Heshtja që vret

Sheval Memishi

Bashkësia etnike shqiptare në Maqedoni e indukuar nga faktorë të caktuar dhe individë me impakt politiko-shoqëror, viteve të fundit ka akumuluar një dukuri apo vecori të pazakontë për te, dukurinë heshtjes.
Kur është fjala për heshtjen si një akt individual apo shoqëror, është më se e qartë se në moment dhe kohë të caktuar heshtja mund të vlej edhe flori, prandaj në këto momente ai që ka heshtur, vërtet e ka merituar epitetin e një personit të zgjuar, ndërsa heshtja si fenomen shoqëror në shumë raste, e sidomos në rastin e neve shqiptarve në Maqedoni, për gjithëçka që po ndodh rreth nesh, nuk po na bën nderë, por po na vret ngadal e sigurt.
Heshtja jonë ndaj të gjithë padrejtësive që na janë bërë dhe vazhdojnë të na bëhen nga subjektet tona të instrumentalizuara politike dhe sidomos institucionet e kontrolluara shtetërore, po merr trajtën e një fenomeni të pazakontë për ne, por që fatkeqësisht është një realitet i zymtë që për çdo ditë “po na vret”.
Po hesht, apo nuk po dëgjohet fare: zëri i punëtorit, zëri i nxënësit, zëri i studentit, zëri i gazetarit, zëri i intelektualit, zëri i grupacioneve dhe shoqatave progresiste, etj., ndërsa po dëgjohet vetëm: zëri i demagogëve, zëri i mashtruesve, zeri i manipuluesve, zëri i vjedhësve dhe plaçkitësve institucional, e aq më tepër po na zhurmon rëndë në veshë: zëri i padrejtësisë, zëri i nëncmimit dhe nënshtrimit, zëri i frikës dhe turpit.
Ne shqiptarët e pavendosur të këtij territori politiko-tektonik, kemi lejuar dhe vazhdojme të manipulohemi, mashtrohemi dhe të besojmë se nesër do të bëhet më mirë. Ne shqiptarët e interesave miskine të këtij mocali të turbullt që quhet Maqedoni, vazhdojmë që të jetojmë sot për nesër, sepse s’e kemo kacykun për të shikuar dhe vepruar për me larg. Ne shqiptarët e dezorientuar dhe hutuar të kësaj hapësire të mjegulluar jo vetëm politike por edhe shoqërore, vazhdojmë të luajmë rolin e qiraxhiut në këtë vend, sepse me veprimet tona jemi duke dëshmuar se pikërisht e meritojmë një epitet të tillë.
Gjithëcka po ndodh në kohën dhe hapësirën tonë, ndërsa ne për cudi po heshtim.
Po heshtim, kur na përkufizohet dhe akoma na ngushtohet korniza e mirëqenies dhe perspektivës etnike. Po heshtim kur nga kulaci jetësor I këtij vendi, nuk po arrijmë që të përfitojmë as edhe të dhjetën pjesë të tij edhe pse meritojmë shumë më tepër. Po heshtim edhe kur na shajmnë rëndë, edhe kur na rrahin e maltretojnë edhe kur na vrasin edhe kur na burgosin me burgime të përjetshme. Sa e cuditshme është që vazhdojmë të heshtim ?!
Monstruozët e “monstrës” kushdo qofshin ata, maqedonas apo shqipfolës, e gatuan dhe e montuan këtë proces antishqiptar dhe në fund, pikërisht për Ramazan, na e servuan epilogun e kurdisur gjyqësor, me doza të larata helmuese, për ta konsuamuar në iftaret tona të sivjetshëm dhe për tja ndjerë hidhëtinë edhe për shumë e shumë iftare e ramazane të përjetshme.
A ka ardhur moment që fuqishëm ta ngemë zërin ?!
Sigurisht që po, sepse nuk ka ku shkon me tutje. Nëse sot nuk e ngremë zërin, nesër do na zë belaja edhe më e madhe, sepse heshtja jonë e gjertanishme na ka sjellur në këtë gjendje të katandisur.
Ata e bënë të veten, tani rradha është e jona. Nëse ne preferojmë që të vazhdojmë të heshtim, duhet ta kuptojmë se ata nuk do të ndalen me kaq, por do vazhdojnë që mbi kurrizin tonë të sajojnë „monstra“ e tejmonstra.
Le të mos heshtim më, por të ngremë zërin e drejtësisë kundër: dhunës, terrorit, rrahjeve, vrasjeve, burgosjeve dhe proceseve të montuara politike, sepse me heshtjen tonë, me vetëdije lejojmë që të na vritet e ardhmja jonë në këtë vend!

Related Posts: