RITI I FISIT TIM



       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




AVNI DEHARI




          



             Hyrje

         Avni Dehari lindi më 3. 5. 1947, në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme, gjimnazin, e mbaroi në Preshevë, kurse u diplomua në Fakultetin e Filologjisë – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në vitin 1974, në Prishtinë.
            Deri më tash ka botuar këta libra: poemën për fëmijë “Dielli”, botim i Redaksisë së “Zërit të Kosovës, me pseudonimin Agim Vardari, më 1990, në Zvicër”, monografinë “Arif Seferi – në shërbim të popullit”, në bashkautorësi me Destan Hajdinin, më 1993, në Zvicër, përmbledhjen poetike për të rritur “Pas rrezes së diellit”, më 1994, në Shkodër, librin për fëmijë në prozë “Saja fluturuese”, më 1996, në Tiranë, përmbledhjen me poezi për fëmijë “Hëna në dritare”, më 2005, në Prishtinë, librin për fëmijë në prozë “Kënga e Drerit Fjalëpak”, më 2010, në Prishtinë, librin në prozë për fëmijë "Trimoshi dhe Flokhapareshuri, më 2011, në Prishtinë, librin në prozë për fëmijë “Gjergji i Arbërisë”, më 2011, në Prishtinë dhe përmbledhjen poetike për fëmijë “Nxin e qesh natyra”, më 2012, në Prishtinë, përmbledhjen poetike “Dielli në qerre të re” më 2013 në Prishtinë dhe “ librin në “Gjergji i Arbërisë në Adrianopojë”, më 2014, në Prishtinë. 
             “Sajën fluturuese” shtëpia botuese “Rozafa” e Tiranës, në vitin 1996, e vlerësoi ndër librat më të mirë për fëmijë që kishte botuar në tre vjetët e fundit.
            Avni Dehari nga viti 2001 jeton në Prishtinë.  





AMANETI I SHOKËVE

(Dëshmorëve: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka)

Të dashuruar pas rrezes së diellit,
Në udhën e rrahur ndër shekuj,
Ranë shokët tanë,
Vdekjen me vdekje e mundën,
Ditë e natë pranë nesh qëndrojnë
Si yj që nuk shuhen kurrë.
Nderim e lavdi
Ata paçin përjetë,
Se amanet na i lanë:
Gjakun,
Kurrë të mos na ndalet hovi rinor,
Gjuhën,
Zemrat të na i zbutë e të na i forcojë,
Sytë,
Horizonteve ta hedhim vështrimin,
Këmbët,
Hapin ta kemi të gatshëm për marshim,
Grushtin,
Shtrigat t’i shkallmojmë,
Krahët,
Agimet e kuqërremta t’i përqafojmë,
Zemrat, oh zemrat,
Kambanë për ditën e madhe.
Heu, kush shkel mbi gjakun e tyre,
Dritë e diellit e verboftë,
Mallkimi i tokës nënë e zëntë!



RITI I FISIT TIM

Nëntëmbëdhjetë vjet,
Në dhe të huaj,
Në afshin tënd u poqa,
U përcëllova,
Gati u treta,
Vendi im, oqean malli!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Rrezja e diellit tënd,
Agimeve të trëndafilta,
Nuk ma puthi ballin,
Vendi im liqen lotësh!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Pa gurgullimën e krojeve të tua,
Shekuj m’u bënë,
Vendi im,
Ujëvarë bjeshke!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Në dhe të huaj,
Butësinë e ograjave,
Më kot ta kërkova,
Vendi im,
Ëndërr fëmijërie!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Mezi i plaka
Pa urimin “Tungjatjeta!”
Rit i fisit tim,
Vendi im,
Gurrë jete!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Pa cicërimën e ëmbël
Të zogjve pranverorë,
Vendi im,
Vetull ylberi!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Në dhe të huaj,
Pa mugullimin e marsit,
Dehje për kthim,
Etje për lirinë e shumëpritur!
Vendi im krahëhapur,
Vendi im prehër ngrohtë,
Shekujt nuk më dalkan,
Ta shuaj mallin përvëlues
Në gjirin tënd magjepsës!



E LUMJA UNË, BIR!

Mbrëmë e kalova natën
Në shtëpinë e vjetër.
Sa mirë!
Më vuri në gjumë
Zëri i nënës:
“Fli, bir!”
Mëngjesi më çeli
Në shtëpinë e vjetër.
Sa mirë!
Më shkriu
Pyetja e nënës:
“A fjete, bir?”
Në shtëpinë e vjetër
E hëngra mëngjesin.
Sa mirë!
Më shtoi oreksin
Urimi i nënës:
“Të bëftë mirë!”
Në shtëpinë e vjetër
Rrobat e punës i vesha.
Sa mirë!
Më forcuan
Fjalët e nënës:
“Punë e mbarë, bir!”
Në shtëpinë e vjetër
Armën në brez e vura.
Sa mirë!
Më trimëroi
Përgëzimi i nënës:
“E lumja, unë bir!”



UJI FLUTURON

Është pak si çudi,
Ti nuk e beson,
Unë nuk bëj mahi:
Uji fluturon!

Ti ngul këmbë:
Uji nuk ka fletë.
Si ikën te lumi,
Si ngjitet përpjetë?

Kthehet pika-pika,
Kur bie shi tatëpjetë,
Sa shkon te lumi,
Ngjitet prapë te retë.

Dhe kur bie borë,
Fluturon si bletë,
Sa ndeshet me rrezen,
Shkon te lumi shpejt.

Sapo hap lëfytin,
Ai fap fluturon,
Futet në kanal,
Prapë te lumi shkon.

Ti ngul këmbë:
Uji s’fluturon.
Si ngjitet te retë,
Te lumi si shkon?

Uji shumë pak fle,
Uji pak pushon,
Tungjatjeta diell,
Në qiell fluturon!


VRULLNAJA

Në mes të qytetit,
Vallëzon, vallëzon,
Bukuri i jep sheshit,
Freskon, freskon.

E përqafon diellin,
Vrujon, vrujon,
E lind ylberin,
Gulçon, gulçon.

Currila hedh,
Vrullon, vrullon,
Me fresk të deh,
Gulfon, gulfon.

E bukur si përrallë
Vrullnaja valëzon,   
Pikla - margaritarë,


Fërfëllon, fërfëllon.