Makolli befason japonezët me çifteli

I bie çiftelisë midis Japonie. Fatmir Makolli ka qenë i ftuar në një festival në Tokio ku ka performuar me instrumentin tradicional shqiptar para publikut japonez. Ai tregon se si vendësit ishin mjaft të interesuar për çiftelinë pasi u ngjante me instrumentin e tyre Shamisen.

Festa e 28 Nëntorit sivjet ka korresponduar me një festival në shtetin e largët aziatik – Japonisë. Në këtë datë në Tokio është mbajtur festivali ‘Internacional Red&White Singing’ ku kanë marrë pjesë këngëtarë nga shumë vende të botës. Me këtë rast janë ftuar edhe muzikantë nga Kosova. Të pranishëm atje ishin kompozitori Valton Beqiri, sopranoja Besa Llugiqi dhe Fatmir Makolli me çifteli. Ky i fundit në një intervistë për Tribuna, tregon për përvojat e tij gjatë performances para publikut japonez. Ai tregon se kur kanë mbërritur në aeroport, fillimisht janë takuar me një biznesmen japonez ku kanë dhënë intervistë për media. Pastaj kanë shkuar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, për ta filluar Festën e Flamurit.



Tribuna: A ishte hera e parë që performoni në Japoni?

Makolli: Po për mua ishte hera e parë sepse në Japoni nuk kam qenë kurrë edhe pse kam dëgjuar gjithmonë fjalë të mira për atë shtet mik të Kosovës. Ata ishin popull shumë i dashur, mikpritës, me shumë traditë, dhe për çudi më shumë adete dhe zakone si tonat, edhe në familje edhe në shoqëri në përgjithësi.



Tribuna: Cilat këngë kënduat para publikut japonez?

Makolli: Me përzgjedhjen e profesorit dhe kompozitorit tonë Valton Beqirit, solo këngëtarja Besa Llugiqi këndoi tri këngë nën përcjelljen me piano të prof. Valtonit dhe u duartrokit gjatë kur e përfundoi një këngë me një zë të lartë dhe me një zgjatje vërtet interesante. Ndërsa unë luajta një melodi me çifteli që tani me njihet si “Vallja e Prishtinës”, nën përcjelljen e prof. Valtonit. Meqenëse ishte kjo një melodi me ritëm, publiku duartrokiti bashkë me mua me ritëm të çiftelisë.



Tribuna: Me çfarë baze i zgjodhët këngët për pjesëmarrje në festival?

Makolli: Meqenëse ishte fjala për një festival ku shpalosen vlerat edhe tradicionale por edhe ato moderne, prof. Valtoni bëri përzgjedhjen e këtyre pikave që i cekëm më lart, dmth tri këngë me solo këngëtaren Besa Llugiqi dhe një melodi me çifteli dhe piano, e që ishin përfaqësim dinjitoz i qëllimit të festivalit.



Tribuna: Çfarë ishin përshtypjet e japonezeve për çiftelinë, këngët dhe veshjen tonë kombëtare?

Makolli: Japonezet njihen si popull që ruan me xhelozi traditën e vet folklorike dhe veshjet. Në bazë të kësaj ata u interesuan shumë për veshjen tonë kombëtare, e sidomos për çiftelinë, pasi që edhe ata e kanë një instrument kombëtar i ngjashëm me çiftelinë që quhet Shamisen. Në një rast kur unë i rashë pak çiftelisë si japonezët Shamisenit, ata u befasuan dhe filluan të bënin pyetje shumë interesante për çiftelinë.



Tribuna: A kishte shqiptarë në publik?

Makolli: Po kishte edhe shqiptarë në publik, sepse atje ka disa djem dhe vajza që janë edhe anëtarë të stafit të Ambasadave por kishte edhe djem dhe vajza që shkolloheshin në Japoni, madje kishte edhe profesorë shqiptarë që japin mësim në Universitetet e Japonisë, me të cilët duhet të krenohet kombi ynë.



Tribuna: Si e festuat Festen e 28 Nëntorit dhe si ishte atmosfera atë ditë në Japoni?

Makolli: Pasi arritëm në Tokio menjëherë shkuam në Ambasadën e Shqipërisë pasi që ishte 28 Nëntori. Unë kisha me vete çiftelinë dhe aty në zyrat e Ambasadës nisa këngën dhe filluam pastaj të gjithë të këndojmë por edhe të vallëzojmë. Aty kishte edhe japonezë dhe të gjithë së bashku kanë vallëzuar me ne. Ishte ky një rast i veçantë i manifestimit të 28 Nëntorit, sepse diçka e tillë nuk ishte organizuar më parë, por kjo ishte krejt një koincidencë që qëlluam mu në datën e 28 Nëntorit. Atmosfera vërtet ishte sa madhështore aq edhe mallëngjyese sepse është vend i largët dhe nuk ka mundësi të organizohet diçka e madhe siç meriton kjo ditë, por megjithatë këtë radhë të dy ambasadat patën festë, valle, këngë dhe kënaqësi.

(Bujar Vitija,redaktor në gazetën "Tribuna",Prishtinë)