Antologjia e Letërsisë së Arbëreshëve të Kalabrisë është botuar prej pak kohësh në Kozenca të Italisë prej një grupi intelektualësh. Françesko Altimari, Anton Nikë Berisha, Fiorela de Roza dhe Vinçenc Belmonte janë katër bashkëpunëtorët që janë kujdesur p
Arjola Hekurani
Aty gjen një pjesë të mirë të shpirtit të arbëreshëve të Italisë ndër shekuj. Gjen të përditshmen, gëzimet e hidhërimet, gjen nderin e krenarinë, trimërinë e flijimin, fatkeqësinë e pësimin... Pastaj gjen edhe dukuri të lashta me përmasa mitike, duke nisur nga Moti i Madh e me kryetrimin Gjergjin e Kastriotëve, Skënderbeun, për të vijuar më pas me të gjitha ndjesitë që përshkojnë një krijues letrar. Prej pak kohësh ka dalë në qarkullim në Itali, Antologjia e Letërsisë së Arbëreshëve të Kalabrisë. Një punë që ka nisur prej disa vitesh dhe që ka gjetur mbështetjen e përkushtimin e albanologut arbëresh Françesko Altimarit, profesorit të letërsisë shqipe në Universitetin e Kozencas në Kalabri, Anton Nikë Berisha, Fiorela de Rozas dhe Vinçenc Belmontes. Bëhet fjalë për një tablo të gjerë panoramike kushtuar letërsisë arbëreshe, e cila ka gjetur veten dhe është shprehur në zonën e Kalabrisë, në Itali, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVIII deri në ditët tona, duke filluar nga Jeronim de Rada e deri te Karmine Abate. Autorët gjejnë vend në këtë antologji, duke pasur parasysh linjën e zhvillimeve kulturore e letrare italo-shqiptare në Kalabri, nga origjina e deri në ditët tona. Antologjia e Letërsisë së Arbëreshëve të Italisë, është një punë për t‘u konsideruar dhe vlerësuar, duke pasur parasysh punën e kryer prej katër bashkëpunëtorëve të sipërpërmendur, të cilët kanë përzgjedhur me kujdes të gjithë përfaqësuesit e kësaj letërsie. Françesko Altimarit i takon përkthimi i "Këngët së Milosaut" të Jeronim de Radës, Anton Nikë Berishës i takon kujdesi i teksteve të De Rada ("Këngët e Milosaut), si dhe autorëve Françesk Antonio Santori, Agostino Ribeko, Aristide Manes, Dushko Vetmo, Vorea Ujko, Luka Perrone, Zef Del Gaudio, Françesk Paçe, Enca Skutari, Vinçenc Borresho, Karmelo Kandreva, Vinçenc Selvaxhi, Pietro Napolitano, Vinçenc Belmonte, Vinçenc Bruno, Françesk Fuska, Agostino Xhordano, Karmine Abate, Katerina Zukaro, Pino Kakoca, Mario Belici. Ndërkaq, Fiorela de Roza është kujdesur për tekstet e Bernardo Bilota, Feliçe Stafa, Vinçenc Stratigò, Salvatore Braile, Zef Gangale, Zef Anxhelo Noçiti dhe Domeniko Antonio Markeze. Po ashtu, Vinçenc Belmonte është kujdesur për përkthimin e teksteve të Jul Varibobës, Zef Serembes, Kozmo Serembes, si dhe përkthimin e poezisë së Dushko Vetmos, Vorea Ujkos dhe të Luka Perrones, si dhe për kujdesin e teksteve të Kozmo Rokos dhe Antonio Argondixas. Kjo punë është realizuar prej profesorëve të Universitetit të Kozencës në Kalabri, për të cilët letërsia arbëreshe është e rëndësishme, sidomos për sa i përket ruajtjes dhe pasurimit të shpirtit arbëresh. Gjuha arbëreshe dhe të folurit arbërisht ka qenë dhe mbetet përbërësi më qenësor i gjallimit dhe i ruajtjes së botës e shpirtit arbëresh nëpër kohë. Mirëpo, letërsia arbëreshe, gojore dhe e shkruar, konsiderohet gjithashtu e rëndësishme. Ajo ka luajtur një rol të shumëfishtë për ruajtjen dhe pasurimin e kësaj bote shpirtërore të atyre shqiptarëve që shekuj më parë u shpërngulën nga trojet e tyre, drejt Italisë. Rëndësia dhe roli i jashtëzakonshëm i letërsisë arbëreshe u shprehën në forma e në rrafshe të ndryshme dhe në mënyrë të pandërprerë. "Në to shprehen e përjetësohen çështje të jetës reale arbëreshe, por dhe të së kaluarës e të botës shqiptare në përgjithësi, të gërshetuara thellësisht me përmasën imagjinative dhe mitike, të cilat, të njësuara së bashku, bëjnë realitetin e veprës letrare të shprehur nëpërmjet strukturës gjuhësore poetike. Si të tilla, ato shprehin të vërtetën artistike, që është shumë më e vlefshme dhe më e qenësishme se sa e vërteta reale", thotë Anton Nikë Berisha. Sipas tij, punimet dhe studimet e përfshira në këtë vëllim, shumica të shkruara kryesisht në katërmbëdhjetë vitet e fundit, gjakojnë të provojnë mundësinë e një leximi më të thellë dhe të një interpretimi më të mirëfilltë e më të ndërliqshëm të disa nga veprat poetikisht më të rëndësishme të letërsisë së arbëreshëve të Italisë dhe të hedhin dritë për disa qenësi e cilësi të tyre shtjelluese, poetike e kuptimore e njëherazi të dëshmojnë se ato bëjnë një nga pjesët më poetike të letërsisë shqipe në përgjithësi. "Në këtë vëllim, jo rastësisht, pjesën më të madhe e zënë punimet kushtuar letërsisë së shkruar të arbëreshëve, ku u jam qasur dhe i kam interpretuar disa nga kryeveprat e saj, që hyjnë në rrethin më të ngushtë të vlerave letrare poetike të shkruara në gjuhën tonë, qoftë të asaj të traditës, qoftë të asaj bashkëkohore", vijon më tej ai gjatë një shkrimi kushtuar kësaj Antologjie të Letërsisë së Arbëreshëve të Kalabrisë. Më tej, ai vijon duke thënë se përpjekja për një lexim më thellësor, përkatësisht vënia e një dialogu me strukturat e ndërliqshme tekstore; zbulimi i lidhjeve dhe i mënyrave të ndryshme të shtjellimit të tekstit poetik të veprave të veçanta, konkretizimi dhe përligjja e mendimeve me të dhëna dhe me shembuj përkatës, ka qenë një punë tejet e vështirë e bërë mbas leximit dhe rileximit të vëmendshëm e të disahershëm të veprave, sidomos të atyre të De Radës, të Skiroit e të Santorit. "Çdo lexim i ri më zbulonte diçka të qenësishme në shtjellimin dhe veçantinë e botës poetike të veprave të shqyrtuara ose ma bënte më të qartë e më bindëse atë që kisha vërejtur edhe në leximet e mëparshme. Kjo vështirësi bëhej më e ndjeshme edhe nga fakti se gjuha që përdorin shkrimtarët arbëreshë jo gjithherë është e lehtë për t‘u kuptuar, qoftë si pasuri e veçanti leksikore, qoftë sintaksore dhe kuptimore. Mirëpo, them me gjithë mend se t‘i lexosh e t‘i interpretosh këto vepra vlerash të mëdha e të depërtosh në qenësinë e strukturave tekstore dhe të mesazheve poetike të tyre, domethënë të ballafaqohesh e të merresh me madhështi shtjelluese e shprehëse poetike ose, shprehur me gjuhën e poezisë, të gjendesh e të jetosh në mbretërinë e artit të njëmendët dhe natyrisht të përjetosh pasurimin shpirtëror dhe katarsën artistike në një shkallë të lartë", komenton Berisha. Një pjesë e mirë e punimeve të përfshira në këtë vëllim, të botuara më parë, janë riparë. Diku u është shtuar diçka e diku tjetër u është qartësuar ndonjë mendim ose vlerësim. Mbi të gjitha, Anton Nikë Berisha na bën të ditur se punimet mbi dramat e Zef Del Gaudios në arbërisht dhe Gjergj Kastrioti - Skanderbegu në përfytyrimin artistik të poetëve bashkëkohorë arbëreshë botohen për herë të parë.