DR.DOC.HELENA GRILLO (MUKLI)
Universiteti "Aleksandër Moisiu"
Fakulteti i Edukimit
Departamenti i Gjuhës Shqipe
Durrës, Shqipëri
Email:helenagrillo@yahoo.com

DR.DOC.ALISA VELAJ
Universiteti "Aleksandër Moisiu"
Fakulteti i Edukimit
Departamenti i letërsisë
Durrës, Shqipëri
LIRIA SI PËRMASË UNIVERSALE NË LIRIKËN E FLORA BROVINËS
Hyrje
Në punimin tonë do të analizojmë veçori të lirikës së poetes Flora Brovina.
Metodologjia e përdorur në realizimin e kësaj analize është e një karakteri kompleks dhe si e tillë ajo nënkupton një sërë elementesh dhe teknikash, të cilat kanë për bazë si teorinë, ashtu dhe analizën e vecantë të gjuhës së poezisë, e cila vjen me vecori specifike poetike, e latuar dhe ngjyresa stilistike. Nga pikpamja metodologjike, krahas qasjes analizuese të zbërthimeve të kuptimimeve metaforike do të mbështetemi në idenë e stilit si mënyrë për të dhënë formë, që është në qendër të estetikës së Luixhi Parejsonit.
Pak fjalë për autorin
Flora Brovina u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj. Studimet në Fakultetin e Mjekësisë i mbaroi në Prishtinë. Ka botuar disa vëllime me poezi: ”Vërma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Luleborë” (1988), “Mat e çmat” (1995) dhe “Thirrje e Kosovë” (1999, në kohën kur ajo ishte në burgun e Pozharevacit në Serbi). Në vitin 1999, në një kohë kur fati i Flora Brovinës pas arrestimit ishte i panjohur, ajo mori Çmimin Tucholsky për vitin 1999 ’in absentia’ nga PEN Klubi Suedez.
Koncepti i lirisë në art
Në këndvështrime të ndryshme të artistëve, sociologëve, politikanëve, filozofëve, teologëve koncepti i lirisë vjen si dimension i shumëpërmasuar, ku secili koncepton e rikoncepton sipas këndvështimit vetjak lirinë. Horizonti i lirisë është aq i gjerë, sa ngërthen në vetvete dimensione vazhdimisht në shtrirje. Prirja e përgjithshme e unit, individëve dhe kombeve është rendja drejt lirisë, e cila përshkallëzohet nga individi drejt grupeve sociale, etnike dhe kombeve.
Në këtë punim do të paraqesim një nga dimensionet e konceptit të lirisë, mishëruar në artin e fjalës së bukur poetike duke realizuar raportin: liria koncept dhe përjetim/veprim, ndaj abstragimi ynë për lirinë do të ndalet në lirinë e artistit, posaçërisht lirinë e poetit.

Gjuha e poezisë
Gjuha e poezisë shndërrohet në sens për figurën, gjuhë e imazheve, përjetimeve dhe situatave dramatike, heroike. Për raportet midis gjuhës individuale e gjuhës së poezisë (poetëve). Emil Benvenisti shprehet: “Në gjuhë dhe me gjuhën individi dhe shoqëria përcaktohen ndërsjellazi. Njeriu e ka pohuar gjithmonë - dhe poetët edhe e kanë kënduar shpesh - fuqinë themeluese të të folurit, që ngren një realitet imagjinar, i shpirtëzon gjërat inerte, bën të shihet ajo që ende nuk ekziston, rikthen atë që ishte zhdukur. Ja përse gjithato mitologji, duke dashur të shpjegonin se si në agimin e kohërave diçka ka mundur të lindë nga asgjëja, kanë vënë si parim krijues të botës këtë esencë jomateriale dhe sovrane: fjalën ( E.Benvenist 1971).
Nëse vepra e artit është formë, mënyra për të formuar nuk i takon vetëm leksikut ose sintaksës, por edhe cdo strategjie semiozike që tirret qoftë në sipërfaqe qoftë në thellësi gjatë nervëzimit të një teksti ( U. Eco 2007: 157).
Atëherë kur biografia mund të bëhet një “fakt letrar”, poetët bëhen heronjtë e vetvetes dhe jeta është një produkt i poezisë dhe jo anasjelltas (Ann Jeferson, David Roby 2010: 54).

Metafora e lirisë
Flora Brovina është shembull tipik i përfshirjes së “faktit letrar’ brenda vetvetes, jeta e saj është produkt i poezisë së shkruar brenda mureve të burgut. Në vargjet e vëllimit të saj të parë poetik “Vërma emrin tim”, në vitin 1973, kur ishte ende 24 vjeçare poetja pat shpallur se ishte motër e bilbilit dhe armike e qyqes. Nëse ke dëgjuar këngën time/ e di si këndoj/ vëlla e kam bilbilin/ qyqen nuk e kam fis.
Nga pikpamja gjuhësore poetja realizon mes zhvendosjes kuptimore ndërtime metaforike që e lidhin ngushtësisht me fjalë të fushës semantike familjare ( motër - vëlla), e më gjerë fis. Kuptimisht poetes i vjen në ndihmë krahasimi i fshehur me qyqen, që gjuhësisht vjen i stërlarguar nëpërmjet pjesëzës mohuese nuk. Zemra e origjinalitetit poetik të autorit çoket te përkthimi i metaforës. ( M. Kundera 2011 :112). Në poezinë “Vërma emrin tim” poetja duket sikur ka ndërtuar enigmën ( për t’u zgjidhur) mes dyzimeve anaforike të realizuara me lidhëzën nëse. Koncepti i lirisë këtu ndërthuret me konceptin e njohjes, në rastin konkret , të njohjes së vetes ( Unit) duke i dhënë lirisë një dimension të ri. Koncepti i lirisë si përmasë artistike realizohet drejt fluturimeve ( ka emrin e fluturimit), që duket sikur nuk mjafton dhe i jep përmasë të dyfishtë në fluturime të unit. Mes këtyre dimensioneve të lirisë poetja shfaqet si ekzistenciale, duke kapërcyer dilemën e njohjes. Gjuhësisht kjo shfaqje nuk realizohet vetëm me metaforën, por edhe mes përdorimit të foljes di, që thellon konceptin e njohjes.
E di emrin tim/ e di kush jam/ e di si këndoj/ e di se unë nuk qaj/

Prej kësaj kohe, Brovina nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do ta kërkonte parreshtur lirinë, si në poezi, ashtu edhe në jetë. Poetja e re e kosovare, e kish pas ndjerë mjaft herët se liria nuk duhet kuptuar si dhuratë, por si një përpjekje për ta krijuar atë.
Vëllimi i dytë me poezi “Bimë e zë” rrok tema të tilla si: roli dhe emancipimi i femrës në shoqërinë shqiptare, çështje kjo që do ta shqetësoj Brovinën edhe në aktivitetin politiko - shoqërorë në vitet që do të vijnë, si aktiviste e çështjeve në mbrojtje të së drejtave të gruas. Në këtë kënvështrim, Flora Brovina vjen si Maja Angelou e poezisë shqipe të Kosovës. Në poezinë “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” poetja dhe feministja amerikane shkruan; “Zogu i mbyllur në kafaz këndon, ai,/ me një zë të trembur e të dridhur, / për të gjitha gjërat që nuk di,/ por që dëshirojnë shumë qetësi, / dhe që melodia e tij të ndihet patjetër / në një kodër larg, diku tjetër, / nga një zog tjetër i dënuar, /që për lirinë është duke kënduar”.
Pa humanizmin e thellë për tjetrin në zanafillë nuk mund të lindin kurrë vargje të tillë si: “ Thoni vetëm mungon/ Me lule do t’ua mjekojmë plagën/ Do t’i presim/ Thoni vetë mungon/ Do të celin lule gjaku/ ora vazhdon…” Në poezi krahas konceptit tradicional[1][1] të orëve, mbartet metafora në fushën ekzistenciale ( heroi i tretur fizikisht, por i pranishëm në historinë e një populli e në vetëdijen e tij. Ora është personifikim i fatit të një njeriu, të një familjeje, të një kombi. Orët nuk paraqiteshin gjithmonë si vajza, shpesh në tradita folklorike ato marrin pamjen e dhive, të gjarprit (vitorja). Cdo njeri, cdo familje, cdo komb ka orën e vet, gjeniun e vet mbrojtës.

Shkalla e abstragimit mëton përjetimin material ekzistencial, individual e merr përmasa përgjithësuese, kthehet në simbolikën e heroit të rënë për liri. Liria përmasohet nga uni fluturim i qënies, drej valles kolektive që mbart popullin, kombin.
Ora e parë
“Atë natë edhe Hëna qau/ si nëna në zi/ atë natë vdiq Ganimeti/ u fik një dashuri”
Nata e kobeve
Metafora krijon përjetime gjendjesh e paralelizma ( Hëna qau), ndiqet nga krahasimi ( si nëna në zi) të lidhura kuptimisht me përjetimin e konceptit të vdekjes. Kjo finalizohet me lojën në kuptimet sinonimike të fjalëve vdiq – u fik. Poetja parapëlqen si gjetje stilistike ndërtimin e metaforës mes fjalës sinonimike të vdekjes( fik), duke I dhënë shpresë për t’u rindezur dashurisë.
Lulet e gjakut në poezinë e Brovinës lindin së pari në gjakun e shpirtit të saj poetik e mandej bëhen pemë gjaku për Kosovën martire. E kundërta e lirisë, joliria ka në thelb të saj tradhëtinë, e ndaj vjen në përfytyrimin e lexuesit si një gjarpër duke na sjellë një përmasë tjetër të lirisë, por realizuar në marrëdhënien mungesore: liri/ joliri; ekzistencë, qënie/ vdekje, mohim. Në dimensionin e këtij raporti mungesa e lirisë individuale shndërrohet në zi kolektive. Kanti (1724-1804) thotë, se kusht i të gjitha lirive sociale dhe politike është detyra, obligimi për të vepruar në një mënyrë, që të mund të ngrihet në një ligj të përgjithshëm. Ekzistenca e këtyre ligjeve të përgjithshme në arsyen e njeriut shpie drejt një lirie të patjetërsueshme e të zakonshme, një realitet që mund të tematizohet, fundja vetëm në mënyrë reale.
“Gjarpër/ Ndërron lëkurë/ Ti ndërron lëkurë/ E gjarpër je/ Rrotull meje” Gjarpër
Gjarpëri si mohues i lirisë fiton një peshë specifike në lirikën e Brovinës. Ai bëhet simbol vdekje dhe paralajmërim si mohues i ekzistencës së një populli të tërë prej dhunës së satanave pushtues, si vrasës të lirisë. Gjarpëri vjen si simbol analog i gjarpërit të zanafillës biblike, simbol i gënjeshtrës, mashtrimit dhe vdekjes.

Atdheu perceptohet si pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e saj nga lirika patriotike tradicionale dhe e bashkon me poetë si Fatos Arapi, ku atdheu është toka që të rrëshqet nën këmbë (Poezia Atdheu) dhe me poezinë bashkohore arbëreshe, ku atdheu është pjesë e vetvetes, dhe hapësira ku poetë të tillë si: Vorea Ujko, Di Maxho, Belizi kërkojnë rrënjët e tyre të të qenit (Alisa Velaj 2012). Ky atdhe si pjesë e lirisë së individit përbën universalen në lirikën e Flora Brovinës.
Metafora vjen e gjallë, e paprekur, e freskët dhe rrëmbenjëse. Fryma poetike lëviz lirisht: si fluturim zogu, si zogjtë nëpër erë, si zgjim i shpenguar drejt lëvizjes në hapësirë, si hënë që mbart në shpirt dritën.
Liria dhe emancipimi i femrës kosovare fiton një peshë të madhe në poezinë e Brovinës. Poetja sheh tek femra shqiptare gruan e jashtëzakonshme të Angelout, por që tashmë duhet të shndërrohet në një pjesë të lirisë së Kosovës me lirinë e saj. Liri që duhet ta fitojë, pasi pa liri të femrës nuk ka liri të kombit. “ C’ruan në aneminë e fjalës/ këngën e heshtur/ apo një pranverë të sosur/ c’ruan kur përkund kohën në djep/ c’ruan/ c’fsheh” (Gruas )

Metafora këngë e heshtur ka ngjizur gjithë domethënien e melodive të pathëna e pakënduara, ekzistencën e tyre në shpirt ( por jo mungesën). Poetikisht e ka ndërtuar aq bukur në sintagmën aneminë e fjalës, që e përshkruan mrekullisht përjetimin mungesor të njërës prej përmasave të lirisë. Për këtë e ka ndihmuar liria e fluturimet poetike. Pranverat e saj të sosura nuk do të jenë gjë tjetër vecse një ardhje e zbehtë e lirisë së Kosovës. Koha dhe kombi zgjohen vetëm atëherë kur ndihet kënga e gruas dhe jo kur koha përkundet prej saj në djep.

Te ‘Thirrje Kosovës” prej vetes përmasat e lirisë zgjerohen drejt një horizonti që ngjiz të tjerë horizonte lirie, ku robëria dhe joliria janë fare të përjashtuara. Pasi liria është tashmë gjithçka që frymon dhe gjithcka që të jep jetë. Përmasat e lirisë zgjerohen në të gjitha dimensionet nga ‘Thirrje Kosovës” te “Liria” duke shtuar enumeracionet që shkojnë drejt infinitit, pa nguruar të përdorë nga detajet e përditshmërisë lojë e fëmijëve, deri në metaforën luneare që zgjerohet në kozmos. Aty liria vjen si: fluturim, zgjim, hënë, erë, lojë e fëmijëve, gaz e vaj--- grua e cliruar nga barra duke u endur në përmasat shumëdimensionale mes realizimeve: liri ekzistenciale ( unë+ ti) , përtëritje, clirim dualiteti, liri embrionale. Të gjitha këto ndihmojnë në shumëfishimin e përmasës së lirisë në univers që finalizohet më përjetimin e gjendjes së arritur ( oh si duket liria)

Krahas metaforës Brovinën e ndihmon edhe eliptizmi, dukuri e pazakontë për përshkrimin e përmasave kaq universal, por që realizohet aq mjeshtërisht nga poetja. Ajo thotë kaq shumë dhe shkruan kaq pak, me vargje minimaliste që rrokin thelbin e dukurive.

Së fundi, nga pikpamja tipologjike mosklasifikimi i lirikës së Flora Brovinës në asnjë prej rrymave të poezisë shqipe tregon një tjetër manifestim të lirisë artistike, që nuk u mungon njerëzve me shpirt të pasur poetic e ndjeshmëri të lartë artistike. Brovina shquhet edhe për ndjeshmëri gjuhësore. Puna me gjuhën, qëndrimi dhe përpjekja që të shfrytëzohen në mënyrë të gjerë dhe cilësorisht mundësitë e mëdha që ofron gjuha në rrafshin e leksikut e sintaksës- janë ndër përbërësit që të bien në sy vecan në lirikën e Flora Brovinës.

Përfundim
Në këtë punim paraqitëm një nga dimensionet e konceptit të lirisë, mishëruar në artin e fjalës së bukur poetike duke realizuar raportin: liria koncept dhe përjetim/veprim. Në lirikën e poetes sonë liria klith për lirinë. Kjo e fundit vjen si përmasë ekzistenciale, jo vetëm kur klithma poetike shndërrohet në kronikën e dhimbjes së një populli të tërë, por edhe kur pikëllima ngjizet si dhimbje e njeriut për njeriun. Atdheu perceptohet si pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e saj nga lirika patriotike tradicionale dhe e bashkon me poetë si Fatos Arapi, ku atdheu është toka që të rrëshqet nën këmbë (Poezia Atdheu) dhe me poezinë bashkohore arbëreshe, ku atdheu është pjesë e vetvetes, dhe hapësira ku poetë të tillë si: Vorea Ujko, Di Maxho, Belizi kërkojnë rrënjët e tyre të të qenit (Alisa Velaj 2012). Ky atdhe si pjesë e lirisë së individit përbën universalen në lirikën e Flora Brovinës. Nga pikpamja tipologjike mosklasifikimi i lirikës së Flora Brovinës në asnjë prej rrymave të poezisë shqipe tregon një tjetër manifestim të lirisë artistike, që nuk u mungon njerëzve me shpirt të pasur poetik e ndjeshmëri të lartë artistike. Brovina shquhet edhe për ndjeshmëri gjuhësore.
Përmbledhje:
Gjuha e poezisë shndërrohet në sens për figurën, gjuhë e imazheve, përjetimeve dhe situatave dramatike. Në poezi kalimet kuptimore sendërtohen përmes metaforës, e asgjë nuk kërkon më shumë saktësi sesa përkthimi i kësaj figure stilistike, meqenëse aty preket zemra e origjinalitetit poetik të një autori. Mes analizës stilistiko - gjuhësore do të zbërthejmë shkallë - shkallë konceptin e lirisë në metaforën e vargut të Brovinës, nga vëllimi “Bimë e zë” në vëllimin “Mat e ç’mat”. Shkalla e abstragimit mëton përjetimin material ekzistencial, individual e merr përmasa përgjithësuese, kthehet në simbolikën e heroit të rënë për liri.
Në poezinë e Flora Brovinës atdheu perceptohet si pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e saj nga lirika patriotike tradicionale. Një përmasë e kësaj natyre, atdheu, si pjesë e lirisë dhe domosdoshmërisë ekzistenciale përbën universalen në lirikën e Flora Brovinës. Tema të tilla si liria, emancipimi, e bëjnë klithmën e saj poetike të meritojë pa asnjë hezitim pagëzimin “Maja Angelou e letërsisë shqipe të Kosovës”.
Mosklasifikimi i poezisë së Brovinës në asnjë nga drejtimet letrare të poezisë shqipe përbën padyshim një tipar të lirisë së saj në artin e fjalës.
Fjalët çelës: metafora e lirisë, gjuha e poezisë, universaliteti i poezisë.
Summary:
The language of poetry is exchanged in a sense for the figure, the language of the images, experiences and dramatic situations. In poetry this drift is done through the metaphore, and nothing requires more preciseness as the translation of this style figure, as the heart of the author’s originality. By analyzing the style and language we will break down step by step the concept of freedom in the metaphore of Brovine verses from the volume “ Plants and Voice” to “ Measure and unmeasure”. The degree of abstraction shows the existing material experience and takes resumptive dimension and turns into the symbol of the heroe fallen for freedom.
In the peotry of Flora Brovine the motherland is thought to be part of individual freedom, which parts her poems from the traditional freedom lyrics. A dimension of this nature, the motherland, as part of freedom and existance contains the universal of her lyrics. Themes like freedom and emancipation makes her poetic cry to merit without hesitation the epiphany “Maja Angelou of Albanian literature of Kosovo”.
The non clasification of Brovine poetry in any of the albanian literature trends constitutes without any doubt a unique feature in the art of the word.
Key words: the freedom metaphore , the language of poetry , universal dimension.
Bibliografia
GABLES, C (1971) Problems in general linguistics, translated by Mary Elizabeth Meek, 2 vols, Florida.
ECO,U (2007) Për letërsinë, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë.
Ann Jeferson, David Roby, Formalizmi Rus në Teoria Letrare Moderne, Shtëpia botuese “Albas”, Tiranë, 2010, f.54.
KUNDERA, M (2011)Testamentet e tradhëtuara, Tiranë, f. 112
VELAJ, Alisa (2012) , Konfigurimi i atdheut në poezinë bashkohore arbëreshe,, Suplementi Rilindasi në Shqiptarja.com, Tiranë.
LLOSHI, Xhevat (2005), Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika, SHBLU, Tiranë. Nga konferenca e mbajtur në Kolegjin Saverjan, më 18 janar 1931. Shih E. Koliqi, “Vepra”, 2, Konica, Prishtinë, 2003.
SHKURTAJ, Gjovalin (2009), Pesha e fjalës shqipe, Tiranë.
THOMAI, Jani (1999), Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë.
THOMAI, Jani(1992), Teksti dhe gjuha, Tiranë.
ULLMAN, Stephen (1962), Semantics Introduction to the Science Meaning, Oxford.
Hape dritaren, merr frymë thellë...më tha nëna...
http://floripress.blogspot.com/2013/01/hape-dritaren-merr-fryme-thelleme-tha.html
Po e prekni Kosovën - Keni punë me mua!....
http://floripress.blogspot.com/2012/11/po-e-prekni-kosoven-keni-pune-me-mua.html