Gjermania lehtëson dhënien e dyshtetësisë


Gjermania vendosi të lehtësojë dhënien e dyshtetësisë për fëmijët me origjinë të huaj pasi Bundestagu miratoi dje në mbrëmje këtë ligj të destinuar kryesisht për fëmijët e imigrantëve turq.
Në Dhomën e Ulët të Parlamentit gjerman, 463 deputetë votuan pro dhe 111 kundër ligjit të ri që Partia Social-Demokrate (SPD) kishte paraqitur si kusht për pjesëmarrjen e saj në koalicionin me konservatorët e kancelares, Angela Merkel pas zgjedhjeve legjislative në vjeshtë të vitit 2013. .
Deri tani, fëmijët e të huajve të lindur në Gjermani duhet të zgjidhnin në moshën 18-23 vjeç mes kombësisë së prindërve të tyre ose kombësisë gjermane.
Tashmë, fëmijët e të huajve mund të kërkojnë të kenë dy pasaporta nëse ata kanë jetuar të paktën tetë vjet në Gjermani, ose kanë ndjekur për gjashtë vite shkollën.
Ky legjislacion i ri do të prekë kryesisht të rinjtë turq të brezit të dytë ose të tretë të quajtur “Deutschtürken”.
Për qytetarët e Bashkimit Evropian dhe Zvicrën, ky ligj i ri nuk ndryshon asgjë. Ata mund të marrin tashmë nënshtetësinë pas tetë viteve në Gjermani.