Ekzistencializmi i një nobelisti arab

Edhe pse autori është “Nobel për Letërsinë”, ai njihet pak nga lexuesi shqiptar. Për këtë arsye u zgjodh të përkthehet e botohet romani i tij “Nata e një mijë e një netëve”. Kjo zgjedhje, sipas botuesit të tij “Zenit”, u bë për shkak të lidhjes me veprën e lashtë të lexuar gjerësisht nga lexuesi shqiptar, duke bërë kështu një kalim të bukur në letërsinë moderne egjiptiane. Në këtë roman tema klasike kthehet në një alegori të shoqërisë moderne egjiptiane. Kjo vepër ka shijen e rrëfenjave të lashta, por shkon më thellë në tema si tradhtia, intriga, dashuria obsesive, padrejtësia shoqërore, që do t’i ndihmojnë lexuesit të plotësojnë idenë e tyre rreth kulturës arabe gjatë shekullit të fundit.

Naguib Mahfouz (1911-2006) ka qenë një romancier egjiptian që fitoi çmimin “Nobel për Letërsinë” në 1988. Ai konsiderohet si një nga të shkrimtarët e parë bashkëkohorë të letërsisë arabe, së bashku me Tawfiq el-Hakim, që eksploroi temat e ekzistencializmit.

Naguib Mahfouz lindi në Kajro në 1911 dhe filloi të shkruante kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Student filozofie dhe lexues i pangopur, veprat e tij radhisin që prej riimagjinimit të miteve antike e deri në komentet e holla mbi politikën dhe kulturën bashkëkohore egjiptiane. Ai ka botuar mbi 50 romane, mbi 350 tregime, dhjetëra skenarë filmash dhe pesë drama përgjatë një karriere 70-vjeçare. Shumë nga veprat e tij janë përdorur për filma arabë dhe të huaj. Në 1988 Naguib Mahfouz u bë i pari shkrimtar arab që mori një çmim “Nobel për Letërsinë”. Ndërkohë që Mahfouz është pavarësisht dhe për më së shumti një rrëfimtar, ai i jep lexuesit një “bakshish” shtesë, duke iu treguar histori të njerëzve nga të gjitha rrugët e jetës. Kështu, Mahfouz përshkruan me saktësi problemet ekzistenciale me të cilat përballen egjiptianët bashkëkohorë. Rezultati është një vështrim intim dhe tepër personal i jetës në Egjipt. Romanet e tij, që trajtojnë njerëzit urbane, përfshijnë veprën gjysmë-autobiografike Khan al-Kasrain/Trilogjia e Kajros (1956–57). Libri i tij Fëmijët e Gebelavi u ndalua në Egjipt për shkak të trajtimit që i bënte temave religjioze. Romane të tjera të tij janë Al-Lis s wa-al-Kilab/Hajduti dhe Qentë (1961), Al-Shah hadh/Lypsari (1965), dhe Miramar/Miramar (1967). Ai u plagos rëndë nga një sulm me thikë prej militantëve islamikë jashtë shtëpisë së tij në Kajro në tetor 1994.

Ligjërata që mbajti Mahfouz në ceremoni e dhënies së “Nobelit” në vitin 1988 ishte: “Unë jam bir i dy qytetërimeve, që në një kohë të caktuar kanë bërë një martesë të lumtur. I pari, 7000-vjeçare, është qytetërimi faraonik; i dyti, një mijë e katër qind vjeçar, është ai islamik... Ishte fati im, zonja dhe zotërinj, të lindja në prehrin e këtyre dy qytetërimeve, dhe të thithja qumështin e tyre, të ushqehesha me letërsinë dhe artin e tyre. Më pas piva nektarin e kulturës tuaj të pasur e mahnitëse. Nga frymëzimi i gjithë kësaj – si edhe ankthet e mia personale – fjalët rrodhën prej meje. Këto fjalë kishin fatin të meritonin vlerësimin e akademisë suaj të respektuar, që ka kurorëzuar përpjekjen time me çmimin e shkëlqyer “Nobel”. Faleminderit prej meje dhe në emër të tërë atyre ndërtuesve të mëdhenj të shkuar, të cilët kanë themeluar dy qytetërimet”.

Po, si arriti një njeri që vjen nga Bota e Tretë të gjente paqen mendore për të shkruar histori? Fatmirësisht, arti është bujar dhe i dhimbsur. Ashtu siç merret me të lumturit, nuk i braktis fatkeqët. U ofron të dyve njëlloj mjetet e nevojshme për të shprehur çka ua mbush kraharorin. Pavarësisht asaj që ndodh përreth nesh unë jam i përkushtuar ndaj optimizmit deri në fund. Unë nuk them me Kantin se e Mira do të jetë fitimtare në botën tjetër. E Mira është të arrish fitore çdo ditë. Mundet madje që e keqja të jetë më e dobët se ç’e imagjinojmë. Para nesh qëndron një provë e pashlyeshme: sikur fitorja të mos ishte gjithmonë nga ana e të mirës, hordhitë e njerëzve endacakë nuk do t’ia kishin dalë përballë bishave dhe insekteve, fatkeqësive natyrore, frikës dhe egoizmit, për t’u rritur e shumuar. Ata nuk do të kishin qenë në gjendje të formonin kombe, të shkëlqenin në krijimtari dhe shpikje, të pushtonin hapësirën, dhe të shpallnin të Drejtat e Njeriut. E vërteta është se e Keqja është një lavire e zhurmshme dhe e egërsuar, dhe se Njeriu mban mend më shumë atë që e lëndon sesa atë që e kënaq. Poeti ynë i madh Abul-'Alaa' Al-Ma'ari pati të drejtë kur tha:

"Vuajtja në orën e vdekjes

Është njëqind herë aq

Gëzim në orën e lindjes.”

Çfarë thuhet për letërsinë e Mahfouz lidhet edhe me jetën e botine tij të brendshme shpirtërore, si një arsye pse ai arriti deri në dyert e akademisë suedeze, si i pari shkrimtar i vendeve arabe. Mahfouz ndihet më mirë midis tipave që njeh më mirë: ai bën bashkë një turmë laramane të nënbotës së qytetit të tij të dashur. Mënyra si personazhet e tij bien në shoqërinë e njëri-tjetrit të kujton “Duke pritur Godonë” e Samuel Beckett. Si Estragoni dhe Vladimiri, valiu dhe vajza kanë humbur në këtë vend të shkretë dhe bëjnë të rinisen çka është njëlloj e thellë e prekëse. Bota e Becket-it është e sheshtë, sterile dhe e vetmuar – e dënuar qysh prej fillimit. Mahfouz është më shumë i interesuar në gjurmimin e njëfarë degjenerimi prej pafajësisë, në vënien në pah të korrupsionit që fshihen në palat e shenjtërisë false. Ai dëshiron të tregojë sesi përhapet kalbëzimi për shkak të periudhave të gjata të stanjacionit, se si fibra shoqërore e njerëzve hollohet për shkak të kalbëzimit të idealeve të tyre. Mahfouz arrin ta transformojë shqyrtimin e telashit/vështirësisë të individit në përballjen e tij me autoritetin në një trajtimin e çështjeve të tilla si kuptimi i jetës, vlera e veprimit njerëzor, dhe tëhuajëzimi i individit modern prej shoqërisë dhe Zotit – tema që i shtynë kritikët ta asociojnë punën e romancierit gjatë asaj periudhe me lëvizjen ekzistencialiste në Evropë, veçanërisht me Kamynë dhe Sartrin. Janë këto disa mendime kritike, që si edhe libri, vijnë të përkthyera në shqip nga Hysen Sinani, duke u trajtuar si ithtar i ekzistencializmit.