Kështu, i sëmuri i madh i Europës shpëtoi sipërmarrjen dhe shtetin social. Duke mposhtur borxhin e madh publik, papunësinë dhe rritjen e ulët ekonomike. Metamorfoza, frut i reformës së mirëqenies sociale dhe kursimeve
ANGELO BOLAFFI
Sot Gjermania është një vend i admiruar dhe i lakmuar (ndoshta dikush e ka edhe frikë). Nuk është sigurisht më i miri i mundshëm, por “vetëm” më pak i keqi mes sistemeve socialë europianë që ekzistojnë vërtetë, me përjashtim ndoshta të atij zviceran dhe suedez. E megjithatë, në fillim të këtij shekulli-mijëvjecari, Republika Federale ishte “ sëmuri i Europës”, kështu quhej nga The Economist. Një vend në krizë që nuk dukej në gjendje t’i bënte ballë, pas traumës së ribashkimit, sfidës së dyfishtë që paraqiste globalizimi dhe ndërtimi i unitetit europian. Rritje e ulët ekonomike, papunësi e lartë, borxh publik jashtë kontrolli përballë një zbehjeje shqetësuese të investimeve private. Si ishte i mundur ky transformim i jashtëzakonshëm, cilat ishin arsyet e kësaj metamorfoze fituese?
Ato janë të një natyre të dyfishtë: pikësëpari, historiko-strukturore. Kanë të bëjnë pra, me atë që quhej Modeli Deutschland: “Forca që e bën sot Gjermaninë një pikë referimi të politikës europiane, në momentet e një krize tronditëse financiare – sipas Claudio Magris – ka origjinë të lashtë”. Në atë model, që “rigorozisht kapitalistik dhe i huaj ndaj cdo lloj tundimi rrugësh të treta, dallohet shumë nga ai anglo-sakson dhe vecanërisht amerikan (…). Eshtë një traditë kapitalistike që vlerëson kursimin, që nuk braktis prodhimin (përkundrazi, e privilegjon) për spekulimin (…). Një traditë që ka parë sindikatat të kontribuojnë në aspekte të ndryshëm të menaxhimit dhe ka përpunuar një sistem parashikimesh, pensionesh, asistence sanitare që ka krijuar një botë të mirë, pa besuar shumë në abuzimet asistencialiste”.
Dhe në fakt Sozialpartnerschaft përbën themelin e Modelit Deutschland: një partneritet social, shprehje e një “kompromisi klasash”, që garanton një rol të rëndësishëm kontrolli dhe pjesëmarrjeje në sindikata, pa lejuar që një “aleancë e tillë prodhuesish” institucionalizuar në Mitbestimmung (bashkëmenaxhimin) të rezultojë paralizuese e proceseve vendim-marrës nga ana e menaxhimit, apo të jetë pengesë për futjen e risive të domosdoshme prodhuese në sipërmarrjet.
Por pa largpamësinë e vendimeve në kohë, por shpesh jopopullorë të reformës së ekonomisë dhe shoqërisë – dhe kjo është arsyeja e dytë e “mrekullisë së re gjermane” – Modeli Deutschland nuk do i kish rezistuar goditjes së “transformimit të madh” që pasoi rënien e Murit të Berlinit, që shënoi edhe lindjen e epokës së botës globale, pikërisht ashtu sikurse dyqind vjet më parë, ’89-a franceze kishte pagëzuar lindjen e Europës moderne dhe opinionit publik demokratik.
Merita e madhe e Agenda 2010, shtyrë prej qeverisë kuq e gjelbër të udhëhequr nga Gerhard Schroederi, dhe që konsistoi në nisjen e reformës më radikale të shtetit social në historinë e pasluftës së Gjermanisë si dhe një rikonvertim strukturor të sistemit ekonomiko-prodhues të Gjermanisë. Kjo nënkuptoi jo vetëm ndarjen me një traditë të konsoliduar marrëdhëniesh industriale, por edhe ribërjen e raportit mes të drejtave të qytetarëve dhe detyrave të shtetit. Bëhej fjalë natyrisht për një vendim shumë të vështirë për një udhëheqës të PSD, partia social demokrate gjermane, e cila e kish bërë mbrojtjen “nga djepi në arkivol” të të drejtave sociale, arsyen e vet ekzistenciale.
Reforma radikale që Schroederi zbatoi në shtetin social gjerman, që u përmbyll me disa përshtatje të skajshme prej Koalicionit të Madh të udhëhequr nga Angela Merkel nga 2005 në 2009, ka dhënë frutet e saj: sot Gjermania është vendi udhëheqës i eksporteve botërorë dhe ka njëkohësisht një normë shumë të ulët papunësie mes të rinjve, ndryshe nga sa ndodh në jug të Europës. Kjo nuk do të thotë aspak që edhe në Gjermani, ashtu si në të gjithë vendet e industrializuar të Perëndimit, nuk është prodhuar në vitet e fundit një hendek dramatik social në dëm të shtresës së mesme dhe klasave më të dobëta. Përvec se, kjo ka ndodhur në një formë shoqërisht shumë më të tolerueshme nga sa ka ndodhur gjetkë, pikërisht falë funksionimit të mirë të sistemeve të sigurisë shoqërore dhe rregullimit të tregut të punës.
Në fakt, reformat e kërkuara nga Schroederi kanë ndryshuar nga pikëpamja sasiore, por pa dëmtuar nga pikëpamja cilësore Modelin Deutschland. Sado i reformuar, modeli gjerman ka rezultuar në gjendje të mbajë bashkë imperativët sistemikë të tregut dhe ata etikë të arsyes sociale, duke lidhur me mencuri fleksibilitetin e nevojshëm me garancinë e mbrojtjes së vendit të punës, duke gozhduar një orar fleksibël, për punën me kohë të pjesshme dhe atë jashtë orarit. Dhe duke synuar në lëvizshmërinë aktive, falë së cilës punëtorët, edhe në periudha krize, përmirësojnë formimin dhe dijet e tyre. Një lëvizshmëri e tillë funksionon, sipas fjalëve të thëna dikur nga Romano Prodi, si një “ashensor social dhe profesional që përdoret mbi të gjitha në brendësi të kompanisë dhe kontribuon për afirmimin e jashtëzakonshëm dhe mbresëlënës të industrisë gjermane në botë”.
Modeli Deutschland është pra jo vetëm në gjendje t’u përgjigjet sfidave ekonomike të tregut global shumë më mirë se sa modeli anarkiko-konfliktual i vendeve të Mesdheut, por edhe më mirë se sa ai liberal-manchesterian i vendeve anglo-saksonë. Ai arrin njëkohësisht të ruajë arritjet ekonomike të punëtorëve si dhe të drejtat e tyre sociale dhe të lirisë.
Për këtë arsye është e mundur të thuhet, sic është shkruajtur edhe në Traktatin e Lisbonës, se ekonomia sociale e tregut, “teologjia sekrete” e fshehtë e modelit gjerman, përfaqëson paradigmën nga e cila duhet të orientohet domosdoshmërisht cdo politikë europiane, që do të ruajë arritjet sociale, ekonomike dhe normative të Kontinentit të Vjetër, duke shmangur në të njëjtën kohë që Europa të hyjë në rrugën e pakthim të një rënieje strukturore, shkaktuar prej arsyeve demografike dhe ekonomike.
Sekreti i suksesit
Në Gjermani, orët e punës për cdo punonjës janë mesatarisht 1413 në vit, shumë më pak se në Greqi (2032), Itali (1750), Portugali (1711) dhe Spanjë (1690). Megjithatë, produkti për cdo orë pune është shumë më i lartë se në gjithë këta vende, një prej më të lartëve në zonën e OSCE. Cili është sekreti i këtij suksesi?
Përgjigja është komplekse, me shumë drita, por edhe me disa hije. Stabiliteti i Euros dhe ndalimi i zhvlerësimeve konkurues nga ana e konkurrentëve tradicionalë kanë qenë një bekim i vërtetë për sipërmarrjet gjermane dhe eksportet e tyre. Reformat e tregut të punës të nisura nga qeveria Schroeder në fillim të dekadës që kaloi kanë injektuar doza të forta fleksibiliteti dhe sindikatat kanë pranuar një ulje pagash pothuajse unike në Europë, ashtu si dhe reduktimin e orarit me qëllim ruajtjen e punësimit. Edhe falë euros si dhe reformave Hartz, sipërmarrësit kanë investuar, mbi të gjitha në teknologji të reja, duke rritur kështu produktivitetin. Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, që e kanë më të vështirë të financojnë kërkim dhe zhvillimin, janë asistuar nga një sistem publik i fortë në mbështetje të inovacionit. Ndryshimi i brezave të punonjësve ka sjellë në kompani të rinj në dukje më të përgatitur. Nëse deri në moshën 14 vjec studentët gjermanë kalojnë më pak kohë në shkollë se sa bashkëmoshatarët e tyre europianë, pas shkollës së detyruar gjysma e tyre kalojnë në procese formues tejet profesionalizues dhe të bazuar në alternimin shkollë-punë, duke zhvilluar aftësi të vyera për industrinë dhe shumë shërbime. Sistemi i dyfishtë i arsimit ka shfrytëzuar shumë ndërhyrje rregulluese gjatë dekadës së fundi, që kanë vënë pothuajse në një linjë virtuale kërkesën dhe ofertën e aftësive profesionale.
Medalja gjermane ka megjithatë një tjetër anë, më pak virtuoze. Në shumë sektorë (profesione, tregti, financë dhe siguracione) shërbimet janë të ngurtë dhe të mbyllur për konkurrencën, pra pak produktivë. Reformat Hartz kanë theksuar pastaj segmentimin e punësimit: papunësia ka rënë, por janë përhapur vendet e punës të pasigurtë si dhe të ashtuquajturat mini-jobs, që paguajnë afro 500 euro në muaj. Në fushën e ndërtimeve, shërbimeve ndaj personit, call center e kështu me radhë Gjermania po bëhet gjithnjë e më shumë si vendet anglo-saksonë: një ushtri të varfërish që punojnë që hyjnë e dalin nga tregu, kanë kualifikime të ulët dhe pak perspektivë për përparim profesional dhe lëvizshmëri sociale. I vetmi dallim mes Gjermanisë dhe vendeve PIGS është që të pasigurtët në Gjermani përfitojnë nga një rrjet sigurie (forcuar në vitet dymijë): subvencione shtetërorë goxha të bollshëm, që mund t’u shtohen edhe pagesave të mini-jobs.
Rrugëtimi gjerman ka dhënë deri tani frute të mirë, si ndaj vendeve periferikë, ashtu edhe ndaj shteteve të tjerë kontinentalë si Franca, Belgjika dhe Holanda. Qëndrueshmëria e Modelit të ri Deutschland varet parasëgjithash nga disa kushte, që vetëm pjesërisht janë debatuar në fushatën elektorale. I pari është stabiliteti i euros. Opininit publik nuk i është shpjeguar në mënyrë të mjaftueshme e të qartë avantazhi i madh që monedha e përbashkët i ka sjellë ekonomisë gjermane, duke penalizuar pothuajse simetrikisht ekonomitë më të dobëta. Fatmirësisht partitë e kanë kuptuar (përvec Alternative fur Deutschland) dhe askush nuk flet më për të braktisur shtetet e PIGS në fatin e tyre. Kriza e euros megjithatë nuk ka marrë fund, pas zgjedhjeve Gjermania duhet të sqarojë pozicionin e saj strategjik mbi shumë dossier-ë: që nga unioni bankar, deri tek mekanizmat e mbështetjes financiare mes vendeve anëtarë. Një qeveri e Koalicionit të Madh mund të jetë më e përshtatshmja për të nisur një fushatë bindëse pedagogjike (dhe transparence) ndaj qytetarëve mbi rëndësinë e euros për Gjermaninë.
Kushti tjetër delikat është që dualizmi i tregut të punës të mos përkeqësohet, madje përkundrazi të zbutet. Këtu sfida parësore është liberalizimi i shërbimeve: vetëm hapja ndaj konkurrencës do të shtyjë sipërmarrjet që veprojnë në këtë sektor të modernizohen dhe artikulohen, duke krijuar punësim të ri fleksibël por “të mirë”, si nga këndvështrimi i kualifikimit, ashtu edhe shpërblimeve. Edhe reforma të mëtejshme të mirëqenies sociale mund të jenë të dobishme, mbi të gjitha në fushën e shërbimeve sociale dhe pajtimit. Në bilancin publik gjerman ka hapësira për të rritur pak shpenzimet. Masat në këtë drejtim do të kishin edhe avantazhin që të mbështesnin dhe stimulonin një punësim më të madh të femrave. Në fushatën elektorale temat e mirëqenies janë diskutuar shumë; liberalizimi i shërbimeve, më pak. Por pikërisht në këtë front qeveria e re e Berlinit duhet të përveshë mëngët dhe të bëjë, ashtu si duhet, detyrat e saj të shtëpisë. /Sette/
Pershtatur nga bota.al