“A ishte kjo fytyra që fundosi me mijëra anije, dhe që dogji kështjella t’Ilionit me majat e tyre të pafundshme,  Helenë e bukur, më bëj të pavdekshëm: me një puthje!” 
Kristofer Marlou: ”Dr. Faustus” 
1. 
Ç’dhunti e falur nga perënditë, shpalosur si n’një peng shpërblimi, 
tagrin e xhelozisë seç e pagoi edhe befas nisi e u bë zi dëshpërimi, 
në mes kujës e n’mes gjakut, në mes të lotëve dhe në mes të plojës, 
po shkonte kaluar e n’krah t’Paridit rënë si Hënë: Helena e Trojës. 
Oh sa gjak dhe sa dhembje tok përzier janë me mllefin e mbledhur, 
nëntë vite rrjesht mëritë zier i kanë përbrenda e gati për t’u derdhur, 
dhe në vitin e dhjetë vetë Parkat e mitologjisë fatin sa keq ua endin, 
bukuri e nemur e Helenës me gjak dhe në plojë e lau gjithë vendin! 
Një Hyjni e Olimpit bëhet sikur mjellmë, është Zeusi ai Zoti Mbret, 
sa zog i mrekullueshëm i tha Leda, se zemrën ah sa fort zë e ia vret, 
e gruaja e Tindarit, Mbretit të Spartës ç’iu lëshua pastaj tej pasionit, 
lindet kështu Helena, dëshirë e hyjnive apo mallkim i ri prej fatit !? 
Po vallë, përse qajnë Priami dhe Hekuba tej, e me lotët e tyre si shi, 
Vetë perënditë Paridin ua kanë falë e pagëzimin e tyre për një fëmi, 
ah sa ëndërr e tmerrshme, prindërve ç’ua shfaqë më tej një profeci: 
Ai do të djegë muret e Trojës, ah ai do të ndjellë aty veç kob dhe zi. 
Sa bari i pashëm që ishte Paridi! Edhe hyjnitë vetë dehte në dashuri: 
e nimfa Oenone jepej në qejfe pas tij, shfaqej muzika e Panit magji, 
ah sa keq i joshë mbret i pyllit me njëri-tjetrin, dhe tutje fijet e perit 
i dredhin Parkat fatit, e prapë ç’e mbjellin tok n’mëri farën e tmerrit. 
Mollë e sherrit qe e mallkuar apo zë i hyjnive klithja: Më të Bukurës, 
harron Paridi Oenonë, e si për kob epitetin ia dhuron vetë Afërditës! 
Dhe Afërdita di dredhi e ia premton gruan më të bukur në këtë botë, 
e shkallët se ç’ia rrëfejnë n’ari Pallatin e Menelaut mbretit në Spartë. 
Ah! Fytyra sikur drita e diellit ç’verbonte siç u verbua vetë Homeri, 
e flokët si flakë yjesh, sytë e bukur sikur Deti Egje, një mollë sherri, 
qafën si mermer e duart si zana vetë, vetullat më tej të zgjatura hark, 
sfidë i bënin diademës ballit të Afërditës, dhe sfida seç u pikoi gjak. 
2. 
E molla e artë vallë kujt do i jipej, me mbishkrimin: Më të Bukurës, 
n’logun e bjeshkëve a n’logun e fushës ajo si në vetë logun e luftës, 
si në një log zanash kur shiu i njomë si një qiell lotësh-barin e rritë, 
e keza gjethlare e fitimit, dridhur prej ngashërimit, rrinte duke pritë. 
Dhe i tha Hera: Ah ma jep ti mua mbishkrimin, premtimin do kesh, 
i tha ajo edhe e futi në lojë: se zot i gjithë Azisë vetëm ti do të jesh, 
Athina e mençur i tha tej: bari i ri unë prore do t’bëjë fitues në luftë; 
E Afërdita e di se: jo skeptër po zemrën Paridit me çka t’ia mbushë. 
O bari i ri e i pashëm, bari i Malit Ida, o Paris, mollën e artë ti mua: 
ma jep! Dhe unë s’të premtoj as skeptrin dhe as fronin, po një grua, 
një më të bukurën që është në botë, por një yll që n’shqim vezullon, 
ah buzëqeshje e ëmbël, ah magji e kurthë, ah mashtrim që i verbon. 
Ti - fuqi që në tallje gjunjëzon zemra hyjnish dhe mortarësh njëlloj, 
lajkat apo furtuna e fatit të pafat - që loznin edhe me njerëzit njësoj, 
flakët e dashurisë ndezën pasionin, e zjarr i dhanë Trojës jo më pak, 
e prenë Priamin plak! Në ankth e në lebeti zhytur mëritë la me gjak. 
Prapa mbeti hija e Paridit me Helenën, kalorës dashurie magjepsur, 
lëmsh legjendash a te vërtetash pa fund kur thanë se e kishte gjetur: 
prapë burri i saj n’Egjipt, se me Akilin u bashkua n’Ishull t’Bekuar, 
se e varën n’dru, urdhër i Mbretëreshës Polyxo a Amori mallkuar!? 
Ç’mori vallë Paridi, kush humbi e kush fitoi kur gjaku e lau Trojën, 
në re gjaku mbuluar qe Greqia e në shi t’përgjakur ata lanë epokën, 
përgjakur heksametrat e Homerit, zemrat trandur si Toka e Olimpit, 
trofe i luftës pru në Trojë, a fantazmë e Helenës në krah të Paridit!? 
3. 
Bukuri që verbon e dritë që dhe terrin e shpon, është vetë Helena, 
s’ka parë jo Greqia femër më të bukur edhe as Homeri në rreshta, 
të tillë s’ka parë as Zeusi, po Zot kjo flakë e ky gjak zie në zemër, 
është Paridi vetë, verbuar prej bukurisë, Helenë ç’i thonë në emër! 
Ah faj i zi, ah vaj e mëkat e rrënkim, a pasion i dehur në vërshim, 
si Titania vetë në krahët e dashurisë Paridi, në afsh e në rrëmbim, 
çante anije e tyre në mes dallgëve të detit, drejt Trojës ç’shkonin, 
trazimin e gjakut përbrenda, dhe përpara: kobin që dot s’kujtonin. 
Ç’dremitej Homeri nëpër epet e tij e tok me të po dremitej agimi, 
e tutje brigjeve të detit, gishtërinjtë e trëndafiltë me vel trishtimi, 
s’ish lëshuar si një shi i përgjakur Olimpit: Zeusi në vargje bardi. 
e as Afërdita këmbëzbathur në det ecur, ishin Helena dhe Paridi! 
Veshur i ka Helena rrobet e Greqisë, dheu i miteve edhe i arteve, 
aty çdo nënë të birin e di si hyjni, e aty çdo krua nxjerrë Perëndi, 
kujt më bukur ndenjur s’i kanë jo rrobet të mbërthyera për shtati, 
ah ç’mynxyrrë dhe ç’lebeti - fushë e betejës për një qejf shtrati!? 
Patkonjtë e kuajve u nxjerrin strall, dhe flegrat gjakun u nuhasin, 
kujt do i mbajnë anën hyjnitë e ç’anmiq që as zotërat nuk i qasin, 
Hënë e përgjakur ndrinë përmbi kufoma, s’po zbardhë dot agimi, 
Pergament i Perëndive Helena, mallkim apo lot me zi trishtimi!? 
Ah qejfi i një femre sa keq ka ndezur mëri zotërash në hakmarrje, 
Kali i Drunjtë rri tek portat e Trojës, gaditur rri në luftën e madhe, 
e ka ndjerë Helena dredhinë e Uliksit e zë t’i joshë si gratë e tyre, 
po s’jepet Odiseu dot, shokët këshillon: kujdes sepse është yshtje! 
O i ka endur pena e fatit penjtë e jetës, ç’ ogur i zi emër i Helenës, 
Tezeut i lindi fëmijë, Menelaun e tradhtoi: Bir i Atreut t’Mikenës, 
e ka lënë Hermionin foshnjë edhe joshur është në krahët e Paridit, 
sa fat i zi e solli tek muret e Trojës e në gjak ç’u la toka e Olimpit! 
Hutuar vështrojnë zotërat, gjaku rrjedhë rrëke, kufomat dergjen tej, 
rrotull në betejë trima n’za: Agamemnoni, Idomeni dhe vetë Akili, 
Patrokli e Menelau, Eneu edhe Hektori, trupa që heqen zi e zvarrë, 
Hektorin e therrë Akili, Priami n’vaj e Andromaka e ve zemërvarr. 
4. 
Lotojnë sytë e bukur të Helenës për plagën kulluar gjak të Paridit, 
Filoketa ç’e qëlloi me shigjetë hekuri ah tej për tej shpuar gjoksit, 
Oenona s’ia heq dot, se shpagim i bën për shpinën që ai ia ktheu, 
bariu i pashëm kur ate përbuzi dhe Helenën afshit kur e mbërtheu. 
Lotojnë pallatit tej, Kasandra edhe Hekuba me lotët shkuar çurgë, 
Paridi ka vdekur e ngjitaz është Hektori, gjaku gurrë, toka murgë, 
e Pyrrusi, i biri i Akilit e ka mbytyr Piramin sulur mbi të n’egërsi, 
kështu re e vdekjes shtrihet n’logun e luftës, si kob i zi mbi Greqi. 
Gjaku i një gruaje ka ndjellë gjak dhe viktimat iu takojnë hyjnive, 
ç’po dridhej si purteka zemra e Helenës n’mes fatit dhe dashurive, 
Menelau dhe Uliksi e kanë çarë rrethimin e rrotull sundon vdekja: 
Ajaksi vdes në duart e Akilit e Agamemnonin e vret Klitemnestra. 
Fyta-fyt grekët me trojanët, ndezur keq mëritë e perëndive mbi ta, 
mes Scillës dhe Haridbës bukuria që i verbon rri, rri në zi Helena, 
e nëpër heksametra gishtërinjtë e saj të trëndafiltë ç’i pikojnë gjak, 
si zemra vetë, mallkim hyjnish a bukuri vrastare n’Ballkanin plak! 
Dashuri e verbër apo përgjërim i përshpirtshëm i zemrës së Paridit, 
tundim a rrëmbim i afshit, apo Parkat që endur e kanë perin e jetës, 
e mbushur mëkatit, zili e mëri a dënim i dhënë prej vetë Perëndive, 
e bukur si yll: Helena e Trojës a enigmë me gjurmë të lashtësive !? 
Xhemail Peci 
“A ishte kjo fytyra që fundosi me mijëra anije, 
dhe që dogji kështjella t’Ilionit me majat e tyre të pafundshme, 
Helenë e bukur, më bëj të pavdekshëm: me një puthje!” 