Musa Lamallari (Tim Shkupi)
Kërkesa e prokurores Geshovska që të akuzuarit për rastin ‘Monstra’ të dënohen me dënimin maksimal në shikim të parë ishte një lexim emocional, që i ngjasonte kohës së inkuizicionit kishtar të mesjetës, por në fakt i gjithë procesi prej ditës së burgosjes së të akuzuarve ishte një kurdisje me epilog të kurthës së Shejtanit, me ç’rast prezumimi i pafajësisë është shkelur qysh në fillim të këtij aksioni policor “Monstra”, ku spektakli medial i Jankullovskës, mumija e Xhelal Bajramit dhe trikat e Bujar Osmanit, që i shpallen fajtorë qytetarët e shtetit të Maqedonisë, tregonte qartë kurthin e Shejtanit se të akuzuarit as që do të mund të mbrohen në këtë proces gjyqësor për shkak se aktgjykimi është marrë shumë më herët dhe tjerëkund, sikurse vendim për vrasjen e 5 qytetarëve të tjerë, jo në vetë sallën e gjykatës dhe jo gjatë procesit gjyqësor, por në shërbimet e dështuara sekrete të shtetit, ku korrupcioni dhe bandat kriminale për uzurpime tokash janë pjesë përbërëse e politikës së imponuar nga “car Nikolla” mbi politikën e vockël të tenderokratëve të Ali Ahmetit.
Një shpjegim NDRYSHE:
Pas vrasjes së pesëfisht para dy viteve në tokat e Shkupit, pastaj aksionit të menjëhershëm policor “Monstra” të udhëhqur nga Jankullovska dhe Xhelal Bajrami, të dirigjuar nga “car Nikolla” dhe të bekuar nga Ali Ahmeti, ku u maltretuan dhe u arrestuan pa prova me dhjetra qytetarë shqiptarë të Maqedonisë, duke nënçmuar dinjitetin e tyre, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, prekën aty ku preket nderi i çdo femre, dinjiteti i motrave shqiptare, duke krijuar një spektakël mediatik se gjoja bëhet fjalë për terrorizëm islamik në Shkup, në fund për sakrificë të Shjetanit, kurthit më monstruoz ndonjëherë të ndodhur në Maqedoni, elita e Shejtanit do të mbajnë në paraburgim vetëm 7 persona si të akuzuar për “terrorizëm”.
A e dini se numri 7 nuk është i rastësishëm? Ka rrëfim biblik dhe kuranor. Ka edhe shkencor, që lidhet me ligjet e fizikës. Ylberi ka shtatë ngjyra. E shohim të gjithë sikurse e dijmë se 7 ditë ka java, 7 nota ka muzika dhe këtu vjen edhe shkenca më e re e astrofizikës mbi “String Theory”. “It vibrates and grows” (Kuran 41: 39) Po përmendi ylberin dhe nuk po e përmendi 7 qiejt dhe 7 dyert e ferrit të Zotit, të mos keqkuptohem nga dudumët fetarë dhe antifetarë. Prandaj edhe shqiptimi i dënimit me burg të përjetshëm vetëm për 6 të akuzuar dhe lrimin e 1 personi nga paraburgimi, gjithashtu ka rrëfim biblik dhe kuranor. Zoti e krijoi botën për 6 ditë dhe të shtatën ditë e zgjodhi për pushim. (pushimi sipas biblës dhe jo kuranit)
Çfarë simbolike ka në lirimin e njërit prej 7 të akuzuarve? Nuk ka shpjegim për këtë simbolikë, por ka interpretim (përcjellje se kush është kush?) se “car Nikolla” me Ali Ahmetin, i cili ”sheh përtej maleve”, janë sinonim i Nemrudit të pa-aftë në dialog me Ibrahamin, babës së monoteizmit, kur mendjemadhi, tirani, shtypësi, i padrejti, Nemrudi i tha Ibrahamit: “Edhe unë jap jetë dhe vdekje”!” (Kuran 2:258) Që do të thotë se “car Nikolla” dhe Ali Ahmeti kanë zaptuar shtetin dhe sillen njejtë si Nemrudi. Kush nuk e ka kuptuar ende këtë simbolikë, duhet ta di se është në agoni të Shejtanit.
Sado që rasti “Monstra” duket biblik dhe kuranor me numra, sikurse na duken kryqat e “car Nikollës” së VMRO-së prej në Vodno dhe gjithëandej, së fundi edhe në vendin e krimit ku u ekzekutuan 5 qytetarë të pafajshëm, ku në emër të tyre u ngrit një kishë sherri, që tregon qartë se kriminelët e vërtetë kthehen në vendin e krimit për të zaptuar tokë, jo në emër të Zotit, por në emër të Shejtanit. Kurse veprat e Shejtanit mund të zbukurohen, të paraqiten ndryshe nga realiteti, mund të duken premtime tërheqëse, por në fakt janë premtime dominimi, kaosi, që përbëhen nga gënjeshtrat dhe mashtrimet për të shkaktuar fatkeqësi për të gjithë, pasi Shejtani është inkompetent për të sjellur paqë, drejtësi dhe tolerancë mes njerëzve.
Prandaj, para kësaj proteste të shqiptarëve, që do të mbahet nesër, shfrytëzoj rastin të tregoj se kam marr një letër nga një familjare prej njërit nga të dënuarit në rastin “Monstra”, e cila kërkon përkrahje dhe protesta, sepse është e bindur në pafajësinë e anëtarit të saj, ku në fund të letrës shkruan “Sot është dita ku shqiptarët të tregojnë dashurinë mes njëri-tjetrit dhe përkrahje, mbështetje vëllazërore, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Diasporë…”
Një thirrje nga zemra dhe shpirti, tani vjen nga unë, duhet të protestohet, të ngrisim zërin lartë për Drejtësi, për prova, fakte dhe jo vendime politike. Jo zik-zake dhe mashtrime burokratike sipas gjuhës së Adnan Jasharit, ministrit të Drejtësisë. Nuk duhet të poltizohet kjo protestë nga askush, edhe pse ka tendenca, nga grupe dhe qarqe të ndryshme, sepse Shejtani është aktiv. Një prej tendencave, që tani moti sillet në disa qarqe dhe mediume antishqiptare, është të motivojnë disa grupe me tendeca arabo-turke, tendeca me ngjyrë fetare, slogane dhe flamuj të konflikteve në Lindjen e Mesme. Kjo tendecë përkrahet edhe nga ca grupe të inkriminuara, të korruptuara të partisë në pushtet, sikurse përkrahet edhe nga disa individë me koncepte fraksioniste për të dëmtuar opozitën shqiptare në Maqedoni, duke e futur me një thesë me partinë në pushtet.
Çdo shqiptar që do të protestojë nesër, duhet ta ketë parasysh se bëhet fjalë për një proces të montuar, bëhet fjalë për njerëz që u dënuan në momentin e arrestimit dhe jo në gjykatë. Ata duhet të jenë synimi ynë, jo emocionet tona, jo agjendat tona, sepse duke zbardhur të vërtetën e rastit “Monstra”, ne bashkarisht përmbysim sistemin unitarist, diskriminimin, padrejtësitë dhe të gjitha kurthet e Shejtanit, pavarësisht të cilit komb apo feje i përkasin personat që kurdisin kurthe të këtilla, që kanë zaptuar shtetin dhe sistemin e drejtësisë. Është muaji i Ramazanit, agjërimit, që ndryshe është heshtje, që nuk duhet të shfaqim emocionet tona, prandaj të mos lejojmë agjenda të huaja në këtë protestë, por të tregohemi se kemi dinjitet dhe dijmë se çfarë kërkojmë. Kështu edhe shumë shqiptarë tjerë jashtë Maqedonisë do të kuptojnë qëllimin tonë të drejtë.
Një prej ideve që protestat të jenë në nivelin e dinjitetit tonë:
FAILED STATE, FAILED JUSTICE, FAILED GOVERNMENT
FREEDOM FOR INNOCENT PEOPLE
GOSHEVSKA A MONSTRUM
GRUEVSKI A CRIMINAL
ALI AHMETI A TRAITOR
STOP DISCRIMINATION
FREE TRIAL FOR FREE PEOPLE






