(www.sa-kra.ch) Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE ADEM ZEJNULLAHU Hyrje Adem Zejnullahu lindi, më 13. 10. 945 në Banjë (Banjskë), Komuna e Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë dhe në Vushtrri, ndërsa Shkollën Normale në Mitrovicë, më 1967. Studimet në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës i mbaroi më 1972. Magjistroi më 1979, kurse më 1986 mbrojti tezën e doktoratës nga fusha e shkencave filologjike. Deri më 1982 punoi mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të ndryshme në Prishtinë e në Mitrovicë. Prej vitit 1982 deri më 2010, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku ishte këshilltar shkencor në Degën e Folklorit dhe përgjegjës i kësaj dege. Është autor i më shumë se 300 njësive bibliografike-studimeve, trajtesave, artikujve, recensioneve për probleme të ndryshme nga fusha e folklorit dhe letërsia e shkruar. Është pjesëmarrës i shumë kongreseve, konferencave , simpoziumeve e tryezave shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare, të mbajtura nëpër qendra të ndryshme të rajonit dhe Evropës. Është autor dhe kautor i më shumë se 25 veprave shkencore dhe letrare. Fitues i shumë shpërblimeve letrare për poezi. Në Festivalin Ndërkombëtar, Drini Poetik, 2014, mori çmimin “ Metafora I ”. Një numër i konsiderueshëm nga opusi letrar dhe studimeve nga letërsia i janë përkthyer në gjuhë të huaja. Përmbledhje me poezi - Kur zgjohen ernat, Rilindja, Prishtinë, 1969; - Përshëndetje Ditës së Kthjelltë,( bashkautor), Mitrovicë, 1970; - Mote Hiri, Rilindja, Prishtinë, 2000; - Zogu i Stuhive, (poezi për fëmijë, Prishtinë, 2001; - I Vetëm me ëndrrën, Faik Konica, Prishtinë, 2007; - E di vetëtima, Faik Konica, Prishtinë, 2009; - Erërat e mbarsura me mjegull, SHSHM, “Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2011; - Dhembje shiu, SHSHM” Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2012; - Me ty çel trëndafili ( poezi për fëmijë e të rritur), SHSHM, Mitrovicë, 2014. ZË BRENDËSIE Rrëfimet e ullirit dymijë vjeçar në Tivarin e Vjetër, plak i botës E përshëndes në gjuhën e rrënjës Bëhet sikur s’ më njeh Përmallshëm i flas Jam degë e thyer nga erërat Ulli i moshuar Me zgavër të hapur rrufesh Gjatë shekujve të përdreqt NIS E FLET Kuvendojmë në gjuhën e trungut Gjethet e degët lëvizin Ndoshta era na kupton Dhe rrënjët thellë në tokë Idhshëm trand kujtimi Deti djallëzohet E përshkon e kuqja Plisat thellësia i gëlltit E thërras afër e larg Fjalët bëhen gurë kalaje E kohët përbirohen zi I pëshpëris afër e larg Ty s’të merr harresa Vetëm unë e di Në cilën baladë të verdhë Ndryhesh me shekuj Ulli plak I ashtit të shpuar Larë me gjak Lotin kurrë s’e ndal KALOI DYMBËDHJETA Ora dymbëdhjetë e një minutë Fund a fillim Ndërrim qenësie Të ecim lakinave t’ mëdyshjeve Të rrimë na kapërdinë harresa Ata që na njihnin Kthyen shpinën Nisi udhëtimi i panjohur Kah vetvetja... Në stacionin e fundit Këmbora është shurdhuar Ëndrra ëndrrën e shalon Takimet s’ndodhen Valixhja e kujtimeve në duar S’ duket vezullimi i yllit Miku im i ditës pa bardhësi Të rrimë a të ecim Treni i fundit ka ikur Jemi vonuar për një lindje Për një rritje Për një këngë më shumë Për një dhembje më pak Sofra varfërohet Me motet e humbura Dymbëdhjetë e një minutë Fillim a fund E shumëpritura humbi udhë Në mrizin e zanave Fryjnë erërat e dreqnuara Urti tjetër duhet për udhëtim E PATHËNË Fryn erëra të ngrohta jugu U harlisen dallgët E heshtja doli nga guaska Nga fundi i detit Fjala mori udhë Asnjë ëndërr s’u shpjegua Deri në fund Asnjë këngë s’u këndua Deri në fund Asnjë plagë s’u shërua Deri në fund Dhe as një det s’u shter Deri në fund Që të mbijë lulekripa E gjuha ta bekojë të pathënën SA PAK TЁ PREMTE PASKA Sikur të mos kishte të marte Lulet s’do ta humbnin ngjyrën Në blerimin e moteve As shi s’do të binte i njelmtë Lindëm n’orët e së martës Kur Fatitë i ndanin fatet Në mes lindjeve e vdekjeve Me emra yjesh e rrufesh E martja shndërrohet në të dielën Gurëzon buzëqeshjen e javës Muzgu sëmbon në pritje Eh, sa pak të premte paska Në vezullimin e yllit polar Shfaqet Kepi i ëndërruar Sikur të mos kishte të marte Lumi do të rridhte i kthjelltë KUJTIM NGACMUES U përvodhëm te Kroi i Kërshit atë ditë gushti Djalo mali ka vesh e fusha sy U bëra i shurdhur ndezëm zjarret lumi vërshoi etje pas etjeje muzgu ra Vetullhënë, moj fytyrëhënë ç’më përfytyrohesh këmishë grisur faqeflakë syshkëndijë Shumë vite ikën në këto orë të vona vjen puhizë malli Vetmia ma sjell fijen e kujtimeve ike si zanë mali pas Zabelit t’ Kerollëve s’u pamë më e na dogji malli DHEMBJE SHIU Ai që s’e ka prekur zjarrin S’di ç’është Gurëzimi i zogut n’ fluturim Le të ikë me erën Ai që ka dashuruar dy herë S’di ç’është T’i marrë erë lules së paçelur Ore vetëm shiu ndjen dhembjen |
Home »
» ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE - ADEM ZEJNULLAHU





