Janë marrë me forcë, janë detyruar të mësojnë të luftojnë. I kanë shtyrë të vrasin dhe torturojnë. Kadogo-t, fëmijët ushtarë të Kongos, janë fytyra më e dhimbshme e luftërave që përgjakin kontinentin
Bienvenu Kakule e di mirë si ta torturojë një njeri me thikë. Po ashtu di si ta bëjë të vuajë shumë gjatë. Di si t’i bëjë vrima me majën e saj në kokë dhe bark para se të përfundojë me një prerje fyti. Bienvenu nuk di të lexojë. Nuk ka as punë, as shtëpi. Madje nuk ka as familje. Në moshën 17-vjeçare, ky ishte fëmijë ushtar, ose ish-kadogo, neologjizëm lokal që tregon “një gjë të vogël, pa rëndësi”, do të donte të kthehej në bankat e shkollës. “U stërvita kur isha 9 vjeç dhe në moshën 10-vjeçare kisha vrarë të burgosurin tim të parë. Komandanti na i linte neve pengjet, sepse mendonte që fëmijët nuk kanë mëshirë”, tregon Bienvenu. Ai gjendet në qendrën e Kamitugas, rreth 200 kilometra në jug të liqenit Kivu, në zemër të asaj që dikur ishte një xhungël e stërmadhe, por që shpyllëzimi dhe erozioni ka bërë që të ngelen një sërë kodrash pa bimësi. Qendra sapo është rikonstruktuar nga një shoqatë italiane që i ndihmon me ilaçe, shtretër gjinekologjikë, libra shkollorë dhe para për të blerë ushqime. Këtu, në fakt, përveç ish-fëmijëve ushtarë, dëgjohen, mirëpriten, ndihmohen dhe këshillohen edhe të sëmurët me AIDS, gra të dhunuara, vejusha të luftës dhe shumë jetimë. “Por janë pikërisht ish-fëmijët ushtarë më të vështirët për t’u ndihmuar, sepse njerëzit kanë ende frikë nga ata dhe askush nuk dëshiron t’i marrë”, thonë drejtuesit e kësaj qendre. Bienvenu u çmobilizua pak muaj më parë, falë një punonjësi të UNICEF-it. “Përpiqemi t’i rikuperojmë fëmijët, duke negociuar direkt me rebelët. Nga viti 2005 kemi liruar 34000 dhe 2953 vetë nga fillimi i vitit 2009”, shpjegon amerikania Tasha Gill, specialiste e mbrojtjes së fëmijëve në konfliktin kongolez. “Kemi krijuar 17 qendra në vend për t’i pritur dhe paguajmë rreth 250 familje që janë gati t’i presin”. Por t’i largosh vetëm nga lufta nuk mjafton. Për të larguar rrezikun e rikthimit të tyre andej nga erdhën është e nevojshme të ndjekësh hapat e tyre të parë drejt normalitetit. “Disa rikuperohen shpejt, të tjerë e kanë më të vështirë. E kam fjalën për ata që kanë vuajtur më shumë, që kanë asistuar në përdhunimin e njerëzve të afërt, apo atyre të cilëve u është kërkuar të vrasin ndonjë prind apo motër”. Për ta janë të nevojshme kura psikiatrike ose psikologjike, që shpesh mungojnë si për mungesë të ilaçeve ashtu edhe për mungesë të personelit. Bienvenu na pret me një disa shokë që dikur kanë bërë të njëjtën “punë” me të. Të gjithë kanë qenë “peshqit” për milicitë e përfshira në luftën e pafundme, e cila që nga viti 1996, në Kongon Lindore, ka shkaktuar 4 milionë të vdekur. Kur luftonin bashkë me rebelët të gjithë kanë duruar urinë, lodhjen, sëmundjet. Të gjithë kanë përdhunuar, plaçkitur, vjedhur, vrarë. Por kjo lloj fëmijërie e kaluar përmes armëve në xhungël ka lënë gjurmë që është e vështirë të harrohen në jetën e tyre: dy nga dhjetë ish-fëmijët ushtarë në qendrën Kamituga kanë probleme me të folurin, ndërsa tre në dhjetë të tillë kanë probleme nervore. Historitë e tyre janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Mukulutombo Kisimbi tregon: “Kur isha 12 vjeç, fshati im u rrethua nga rebelët Mai Mai, që në fillim vranë babanë tim, pastaj dogjën shtëpinë. U detyrova të shkoja pas tyre në xhungël. Më rrahën derisa mësova të luftoja”. Po ashtu tregon edhe Christina Nyangi: “Isha 8 vjeçe kur më morën. Duke parë moshën e vogël, nuk mendoja se do të më çonin të luftoja. Por e kisha gabim. Më vendosën në rresht të parë. Bëja sikur lypja nëpër rrugë. Sapo armiqtë më kthenin shpinën, unë i sulmoja”. Po ashtu është edhe historia e Kilongo Lipandas: “Një ditë refuzova të shkoja të vidhja në një fshat dhe më rrahën për vdekje. Në fund u detyrova të bashkohesha me të tjerët. Në atë fshat jetonte familja ime”. Por sa është numri i këtyre fëmijëve ushtarë në pjesën lindore të Kongos? Askush nuk e di me saktësi dhe askush nuk di të japë as edhe një shifër të përafërt. “Megjithatë dimë se milicitë vazhdojnë t’i marrin dhe t’i bëjnë pjesë të tyre. Ka edhe nga ata që i bashkohen vullnetarisht këtij grupi, të bindur se do të kenë një jetë më të lehtë, por kjo shifër nuk shkon më shumë se 20 për qind”, shpjegon Gill. Dihet edhe se më shumë se gjysma e efektivave të 20 milicive rebele të Kongos Lindore përbëhet nga fëmijët ushtarë, apo ndryshe kadogot. Nga këta ka edhe në përbërje të Forcave të Armatosura të Republikës Demokratike të Kongos që duhet ta pengojnë rekrutimin e fëmijëve apo mes rebelëve dhe që akuzohen se kryejnë në fshatra të njëjtat krime me më shumë agresivitet. “Problemi është se qeveria nuk ka para për të paguar as ushtarët e saj. Për këtë arsye ata kryejnë krime kundër civilëve, pastaj ua hedhin fajin njëri-tjetrit”, thonë ekspertët e qendrës së Kamitugas.
Nga pothuajse 3 mijë fëmijët ushtarë të liruar vitin e kaluar, vetëm 387 prej tyre ishin vajza, ku më të rejat ishin 12 vjeçe. Për ushtarët, të rregullt apo rebelë qofshin, më shumë se sa luftëtare, ato konsiderohen gra me plot kuptimin fjalës të destinuara të lajnë, gatuajnë, apo të kënaqin aspektet e tyre seksuale. Për këtë arsye, kur organizata ndërkombëtare arrin të identifikojë praninë e tyre në ndonjë prej milicive në vend, është shumë e vështirë që të lirohen. Tani, sipas Felix Ackebos, kreu i seksionit të UNICEF-it në Goma, shpesh janë vetë vajzat ato që refuzojnë të largohen nga garnizonet që i kanë skllavëruar. Kanë frikë nga liria sepse, pasi bëhen shërbëtore të ushtarëve, familja dhe fshati i tyre refuzon t’i presë sërish, aq më tepër që askush nuk do të martohej më me to. “Pak rëndësi ka nëse këto vajza rekrutohen për të luftuar, për të kënaqur dëshirat seksuale të ushtarëve, apo për të bërë punë të durueshme në minierë apo transportimin armëve. Në çdo rast bëhet fjalë për dhunimin e të drejtave të fëmijëve”, shpjegon Ackebo. Paolo Urbano, një anëtar i ekipit italian, thotë se në Kinsasha, në Kongon Lindore, ka një përzierje problematikash etnike dhe interesash të mëdha tregtare. Është njëlloj sikur vendi të jetë viktimë e pasurisë së vet. “Qeveria nuk ka mjete për të mbrojtur territoret që lakmohen nga të gjithë, sepse janë të pasura me minerale të kushtueshme. Kushdo që kërkon t’i shfrytëzojë këto burime duhet të paguajë ata ushtarë që kontrollojnë rajonin. Për këtë arsye, aleancat mes rebelëve ndërtohen dhe prishen shumë shpejt dhe kanë nevojë për njerëz të rinj, gjithmonë aq më mirë nëse nuk i paguajnë. Fëmijët ushtarë janë gjëja më e mirë që nuk kushtojnë thuajse fare. Mjafton t’i rekrutosh ose më mirë t’i rrëmbesh pas plaçkitjes së fshatit. Historitë e dhjetë fëmijëve ushtarë në qendrën e Kamiutugas nuk janë histori fëmijësh-ushtarë por martirësh-ushtarë”. Në fakt, kështu tregon edhe Bienvenu: “Kur në xhungël nuk gjenim majmunë apo gjarprin kundër të cilëve të qëllonim, ishim të detyruar të vdisnim kafshët në fshat. Një herë më detyruan të haja mishin e një ushtari të vrarë. Nëse do të kisha refuzuar, do më kishin vrarë ashtu siç kishin bërë me fëmijët e tjerë”. Tani Bienvenu po mëson të lexojë. Dëshiron të marrë dëftesën e shkollës fillore dhe në të ardhmen të bëhet agronom. Ajo e tij është vetëm një ëndërr, sepse është i papunë dhe nuk ka asnjë mjet monetar për t’u regjistruar në shkollë. Megjithatë ai beson se mund t’ia dalë mbanë. Në jetën e tij ka përballuar edhe situata më të vështira. Në Afrikë, mësohet shumë shpejt për të vrarë e për t’u vrarë. Lojërat, shkollën, të drejtën për të qenë të lumtur e gëzojnë vetëm pak fëmijë. E thënë më qartë: katastrofa më e madhe humanitare e Afrikës tashmë ka ndodhur, madje jemi në kapitullin e fundit. Na shfaqet para syve që prej 14 vjetësh dhe u ka marrë jetën miliona njerëzve, mban peng të mbijetuarit, ka prodhuar një brez fëmijësh që nuk kanë pasur kurrë të drejtën të vënë buzën në gaz. Sot, në pjesën lindore të Kongos, po zhvillohet e para luftë, ku refugjatët e ata që kanë marrë arratinë për t’u shpëtuar luftimeve, janë kthyer në armë më vete, e cila përdoret nga të dyja palët luftuese me indiferencë, cinizëm e mizori. Në Kibati, 12 kilometra larg Gomës, kryeqytet i një prej rajoneve më të pasura në botë me minerale e dhimbje njerëzore, grumbullohen të mbijetuarit e kësaj lufte, e cila u ngjan konflikteve europiane që gërshetoheshin me njëri-tjetrin deri sa formonin kasaphana. Kanë parë me sy ferrin, janë larguar prej shtëpive, kanë marrë arratinë, duke u çjerrë nga dhimbja e frika. Gratë janë përdhunuar nga milicitë e shumta që kanë kaluar këtu, qeveritare apo rebele; por edhe ato ia dolën të mbeteshin gjallë. Fëmijët luajnë edhe sot në llucën e këtij fushimi gjigant, prej 45 mijë vetash. Por nuk mbajnë veshur uniformat e ushtarëve-skllevër, një tjetër mrekulli; ndoshta ngaqë u rezultojnë shumë të vegjël si ushtarëve qeveritarë, ashtu edhe rebelëve, të cilët mësyjnë herë pas here shkollat.