Unë sonte jam i befasuar për të mirë. Jam më i nxitur dhe më shpresues. Shumësia dhe llojllojshmëria e njerëzve përgjatë përurimit të tri librave të autorit Jusuf Zimeri, më dha shtytje për të ecur më me vullnet udhës së diturisë. Madje sonte takova shumë miq, që vetëm virtualisht qemë njohur. Nuk më gëzonin shumë kur më thoshin se shkruaj mirë, por kur dëgjoja të më thonë se publikimet e tua me vëmendje i ndjekim dhe i lexojmë. Kjo për mua ishte lumturim i vërtetë, ngaqë shoh se mundi dhe përpjekja ime nuk shkon huq, ashtu siç mund të mendojmë ndonjëherë përgjatë çasteve jo aq shpresuese. Faleminderit i nderuar Jusuf për këtë mundësi takimi dhe krijimi të një atmosfere ku libri u vu në krye të dhomës. Shoqërisë sonë përnjëmend i duhen këso takimesh dhe organizimesh.
Burimi: Iljasa Salihu





