërtisje se është kundër moralit tuaj, religjionit, e ti sapo e vodhe orën më të madhe nga shitorja".
Ai m'u përgjigj: "Unë bërtisja tepër shumë, mirëpo askush s'më dëgjoi. Pastaj, befas, në mua lindi ideja se hidhërohesha pa nevojë dhe se kot e çava kohën time. Ata, edhe përkundër britjeve të mija, i merrnin gjërat nga shitorja. Për këtë dhe mendova se më mirë është të marr edhe unë diçka para se ta merr ndokush tjetër."
E pyeta: "Mirëpo, ç'ndodhi me religjionin tënd, me moralin, kulturën?"
M'u përgjigj me turp në fytyrë: "Kur askush nuk kthen kokën kah religjioni, kultura e morali, pse të jem unë viktima e vetme? Edhe unë, poashtu, jam pjesë e kësaj mase. I dhashë vetes mundin më të madh që t'i ndaloj, mirëpo askush nuk deshi t'i përmbahet religjionit, moralit dhe rrugës së drejtë, për çka edhe unë nuk dua të mbetem humbës dhe budallakisht të qëndroj këtu.
Askush madje as nuk më dëgjoi, askush nuk e pranoi asnjë vërejtje timen". Pastaj me nguti e vazhdoi rrugën me orën e madhe në shpinë.
Njeriu e humb edhe atë pak vetëdije individuale mjaft lehtë, duke e tretur në oqeanin e mosdijes kolektive. Në po këtë shtrihet shkaku i të gjitha luftave, trazirave, pushtimeve, vrasjeve.
Çdokush lind i padjallëzuar, i mbushur paqë e dashuri... pa dije mbi ndalesat që e presin në botë, pa dije mbi armatimin nuklear me të cilin ia tregojnë mirëseardhjen, pa dije mbi politikat e ndyra që e terrorizuan njeriun me shekuj. Me gjitha qëllimet më të mira, prindët, mësuesit, udhëheqësit, klerikët dhe të ngjashmët na mbjellin idenë e konkurrencës, rivalitetit, ambicies, duke krijuar kështu prej çdo fëmiu qenien e cila me jetën takohet në lufta mendimesh, me fjalë të tjera, në dhunë, në agresivitet. Ata e dijnë fort mirë se gjithmonë do të mbetesh në prapavijë deri sa je agresiv. Kështu pastaj përherë sillesh zaten se je gjithmonë me dikë në rivalitet; e thekson veten aq fort si të ishte ndonjë çështje e jetës a vdekjes. E gjitha kjo është bazë e sistemit tonë edukues.
Të gjithë të mësojnë të jesh para të tjerëve pa e marë parasysh çmimin. Herët a vonë, fëmiut do t'i duket sikur ta ketë gjithmonë shpirtin në fyt, gjithnjë do të garojë. Madje edhe nëse e lëndon dikënd në atë garë, ai do të përpiqet të jetë i pari. Duket se dhuna do të jetë pjesë e shoqërisë që shpreh rivalitetin. Në shoqëri të tilla ti nuk mund të kesh mik. Të gjithë të shtiren se të janë miq, e në të vërtetë janë armiq, sepse luftojnë të mbërrijnë në shkallën e njëjtë. Të gjithë ata janë armiq, sepse përpiqen të ngadhnjejnë dhe ti të humbësh.
E gjithë shoqëria është e dhunshme, dhe ti duhet të jesh edhe më i dhunshëm nëse dëshiron të jesh ambicioz. Unë e dua njeriun jo-ambicioz, jo-konkurent, njeriun i cili nuk ka afsh për fuqi. Çdo fëmijë mund të jetë rebel. E gjitha çka i duhet atij është të mos jetë i ndarë prej padjallëzisë së vet.
Çdokush e ka rebelin në vete, mirëpo shoqëria është tepër e fuqishme. Ajo të bën qyqar, dinak. Ajo nuk orvatet ta ndërtojë autenticitetin tënd. Ajo nuk i lejon askujt të bëhet autentik, sepse kështu mund të bëhet rebel kundër të gjithave.
Çdokush e ka rebelin në vete, mirëpo shoqëria është tepër e fuqishme. Ajo të bën qyqar, dinak. Ajo nuk orvatet ta ndërtojë autenticitetin tënd. Ajo nuk i lejon askujt të bëhet autentik, sepse kështu mund të bëhet rebel kundër të gjithave.
Një mik nga Japonia ma dërgoi një statujë të Gautam Budës. Ishte statujë e rrallë, kurrë më parë s'kisha parë gjë të tillë. Në një dorë të asaj statuje ishte llamba e vogël. Duhesha të vendosja ca vaj që të mund të shndërriste. Miku më tha: "Ky është kushti: duhet të ndizet flaka përherë". E në dorën tjetër të statujës qëndronte shpata e nxjerrë jashtë. Kjo është e mundshme vetëm në Japoni - vetëm Japonia mundi të krijojë shkathtësi luftarake dhe gjuajtjen e shigjetës me hark që bazohet në meditim. Ishte ky arti meditativ i tyre.
Ne në Indi nuk mundemi të kuptojmë se Gautam Buda ka shpatë. Mirëpo, bukuria e statujës ishte në atë se gjysma e fytyrës, e cila mbulohej me dritën e asaj llambe, tregonte paqen, harmoninë - aq i qetë dhe i heshtur, ndërsa në anën tjetër fytyra e tij ishte e mprehtë sikurse edhe shpata që mbante në dorë, ishte kjo një fytyrë e një luftëtari të madh. Artisti që e ka punuar këtë vepër duhet ta ketë bërë një punë të madhe. Në fytyrën e njëjtë ai na tregon sintezën e madhe - shpatën në duart e paqes.
Kjo është ideja ime e rebelimit, rebelit. Ai duhet të rrjedh prej dashurisë sate ndaj njeriut, e jo nga tërbimi e hidhërimi nga e kaluara. Ti nuk duhet ta shkatërrosh të vjetrën; ideali yt, caku yt është ta krijosh të renë. Pasi që e reja nuk mund të krijohet deri sa nuk largohet e vjetra, duhet ta rrënosh atë. Mirëpo, nuk ka kurrëfarë zemërimi në këtë. Ky është një proces i rëndomtë. Kur e rrënon ndonjë godinë të vjetër, atëherë ti nuk ke hidhërim e zemërim në vete. Ti vetëm e pastron atë vend ashtu që ta ndërtosh një godinë të re më të bukur.
Ti jeton me njerëzit që e kanë këtë ëndërr, atë që e patën kur ishin fëmijë të vegjël. Ajo ëndërr është e po atyre kualiteteve, por është e ngulfatur, e nënçmuar. Pengesat e kësaj ëndërre mund të mënjanohen. Dhe do të mbetesh i befasuar, sepse nuk ka njeri i cili nuk e ëndërroi ndonjë ëndërr të bukur mbi ardhmërinë, i cili nuk ka qenë në gjendjen e padjallëzisë, i cili madje njëherë nuk e ka shijuar shijen e paqes, dashurisë, bukurisë. Mirëpo e gjitha kjo qe e shkatërruar, e ndyrë, e njollosur prej sistemeve të ndryshme shoqërore e të shëmtuara. Fuqia e vetme shtrihet në lashtësinë e tyre. Por, lashtësia, si fuqi e tyre, tash u tregua si një dobësi e madhe. Këtë duhet shtyrë vetëm pak, është shoqëri thuaja e vdekur. Ajo gërmon varrin e vet me duar të veta dhe qëndron buzë atij varri. Ti duhesh vetëm ta shtyesh dhe menjëherë do të zbulosh se në varr shtrihet ndonjë njeri si Ronald Regani. Dhe me njerëzit e këtillë shkon e gjithë bota që e paraqiste ky.
Ne duhet të fillojmë prej fillimit, prej pikës fillestare. Sërish si Adami dhe Eva, sërish nga kopshti i parajsës,... sërish fillimi i vërtetë.





