Gjykata për Mbikëqyrje të Inteligjencës së huaj në SHBA ka lejuar me një vendim më të fundit, zbulimin e informacioneve në mbarë botën, me përjashtim të 4 vendeve. Vetë Agjencia për Siguri Kombëtare ka përjashtuar nga lista e vendeve nga të cilat mund të zbulohen dhe interceptohen të dhëna të fshehta, vetëm 4 shtete, duke i lënë kështu 193 vende të tjerë krejt të hapura ndaj përgjimeve. Madje kjo agjenci amerikane ka firmosur marrëveshje për të mos u përgjuar, e cilësuar ndryshe si jo-spiunazh, me Britaninë e Madhe, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re.
Sipas raportit të publikuar nga prestigjozja “Washington Post”, gjykata ka aprovuar listën me 193 vende ku NSA-ja, e bërë e njohur ndërkombëtarisht pas publikimit të dokumenteve sekrete nga ish-kontraktori Eduard Snouden, do të mbahen ligjërisht nën vëshgim. Kjo listë e aprovuar nga gjykata, autorizon gjithashtu përgjimin mbi 20 organizata, duke përfshirë këtu edhe institucionet e mëdha si Kombet e Bashkuara, Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Europian. Sipas “Washington Post”, gjykata ka aprovuar gjithashtu disa regulla më të zgjeruara për mbledhjen dhe ruajtjen e e-maileve apo bisedave telefonike.
Në këtë mënyrë NSA ka siguruar një autorizim për të monitoruar jo vetëm komunikimet e personave të shënjestruara prej saj por edhe të personave që kanë kontakte me ta, qofshin ata qytetarë amerikanë apo të huaj. Në 2013-ën, mbi 90 mijë individë të huaj dhe organizata, u cilësuan si shënjetra të NSA, të cilët u vunë nën përgjim. Gati një vit më parë, ish-kontraktori i Agjencisë Amerikane të Sigurisë, Snowden publikoi mijëra dokumente sekrete, sipas të cilave SHBA-të kanë kryer ndër vite përgjime, mes të cilave edhe të qeveritarëve e liderve botërore, institucioneve më të larta politike e financiare, duke shkaktuar një ftohje mes Amerikës dhe pjesës tjetër të botës. NSA-ja tejkaloi çdo parashikim mbi spiunazhin mes aleatëve të saj dhe jo vetëm, si pjesë e programit PRISM, i cili në fakt supozohej të shërbente vetëm për të identifikuar dhe luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar por që në fakt ka shërbyer për më shumë se kaq, duke përgjuar gjithcka, edhe bisedat e qytetarëve të thjeshtë. Nga ajo kohë, ish tekniku i CIA-s dhe NSA-së, akuzohet nga SHBA-të për spiunazh.






