Sqarim : Kohët e fundit kanë filluar që shkrimet e mia të lexohet ndryshe

Sqarim

Kohët e fundit kanë filluar që shkrimet e mia të lexohet ndryshe. Gjoja se unë me anë të shkrimeve mëtuakam arritjen e ndonjë pozicioni partiak dhe politik. Me këtë nuk dua të them se mëkat është të merresh me polikë. Assesi, dikush duhet të merret, sidomos ata që e shohin veten se janë për një gjë të tillë, porse duke mos e vendosur interesin e tyre vetjak përpara atij kolektiv! Madje unë provova të merrem me polikë, por shpejt e pashë se nuk jam për politikë dhe se politika nuk është rrobë që mua më shkon për shtati. Kjo nuk do të thotë se unë betohem se kurrë nuk do të merrem me polikë, por ajo që shihet, tregon qartë se arma më dobiprurëse për mua është shkrimi dhe studimi, ndonjë veprimtari shoqërore, si dhe puna e rregullt që e bëj. Kjo përzgjedhje për të funksionuar dhe frymuar si njeri nuk është aspak e lehtë, sepse përmes shkrimit unë synoj mirëqenien e shoqërisë. Kjo nuk mund të bëhet pa i kritikuar dhe këshilluar politikanët të cilët janë të fuqishëm në shumë aspekte. Përpos punës së rregullt që e bëj, unë merrem me shkrime dhe se asnjëherë shkrimet e mia nuk kanë qenë në shërbim të së keqes. Kurrë nuk kam shkruar në shkëmbim të një pozite. Të zezës i them të zezë, sepse nuk dua të jem tradhtar i ngjyrave. Thjesht, kam shkruar dhe shkruaj se e ndiej moralisht dhe intelektualisht një detyrim të tillë. Ndaj, ju them haptas se unë nuk jam i angazhuar në asnjë subjekt politik. Çdo subjekt do ta kritikoj aty ku duhet, por po ashtu nëse bëjnë punë të mira, nuk do t’i kursej fjalët e mira. Në agjendën e shkrimeve të mia nuk është vetëm thumbimi dhe këshillimi i politikës dhe politikanëve, por edhe ecejaket e ndryshme shoqërore, ekonomike e fetare. Gjithherë përmes shkrimeve synoj hapjen e dritares prej nga mund të shihet e vërteta!



Burimi:Iljasa Salihu
 

Related Posts: