
MIGENA ARLLATI
BURRAT VDESIN NË MARS
Moti këndohet “Kënga e marsit” këtyre anëve,
se marsi dhe pranvera vijnë bashkë me të kuqen e gjakut,
nuk rreshtin minatorët, studentët e punëtorët
Kosova ka plot njerëz që i dalin zot.
Turma dridh malet, kërkon “Liri-Demokraci”,
“Kosova Republikë” thërret një popull i tërë,
nuk ka pranga që dëshirën për liri të prangosë
pëllumbat e bardhë ndjellin veç paqe dhe shpresë.
Por hija e zezë shtrihet mbi krena
hesht burri i dheut, fjalën ia mori qielli,
me zërin e jetës kënga e vdekjes jehoi
me gërma të arta historia emrin lart ia përjetësoi.
Ngrehu o Ismet Qorraj hej trim
se burrat kanë prapë luftë për të bërë,
i duhen Kosovës djemtë në ballë
trima me këmishë që ka ba veç nji nanë.
E morën një pas një plumbat
siç vriten trimat në kraharuar tej për tej,
e shpuan ndër deje, gjaku flamurin vërshoi
mbi krahë shqiponjash në historinë e re parakaloi.
Plumbat dhe pëllumbat shkojnë e vijnë në ajër
të parët marrin jetë, të dytët parandjejnë lirinë,
se liria pa plumba për shqiptarët qenka e vështirë
me këngë në gojë vdesin këta bij.
Dhe marsi ja ku vjen prapë mes nesh
toka mbushur lule, mbjellë me dëshmorë,
një jetë që kishin e dhanë për ne,
djemtë më të mirë lulegjak mbeten prore!





